E marte, 08.10.2024, 07:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Elvi Sidheri: Eduardo Galeano - Idioti

E marte, 20.02.2024, 08:50 PM


IDIOTI

Tregim i shkurtër nga Eduardo Galeano

"Na ishte një herë, në një qytezë province, një grup njerëzish që dëfrenin duke qesëndisur "Idiotin" e lagjes së tyre; një burrë të ngratë dhe mendjelehtë, i cili e mbante frymën gjallë me punë të vogla e duke lypur. Përditë e shpotisnin si "Idiot" në barin e qytezës, ku i jepnin të zgjidhte midis dy kartëmonedhash: një të madhe syresh, me vlerë njëqind pesos, dhe një të vogël, me vlerë pesëqind pesos. I gjori përherë zgjidhte më të madhen në përmasa, domethënë më pak të vlefshmen në vlerë monetare, prandaj të gjithë gajaseshin rrjedhimisht. Një ditë prej ditësh, dikush i pranishëm në këtë qesëndi të përditshme, i tronditur, priti që të tjerët mos ta kishin mendjen, gjersa e mori veçmas lypsarin e ngratë, për t'i shpjeguar se kartëmonedha me përmasa më të mëdhaja, vlente më pak...

- E di fare mirë këtë gjë, - ia ktheu lypsari, - ajo vlen pesëfish më pak. Megjithatë, ditën kur do të zgjidhja tjetrën, kjo lojë do të përfundonte, e nuk do të fitoja më monedhën time.

Ky tregim mund të mbaronte me kaq, si një rrëfenjë e këndshme, si diçka komike, mbase. Megithatë, mund të nxirren edhe disa përfundime prej saj:

I pari, që 'kush shtiret si idiot, jo gjithmonë është i tillë vërtet'.

I dyti, që 'kush ishin mirëfilli idiotët në këtë rast?'

I treti, që 'një ambicie e tepërt, të bën të pangopur dhe të lë pa bukë nganjëherë'.

Gjithsesi, përfundimi më i rëndësishëm është se 'mund t'ia kalojmë shumë mirë në jetë pa e vrarë mendjen se çfarë mendojnë të tjerët për ne'. Po ashtu se 'me raste njeriu vërtet i zgjuar është ai që shtiret si idiot kundruall një idioti që pandeh se është i mençur'".

Përktheu nga spanjishtja:

Elvi Sidheri



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora