Kulturë
Blerim Rrecaj: Fletorka e fryrë
E diele, 04.02.2024, 08:50 PM
Blerim Rrecaj:
Fletorka e fryrë
Çdo
gjë ka historinë e vet, kështu mendoi mbase me të drejtë. E mori në duar një
bllok shënimesh, një fletorkë të mbushur jo vetëm me shkronja por edhe me
cikërrime tjera si letra të qeskave të sheqerit me emra kafeneshë, ndonjë lugë
plastike, ndonjë letër çaji lulesh e frutash, ndonjë çelës rë thyer, ndonjë
mjet metalik dere të një brave të ndërruar, foto kafshësh e shpezësh të
çokolatave me qumësht, ndonjë letër çamçakëzi, ndonjë shtagë akulloreje, ndonjë
fletëz termini, ndonjë biletë autobusi, ndonjë copëz lëkure të një blloku të
harruar shënimesh, ndonjë kartëvizitë, ndonjë lule me kërcell, ndonjë gjethe,
ndonjë degëz, ndonjë ashkël druri, ndonjë pupël e pendël shpendi, ndonjë kapëse
metali, ndonjë gjilpërë, ndonjë pullë postare, ndonjë pullë xhakete a xhemperi,
ndonjë kartelë telefonike e Valës, ndonjë gjethe mandarine, ndonjë...e
ndonjë... Menjëherë pas hapjes së kapakut të parë vënë edhe tri foto të tijat,
njëra si nxënës filloreje, dalë për librezë, tjetra si nxënës i të mesmes dalë
për letërnjoftim, tjetra për librezë studenti, e tjetra për një kartë identifikimi
për ndonjëren nga mediet. Diçka nga këto ngjitje kanë pasur ngjitësin e vet,
disa janë të ngjitura me ngjitës të tejdukshëm, janë izoluar me 'izolir', e
disa me ngjitës special të lëngshëm. Menjëherë në faqen e bardhë përballë
kishte shkruar "Hyrje" në të cilën ishin ca fjalë shpjeguese për
historikun e fletorkës, për të vazhduar deri në fund të faqes tjetër po ashtu
bardhoshe. Pastaj fillonin faqefletët me katrorë, kah mesi në një cep kishte
bërë një xhep ku ruante kuponë të vegjël, letra çmimesh, për të vazhduat deri
në fund të saj ku në faqet e fundit mbanin titullin "Dalje", në të
cilën tregonte se tashmë kjo ishte tejmbushur dhe vendi e rendi ishte të
tregonte se kjo lojë e nisur kishte përfunduar. Në fund mendoi t'i bënte një
foto ta kishte si dokument, se kushedi fletorja edhe mund të
"shfryhej" si balonë në ajër. Dhe iu duk se këtë fletore e hartoi i
nxitur edhe ngase kur ishte fëmijë kishte parë një fletore me fletë pemësh nga
njëri fëmijë-nxënës i kushërinjve në fshat.
Një ide
I
erdhi një ide. Iu duk se kishte njëfarë vlere. Më pas i trokitën dhe ca tituj
sa për ta vënë në mëdyshje se cili do të ishte më i përshtatshëm. Do të duhej
të përcaktohej për njërin dhe në raste të tilla, herë-herë do të merakosej
paksa se mos nuk do ta zgjidhte më të duhurin. Sidoqoftë e mira e të mirës në
këto raste do ishte sikur të linte mënjanë për ca kohë skicimet që po bënte, e
t'i shihte më vonë me më gjakftohtësi, për të vazhduar me to a për t'i flakur.
Dhe vazhdonte "lufta" brenda tij, për titujt. Jo për gradat. Dhe në
njëfarë mënyre e la mënjanë. Pastaj pasi mblodhi një mori vargjesh që ishin
dyvargëshe dhe bile edhe me titull secila, dhe i la. Për t'u ktjyer pas ca
ditësh te to, e tashmë duke i bërë katërvargësha. Iu dukën se kështu ishin më
të plota e më me kuptim. Dhe vazhdonte përpjekjet e betejat që kushedi, mbase
mund t'i sjellnin një rezultat të kënaqshëm. U tremb por edhe u ngazëllye kur
mendoi se mund të bëhej dhe një libër. Më pas mendoi se mbasi vargjet ishin të
shkurtëra, më së miri ato do të rrinin në një libër xhepi. Kjo pos që iu duk më
mirë, iu duk edhe dukshëm më lirë, me më pak shpenzime. Të paktën t'i barte me
vete këto formula letrare, që herë i dukeshin edhe si shenja komunikacioni, që
ndahen në të kujdesit, të rrezikut e kushedi se çfarë, me anë të të cilave do
t'i duheshin për ta zgjidhur ndonjë problem a për të marrë ndonjë veprim a
orientim në morinë e kaq e kaq ngjarjeve në një mjedis që ndonëse s'i pëlqente
të shprehej kështu e quante herë të kontaminuar e herë toksik. Por që gjithsesi
duhej të ndryshonte.
Kërkimi
Mes
kërkimtarit dhe kërkaçit ku qëndroj
Mbase
diku pranë kulaçit
Në
sofër kam zënë timin vend
A
e sollët atë kos dhensh
Ëndërrëmbla
Kushedi
se çfarë ishte duke parë, dëgjuar, vëzhguar, menduar, përsiatur a medituar kur
iu ndez alarmi i ndonjë stacioi të trurit që i tërhoqi vëmendjen. I shkaktoj
një trazim në zemër. I erdhi si shprehje, që iu duk herë e turbullt e herë e
kristalizuar. I erdhi si titull, herë i zakonshëm e herë befasues, si shenjë që
tregonte për një drejtim. A thua për kah?! Një shteg po ia bënte me sy. Edhe me
dorë. Edhe me gisht. Mbase edhe me zemër. Mendoi e mendoi mjaft se, a do, e kur
mund të nisej, sa u lodh, pa luajtur nga vendi ku qëndronte. Mos ishte zhytur
në rutinë dhe tashmë kishte ardhur koha për t'u ngritur, për të lëvizur drejt
dyerve që do të ishin fatbardha, e sapo t'i hapte për të kaluar matanë, e
priste një botë e fisme, e paqtë e pastër, zemërdëlirë, e mirë, e qetë, jo
brengëmadhe, e hapeshin horizonte ku kishte ngadhnjyer e drejta, sinqeriteti,
puna, dinjiteti, humanizmi e solidariteti. Iu duk si ëndërrim i tjetërkujt, po
aq sa edhe i vetës, e mendoi ta shpërndante siç e përhapin të tjerët, duke parë
se shpresa besimmadhe dukej më e sigurtë se kurrë në vete e këtë ia thonin edhe
sytë e ngazëllyer, jomashtrues e të
padjallëzuar. I pëlqeu e u hodh në vallen e fitores për të festuar derisa të
lodhej. Ia vlente. Kjo ishte një nga ato lodhjet e këndshme që i do, e edhe
nëse zgjasnin s'kishe pse ankoheshe. Në
vend të koktejeve të vrazhda po shtroheshin kokteje të buta, të ëmbla, me
gjitha të mirat e me pije frutash. Bile edhe fjalët dilnin si të tilla. Si
fjalë frutash. As euforia nuk ngazëllehej së tepërmi. U lodh nga ky përfytyrim
dhe mori dy jastëkët ngjyrëhirtë dhe u shri për të pushuar dhjetë minuta, në
treulësen pranë dritareve.
S'e dinte se ku do të
dilte
E
nisi papritur, as që e dinte se do t'i dilte kështu siç i doli. Gjatë ditës
shkroi tri tregimthe. (E përsëriti lojën e djeshme, me ndonjë ndryshim të
vogël). Të parin e ilustroi me një shkrepje. Të dytin me ca vargje, për të
cilat më në fund vendosi se cilat do të i vënte. Për të tretin hamendësoi. Dhe
e la pa ilustrim. Herë i dukej një gjë e pavlerë e herë një mozaik estetik, për
të cilin e la dhe këtë shpjegim të shkurtër. Edhe një herë do të gjendej në mes
mëdyshjes dhe tundimit, e sikur priste se kush do e fitonte betejën. E la këtë
punë. Shkoi në shtrat. U zgjua në mëngjes. I pa edhe njëherë këtë që kishte
bërë. Po mendonte ta zgjeronte, ta pasuronte këtë mozaik. Dhe u nis për një takim.
Kushedi se çfarë do t'i dilte në rrugë.
Një rresht
Rrugës
derisa kalonte pa dy qen që nuk i ruanin delet por pëllumbat.
Në strehë
Më
në fund erdhi në strehëz. Kishte dalë në nëntë të paradites për t'u kthyer në
nëntë të mbrëmjes. Po mendonte se si kaloi edhe kjo ditë jashtë shtëpisë. Dita
kishte qenë paksa e mjegullt dhe e ftohtë. Me shumë gjëra që u përsëritën, thua
se ishte një takim e disa takime të viteve të mëparshme. Në vendin e njejtë e
nëpër lokale të mirënjohura. Fjalët ishin po ato, edhe reagimet, mimikat, gjuha
e trupave. Edhe nënkuptimet. Edhe ajo që duhej të kuptohej mes rreshtave. Diku
kafetë kthjellonin për ca çaste, diku ëmbërsirat së bashku me tone humori.
Flitej për të rejat e të vjetrat, ritregoheshin ngjarje e ndodhi. Flitej për
përpjekje, zhgënjime, për parime, për dinjitet, për ngecje e përparime, e gjuha
shkonte aty ku dhimbte dhëmbi, aty ku dhembnin plagët. Dikush kishte përfunduar
një projekt të nisur tash sa kohë dhe kishte ndërprerë bashkëpunimin, duke
menduar alternativë tjetër, një lloj avanture nëpër këto hapësira veprimi që
eksistonin, dikush po rrinte aty ku ishte pasi që përgjigja pas një takimi po
vonohej e po vonohej, dikush i pakënaqur, në kërkim të një shtegu tjetër pse
nuk po i kthehej një përgjigje në viber, dhe një tjetër në email, e dikush po
shikonte e po bënte seri me këtë seri serialesh të ritransmetuara. Megjithato e
megjithëkëto që panë, folën, ndjenë, përjetuan, u nisën për t'u rikthyer në
strehëzat e shpresave, se do të agonte një ditë shumë më e mirë, me hapa shumë
më të shpejtë.