E marte, 15.10.2024, 11:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Një kujtim i vitit 1982 me Profesor Safet Hoxhën

E hene, 05.02.2024, 08:56 PM


NJË KUJTIM I VITIT 1982 ME PROFESOR SAFET HOXHËN

NGA NDUE DEDAJ

Në jetën e njeriut lënë gjurmë shumë njerëz, edhe pse kujtesa nis e zbehet me kohën, pasi të tjerë trokasin aty. Mirëpo mjafton një “shkëndijë” që ata të rivijnë tek ti, edhe pse qëllon që të gjejnë të papërgatitur për ritakimin, në kuptimin që ti nuk je i informuar mjaftueshëm se çfarë ka ndodhur me ta më pas. Kështu më ndodhi dhe mua teksa po shtypja në kompjutër disa shënime në formë ditari, që i përkisnin vitit 1982, kur isha student në Shkodër.

Dita e parë e prillit:

“...Profesor Safet Hoxha, të cilin e çmoj për kulturën e gjërë që ka, më foli për ca aspekte gjuhësore e letrare, që lidheshin me mua. Fillimisht më përgëzoi për poezitë e afishuara në “gazetën e murit” të Fakultetit. Pastaj më tha se unë mund të gjurmoja rreth terminologjisë së punimeve në minierat e Pirustëve në Mirditë etj.” (Sot që e mendoj, them se ai kërkonte të më orientonte drejt një hulumtimi më të vërtetë intersant, paçka se nuk do t’ia hyja asaj pune. Pirustët si bakërnxjerrës e përpunues më kanë intriguar gjithnjë, por burimet rreth tyre janë të pakta, aq më tepër gjurmët në terren, kanë mbetur mbase të asaj epoke (ilire) disa toponime, si Kodra Pirust në Gjegjan, gjurmë furrash shkrirje si “fosile” mademi etj.)

Por të vijojmë me Profesorin:

“Ti, Ndue, krahas poezisë, them se duhet të merresh dhe me prozë, - vijoi profesor Safeti. E nis me gjinitë e vogla: skicën, tregimin, portretin, pastaj shkon tek novela dhe kur piqesh mirë merr guximin e hidhesh në roman... Profesori më këshilloi që të bëja një punë paraprake, kërkimore në funksion të procesit krijues: Pa bërë këtë nuk mund të shkruash. Pa e njohur gjërësisht e thellësisht atë që don të bësh objekt pasqyrimi. Dhe kur arrin ta dashurosh atë për çka do të shkruash, atëherë vepra del e plotë. Kështu bën, për shembull, Skënder Drini, - vazhdoi ai. Dy - tre vjet gjurmon nëpër biblioteka e arkiva dhe pastaj shkruan”. (Skënderi, siç dihet, lëvroi romanin historik dhe ishte i natyrshëm ai stil pune.)

Ishte një ditë e bukur kjo e sotmja dhe do të kisha dëshirë që një bisedë e tillë më vlerë për mua të vazhdonte, pasi kisha gjetur “çelësin” për të zbërthyer këtë njeri, në pamje të jashtme i “ftohtë” - në fakt mjaft dashamirës, i thjeshtë dhe punëtor, por nuk mund t’i kërkoja të qendronte më gjatë, ngaqë ishte i lodhur nga provimi me studentët e korrespondencës. U ndamë afër Hotel - Turizmit duke e falenderuar. Është gati 60-vjeçar, por kur hyn në auditor ngjan si një djalë i ri. Më tha se në vitin 1983 do të botonte si libër studimin e vet për marrëdhëniet e shqipes me gjuhët sllave...”

Ky shënim ditari, natyrshëm më shtyu të kërkoj ndonjë informacion në rrjetet sociale rreth këtij personaliteti të arsimit të lartë dhe të gjuhësisë, por jo. Asnjë fjalë askund në Wikipedia, vetëm në disa bibliografi revistash studimore nga fusha e albanologjisë të viteve ‘60. Për më tepër as fotografia e tij. Pas disa kërkimesh në internet, has në një publikim me titullin “Me dhjetëra mësues lumjanë drejt ngritjes së shkollës shqipe në  Kosovë”, përgatitur nga Rexhep Rifati, ku fatmirësisht ishin dhe ca rreshta biografik kushtuar profesorit tonë, në radhë me arsimtarë të tjerë të viteve ‘40. “Profesor Safet Hoxha, i diplomuar për letërsi dhe gazetari në Beograd, është nga Zapodi, punoi mësues në fshatin Buçe të Dragoshit, pastaj në Prizren e Podujevë, kurse pas studimeve universitare, punoi përkthyes i emisioneve shqip të Radio Beogradit. Më 1955 kthehet në Shqipëri. Deri sa doli në pension punoi profesor i gjuhës shqipe në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër”.

Për më shumë iu drejtuam miqve tanë në Shkodër, të cilët na dërguan një botim jubilar të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, të vitit 2022, ku ishte fotografia dhe një jetëshkrim i shkurtër i profesor Safet Hoxhës (1924 – 2000), kryesisht me të dhëna rreth jetës së tij akademike. Aty shkruhet se profesori erdhi në këtë institucion në vitin 1973, ku zhvilloi veprimtarinë e tij didaktike, shkencor e edukative pranë Katedrës së Gjuhës Shqipe. Ai ishte titullar i lëndëve “Gramatikë historike”, “Kulturë e gjuhës e stilistikë gjuhësore”, “Formim i gjuhës letrare shqipe” dhe “Gjuhësi ballkanike”. Më 1996 mbrojti gradën “Doktor i Shkencave Filologjike. Pos kontributeve studimore në gjuhësi, ai ka botuar artikuj dhe në lëmë të letërsisë e folklorit. Po ashtu ka punuar 12 zëra të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. Sa i përket studimit të tij të jetës, nuk di nëse qe publikuar atëherë, siç më pati thënë, por në vitin 2001 nga shtëpia botuese Camaj – Pipa do të botohej monografia e Safet Hoxhës “Elemente leksikore të gjuhës shqipe në gjuhët sllave ballkanike”, prej 265 faqesh.

Profesori me sytë e mençur fshehur prapa syzeve dukej si një njeri jashtë regjimit. Ai nuk na e fuste frikën me lëndën e “tmerreshme”, Gramatikën Historike. Me siguri që i bënte hije biografia si ish - student i Beogradit, apo dhe punonjës i Radios së kryeqytetit serb, ashtu siç një mallkim i tillë do të ndiqte dhe gjuhetarin tjetër të shquar Kol Ashta, që i kishte pas kryer studimet në “La sapienza, Romë”.

...Një fletë ditari na hodhi mbrapa në kohë, për t’u takuar me një njeri, heshtja ndaj të cilit është heshtje ndaj një elite dijetarësh, që nuk dimë nëse e ka më Shqipëria.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora