Kulturë
Sami Islami: Vani - ministër
E premte, 02.02.2024, 08:55 PM
VANI- MINISTËR
Tregim nga Sami Islami
Kur
lind fëmija (nëse është djalë) prindërit ia lënë emrin Luan, Sokol, Hekuran dhe
emra të tjerë, me dëshirë që kur fëmija të rritet të merr virtyte të emrave që
ua lënë: të luanit (trim si luani), të sokolit ( i shkathtë si sokoli), të hekurit (i fortë
si hekuri) etj. Mirëpo zakonisht këto janë vetëm dëshira të prindërve, se
rrallë mund të rastis emri me atë çfarë do të bëhet fëmija kur të rritet në jetë, sepse mund ta
ketë emrin Luan, po të jetë frikacak si miu, ose të ketë emrin Sokol e të jetë
i ngathtë si huti...
Ja
që, për çudi, nga njëherë me emrin qëllon që edhe fëmija kur të rritet të bëhet i tillë. Kështu ndodhi me personazhin tonë.
Kur lindi fëmija, prindërit e quajtën Pehlivan (kurse shkurtimisht, më
vonë, e thirrnin vetëm me nofkën Vani).
-Ç’është
ky emër, pyesnin njerëzit lagjes nga kureshtja? Çfarë domethënie ka?" -Kjo fjalë domethënë ”akrobat“, njeri që di të eci edhe nëpër tel dhe nuk
rrëzohet! -iu kishte pas përgjigjur prindi i tij, me qesëndi.
-Unë
kam dëshirë që djali im të bëhet si pehlivan, sepse vetëm të tillët më së miri
kalojnë në këtë jetë!-kishte shtuar.
Dhe
për çudi sa po kalonte koha, Vani po rritej dhe si dukej se po e ”arsyetonte“
emrin, nga se, qysh i ri ia nisi
”pehlivanllëqeve“, të cilat filluan edhe
t'i ”ecnin“ të shkretat. Sa ishte
nxënës gjimnazi, librat i kishte zët, po
megjithatë “suksesin“ e kishte ndër më të mirët, ndoshta se ishte bir funksionari. Dhe Vani si ”pehlivan“ që ishte e ”nuhati“ herët
se në Vilajet për të nuk do të kishte
”perspektivë“ dhe vendosi të ikte në Perëndim. Po ç’t’ë bënte atje? Punën s’ia
donte hiç. Shkollën s’e kishte
përfunduar, megjithatë apetitet s’e
lenin të qetë që të bëhej i madh. Po si t’i hynte këtyre ”pehlivanllëqeve“?
Hajt, mendoi, ta regjistroj veterinën, se me para mund ta kryej atë pa farë
mundi, dhe, në mos asgjë, bile kur ta ”kryej“ do ta fitoj titullin “dr“! Se ku
e dinë njerëzit kur të kthehem në Vilajet se çka kam kryer dhe si e kam kryer?
Do t’ju them se jam ”dr“ e hajt. Dhe vërtetë ”i shkrepi“ Vanit. E mori ”diplomën“
e veterinarit dhe sapo deshi të kthehej në vendlindje, tha me vete, çka mund të
bëj unë me këtë diplomë atje? Atje dolën prej pune edhe ata që ishin, e
unë po kthehem të punoj , pale!
Vendosi
të rrinte edhe më tej aty ku ishte. Kështu e ”këshilloi“ edhe Zeqa.
-Perëndimi
është punë e madhe, shkojmë në Gjermani-
tha dhe ia bëjmë disi. Dhe vërtetë s’lanë gur mbi gur, si thonë, duke ushtruar
”profesione“ ndër më të ndryshmet, përveç profesioneve për çka ishin
”kualifikuar“ duke bërë para të mira.
Një
ditë Vani, duke e parë se e kishin ”kullotur“ mjaft Gjermaninë dhe nga frika se
mos po u binte kush në gjurmë i tha Zeqës:
-
Të holla kemi bërë mjaft, ç’thua të shkojmë në Amerikë!
-
Lere pashë Zotin- ia priti Zeqa-pse a nuk po të pëlqen këtu, a?
-
Më pëlqen, më pëlqen këtu, po a s'po e sheh se u mbush thesi?! Shkojmë atje dhe bëjmë diçka më të mençur.
Atje unë kam disa miq dhe me që s’na
njeh kush tjetër për marifetet tona! Në
mos asgjë e formojmë një shoqatë- Lere mos bën hajgare-ia priti Zeqa- s’janë
ato punë për ne! shoqata shqiptarësh në Perëndim ka sa të duash!
-
Po, po – iu përgjigj Vani- E formojmë një shoqatë tjetër. Se mos kanë vdekur
budallenjtë? Atje ka shqiptarë sa të duash. Situata në Vilajet është e rëndë
dhe nisim ngadalë t’i ”ofrojmë“ shqiptarët. U themi se kemi ardhur të bëjmë
diçka për vendlindjen , fillojmë të mbledhim para në emër të shoqatave
humanitare!
-Mirë
e ke Vani, kërkush nuk ta kalon ty për "pehlivanllëqe"!
Dhe
erdhi Vani në Amerikë! I ra kryq e tërthor qytetit ku u vendos. Takoi pak
njerëz nga Vilajeti i tij. Por me rëndësi qe se ai aty u takua me Malën, një
mik i tij i vjetër, i cili e njoftoi edhe me bashkatdhetarë të tjerë. Mala së
shpejti po e martonte djalin dhe për ta nderuar Vanin, e kishte ftuar atë dhe
Zeqën në këtë gazmend. Dhe Vani për ta
treguar ”patriotizmin“ e madh, në dasmën e Malës, u dalldis krejt. E mori flamurin kombëtar dhe doli në ballë të krushqve (edhe
në mërgim dasmat bëheshin sipas traditave shqiptare) dhe kërcente Vani. Kështu kërceu me flamur u djersit sa mjekra e
kuqe e flokët e rralla i pikonin ujë! U dalldis sikur donte ta ”shteronte“ krejt
"patriotizmin"!
-Kush
është ky që po bën kaq ”gjymysh“ pyetnin disa?
-Nuk
e di po po thonë se qenka një ”i njohshëm” i Malës dhe sa paska ardhur tash vonë
prej Vilajetit -sqaroi një i pranishëm!
***
Ditët
po kalonin e Pehlivani po hulumtonte si të futej në shoqërinë e re. Një ditë e
pyeti Malen:
-Si
i keni punët këtu në Amerikë, a ka
ndonjë fare aktiviteti ?
-Ka
pasur- ai ktheu Mala, -po nuk është duke funksionuar në kohë të fundit. E kemi
në plan ta mbajmë një mbledhje dhe të bëjmë diçka. Nëse je i interesuar posa të
mbajmë mbledhjen unë do të propozoj për kryetar
të shoqatës. Se, ti e di, këtu
mua s’ma prish kush- u krekos Mala.
Pastaj
këtu vetëm “tanët" jemi mjaft. ”Hajde Pehlivan, hajde, të erdhi rasti ta luash rolin ashtu siç di
ti“- mendonte. Dhe Mala shfrytëzoi dasmën për t'i tubuar shqiptarët. U bënë ato ”formalitetet“
dhe punët filluan të ecnin tamam sipas skenarit, nga se edhe në
"zgjedhje" nuk pati konkurrencë.
Dhe
Vanit filluan t'i rriten veshët edhe më. E pse jo, pa pritur e pa kujtuar u bë
kryetar i shoqatës edhe atë në Amerikë!
Fundja kjo ishte si fitorja e Cezarit në Senatin e Romës! Rreth vetes kishte
Malen me gjithë "kompaninë" e tij. Dhe kjo në fund të fundit
mjaftonte. Njerëzit nga Vilajeti tuboheshin aty. Mala, si "muzikant"
që ishte bënte shpesh muzikë ( natyrisht sa për qejf) e nganjëherë luante pingpong, e të tjerët "organizoheshin" në
sektorë të ndryshme. Me rëndësi ishte se
ky Vani (Pehlivani pra) shfrytëzonte çdo rast për të mbledhur para: jo
për këtë çështje, jo për atë çështje, po më së shumti i "ndezte"
kur "organizonte" aksion për
të mbledhur të holla për atdheun (për Vilajetin) për gjendjen e rëndë atje. Dhe
njerëzit jepnin të holla, e ky Vani nuk
i zbriste kurrë veturave më luksoze që kishte në Amerikë!
Me
profesionin e veterinarit ishte ndarë definitivisht, po pasi që ishte njëfarë
"doktori", siç thamë, titullin "dr" e kishte shumë në qejf
dhe, nganjëherë edhe kur shkruante (në
Amerikë po botohej një gazetë e shqiptarëve) u nënshkruante me "dr Vani", edhe pse ky "nënshkrim" asnjëherë nuk kishte
lidhje me atë për çfarë shkruante ky, po me rëndësi ishte të dukej se ky ishte
njeri "i madh". Në Amerikë s'la mbledhje pa e përmendur, pa e
propaganduar shoqatën e vet, në emër të së cilës edhe u pasurua. E pat bërë
"blozhë" si thonë një farë "komunikate" duke e lexuar për çdo mbledhje! Tani, jo vetëm
"kompania" e Malës dhe e Zeqës që e mbanin në duar , por tash ai e
"zgjeroi" influencën edhe tek shumë të tjerë.
Për
shkak të situatës shumë të turbullt në Vilajet, në Amerikë vinin shpesh edhe
shqiptarë të tjerë. Kështu një ditë erdhi edhe Emini. Edhe ky kishte disa “huqe” sikur edhe Vani. U soll e u soll
të futej diku në parti dhe dikur ia arriti qëllimit dhe si të thuash “u be dora e djathtë” e Vanit. Po as ky nuk
shpëtoj pa nofkë. Edhe këtij, posa erdhi, njerëzit ia gjetën nofkën dhe e
quajtën shkurt Mini. Si duket edhe nofka Mini i përshtatej se ishte si mini në
të vërtetë, si përnga pamja ( se nofullat i kishte pak si të dala jashtë, pa
fije floku në kokë dhe me mjekër), por edhe për nga lëvizjet e shpejta që i
bënte. Ishte i pakapshëm! Edhe ky, shitej si
"atdhetar" i madh
dhe "patriot" po
"digjej" për fatin e atdheut. Edhe ky, pra, më në fund u fut në shoqatën e Vanit dhe si
të thuash e gjeti fulterja tenxheren. E gjetën njëri- tjetrin. Të dytë ishin me
mjekra. Të dytë kishin mjekra ngjyrë të kuqe, por Vani kishte mjekër të gjërë dhe të rruar me
"stil", kurse Mini kishte
mjekër të mprehtë dhe mbante syza si me hije as të errëta, as plotësisht të
ndriçueshme.
***
Po
Vani as me këtë nuk ishte i kënaqur. Synimin e kishte diku tjetër. Ai e dinte
mirë se në Amerikë, sado që kishte bërë para të majme nuk do të kishte
"autoritet " sa të kthehej në Vilajet. Zaten edhe thonë "Më mirë
i pari në katund, se i fundit në qytet". Dhe Vani pra po planifikonte të kthehej
në Vilajet, pasi që partia e tij, anëtar i së cilës ishte sa ishte atje, kishte shumë gjasa të fitonte dhe, doemos ky do të merrte ndonjë vend të mirë në
pushtet! Sa për postin e kryetarit të
shoqatës në diasporë kishte planifikuar t'ia lente Minit. Se kush do t'ia
"kryente" punët më mirë se Mini (pardon Emini), i cili ishte në
gjendje të bënte të pamundurën për "bosin" e tij? Zor. Pastaj ky Mini
edhe e kishte dhënë provimin tek Vani për servilitet qysh se kishte ardhur në Amerikë, kështu që për
këtë Vani nuk kishte asnjë dyshim. Vetëm
Mini do të ishte "i denjë" ta zëvendësonte! Dhe Vani u kthye në
Vilajet. Ia filloi "dallavereve " edhe atje.
Mini po e zëvendësonte në mënyrë të denjë, si
thamë, duke organizuar aktivitete
politike e besa edhe aso kulturore. Një natë u organizua një koncert i madh në
Amerikë. Ishin tubuar shumë atdhetarë dhe Mini për t'u treguar të gjithëve se
sa servil ishte ndaj Vanit u ngrit në këmbë dhe tha: " Prej këtu, mendoj se e shpreh edhe
mendimin e masës kur them se dua t'i uroj punë të mbarë në Vilajet Vanit”. Dhe për këtë qëllim kam zgjedhur këngën për
Isa Boletinin në Londër". Duartrokitjet
e "simpatizuesve" të Vanit s'kishin të ndalur. Muzika ia
filloi e Minit nuk po i zinte vendi vend
prej gëzimit.
Kështu
po vazhdonte jeta në Amerikë, po në Vilajet?
Edhe
në Vilajet, në "zgjedhjet " që
u bënë, për çudi fitoi partia e Vanit! Zatën thonë kur ecë, ecë! U formua qeveria
dhe u caktuan ministrat. Filani, ministër
i drejtësisë, tjetri ministër i arsimit, një tjetër ministër i ekonomisë
etj. etj. dhe Vani si njeri që kishte të bënte pak a shumë me
"mjekësinë", pasi siç thamë në fillim e kishte të "kryer"
veterinën e caktuan Ministër i Shëndetësisë! Dhe Vilajeti më i varfër
ekonomikisht, më në fund, u bë me qeveri
të re dhe si të thuash më i pasuri me ministra! Po kjo gjë aspak
s'po e shqetësonte Vanin, pasi që punët
po ecnin për mrekulli! Ministri shpesh po ftohej edhe në TV, e ai si njeri me
"diapazon të gjerë diturie" jepte "ders" miletit se kështu,
ose ashtu duhet bërë, madje ata të Televizionit filluan ta prezentojnë si
"Dr. Vani ministër i shëndetësisë" etj, etj.
-Hajde,
Vani hajde, - dëgjova duke thënë një i pranishëm derisa ky po "mbante një
fjalë të rastit " në TV dhe ishte bërë gati të "inauguronte" një
spital në Vilajet.
-Ç'të
keqe ka këtu ?- e pyeti një tjetër.
-Jo
asgjë- ia ktheu i pari, por po kujtoj një thënie të një urti, i cili njëherë
pat thënë:
"Kur punët të shkojnë mirë, varg e
vistër,
Edhe
matrapazi bëhet ministër"!