Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: U bëfsh 1000 vjeçe, Tirona ime!
E diele, 11.02.2024, 08:50 PM
Elvi Sidheri:
Tirona
është e tillë, kaq unike në çdo nuancë të shumanshmërisë së qytetarisë së saj,
saqë të gjithëve pa përjashtim, na bën të ndihemi bij të saj, qoftë nëse, si
stërgjyshërit e mi, katër breza më parë, kemi ardhur në këtë qytet të bekuar
njerëzish të butë, të ëmbël, mikpritës e shpirtmirë, kur ajo do të shpallej
kryeqytet nga patriotët largpamës pas Kogresit (shpëtimtar për fatet e Shqipërisë)
të Lushnjes, në vitin 1920, qoftë nëse në këtë qytet kemi lëshuar rrënjë qysh
pas rithemelimit nga Bargjinët, qoftë po të kemi ardhur bashkë me Llacifacët në
agun e shekullit XIX, qoftë me dibranët (nga të dyja Dibrat, pas Luftës së Parë
Botërore), qoftë në kohë të Mbretit Zog, bashkë me parinë dhe fisnikërinë e
qytetëruar që ndërtoi Tiranën bashkëkohore, e gjithashtu hodhi themelet e
shtetit shqiptar, në arsim, shëndetësi, ekonomi e kulturë, qoftë me partizanët
në 1944, qoftë pas vërshimit drejt Tiranës në 1991 nga veriu, e në 1997 nga
jugu.
Tirana
është zemra e Shqipërisë së sotme aspak rastësisht, por sepse shpirti i saj
është aq i madh, saqë ka vend për këdo që e shpie udha gjer në kryeqytet, duke
na përkundur të tërëve në krahët e saj, duke na bërë të flasim në dialekt
tirons të gjithë, paçka se mund të kemi prejardhje nga Labëria e thellë, nga
Korça, Mallakastra, Çamëria, Shkodra, Kukësi, Kosova, Tropoja, Puka, Shkupi e
Ohri.
Tirana
të birëson vetvetiu, të mëson me vlerat e kulturën e saj mendjehapur, ta
melodizon të folurën me dialektin e vet të hareshëm, t'i miklon shijet me Tavë
Dheje e Caraca, ta grish kureshtjen me emërtimet e saj të pashoqe, nga Bërryli
te Zogu i Zi, 21-shi e Xhomlliku, ta çjerr fytin në stadium për Tironën e
Partizonin (edhe Dinamon për disa të paktë), e të bashkon në mirësi gjithmonë.
U
bëfsh 1000 vjeçe, Tirona ime!