Kulturë
Kadri Tarelli: Kuvend Letrar
E diele, 18.02.2024, 07:57 PM
Një libër mirë, i shkruar me ndjenjë, përkushtim, përgjegjësi intelektuale e qytetare është si pëllumbi i bardhë lajmëtar. Atëherë librin me cilësi dhe vlera, nuk të bëhet ta heqësh prej dore, por e mban pranë, mbi komodinë - Kristaq Turtulli
KUVEND LETRAR
10-vjetori i festivalit poetik, organizuar nga Art Club ,
“Rifat Kukaj”.
Drenas, Dardani.
Nga Kadri Tarelli
Prag feste “17 Shkurti”, në ditën e
shenjtë të “Mëvetësisë Dardane”.
Një udhëtim i këndshëm drejt qytetit të
Drenasit, në zemër të Drenicës kreshnike, për të marrë pjesë në kuvend poetësh
dhe letrarësh, tashmë të shndërruar në traditë.
Pikërisht, ditën e shtunë, më: 10, të
shkurtit, 2024, në Bibliotekën e Shkollës së Mesme Profesionale, ”Fehmi
Lladrovci”, në Drenas, u mbajt takimi i X-të i manifestimit letrar, ”Vjeshta
dhe Vargjet”, organizuar nga Art Club, ”Rifat Kukaj”, ku kishte pjesëmarrës,
poetë dhe shkrimtarë nga trevat tona arbnore. Nga Durrësi u paraqitëm me
krijimet tona, Ardita Beqja-Vasjari, me poezinë “Pupël…”, që u lexua nga znj.
Fatmira Beqja, redaktore dhe kritike letrare, Merita Kuçi-Thartori, poete me
poezinë, “Një dritë”, z. Zija Beqja dhe unë Kadri Tarelli, që po rendis këto
pak fjalë krenarie dhe kënaqësie, me vjershërimin “Këpuca më vret…..”.
Programi i tej-ngjeshur, parashikonte dy
pjesë:
Në pjesën e parë, u mbajt tryeza
tematike për krijimtarinë letrare të shkrimtarit të njohur, Rifat Ismaili, i
cili u nderua me Çmim. Për veprat e tij ligjëruan Emin Z. Emini, Kosovare Krasniqi dhe
Ajete Zogaj.
Në Pjesë e dytë: u zhvillua “Ora letrare”,
ku garuan (60 poezi), pra mjaft e begatë, me pjesëmarrje të krijuesve poetë,
nga të gjitha trojet shqiptare.
Mes dy pjesëve të takimit, në hollin e
shkollës u hap edhe ekspozita e artit figurativ me grafikat dhe pikturat e artistit
Fisnik Leku. Për t’u vlerësuar si ngjarje ishte se njëkohësisht në atë mjedis
pune dhe arti, ishin paraqitur edhe punimet (në maket), të nxënësve të shkollës.
Urime nxënësve dhe mësuesve pasionantë.
Si zakonisht në të tilla takime dhe
kuvende libri, nuk mungojnë që brenda manifestimit të ketë edhe shumë takime
mes miqve dhe shokëve të hershëm. E gjitha kjo një meritë dhe pasuri e çdo
takimi, që duhet vlerësuar dhe përshëndetur mirësisht. Në këtë udhë mendimi,
vlen për t’u shtuar edhe përqafim, shtrëngim duarsh, biseda, fotografi dhe
dhurime librash, në nderim të ndërsjelltë.
Për të gjithë pjesëmarrësit patëm nga dy
libra dhuratë: “Vjeshta dhe vargjet” (Edicioni IX) dhe “Dhimbje për Ademin”, (libër
kushtuar Adem Gashit), përgatitur nga Izet Abdyli dhe Halil Xani.
Unë si pjesëmarrës në atë kuvend, pata
mundësinë të takoj, organizatorin e palodhur, poetin Izet Avdyli, poetin
Xheladin Mjeku, poeten Sibela Kurti, shkrimtarin dhe historianin e njohur Bedri
Tahiri, autor i shumë librave, ndër më të fundit edhe romanin “Degdisja”. Më
erdhi mirë se ma dhuroi këtë libër, ku edhe unë jam bërë pjese tij, me recensën,
“Degdisja,
plagë e pambyllur e kombit tim”. Për këtë e falënderoj autorin, sepse
gjeti pak vend në kapak të librit për të vendosur disa radhë nga fjala ime, ku
shprehem: “Romani “Degdisja”, qëllon që në
titull. Një fjalë kjo, jo e vendosur si gjetje letrare, apo frymëzim poeti, por
e qëmtuar qëllimisht nga autori, për të rrëfyer një dukuri, mbase jo vetëm
shqiptare, por e pësuar më shumë nga ne arbërorët…….. ku lufta, shpërngulja dhe
dhuna, nuk po na ndahen edhe sot e kësaj dite”.
Juria bëri vlerësimin me këto çmime:
- Çmimi i parë: Anita Haxhiu, (Austri),
me poezinë: “Vdekja e përjetuar për së gjalli”.
- Çmimi i dytë: Pozaet Qose, (Shqipëri),
me poezinë “Dua t’i kthej gjyshes përrallat”.
- Çmimi i tretë: Vlora Rexhaj Morina, (Prizren),
me poezinë: “Janë do çaste”.
Në përfundim pati çertifikatë
“Mirënjohje”, për Lulzim Logun, mikun tonë të vjetër nga Tropoja. Unë
shfrytëzova rastin për t’i dhënë z. Lulzim, librin tim me poezi, “Vjeshta në
vargje”.
Si mësues dhe drejtues i vjetër, dua të
them dy fjalë për shkollën, ku u mbajt veprimtaria. Ndërtesa ishte e re dhe me
hapësira tepër të bollshme, si brenda saj, një holl të përmasave të mëdha,
ashtu edhe me oborr të gjerë, ku ishte rezervuar edhe shesh parkimi për
mësuesit. Ndërsa biblioteka meriton të lavdërohet për mjediset mjaft
funksionale, si sallë leximi mjaft e madhe, ashtu edhe rafte për mbajtjen e
librave, që pret të mbushet sa më shpejt. Unë i dhurova dy tituj librash:
“Vjeshta në vargje”, (5 copë) dhe “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe
daltës”, Monografi”, (2 copë). Më duhet të them, se në brendësi të këtyre dy librave,
ka disa shkrime që i janë kushtuar Dardanisë dhe heronjve të saj.
Para se të paraqes krijimtarinë time,
theksova këto fjalë:
Jo më larg se gjashtë muaj më parë, isha
pjesëmarrës në festivalin poetik që u mbajt tek “Guri i Plakës”, pjesë e Drenicës.
Më mbeti merak pa thënë këto fjalë: Mirë politikanët, mbase nuk guxojnë të thonë
emrin shqip “Dardani”, në vend të emërtimit “Kosovë”, sepse i tuten politikës,
po shkrimtarët dhe poetët kush i pengon ………!????
KËPUCA MË VRET…..!
Poezi
Eci
udhëve të qytetit, lëviz,
Këpuca
më vret, më shpon keq.
Dhimbja
më dhemb, më bezdis,
Kur
punët mirë s’mund t’i ndreq.
Këmbës
i gjej këpucën që vjen,
Dhe
syzet sipas shikimit në sy.
Jeta
s’është mall që në treg e blen,
Është
luftë për t’u ndeshur të dy.
Dështimet
janë mësues pa pagesë,
Do
mend të përballesh, do trimëri.
E
keqja, s’luftohet varur në shpresë…!
Lufta
do mund, durim, guxim e burrëri.
Më
shumë dhemb pabesia e mikut,
Shigjetë
tinzare, pas shpine lëshuar.
Jetën,
ndoshta ta merr plumbi armikut,
Por
pabesia mbetet varr pa mbuluar…….!
Pas dreke, një kafe me miqtë e Drenasit,
e shtoi kënaqësinë e festës dhe bisedave rreth letërsisë, në veçanti të
poezisë, aq sa nuk kujtoheshim për orën që nxitonte në udhën e vet, sepse duhet
të ktheheshim për në Durrës.
Urime dhe suksese!
Mirë u takofshim në të tjera festa
letrare, ku të këndojë e dëgjohet fjala e bukur shqipe!
Kadri Tarelli
Janar 2024.