Kulturë
Suadela Balliu: Lufta e Pengjeve dhe Ballkani si peng i luftërave
E merkure, 07.02.2024, 08:54 PM
Lufta e Pengjeve dhe Ballkani si peng i luftërave
Nga
Suadela Balliu, Kryeredaktore e
Uetpress-it, Tiranë
Që
ta njohësh luftën, në të vërtetë, duhet ta kërkosh nën lëkurën e viktimave dhe
në sytë e ushtarëve.
Ushtarët
e penës letrare të Gani Mehmetaj, janë edhe viktima. Viktima të një kauze
artificiale. Therorë të një shteti artificial në gremisje.
Ata
janë pengje. Pengje të besëtytnive, të frikës, të moskuptimit dhe urrejtjes për
tjetrin, për fqinjin e dikurshëm kthyer në bashkështetasin më të pagjasë, me të
cilin e kanë lidhur vetëm luftërat.
Lufta
e Pengjeve vjen si përpjekje e shkrimtarit për të rrëfyer,
gërmuar e ngacmuar plagë që shkojnë larg në kohë. Më larg se përpjekjet e
Kosovës për mëvetësi, më larg se gjenocidet dhe spastrimet etnike ndaj
shqiptarëve e madje, edhe më larg se projekti i shtetit federativ të
Jugosllavisë.
Ngjarjet
në roman lëvizin në kohën kur federata jugosllave nis shkërmoqet e luftërat në
Ballkan ndizen sërish.
Ata
që rrëfejnë janë tetë ushtarë, prej tetë kombësive të ndryshme, të veshur me
një uniformë, atë jugosllave, dhe degdisur diku në humbëtirë. Siç shkruan
autori, ata janë para mëdyshjeve halmetiane: të luftojnë për një shtet që po
merr rrokullimën apo të dorëzohen. Ata
nuk mendojnë njëjtë, nuk e ndiejnë njësoj luftën, por kanë fat të përbashkët...
Në
kazermën prapa diellit, në alpet sllovene,
nuk ndodh asgjë e njëherazi ndodh gjithçka. Shpalosen armiqësitë.
Shpaloset pushteti i dhunës së një kombi, që është ndier gjithnjë më i epërm
edhe gjatë projektit të bashkimit të sllavëve të jugut. Projekt i nisur herët
si Lëvizja Iliriane. Ndoshta nuk është
rastësi që autori e ka pagëzuar me këtë emër protagonistin, përmes të cilit na
vjen e gjallë dëshmia e luftës së gadishullit. Ndoshta edhe për të trazuar atë
pretendim modern të sllavëve jugorë për prejardhjen nga banorët e lashtë,
autoktonë. Një pretendim shumë më i hershëm i shqiptarëve në këto troje.
Për
të dekriptuar armiqësitë mes kombeve – ata të mbledhur nën një çati pa themele
të federatës socialiste – shkrimtarit i duhet të shkojë mijëra vite në kohë,
atëherë kur gadishulli quhej Iliri.
Ashtu
si shokët e brigadës alpine, edhe
Ilirjan Nikajn e kanë dërguar në
kazermën prapa diellit, me pahir, në luftën me armiq të paqartë. Armiku nuk
duket askund dhe ata nuk dinë kundër kujt luftojnë. Të gjithë të huaj, në një
ushtri të huaj, në vend të huaj.
Gjuha
e Gani Mehmetajt është pamore. Meritë
kjo edhe e përvojës si kineast. Përshkrimet e gjalla ia bëjnë të lehtë lexuesit
ta ndërtojë sfondin e të ngrejë skenën ku luhet drama e tetë djemve të
thjeshtë, të harruar aty jo prej ndonjë zoti idhnak pagan porse prej zotave të
luftërave moderne, që luajnë fate popujsh. Libri është brumë i mirë për tekst
dramaturgjik apo skenar i një filmi.
Ndoshta kjo është në projektet e
ardhshme të zotit Mehmetaj, i cili ka shërbyer për vite si drejtor i Kosova
Film.
Zhvillimi
dramatik i romanit të krijon përshtypjen se autori e ka ndarë enkas në dy pjesë
të rëndësishme, ku kuptohet më mirë Ballkani para dhe pas federatës jugosllave.
Rrëfenja i kapërcen dyzet vitet e sundimit të shtetit federativ.
Tetë
personazhet e tij nuk janë të rastësishëm. Autori, arkitekt i veprës, i ka
zgjedhur si arketipe të popujve të rajonit. Secili ushtar bëhet kështu përfaqësues i gjithë
mendësisë së kombit nga vjen. Gjuha e zgjedhur është e thjeshtë dhe është
pikërisht ajo thjeshtësi që nxjerr në dritë, shtresë pas shtrese, historinë e
gadishullit dhe famën e tij si fuçi baruti në mes të Europës.
Trillit
letrar nuk i mungojnë faktet historike, që Mehmetaj i shpalos me saktësinë e
një kronikani. Libri po ashtu është i
pasur me folklorin e popujve ballkanas.
Gojëdhëna,
këngë e rapsodi për heronj që shquhen dhe lëvdohen në shekuj për trimëritë.
Thënë ndryshe mbi mizorinë e karakterin gjakatar për të vrarë pamëshirë
armikun, fqinjin.
Lufta
për të cilën janë thirrur të luftojnë është për ta një nocion absurd, që u jehon
prej lajmeve në radio. Por ngjallja e së kaluarës, nuk ka nevojë për armiq të
huaj. Lufta dhe armiqtë janë vetë ata. Uniforma e njëjtë nuk i shoi dallimet e
aq më pak i sheshoi paragjykimet e armiqësitë e vjetra. Përmes narracionit,
autori shpalos bindjen se projekti i Jugosllavisë ishte jo vetëm i paaftë të
sillte bashkëjetesë paqësore nën një çadër, por edhe i destinuar të dështonte.
I
ndërtuar mbi një terren të rrëshqitshëm, mes popujve që identifikimin kombëtar
dhe nacionalizmin e kishin zgjuar ndoshta edhe përpara krijimit të
shtet-kombeve europiane me shpërbërjen e perandorive të mëdha, i ngritur mbi
themele tragjedish dhe lumenjsh gjaku ishte i pashmangshëm edhe dështimi.
Bisedat
e thjeshta mes ushtarëve shpesh merrnin tonalitetet e gjuhës diplomatike, për
nga kujdesi për të shmangur fyerje me bazë nacionaliteti.
Aleancat
e brishta, miqësitë mes tetë ushtarëve -Zorani, Franci, Ilirjani, Senadi,
Stipe, Dimçe, Ishtvani dhe Bozho – shpalosin edhe se cilët kombe kuptoheshin
diç më mirë me njëri-tjetrin e cilët jo. Koret e plagëve nuk mbajnë më dhe
gjithçka hapet. Ata bëhen kështu të parët qengja flijimi, blatuar zotave të
luftës. Nuk janë ata që e duan luftën. Atyre u është mësuar
t’i friken tjetrit e ta urrejnë. Atyre u kërkohet të marrin armët e të
shtien. Lufta nuk është e tyrja, por ata janë në mes të saj.
Zgjedhja
stilistikore e shkrimtarit, për të bërë kapërcime të shpejta dhe të shpeshta
nga koha e kryer në atë të tashmen, ia sjell lexuesit ngjarjet të gjalla sikur
po kryhen ende. Kjo për të treguar se edhe pas tri dekadash, Ballkani mbetet
zjarri i hapur.
Tensionet
e vazhdueshme në veri të Kosovës janë kambana që trand se asgjë nuk është e
qetë në gadishull.
Autori
nuk i kushton vëmendje vetëm ecurisë dhe fateve të luftës, por zhvillon karakteret
duke na bërë që përmes secilit personazh të njohim popuj.
Pjesa
e dytë e romanit, e bën luftën konkrete. Terreni i saj është kaotik.
Fushëbeteja është e gjithë harta e ish-Jugosllavisë. Të gjithë luftojnë kundër
të gjithëve. Kështjella federative po shkërmoqet dhe të gjithë rimarrin shpejt
rolet e vjetra, ku ngjan më e lehtë që popujt të jenë armiq. Kjo ngase, as
Jugosllavia nuk e pat në vizionet e saj të sillte paqen mes popujve që kish
mbledhur në vathë, ku disa kishin privilegje e të tjerët shtypeshin. E shkuara
nxirrte malet me kufoma, zbulonte varret masive...
Ngjarjet
zhvillohen vrullshëm si në një film aksion. Protagonistin e hedhin situatat nga
njëra ushtri në tjetrën, prej Sllovenisë
në Kroaci, me ushtrinë serbe e deri në Bosnjë.
Autori
shpalos, ndër rreshta, faktin kur tridhjetë për qind të ushtrisë jugosllave e
bënin shqiptarët. Ilirjani bëhet dëshmitari dhe përmes syve të tij shohim
tensionet në shpërthim në secilin shtet, sesi ushtria jugosllave tanimë kishte
marrë divizat serbe. Ai provon në lëkurë tmerret e luftës, plagoset, burgoset,
arratiset, dezerton. Autori e lë gjallë, duke e kaluar në situata me zgjidhje
deux ex machina. Ilirjani duhet të jetojë
për të na treguar atë që ka ndodhur.
Do të kishte qenë më e thjeshtë për këdo narrator të zgjidhte ta
rrëfente librin nga një kah, fjala bie nga ajo shqiptare. Është pikërisht këtu
forca e penës së Gani Mehmetajt, që ngacmon dhe na sjell një qasje tjetër, të
së njëjtës tablo lufte dhe gjenocidesh. Ndoshta gazetari brenda tij – dikur drejtues
i gazetës Rilindja dhe Bota Sot - e di
rëndësinë e të qenët neutral. Si
shkrimtar është njohës i mirë jo vetëm i natyrës njerëzore, por edhe i
specifikave etno-kulturore të secilit popull të Ballkanit. Që të jenë të
besueshëm personazhet e tij duhet të kenë karaktere dhe gjuhë krejt të
dallueshme nga tjetri. Përmes kësaj bëhet edhe më e lehtë të kuptuarit se nga
burojnë armiqësitë dhe urrejtjet: shpesh nga paragjykimet dhe padija. Ballkani
ndoshta mbetet rajoni, ku popujt njihen pak ose aspak mes veti. As gjuha e
unifikuar, ajo jugosllave, nuk i ndihmoi në afro gjysmëshekulli të kuptoheshin
dhe njiheshin.
Në
epilog të romanit, Ilirjanin – ushtarin e ushtrisë jugosllave e gjejmë në Hagë.
Një tjetër ngacmim ky me aktualitetin, ku sot ende liderë e ish-liderë të
Kosovës, ish-luftëtarë të UÇK-së presin gjykimin në Gjykatën Ndërkombëtare.
Ilirjani lirohet por jeta e tij dhe e të gjithë ushtarëve të brigadës alpine,
nuk është më e njëjta. Në jetën publike të Kosovës, Gani Mehmetaj – një prej
themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reputacionin e një zëri që
provokon e madje akuzohet edhe si përhapës i ndasive e përçarjeve. Në letërsi,
ai jo vetëm e rrëzon këtë famë, por shkon deri në tolerancë... Na fton ta
shohim historinë, gadishullin, madje edhe luftën, me sytë e tjetrit. Në këtë
roman e shohim sa me sytë e shqiptarit Ilirjan aq me ato të boshnjakut Senad,
serbit Zoran, dalmatinasit Stipe e kështu me radhë...
Ashtu
si edhe në romanin tjetër të tij, Zogjtë e Qyqes, historinë tragjike të
urrejtjes mes serbëve dhe shqiptarëve zgjodhi të mos e rrëfente me gojën e një
shqiptari, porse atë të një koloni serb.
Librat
e Gani Mehmetit kanë forcën për të trazuar ujërat dhe vijnë gjithashtu si
një ftesë për të dalë nga vetja e për ta
parë luftën me të tjerë sy. Me sy pak më të afërt të ca ushtarëve të thjeshtë,
që janë po aq viktima.
Ky
lexim, ashtu si edhe vetë Historia tregoi se një projekt i tillë ishte i
panatyrshëm, ku popujt as i kanë varrosur e as i kanë harruar armiqësitë dhe
plagët mes veti. Një vrasje e paralajmëruar prej incidenteve të vazhdueshme mes
Prishtinës e Beogradit i ngjalli frikërat e vjetra të gadishullit dhe
shqetësimin e arenës ndërkombëtare.