Kulturë
Prend Buzhala: Poezia si këpujë e lidhjes me tokën, qytetin, njerëzit, hapësirat dhe kohët
E merkure, 21.02.2024, 07:52 PM
Analizë libri
POEZIA
SI KËPUJË E LIDHJES ME TOKËN, QYTETIN, NJERËZIT, HAPËSIRAT DHE KOHËT
(Sejdi BERISHA: “Peja, dhembja dhe
krenaria ime...“ - poemë të cilën kurrë nuk e përfundova, 2023)
Ky
libër, këto poezi janë një himn për tokën arbërore, për përjetësinë dhe
rëndësinë e saj në zemrat dhe mendjet e njerëzve.
Thuhet
se një qytet duhet ta ketë veprën letrare që e monumentalizon. Pra, Peja tashmë
e ka këtë vepër të Sejdi BERISHËS, me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit,
kujtesën dhe kulturën e këtij qyteti. Ajo poetikisht përfaqëson historinë,
kulturën dhe karakteristikat e veçanta të këtij qyteti dhe shpalos emocionet
dhe përjetimet që e bëjnë atë qytet unik. Është vepër inspiruese, motivuese dhe
frymëzuese që reflekton këtë identitet qytetar. Vepra përmban referenca të
shumta historike e legjendare që lidhen me qytetin dhe ndihmojnë në ruajtjen e
kujtesës kolektive.
Nga Prend
BUZHALA
Sejdi Berisha është një poet me përvojë, me vetëdije të
ndjeshme për veçoritë e krijimit dhe frymëzimit. Është krijues me parime të
përpikta ndaj vetes, në shprehje dhe stil poetik, i dashuruar pafundësisht me
Pejën, vendlindjen, i do me zemër njerëzit e mjedisit të tij, historinë dhe
mitet, trashëgiminë dhe shpirtin e gjeografisë shqiptare. sado që këto gjakime
të tij krijuese i ka shfaqur në veprat e përparshme, megjithatë, te ky vëllim
po ashtu vjen me rishqyrtime lirike të reja. Zërat e brendshëm që e grishin në
frymëzime, sigurisht që kërkojnë edhe një qasje tekstuale të re. Së këndejmi,
kjo krijimtari poetike perceptohet edhe tani si lexim me përhapje të reja kushtimesh
e thirrjesh lirike, me gjëmime të jehonës së ngjarjeve e përjetimeve.
Individualizmi i tij lirik është i ndërthurur me ngjyrat dhe aromën e mjedisit
shqiptar, me peizazhin epik e romantik që e rrethon, me shqisat e qytetit të
Pejës. Dhe, posa t'i biem në fund leximit të këtij vëllimi, do të vërehet që
përkatësia e kësaj hapësire shpirtërore gjallimi e përcakton, në thelb, edhe poezinë
e tij. Mbetet pazgjidhshëm në kontakt me tokën e qytetin e tij, me kujtesën për
njerëzit e tij, me peizazhin dhe lumenjtë, me plagët dhe jetën e kujtimeve, me
hartën elegjiake të atdheut. Të gjitha këto pikëtakime inspirimesh, e
formësojnë filozofinë e këtij rrugëtimi poetik. Këto përvoja poetike të së kaluarës
si trashëgimi e moçme antike, janë shtylla kariatidesh e monumente tempujsh të
metaforës së tij të lirisë dhe gjuhës, gjakut dhe qenies.
Kohët që më s'kthehen, kohët që ruhen në kujtesë, tashmë
zënë këndin e tyre nostalgjik nëpër vargje, duke u zhytur thellë në qenien e
kësaj hapësire, duke krijuar, kësisoj, një botë të veçantë artistike dhe duke e
ngritur atë paradigmën e glorifikimit të Tokës amë dhe të qytetit të tij.
Letërsia e tillë, përgjithësisht, ndër ne, e krijon në poezi një identitet të posaçëm
kulturor, artistik, ligjërimor po edhe nacional.
1. Ode poetike për tokën
Vëllimi nis me poemën “Kudo të gjeta, ty Toka ime që nëpër shekuj tentuan ta shëmtojnë
madhështinë”, me referencën tekstuale: “Poemë kushtuar Tokës Arbërore, të cilës, as plagët që ia
shkaktuan ndër shekuj, as ndrydhjet dhe as shtypjet, kurrë nuk e ligështuan,
por e kalitën, e bënë fanar lirie, krenarie dhe njerëzie...”. E
ndarë në dyzetepesë pjesë, poema merr trajtën e një ode kushtuar tokës
Arbërore, e cila përjetoi shumëçka nëpër shekuj, por nuk u dobësua asnjëherë.
Poeti fillon me një shprehje të thellë të dashurisë dhe kërkimit për tokën e
vet, duke ligjëruar se ajo e kërkon atë kudo që shkon, por nëpër shekuj pamja e
saj është ndryshuar. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta shkatërruar,
tokën e tij, ai e gjen ende të qëndrueshme dhe të fortë, si një shenjë lirie
dhe krenarie. Më tutje vazhdon ta përshkruajë rrugën e kërkimit për tokën e njerëzit
e saj nëpër vende të ndryshme, si Shqipëri, Anadoll, Shkup, Greqi, duke pasur
një histori të ndryshme në secilën prej tyre, por gjithmonë të ngjashme në
ndjenjën e mallit dhe dashurisë për atdheun. Shpreh admirim për forcën dhe
rezistencën e tokës së tij, qëndrueshmërinë e saj nëpër kohë të vështira dhe me
ngjarje të dhimbshme, siç janë luftërat dhe konfliktet. Edhe pse ka pësuar
shumë, kjo tokë nuk e ka humbur shpresën dhe vazhdon të përpiqet për ta gjetur lirinë
plotë gjeografike dhe lirinë e plotë për polemin e tij. Kah fundi, poeti përshkruan
një çast të vetërefleksionit, ku ndjenë se tokën e tij e ka gjetur gjithkund,
në çdo cep të botës, se ajo është e përkujdesur dhe e respektuar nga shumë
persona të shquar dhe ngjarje historike. Kjo poezi është një himn për tokën arbërore,
për përjetësinë dhe rëndësinë e saj në zemrat dhe mendjet e njerëzve.
Poeti vazhdon ta shprehë udhëtimin e tij shpirtëror për ta
gjetur tokën kudo që janë njerëzit e saj nëpër botë. Ky shtegtim për tokën e vet,
nuk është vetëm një kërkim gjeografik, por një kërkim i identitetit, i rrënjëve
dhe i lidhjeve emocionale e shpirtërore. Nëpërmjet përmendjes së vendeve të
ndryshme si Shqipëria, Anadolli, Shkupi dhe Greqia, poeti përshkruan një kapitull
historie poetike, veç e veç, por e tëra qëndron nën një temë të përbashkët të
mallit dhe dashurisë për atdheun. E përshkruan me një tronditje të thellë ndaj
tokës dhe identifikimin e tij me forcën dhe rezistencën nëpër kohë të vështira.
Kjo poemë sugjeron ndjenjën e përbashkësisë për identitetin dhe historinë e
përbashkët që kanë shqiptarët, pavarësisht prej dallimeve gjeografike, fetare dhe
historike që mund të ekzistojnë. Edhe pse kjo Tokë ka përjetuar shumë vuajtje,
duke përfshirë luftërat dhe eksodet e përgjakshme, poeti reflekton për shpresën
që vazhdon të ekzistojë, duke shprehur besimin e thellë në aftësinë e popullit
për t’i përballuar sfidat dhe për ta gjetur lirinë e plotë në të ardhmen. Në
pjesën e fundit të poemës, poeti bën një reflektim të thellë mbi udhëtimin e vet
për ta gjetur tokën e vet dhe ndjenjën e bashkërendimit me të. Na e shqipton ndjesinë
e arratisjes nëpër çdo cep të botës, duke e gjetur tokën e vet si një shenjë e
ndjekjes së saj të pandërprerë.
Përshkrimi i respektit dhe i admirimit të shumë personaliteteve
të shquara dhe ngjarjeve historike për tokën, e thekson mesazhin e qartë se Toka
Arbërore e ka një vend të rëndësishëm në zemrat dhe mendjet e njerëzve, se ajo
është një simbol i përjetësisë dhe identitetit të përjetshëm për popullin e
saj. Kjo poezi është një hyrje emocionuese dhe thellësisht e ndjeshme për tokën
dhe për rëndësinë që ajo ka për të dhe për të gjithë ata që e ndjejnë atë si
atdhe.
Gjithkah
të kërkova toka ime
Kudo
u përcëllova
Duke
ta përkëdhelur ballin
Por
shekujt ta ndërruan pamjen
Tentuan
të ta shëmtojnë bukurinë
Edhe
madhështinë
U
përpoqën të ta rrënojnë
Gjithnjë
të ndrydhen e të tkurrën
Janë vargje që shprehin kërkimin e pafund për tokën, si
një udhëtim i përsëritur dhe i padiskutueshëm për ta gjetur vendin e vet të
përjetshëm. Megjithatë, ky kërkim nuk është pa sfida. Shekujt, me ndryshimet
dhe shkatërrimet e tyre, kanë bërë që pamja e tokës arbërore të ndryshojë.
Tentativa për ta shëmtuar, për ta rrënuar, për ta ndrydhur dhe për ta tkurrë
gjithmonë ka qenë një sfidë e madhe në këtë rrugë kërkimi për identitetin dhe
vendin e saj në botë. Përshkruan një kërkim të vazhdueshëm për të qëndruar në
lidhje me tokën e vet.
Dhe
tash në këto vende
Frymon
shpirti i ndrydhur i njeriut tënd
Këto vargje përshkruajnë një moment ku poeti reflekton
mbi frymën dhe shpirtin e popullit të vet në vendet ku ka shkuar. "Shpirti
i ndrydhur" sugjeron një shpirt të prekur, të tronditur ose të shqetësuar,
që mund të jetë rezultat i vuajtjeve, luftërave apo sfidave që kanë përjetuar.
Pavarësisht nga kjo gjendje e ndrydhur, shpirti i popullit vazhdon të frymojë
dhe të jetë i pranishëm në këto vende. Kjo është një rezistencë dhe
qëndrueshmëri e shpirtit human në ballafaqim me sfidat dhe vuajtjet. Në këtë
kontekst, poeti dëshiron ta shprehë solidarësinë dhe lidhjen e plotë me shpirtin
e popullit, duke shqiptuar një ndjenjë të përbashkëtësisë dhe njohjes së
vuajtjeve dhe përballjeve të tyre.
Kudo
të hasa toka ime
Edhe
atje në Greqi
Atje
ku e ke një tjetër histori
Të
kërkova në Çamërinë e përmalluar shekujsh
Shqiptarë ka kudo. Qenia e tyre është dëshmi e këtyre
tragjedive historike. Folësi lirik e gjen veten duke udhëtuar nëpër Greqi, ku
edhe në këtë vend gjen lidhje të thella historike. Për të, Çamëria është një
vend i veçantë, një tokë që ka qenë e ndërtuar mbi historinë dhe trashëgiminë e
saj të pasur, që përballuar sfida dhe përplasje të shumta nëpër shekuj. Përmendja
e Çamërisë si një vend i "përmalluar shekujsh", sugjeron një histori
të pasur por të ndërlikuar, të përshkruar me emocion dhe admirim për kulturën
dhe traditat e këtij vendi. Kjo pjesë e poemës reflekton një lidhje të thellë
emocionale dhe historike me këtë tokë të veçantë, e cila vazhdon të jetë një
qendër e rëndësishme e identitetit dhe kujtesës së saj.
Kudo
të kërkova e asnjëherë nuk të gjeta
Kudo
të kërkova e kudo të takova
Nëpër
plagë të Preshevës
Në
ato të Bujanocit dhe Medvegjës
Aty
u përpoqa ta gjej çlirimin tënd
Këto vargje shfaqin përpjekjen e vazhdueshme të poetit për
ta gjetur tërësinë etnike. Përpos kërkimit në vende të ndryshme, të hartës së
copëtuar të Atdheut, poeti ndjen një lidhje të veçantë emocionale edhe me
Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, vende që kanë përjetuar vuajtje dhe
konflikte të mëdha në historinë e tyre.
Përmendja e "plagëve të Preshevës" ndihmon të
përshkruhet dhimbja dhe shqetësimi i popullit të saj në këto zona. Poeti është i
përfshirë emocionalisht dhe përpjekjet e tij për ta gjetur "çlirimin
tënd" (të Preshevës), liri dhe pavarësi për këtë popull, janë të qarta,
duke shfaqur një ndjenjë të thellë solidariteti dhe përkushtimi poetik ndaj
çështjeve të drejtësisë dhe lirisë.
Ti
toka ime sa e madhe je
Ndër
vite mote dhe shekuj
E
ke ruajtur dashurinë dhe ngrohtësinë
Në
dërrasat e zeza e në klasat e shkollave
Të
rrezbitura e të brejtura minjsh e gjarpinjsh
I
hasa do shkronja të shkruara
Me
ëndrrat e nxënësve
Atëherë
të stërgjyshërve tanë
Që
i kishin lënë pa u mbushur me dituri
Dhe
i kishin përzënë me dashuri në gjinj
Me
shkrumb për të lexuar ndonjë libër
Për
dritën dhe lumturinë
Poeti e përshkruan tokën si një entitet të madh që ka
ruajtur trashëgiminë kulturore dhe arsimimin nëpër shekuj. Përmendja e
"dërrasave të zeza" dhe "klasave të shkollave" sugjeron historinë
e sakrificave për dije e shkrim. Vargjet reflektojnë edhe sfidat dhe pengesat
që kanë hasur nxënësit dhe njerëzit në përgjithësi në kërkimin e dijes dhe
arsimit. Përmendja e nxënësve që u përzunë nga shkolla "me dashuri në
gjinj" dhe i "shkrumbit për të lexuar ndonjë libër", tregon se
edukimi ka qenë një sfidë e viteve të rënda të dekadës së fundit të shekullit
XX.
Edhe
ylberin e shiut dhe diellin tënd
Kudo
e kërkova
Nëpër
ato bukuritë e lumenjve
Por
edhe ata ishin plagosur
Ishin
shndërruar në pika uji apo loti
Ky pasazh poetik përshkruan një kërkim të vazhdueshëm për
shpirtin e tokës, të shprehur në simbolet e natyrës si ylberi, shiu dhe dielli,
për të gjetur frymën dhe shpresën në bukuritë e atdheut, por edhe ata janë
shfaqur të plagosur, për shkak të lëndimit të kohëve dhe ngjarjeve të
dhimbshme.
Përkundër kësaj, toka mbetet e përjetshme dhe e pandryshueshme,
dhe përmes saj, shprehet përjetësia dhe trashëgimia e popullit. Përmendja e
këngëve dhe lumturisë që lindin nga kjo përjetësi e thekson rëndësinë dhe
vlerën e kërkimit për liri dhe pavarësi. Çerdhja e zogjve dhe e shqiponjave
simbolizon lirinë dhe lavdinë e tokës, e cila mbetet e pandikuar edhe nëpërmjet
vuajtjeve dhe sfidave.
Sa
herë të takova
Të
pashë ngulur në heshtat e Bizantit
Edhe
në shpatat e romakëve
Por
kurrë nuk u dëshpërove
As
nuk u dorëzove
Për
plagët e rënda dhe helmuese
Gjithmonë
e pate ilaçin e zemrës
Me
të cilin u shërove nëpër beteja...
Nëpërmjet referencave të heshtjes së Bizantit dhe
shpateve të romakëve, poeti e bën të qartë lidhjen e thellë të tokës me
historinë dhe trashëgiminë e lashtë të kulturës. Pavarësisht vuajtjeve dhe
sfidave të shumta, populli dhe toka e tij kanë mbijetuar dhe kanë shëruar
plagët e rënda dhe helmuese, duke e ruajtur një ilaç të fortë në zemrat e tyre
që i ka lejuar atyre të vazhdojnë përpara nëpër beteja dhe vështirësi të
ndryshme. Është vullneti i fortë i popullit për të përballuar dhe triumfuar.
Toka
ime
E
di pse në ty janë lisat e gjatë
Që
i prekin yjet e qiellin
Sepse
gjithmonë janë ujitur
Me
gjakun e bijave dhe bijve tu
Kurse
degët e tyre bashkë me gjethe
Janë
krenaria e lotëve të nënave
Me këto vargje shpreh një lidhje të thellë dhe simbolike
midis tokës dhe qiellit, duke përdorur imazhe të bukura dhe të ngrohta. Lisat e
gjatë që prekin yjet në qiell (asociacion vargjesh naimiane), simbolizojnë forcën
dhe rëndësinë e tokës, ndërsa ujitja e tyre me gjakun e bijave dhe bijve,
tregon për lidhjen e ngushtë midis tokës dhe gjeneratave që kanë lindur dhe
janë rritur në të. Degët e gjetheve të pemëve janë përdorur për të përforcuar
këtë lidhje, duke i krahasuar ato me krenarinë dhe dhimbjen e nënave që kanë
vuajtur për tokën e tyre. Ky pasazh paraqet një respekt të thellë dhe dashuri
ndaj tokës së saj dhe trashëgimisë që ajo përfaqëson.
Në këtë poemë folësi lirik, i cili përfaqëson poetin, i drejtohet
drejtpërdrejtë tokës si një qenie e gjallë, duke i referuar vetes si "ti"
në vend të "unë". Ky tip ligjërimi shfaq një ndjenjë të thellë të
identitetit dhe lidhjes së ngushtë me tokën, duke e trajtuar atë si një qenie
të gjallë me karakteristika dhe vlera njerëzore.
Eh
moj toka ime
Më
kujtohet Tivari e Goli Otoku
Edhe
shumë ngjarje të tjera
E
së voni edhe Reçaku e Meja
Edhe
Lybeniqi-histori në vete
Edhe
shumë masakra të tjera
E
ti prapë dukesh si zorra në prush
Dhe
hiq nuk më hiqet mendjes
As
nuk më largohet qafet
Pse
disa dëshmorë më bëhet
Sikur
shpesh qohen nga varret
Dhe
gjithkah shkojnë
Gjakun
e tyre për ta prekur
Ecin
sertshëm vështrojnë e qortojnë...
Pra, janë historitë e dhimbshme të Tivarit, Goli Otokut,
Reçakut, Mejës, Lybeniqit dhe të tjera janë shënim memorial i vuajtjeve dhe
tragjedisë që populli yt ka përjetuar nëpër kohë. Këto ngjarje të trishta e
dëshmorët e tyre tregojnë për forcën dhe rezistencën e tyre për lirinë dhe
drejtësinë. Edhe nën hijen e vuajtjeve dhe humbjeve, toka përfaqëson një
shpresë, një krenari dhe një vullnet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë
për brezat e ardhshëm. Dhe përjetësia e tyre në kujtesën dhe zemrat e njerëzve
do të jetë një dritare e hapur për të mos harruar kurrë dëshmorët dhe
sakrificën e tyre për lirinë dhe drejtësinë.
Në përfundim vijnë vargjet:
E
moj toka ime
Po
gjithkund të kërkova
Gjithkund
të takova
Gjithkund
të përqafova
Dhe
në gjirin tim të përjetësova...
Përfundimi i kësaj poezie është një shprehje e thellë e
dashurisë dhe lidhjes së thellë mes poetit dhe tokës së tij. Pavarësisht
vuajtjeve, konflikteve dhe humbjeve të përjetuara nëpër kohë, poeti vazhdon të
kërkojë, të takojë dhe ta përqafojë tokën e vet. Në këtë lidhje të përjetshme,
ai gjen forcën dhe frymën për të vazhduar përpara. Toka është më shumë se vetëm një hapësirë
gjeografike - ajo është një simbol i historisë, trashëgimisë dhe identitetit të
saj.
Përgjithësisht, poeti i thur një memorial monumental
poetik Tokës arbërore. Poezia dhe memoria historike dhe shpirtërore janë dy
dimensione të ndërlidhura në përjetimin dhe shprehjen e përvojës etnike. Poezia
është vetëm një këpujë për ta ruajtur dhe për ta përshkruar memorien historike
dhe shpirtërore.
Përtej tragjedisë dhe dhimbjes, poeti shpreh admirimin
dhe respektin për krenarinë dhe qëndresën e tokës. Kjo tokë është simbol i
shpirtit të zgjuar dhe të palodhshëm për të qëndruar në këmbë, edhe përkundër
sfidave më të rënda dhe shkatërrimeve të pashmangshme. Ruajtja e krenarisë dhe
qëndresës, është si një flakë që nuk shuhet kurrë, një shpirt i fortë dhe i
pandalshëm që vazhdon të përballet me sfidat dhe ta mbrojë identitetin dhe
vlerat e veta me guxim dhe dinjitet. Kjo poemë ndërton një rrëfim të
vazhdueshëm të kërkimit të poetit për tokën. Toka është personifikuar si një
entitet i gjallë që ndjen, vuan dhe shfaq karakteristika të ndryshme nëpër kohë
dhe vende të ndryshme. Poema përmban imazhe të forta emocionale që përshkruajnë
ndjenjat e mallit, dashurisë, vuajtjes dhe përkushtimit.
Poema merr trajtën e një dialogu poetik me tokën e që shfaqet
nëpërmjet vargjeve dhe imazheve poetike të poezisë. Ky dialog shpreh ndjenjat,
mendimet dhe refleksionet e poetit për tokën në mënyrë të hollësishme dhe
emocionuese. Nëpërmjet këtij dialogu, poeti shpreh lidhjen e thellë emocionale
dhe kulturore që ka me tokën dhe me përjetimet gjatë kërkimit vetjak nëpër
vende të ndryshme. Kjo poemë përmban një varg emrash vendesh, shtetesh dhe
qytetesh nëpër botë, duke shpalosur një udhëtim shpirtëror-gjeografik dhe
historik të kërkimit për tokën e vet. Këta emra vendesh dhe qytetesh shërbejnë
si pamje panoramike e rrugëtimit. Ky dimension i gjerë i poezisë, e fuqizon
ndjesinë e kohës së kaluar dhe rëndësinë e historisë për folësin lirik, duke e
ndihmuar atë të shprehë marrëdhënien e tij të thellë me tokën dhe trashëgiminë
e saj kulturore. Ky udhëtim shpirtëror sjell një ndjenjë të përbashkët të
lidhjes me identitetin dhe kulturën nacionale, duke i bërë ata ta ndiejnë njëri-tjetrin
afër, edhe pse ndodhen larg fizikisht. Nëpërmjet poezisë, ata përjetojnë një
unifikim të ndjenjave dhe përjetimeve, duke e bërë këtë udhëtim një përvojë të
përbashkët për të gjithë ata që e ndjejnë tërheqjen e tokës dhe trashëgimisë së
tyre kulturore.
Poeti ka besim në forcën e popullit që e ndiejmë në çdo
varg të poezisë, në çdo ndjesi të përjetuar dhe në çdo shpalosje të identitetit
të kulturës dhe historisë së tyre. Autori përshkruan ngjarje të vështira dhe
momente tragjike të historisë, por gjithashtu dëshmon për rezistencën dhe guximin
për të përballuar ato dhe për t’i përmbushur synimet e tyre.
2. Identiteti poetik i qytetit të Pejës
E kësaj rëndësie dhe thellësie të rrëfimit poetik, është
edhe poema “Peja, dhembja dhe krenaria ime...(Poemë të cilën kurrë nuk e
përfundova)”. Poeti nuk i jep vetes të drejtë ta përfundojë këtë poemë,
sepse nuk kanë si përfundojnë as dashuria e as historia.
Poema është e ndjeshme dhe e mbushulluar me nostalgji për
qytetin e Pejës dhe përjetimet e poetit në këtë qytet. Poezia shpreh dashurinë,
dhembjen, krenarinë dhe historinë e këtij qyteti të vogël, por të thellësisë së
madhe. Nëpërmjet vargjeve të ndjeshme, ai përshkruan ngjarjet historike,
personalitetet, si dhe bukuritë natyrore dhe kulturore të qytetit. Kujtohen
njerëzit e ndryshëm që kanë lënë gjurmë në këtë qytet, si dhe ngjarjet e
rëndësishme të kaluara dhe të sotme. Nëpërmjet kujtimeve të tij, ai bën një
thirrje për ta mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore dhe për të përjetuar e
ndërtuar mbi të kaluarën e qytetit.
Përshkrimi i karaktereve të veçanta vendase, si Rexhep
Gjyka, Ademi, Moni, Shaban Arusha, Pala dhe Haxhi Mevlaja, shton një element të
ngrohtësisë së kësaj poezie, duke e bërë atë më afër lexuesit. Poema përmbledh
ndjenjat e poetit për qytetin e tij dhe dëshirën për ta ruajtur dhe përjetuar
trashëgiminë e këtij qyteti të veçantë në zemrën e tij dhe në zemrat e të
gjithë atyre që e kanë njohur atë.
Në
ty u rrita
Në
ty fëmijërinë e kalova
Në
ty me rininë u mashtrova
Në
ty krijova familje
Në
ty Zoti jetën ma stolisi
Me
gjashtë fëmijët engjëj
Këto vargje evokojnë një përvojë personale në qytetin e
tij të lindjes, Pejën. Ai flet për një udhëtim të plotnisë njerëzore, duke
filluar nga fëmijëria deri te krijimi i një familjeje dhe e bekuar me gjashtë
fëmijë. Frazat "Në ty u rrita", "Në ty fëmijërinë e kalova"
dhe "Në
ty me rininë u mashtrova", sugjerojnë një lidhje thelbësore midis
individit dhe qytetit. Poeti përshkruan Pejën si ambientin ku ai ka kaluar
momentet më të rëndësishme të jetës së tij, ku ka përjetuar rritjen, gëzimin
dhe sfidat. Frazema "Zoti jetën ma stolisi", sugjeron harmoninë dhe
begatinë që ka përjetuar në qytetin e tij. Gjashtë fëmijët janë përshkruar si
"engjëj", një simbol i pafajësisë dhe pastërtisë, që përforcojnë
idenë e lumturisë dhe begatisë që ai e ka gjetur në Pejë.
Në
ty djersa e babait
La
gjurmë të përjetshme
Në
ty nëna fshihte
Dhembjen
për rriten time
Në
ty tash babai pushon
Në
tokën e trembur
Aty
tash edhe nëna sipër ka
Gjelbërimin
që përcëllon
Janë evokime për ngjarjet dhe emocionet që ka përjetuar
poeti në lidhje me prindërit e tij në qytetin e Pejës. Përshkruan punën e
vazhdueshme dhe përkushtimin e babait në këtë qytet, ku kanë lënë gjurmët e
tyre në kujtesën e poetit. Është trashëgimia që poeti e ndjen, pasi kujtimet e
babait dhe puna e tij kanë mbetur pjesë e përjetësisë së qytetit.
Me
ty rashë dhe u zgjova
Me
ëndrrat e ndrydhura
Me
ty kudo që shkova
Në
zemër të mora
Kështu përshkruan qytetin si një pjesë të pandarë të
identitetit të poetit, ku ai ka kaluar momentet më të rëndësishme të jetës së
tij dhe ka përjetuar shumë emocione. Kjo gjendje e lidhjes thellë me qytetin
përshkruhet edhe në vargjet e tjera, ku poeti thotë se është zgjuar "me
ëndrrat e ndrydhura" dhe ka marrë qytetin "në zemër". Frazema
"ëndrrat
e ndrydhura" sugjeron një përvojë të ndryshme dhe të pasur
emocionale që ka përjetuar krijuesi.
Pejë
Çfarë
të bëjmë tash
Shumë
letra kemi shpalosur e shfletuar
Shumë
defterë të vjetër e të rinj
Dhe
prapë sikur jemi aty në fillim
Aty
ku dikur jemi zgjuar të përqafuar
Vargje që përshkruajnë një gamë të gjerë emocionesh që autori
ka përjetuar në qytetin e tij. Kjo gamë përfshin gëzimin dhe hidhërimin, të
cilat janë pjesë e jetës së tij në Pejë. Vargjet në fund të këtij citimi,
tregojnë për një reflektim dhe rishikim të lidhjes së poetit me qytetin. "Çfarë të bëjmë tash", sugjeron
një pyetje ose mosmarrëveshje mbi rrugën e ardhshme të kësaj lidhjeje. "Shumë letra kemi shpalosur e
shfletuar / Shumë defterë të vjetër e të rinj" përshkruan
një histori të gjatë dhe të pasur të përvojës së poetit në qytetin e tij. "Dhe prapë sikur jemi aty në fillim / Aty ku
dikur jemi zgjuar të përqafuar". Kështu tregon për një
lloj rikthimi në origjinën e kësaj lidhjeje, duke e ndjerë veten si një fëmijë
që kthehet në shtëpi. Gjithçka mbetet e përjetshme, e papërfunduar.
Vargjet e mëtejshme shprehin një dëshirë për të shpallur
dhe për të ndarë historinë e qytetit, si një mënyrë për të ruajtur dhe për të
vlerësuar trashëgiminë e tij kulturore dhe historike. "Kush ka fuqi të na ndajë ne
të dyve", përshkruan një dëshirë për të ruajtur lidhjen e thellë
dhe të ndarë me qytetin, duke e ndjerë atë si një pjesë të pashkëputshme të
identitetit të tij.
Pejë
Ti
dhembja dhe krenaria e jetës sime
Ndoshta
ndër vite të kam bezdisur
Me
këto shkrimet e mia
Edhe
me vargjet e serta
Por
nuk bën të mos shkruhet
Për
Dudin Plak në Patrikanë
Për
Tabjet e përgjakura e të heshtura
Ku
bari ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu
Poeti pranon se ndoshta me shkrimet e tij ka pasur ndikim
në mënyrën se si është parë nga të tjerët, por nuk e ndalon atë nga detyra e
tij për të shkruar dhe për të rrëfyer për ngjarjet dhe personazhet e
rëndësishëm në qytetin e tij. "Për
Dudin Plak në Patrikanë / Për Tabjet e përgjakura e të heshtura / Ku bari
ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu" me këtë përshkruan një
pjesë të thellë dhe të trishtuar të historisë së qytetit, duke përmendur emra
dhe ngjarje të caktuara që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të
komunitetit.
Këto dy vargje, "Pejë
/ Ti dhembja dhe krenaria e jetës sime", përshkruajnë qytetin e
Pejës si një pjesë të thellë dhe të ndryshme të identitetit të poetit. Fjala "dhembja"
sugjeron një ndjenje të thellë të lidhur me qytetin, për shkak të sfidave,
vuajtjeve, ose humbjeve që ka përjetuar aty. Ndërkaq, fjala "krenari"
përshkruan ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për origjinën e tij. Më tutje, ai
bën thirrje për të kënduar për historinë e qytetit të tij, edhe pse kjo histori
ka pak gjurmë sipër tokës. Ai thekson se, megjithëse historitë mund të jenë
harruar ose të fshehura, eshtrat e përjetuarve flasin dhe kujtojnë për të
kaluarën. Me fjalët "Për ty Pejë / Që Bjeshkët e Nemuna të
rrethojnë / Flasin e kuvendojnë për Kosovën / Për atdheun e
shkapërderdhur," poeti
shpreh rëndësinë e Pejës në kontekstin më të gjerë të Kosovës dhe atdheut, duke
e bërë atë një pjesë thelbësore të historisë dhe identitetit kombëtar.
Përmenden Karagaqi, Dardania, me peshën e tragjedive. Përmendja e tragjedisë së
lagjes Dardania, që u djeg dhe u shkrumbua, dhe banorët e saj që u vranë nga
armiku dhe u dëbuan nga trojet e tyre, dëshmon për vuajtjet dhe përballjet e
rënda që banorët e kësaj lagjeje kanë përjetuar.
Poeti sjell në vëmendje një aspekt të rëndësishëm të
kulturës dhe traditës së qytetit të Pejës. "Netët
e Dukagjinit" janë përmendur si një kohë e veçantë kur kënga dhe
zëri i vashave dhe i djemve të qytetit shërbenin si element që jehonte në
qytet. Kjo referencë tregon për një traditë muzikore dhe kulturore të pasur në
këtë qytet, ku këngët dhe vallet e Dukagjinit shërbenin si mënyrë për të
shprehur emocione, histori dhe tradita të ndryshme. Me përmendjen e "Netëve
të Dukagjinit", poeti bën thirrje për ta mbajtur gjallë këtë
trashëgimi kulturore dhe për t’i kujtuar kohët kur muzika dhe kënga ishin pjesë
thelbësore e jetës së qytetit. Kjo pjesë e poezisë thekson rëndësinë e
trashëgimisë kulturore dhe historike, duke e bërë atë një element të
rëndësishëm të identitetit të qytetit të Pejës.
Pejë
E
për teatër
Nuk
ka letër as defterë
Historinë
për t’ia shkruar
Poeti s’mund ta mendojë Pejën pa teatrin e tij. Këto
vargje interpretohen si një thirrje për të investuar në kulturën dhe artin
dramatik në Pejë dhe për të ndërtuar një sallë teatri apo një strukturë të
përshtatshme për të promovuar dhe për të mbështetur shfaqjet teatrale. Për
poetin, teatri është një aspekt i rëndësishëm i jetës kulturore të një qyteti,
dhe mungesa e një salle të përshtatshëm teatore, shënon një humbje.
Pejë
Nata
në ty është e gjatë
E
dita shumë e shkurtër
Se
ti nuk e duron gjumin e parehatshëm
Por
nuk e duron as heshtjen
Kurrë
nuk ke qenë memece
Në këto vargje, poeti përshkruan dy anë të ndryshme të
qytetit të Pejës: natën dhe ditën. Nata përshkruhet si e gjatë, e cila shënjohet
si një kohë misterioze dhe e përshtatshme për reflektim dhe kontemplacion. Në
anën tjetër, dita përshkruhet si e shkurtër, e cila kuptohet si një kohë që
kalon shpejt dhe nuk jep shumë kohë për të bërë gjëra. Në vargun e dytë, poeti
përshkruan karakterin e qytetit duke iu referuar atij si një qytet që nuk e
duron gjumin e parehatshëm dhe as heshtjen. Ky përshkrim kundrohet si një
përfaqësim i energjisë dhe aktivitetit të qytetit, duke e bërë atë një vend që
gjithmonë është në lëvizje dhe në zhurmë. Fjala "memece" në
fund tregon për një karakter të fortë dhe të vendosur të qytetit të Pejës, që
nuk pranon të jetë i qetë ose i pazëvendësueshëm, por që është gjithmonë në lëvizje
dhe në aktivitet.
Pejë
Ka
edhe shumë gjëra të tjera
Që
ty të madhështojnë
Por
duke i lexuar këto vargje
Edhe
juve shumë thesare të tretura
Rrëfimin e heshtur ua përkujtojnë
Në këtë formë, poeti përfundon poezinë duke bërë një
thirrje për ta përjetuar thellësinë dhe pasurinë e qytetit të Pejës përtej
atyre që janë përmendur në poezinë e tij. Përmendja e "shumë gjërave të
tjera" që e "madhështojnë" Pejën, tregon
për një thellësi të pasur shpirtërore mbase edhe filozofike dhe për një
shumëllojshmëri të trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të qytetit. Poeti
bën thirrje për lexuesit e poezisë së tij që të qëmtojnë më tej dhe ta zbulojnë
këtë pasuri të fshehur. Me frazën lirike "rrëfimin
e heshtur", ai sugjeron se ka një histori të thellë që
poezia e tij nuk ka arritur ta zbulojë në tërësi, se lexuesit mund të gjejnë "thesare"
të reja duke zbuluar këtë rrëfim të fshehur të qytetit të Pejës.
Pejë
A i
mbanë mend të gjitha këto fjalë
Që
ndoshta duken pa vlerë e fantazi
Por
kjo nuk është me rëndësi
Peshë
ka ajo
Që
duhemi e përqafohemi unë e ti
Ti
Pejë dhembja dhe krenaria ime...
Kjo pjesë përmbyll poemën me një reflektim mbi vlerën e
fjalëve të shkruara për qytetin e Pejës. Autori bën thirrje për të reflektuar
nëse lexuesit do të mbajnë mend dhe do të vlerësojnë fjalët dhe vargjet e tij
që i ka përdorur për të përshkruar qytetin e tyre. Edhe pse fjalët mund të
duket si thjesht vargje pa rëndësi apo fantazi, poeti thekson se përvoja dhe
ndjenjat që shprehin ato janë shumë më të rëndësishme.
Poeti parapëlqen shpesh përdorimin e fjalës “peshë”, që, në këtë rast,
tregon për ndikimin dhe rëndësinë që ajo ka për të përfaqësuar emocionet dhe
lidhjen e thellë të poetit me qytetin e tij. Në fund, ai e përshkruan Pejën si "dhembja dhe krenaria ime,"
duke rikonfirmuar lidhjen e tij të thellë dhe të ndjeshme me qytetin e tij.
Në esencë, identiteti poetik i këtij motivi, përbën një
portret emocional dhe shpirtëror të qytetit, i shprehur nëpërmjet vargjesh. Përshkrimi
i peizazhit natyror dhe urban, duke përfshirë lumenjtë, kodrat, rrugët,
arkitekturën dhe parqet, shprehin lidhjen e tyre me mjedisin fizik të qytetit
dhe ndjenjat e frymëzimit që vjen nga ajo. Identiteti poetik i qytetit përfshin
edhe historinë dhe trashëgiminë kulturore të tij, me ngjarje historike, ngjarje
kulturore dhe figura të rëndësishme që kanë formuar identitetin e qytetit. Përshkrimi
i simboleve dhe ikonave të njohura të qytetit, përfaqësojnë identitetin dhe
karakteristikat e tij unike. Nëpërmjet poezisë, qyteti bëhet subjekt dhe objekt
i shprehjes së emocioneve dhe mendimeve të autorit, duke krijuar një portret të
thellë dhe të pasur të identitetit të qytetit në një nivel emocional dhe
shpirtëror. Në poemë ai veçon shpirtin e një qyteti, duke e personifikuar atë
dhe duke e lidhur me trashëgiminë materiale dhe shpirtërore.
Poema e përshkruan qytetin si simbol të trashëgimisë dhe
identitetit të një populli. Përmes personifikimit, qyteti bëhet një personazh i
gjallë që mbart historinë dhe trashëgiminë e banorëve të tij. Nëpërmjet
metaforave dhe imazheve të fuqishme, kjo poemë përshkruan forcën dhe
rezistencën e shpirtit të qytetit, i cili paraqitet si një burim frymëzimi dhe
shprese për banorët e tij, gjë që e bën atë të jetë i përjetshëm dhe i dashur
për ta. Po ashtu shpreh krenari dhe respekt për trashëgiminë e lashtë dhe të
pasur të qytetit. Banorët e tij përshkruhen si mbajtësit e kësaj trashëgimie,
duke e kuptuar rëndësinë e saj për identitetin dhe vetëdijen e tyre kombëtare.
Në të tridhjetë pjesët e poemës së mësipërme, ky shpirt trashëgimie
paraqitet në shumë aspekte:
a) Qyteti
përshkruhet si vendi ku poeti u rrit dhe kaloi fëmijërinë e tij. Ky është
fillimi i lidhjes së tij të ngushtë me qytetin dhe trashëgiminë e tij;
b) Qyteti
përshkruhet si vendi ku poeti ka përjetuar gëzimin e hidhërimin, dhe është
pajtuar me shumë aspekte të jetës së tij. Ky është një aspekt i trashëgimisë
emocionale dhe personale që ai ka përjetuar aty;
c) Trashëgimia
historike e qytetit përshkruhet si një histori e pasur dhe e përjetshme që nuk
mund të harrohet. Bjeshkët e Nemuna dhe historia e Kosovës janë simbole të
kësaj trashëgimie historike dhe kombëtare;
ç)
Trashëgimia kulturore dhe fetare e qytetit përmendet në këtë pjesë. Varrezat
dhe xhamitë janë simbole të rëndësishme të kësaj trashëgimie që përfaqësojnë
identitetin kulturor dhe fetar të qytetit.
d) Natyra
dhe mjedisi natyror i qytetit përshkruhen si pjesë e trashëgimisë së tij në
këtë pjesë. Liqeni i Karagaqit dhe ulëset valë nga dashnorët, janë simbole të
bukurisë natyrore dhe lidhjes së qytetarëve me mjedisin e tyre natyror.
dh)
Trashëgimia artistike dhe kulturore e qytetit përshkruhet nëpërmjet referencave
të këngëve dhe zërit të vashave dhe djemve të qytetit, që përfaqësojnë një
aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë artistike dhe kulturore të qytetit.
Dikush e ka thënë: "Qyteti është
përherë një udhëtim i pasionuar dhe i përjetshëm në kujtesën tonë... Trashëgimia
e një qyteti është e pashlyeshme, ajo është e përjetshme, ajo është e
padiskutueshme. Trashëgimia është ajo që bën qytetin të jetë më shumë se vetëm
gurë dhe beton." Qyteti është një libër i hapur
poetik, ku secila faqe përmban një histori, një emocion, një ëndërr. Pra, ai
është më shumë se një vend ku jetojmë. Nëpër vargje sikur i shohim të gjitha rrugët
që kanë secila një histori të pazbuluar, një kujtim a një emocion të ngujuar. Është
një bukuri e pashpjegueshme, një mister i padukshëm.
Kur poeti e shqipton vargun "Pejë, Dhembja dhe Krenaria ime", nuk është
vetëm një shprehje e nostalgjisë për qytetin e tij. Përmes vargjeve, ai shpreh
ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për vendin ku u rrit dhe formoi kujtimet e
tij. Ai përfaqëson një pjesë të trashëgimisë dhe historisë së Kosovës, duke e
bërë atë një simbol të fortë të identitetit kombëtar.
Dialogu i poetit me qytetin shërben si një trajtë poetike
që përfaqëson lidhjen dhe marrëdhënien e ngushtë mes krijuesit dhe mjedisit të
tij. Në këtë rast, qyteti nuk është vetëm një sfond për poezinë, por bëhet
subjekt i vetëm, një personazh që përfshihet në një bashkëbisedim të thellë me
poetin. Kjo trajtë poetike shpreh po ashtu një spektër të gjerë emocionesh dhe
mendimesh. Nëpërmjet dialogut poetik, qyteti bëhet një entitet i gjallë që
përgjigjet, kujton, dhe ndikon në mendimet dhe ndjenjat e poetit.
Dialogu i poetit me qytetin gjithashtu shërben si procedim
poetik për të shprehur kujdesin dhe përkujdesjen ndaj mjedisit dhe trashëgimisë
kulturore të qytetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit të tij
dhe të përballjes me sfidat dhe dëshirat për përparim. Në fund të fundit, kjo
trajtë poetike përforcohet nga ndjenja e lidhjes intime dhe e pashmangshme mes
krijuesit dhe mjedisit të tij, duke krijuar një portret të thellë dhe të pasur
të raportit midis njeriut dhe qytetit të tij.
Përmes këtyre marrëdhënieve të thella, dialogu midis
poetit dhe qytetit, i jep lexuesit një pamje të brendshme dhe të detajuar të
ndjenjave dhe mendimeve personale për qytetin e tij, si një personazh që ka
historinë, trashëgiminë, dëshirat, dhe ëndrrat e veta, dhe ky dialog lejon
shprehjen e tyre nëpërmjet vargjeve të poetit.
3. Pesha e artit dhe e tematikës së
këndimit
Edhe krijimet tjera të këtij vëllimi poetik e kanë këtë
peshë arti, tematike e këndimi. Te poezia “Kam pas thënë...“, autori shpreh përjetimet
për një humbje të ndjesive dhe stinëve të shkuara me "Litarin e mallit"
që sugjeron një lidhje të ngushtë me kujtimet dhe ndjenjat e humbura.
Përgjithësisht, poezitë përmbajnë elemente të lirizmit në
stilin e tyre. Lirizmi është një stil poetik që përdor imazhe të bukura dhe
emocionale për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e autorit. Përdorimi i
imazheve të tillë si "lotin ma lidhni", "shiu
e çmend vjeshtën", dhe "lulet e lagin shtratin", sjellin
pamje vizuale të fuqishme dhe emocionale që përforcojnë ndjenjat dhe temën e
poezisë.
Te poema “Kapeshnica” (Lagjja Kapeshnica e
Pejës, edhe si legjendë edhe si dashuri), poeti përshkruan nostalgjinë dhe
krenarinë për këtë lagje të Pejës. Ajo sjell në vëmendje kohën e kaluar, kur
lagja ishte e mbushur me jetë dhe ngjarje që kujtohen në vazhdimësi. Shkrimi
poetik është një përpjekje për t’i rikrijuar kujtimet dhe atmosferën e asaj
kohe të largët. Në vargun e parë, përshkruhet një lagje e humbur në kohë, por
ende e kujtuar për vetëm disa elemente të mbetur. Përshkrimi i një rruge të
ngushtë që nuk ka ndryshuar, përcakton pamjen e vjetër të lagjes. Vendet e
kujtimeve dhe ngjarjeve të shënuara me gurë rrezatojnë një atmosferë të
lumturive dhe traditave të vjetra, ndërsa arrihet të ndihet harmonia dhe
përjetimi i tyre. Pjesa e tretë përshkruan kohën e mbrëmjes dhe ëndrrat e
dashurisë që përhapeshin nëpër rrugët e lagjes. Festat dhe ngjarjet e
rëndësishme të lagjes, si Bajrami, janë pjesë e trashëgimisë dhe bujarisë së
saj. Referimi te "kapixhikët" përshkruan mënyrën sesi shtëpitë janë
lidhur në lagje, ndërsa oborret janë gjithmonë të hapura për miqësi dhe
bashkëpunim. Detajet si "Xhamia e Kuqe" dhe kroi
me tre gurë, përshkruajnë më tej jetën sociale dhe kulturore të lagjes. Në vargjet
e mëtejshme, përshkruhet ndryshimi i lagjes sot, por ende ruhet thellë
historikisht. Kapeshnica ruhet si një thesar i historisë dhe kulturës së Pejës,
duke kujtuar ngjarjet dhe personalitetet e shquara që e kanë njohur atë. Poeti
fton lexuesit të kthehen në Kapeshnicë për ta kujtuar dhe për ta përjetuar
sërish të kaluarën e shkëlqyer të lagjes. Në fund, përmenden krenaria dhe
madhështia e Kapeshnicës, e cila ende qëndron si një simbol i rëndësishëm për bashkësinë
dhe historinë e Pejës. Poema paraqet një peizazh të humbur në kohë, por ende të
rëndësishëm për identitetin dhe trashëgiminë e qytetit.
Në trajtën e një poeme është krijuar edhe “Elegji
apo poemë kujtimi (Ose, a të kujtohet o Babëloku im...!)”. Ky tekst
është një poemë kujtimi, një përkujtim për personin e dashur, babain e tij, që
ka ndërruar jetë. Poezia përshkruan një sërë kujtimesh dhe përvojash personale
me prindin. Fillon me një kujtim të përbashkët të pirjes së ujit në një burim
dhe bisedave për historinë.
A
të kujtohet o Babëloku im
Ai
burimi ku pinim ujë
E
ai fliste me ne për historinë
A
të kujtohen o Babëloku im
Ato
majat e bjeshkëve
Prej
nga panorama e Dukagjinit
Na
madhështonte shikimin
Nga pamja e majave të bjeshkëve dhe Dukagjinit,
përshkruhet një panoramë përrallore e
natyrës së kësaj zone. Përshkruhen momentet e rëndësishme të jetës së prindit,
si mbajtja e deleve dhe varrimi i të dashurve. Përkujtohet koha e rinisë dhe
ëndrrat që kishin atëherë. Paraqiten pamje të natyrës dhe dëshirës për ta
shijuar jetën, me kujtimet nga puna në fshat dhe këndimi i këngëve nën hijen e
pemëve. Jepen betejat për liri dhe për çlirimin e atdheut. Kujtohen bisedat me
personin e dashur nën hijen e pemëve. Është koha kur lumenjtë i matnin me kutin
e shpirtit. Bëhet një përshkrim i jetës së përditshme dhe vlerësimi i
thjeshtësisë së saj. Jepen kujtime nga tregtia. Jepen skena poetike për punën e
mundimshme dhe krenarinë për punën. Prindi i përkujtuar shpreh dëshirën për të
qëndruar në tokën e tij pranë të dashurve të tij. Pra, jepet një reflektim mbi
historinë dhe kujtimet e humbura.
Poema në vazhdim „Kthim në shtëpinë që nuk ekziston (Poemë,
elegji, simfoni apo trembje shpirti...)“, po ashtu është një poemë
kujtimi ose elegji për shtëpinë e babait që tani nuk ekziston më. Autori
përshkruan dëshirën dhe përpjekjet e tij për t’u kthyer në shtëpinë e tij të
hershme, por gjen vetëm kujtime dhe ndjesi të munguara. Në fillim gjen vetëm shenja
të humbura. Është një shtëpi e lënë me pak mure që e trondit me lidhjet me të
kaluarën e tij: me imazhet e brendshme të shtëpisë së babait me dritaret e
vogla dhe me pamjet që përcaktojnë lashtësinë; me detaje të shtëpisë së
mëparshme, duke shtuar nostalgjinë për kohën e kaluar. Detaje tjera poetike
paraqesin pamje nga jeta e mëparshme. Autori nuk gjen shenja të mëparshme të
familjes në shtëpinë që tani nuk ekziston më. Janë këndime për një kërkim të
përjetshëm për atë që nuk mund ta gjejë më. Poeti përfundon me pyetjen, se ku
tani duhet ta mbajë kujtimin e shtëpisë së babait të tij, duke shprehur dhimbje
dhe shqetësimin për humbjen e shtëpisë së tij dhe përvojat jetësore në të. Në
vazhdim, te poezia „Lumëbardhi im i dashur...“, lumi shfaqet si një qenie e gjallë
me të cilin bashkëbisedon me qetësi e dashuri. Në fund të poezisë autori rikthehet
te dashuria dhe admirimi për Lumëbardhin, duke e përshkruar atë si një burim i
përjetshëm i frymëzimit, me vlerësimin e thellë për bukurinë dhe fuqinë e tij.
4. Semantika e plagës
Ja një tekst tjetër ku shprehet një ndjesi tjetër e
përjetuar e vetmisë dhe e gjakimeve të poetit. Është poezia “Janë
do plagë...” me intonime lirike intime:
Shëtita
tërë dynjanë
Ty
të të gjeja
Bile
diku në cep të botës
E
në prezencën tënde
Vetvetes
t’i tregoj diçka
Se
kurrë nuk pate thënë gjë
As
për shkrumbin e shkrumbit
As
për dhembjet
As
për etjen e shikimeve
Mos
harro
Janë
do plagë
Që
sërish mund të hapen...
Se
lehtë është të vdesësh
Por
vështirë të jetosh...!
Është rikujtimi për personin për të cilin këto fjalë i janë
adresuar, duke e nxitur atë të mos harrojë që ka plagë që ende mund të hapen,
që mund të shkaktojnë dhimbje edhe në të ardhmen. Kjo pjesë e tekstit
përfaqëson një ngjarje që ka lënë gjurmë. Përfundon me një reflektim mbi jetën
dhe vdekjen, duke e përshkruar vdekjen si diçka të lehtë, ndërsa jetën si diçka
më të vështirë për t'u përballur. Shpreh një kuptim të thellë të jetës dhe
sfidave që ajo sjell. Titulli "Janë
do plagë" përmbledh thelbin e tekstit duke e paraqitur një ide
kryesore të dhimbjes, vuajtjes dhe sfidave që vijnë me jetën; një realitet i
dhimbshëm dhe i vështirë i ekzistencës, duke theksuar rëndësinë e sfidave dhe
vuajtjeve që ndikojnë në jetën tonë.
Plaga është një temë e zakonshme në poezi dhe ka një gamë
të gjerë kuptimesh dhe përdorimesh semantike. Kjo plagë në poezi shpesh
përfaqësohet si një burim i dhimbjes dhe vuajtjes. Ajo mund të jetë një
metaforë për gjendjen emocionale të personazheve ose të autorit vetë, duke
përshkruar dhimbjen dhe vuajtjen e thellë që ata ndjejnë. Ajo gjithashtu
përfaqëson një humbjeje ose një mungesë, si humbja e dashurisë, e të afërmve, e
shpresës, e pavarësisë, etj. Në disa raste, plaga shihet si përvojë
transformuese, që lë një ndikim të thellë dhe ndryshon njeriun për të mirë.
Përdorimi tematizues i plagës në poezi është një mënyrë e
fuqishme për poetin që të shprehë dhe komunikojë ndjenjat e thella të vuajtjes
dhe dhimbjes. Linda Poindexte, një autore amerikane, do të thoshte: "Plaga është
një shenjë se keni qenë prezent në luftën e jetës.". Plagët janë dritaret në shpirtin
tonë të mbyllur. Por autori nuk pranon të bjerë në dëshpërim; por e ndien se
plagët na bëjnë të ndiejmë se ne jemi gjallë, se ne jemi të lidhur me tjetrin,
se ne jemi njerëz të pasur me histori dhe me emocione. Janë shenja se njeriu
është i fortë për ta kapërcyer dhimbjen; se përjetimi i saj e bën njeriun më të
fuqishëm. Por më shumë therin plagët e atdheut që reflektojnë mbi përvojën
njerëzore të vuajtjes, forcën dhe rezidencën:
Sa
histori të dhembshme shtresuar
Por
këto plagë t’i lë të hapura
Se
do të shërohen
Kur
detet dalldisen
E
anijet do t’i bashkojnë largësitë
E
do t’i nxjerrin të gjitha fshehtësitë
Edhe
dëshmitë që dikur i kapërdinë
Duke
kërkuar lirinë
Ndërsa te poema “Letra e nënës”, po ashtu lexojmë plagët
dhe biografemat lirike autoriale:
Ti
Ndoshta
nuk e din se për çfarë
Por
sot do t’i radhisë disa
Nga
ato plagët e mia për të rritur të lumtur
Se
tek daja yt nuk ishte çerdhja jote
Sepse
shtëpinë na kishin grabitur hienat
Nëpërmjet kësaj letre, nëna tregon përvojën e saj dhe
historinë e familjes së saj, duke ndarë kujtime, dhimbje dhe lumturi. Edhe pse
nëna është larguar fizikisht, ajo mbetet gjallë në kujtesën dhe shpirtin e
autorit, duke lënë një gjurmë të përjetshme në jetën e tij. Nëpërmjet kësaj
letre, autori shpreh mirënjohje dhe respekt për gjithë sakrificat dhe shërbimet
që nëna ka bërë për të, duke e ndjerë se është privilegj të ketë një prind të
tillë. Letra përjeton procesin e humbjes së nënës dhe kujtimet e përbashkëta...
Poeti përshkruan figurën e një nëne të vuajtur e cila përfaqëson
forcën dhe rezistencën ndaj sfidave të jetës, duke përballur edhe vuajtjen më
të thellë me guxim dhe dashuri. Ajo është një simbol i forcës së brendshme dhe
simbol i mbështetjes së pafund, që shfaqet edhe në momentet më të vështira të
jetës. Përvoja e plagës është një shenjë e forcës dhe rezistencës për të
vazhduar përpara në jetë, edhe nën kushte të vështira. Plagët na mësojnë mënyra
të reja të shikimit, rritin vetëdijen tonë dhe na ndihmojnë të zhvillojmë më
tej si individë, duke na bërë më të fortë dhe më të përparuar.
Me këso ndjesish janë shkruar edhe krijimet poetike “Njëqind
herë e putha pragun e derës...(Ose, ecje Iliriane...)”, “Sonte mbi urën e
kujtimeve... “, “Vetëm kaq...“ etj. Në to shqiptohet një udhëtim
shpirtëror dhe emocional i autorit nëpër kujtime dhe emocione të shumta, duke
përshkruar një përvojë të plotë jetësore dhe një kërkim për identitet dhe
kuptim në botën e gjerë. Është një rrugëtim i thellë brenda vetvetes dhe një
lidhje e ngushtë me vendlindjen dhe trashëgiminë kulturore. Janë edhe çaste reflektimi
mbi kujtimet dhe vlerat e jetës, duke theksuar rëndësinë e përjetshme të
kujtimeve dhe dashurisë për të kaluarën dhe vendlindjen deri te ndjesia e
mungesës dhe reflektimit mbi çastin dhe rëndësinë e jetës. “Mbi varr të nënës“ me
tone elegjiake shpreh ndjenjën e thellë të humbjes dhe vetmisë pas largimit të
nënës. Fjala e nënës së ndjerë është e kërkuar, por heshtja dhe mungesa e saj e
bëjnë të ndjehet edhe më i vetmuar.
Edhe te poema “Në krahët e fluturës së bardhë...(Ose,
baladë për pelegrinazhin e zemrës time)” hasim po atë shtegtim të
brendshëm shpirtëror të zemrës së autorit nëpër kujtime, emocione dhe histori
personale dhe kolektive. Përmes vargjesh të ndërliqshme dhe të përmbushura me
detaje, autori udhëton nëpër vende të ndryshme të kujtesës dhe emocioneve. Këto
vende shënojnë momente dhe ngjarje të rëndësishme, si lindja, dashuria,
përballja me vdekjen, udhëtimet e jetës dhe ngjarje historike. Përmes një
ngjashmërie simbolike me fluturën e bardhë, autori shpreh aspiratat dhe
shpresat e tij për liri; një udhëtim për të gjetur lumturinë. Flutura e bardhë
përfaqëson lirinë përgjithësisht dhe lirinë e shpirtit, në veçanti, ndërsa
zemra që rri në krahët e saj simbolizon udhëtimin shpirtëror dhe rënien në
ndjenjat e thella. Një poezi vërtet e realizuar.
Gjithë plagë kujtese, evokimi e përjetimi është edhe
poezia “Golgotë apo takim... (Kushtuar motrës sime, Hysës)”, "Vonë
më ke Lindur...", "Muze i traditës, thanë..." dhe "Amaneti
i Mësuesit”. Këto poezi shfaqin një përvojë shpirtërore dhe emocionale,
duke shprehur përballjen me vuajtjen, humbjen, dhe rrugëtimin në jetë. Te "Amaneti
i Mësuesit", një mësues lë një amanet për nxënësit e tij për të
dashur dhe për t’u kujdesur për atdheun. Kjo poezi shfaq rëndësinë e
arsimtarëve dhe të edukimit në formimin e gjeneratave të reja, duke sjellë një
mesazh për të dashurinë ndaj vendit dhe për kujdesin për trashëgiminë kulturore
dhe historike.
Te poezia “Ka ardhur koha” ka një thirrje për
ndryshime thelbësore dhe përmirësim të vendit dhe shoqërisë. Autori përshkruan
një vizion për një atdhe të përmirësuar dhe të lumtur. Poezia fillon me një
thirrje për shkundjen e vlerave të vjetra dhe pastrimin nga situatat e
mëparshme negative, me kërkesën për të folur hapur për historinë dhe ngjarjet e
kaluara, duke theksuar nevojën për të kuptuar dhe përballuar sfidat e kohërave
të kaluara. Poezia përfundon me një vizion optimist për të ardhmen e vendit,
duke përshkruar një atdhe të lidhur me virtytet dhe vlerat e tij të vërteta.
Ky proces reflektimi shfaqet si një udhëtim i brendshëm
për ta kuptuar më mirë veten dhe botën rreth tij. Në këtë rrugëtim, shfaqen
mësime dhe kuptime të thella, të cilat shpesh lidhen me humbje, dështime dhe
zhvillim personal. Trajtimi i kësaj teme në poezi e bën atë të përshtatshme për
të shprehur një përpjekje për reflektim të thellë dhe për të gjetur një kuptim
më dinjitoz në përvojat e jetës.
5. Në fund ose në dalje nga libri
Vëllimi poetik “Peja, dhembja dhe krenaria ime... (poemë të
cilën kurrë nuk e përfundova)”, vjen si libri më i realizuar, më
gjithëpërfshirës e më sintetik për nga vlerat artistike të deritashme të poetit
Sejdi Berisha. Ky libër shquhet për cilësi artistike, për përkushtim të thellë
ndaj temës, ideve e motiveve, për shkëlqimin e gjuhës, për trajtimet komplekse
të temave e motiveve njerëzore, personale e nacionale, të cilat shpalosin
dimensione të ndryshme, duke ngritur pyetje dhe bën lexuesin të reflektojë. Është
një referencë e rëndësishme për krijimtarinë e autorit e më gjerë. Thuhet se
një qytet duhet ta ketë veprën letrare që e monumentalizon. Pra, Peja tashmë e
ka këtë vepër të Sejdi BERISHËS, me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit,
kujtesën dhe kulturën e këtij qyteti. Ajo poetikisht përfaqëson historinë,
kulturën dhe karakteristikat e veçanta të këtij qyteti dhe shpalos emocionet
dhe përjetimet që e bëjnë atë qytet unik. Është vepër inspiruese, motivuese dhe
frymëzuese që reflekton këtë identitet qytetar. Vepra përmban referenca të
shumta historike e legjendare që lidhen me qytetin dhe ndihmojnë në ruajtjen e
kujtesës kolektive.
Shkurt
2024