Kulturë
Blerim Rrecaj: Shkurtimë e Shpejtimë shkurti
E merkure, 28.02.2024, 07:20 PM
Blerim Rrecaj:
SHKURTIMË
E SHPEJTIMË SHKURTI
Shkurtimë shkurti
Ia
mora topin
Fëmijës
Dhe
e godita me këmbë
Mori
krahë
Fluturoi
lart
Si
pa farë qëllimi
Krejt
spontanisht
U
kacavar
Në
degët e një druri
Dhe
na shihte tash
I
ngazëllyer
Disi
me ironi
Më
pas aty afër
Gjetëm
një copë druri
Pasi
topi s'donte të zbriste
Drurin
duke e shkund
Me
gjithë degët e tij
Shpejtimë shkurti
Filloi
të shkruante diçka. Të shprushte. Të shpupuriste. E vazhdoi. Mendoi edhe për
muajin shkurt që po shkon, në ditën e parafundit të tij. Ky i sivjemi me 29
ditë, na qenka. Pak më herët përfundoi leximin e një libri që e kishte filluar
para katër-pesë ditësh. Në këtë libër, përpos që i pëlqeu, i lanë mbresa edhe
mjaft ngjashmëri që kishin të bënin me jetën e tij. Ndërtimi i rrëfimeve ishte
shumë i bukur, e nëpër to ndërthurej fati individual, kolektiv, njerëzor e
kombëtar. U soll e përsoll nëpër këtë ditë, si zakonisht. Më vonë, mori
telepilotin, kalimthi kaloi kah kanalet
televizive pothuaj(s)e kot-fare të mbushura me debate ku si gjithmonë do
diskutohej për një temë politike e aktuale. I la debatuesit aty ku ishin, ua
ndali zërin, më pas e la fytyrën e pasqyrën e ekranit në një emision me
përmbajtje nga natyra, që bënte fjalë për peshkaqenët e oqeanit. Mori tri gazeta (që ndodheshin mbi komodinën
që mbante tv-në, e në anën e djathtë të saj, pranë së cilës ndodheshin një foto
familjare në kornizë, dhe një poç llambe dekoruese e me bateri), të cilat i
bleu para tri-katër dite në qendër të Prishtinës, te njëri kiosk, pranë
ndërtesës së Radio Kosovës. Njëra gazetë më tepër mund të quhej mbarëkombëtare
dhe shumë hapësirë i kishte kushtuar shumë faqe projektit hekurudhor
Prishtinë-Pejë-Gjakovë-Tropojë-Shkodër-Shëngjin-Durrës-Ulqin-Tivar. Dy gazetat
e tjera ishin letrare me tregime, poezi, intervista, ese e njoftime për daljen
e ndonjë botimi të ri. Edhe tek to, kulloti sytë, e lexoi diç. Dhe i la. Ka
kohë që gazeta e revista blinte rrallë, e që vinin kryesisht jashtë Kosovës. E
mori telefonin. Pos tjerash pa në të, shkrepjen që bëri sot, drejtuar me
sytë kah qielli derisa ecte trotuarit.
Edhe sot, para se të binte muzgu, sikurse dje, pa gjithë atë tufë shpendësh, që
nuk ishin as sorra, as korba, as pëllumba, po ca zogj më të vegjël e të shumtë,
që fluturonin mjaft lart, nëpër atë copë mjaft të madhe të qiellit. E çuditën
për ca çaste. Dhe shumë shpejt i humbën sysh. Aq e ndoshta edhe më shpejt se ca
gjethe dushku në një rrugë malore, të cilave era u dha vërvishten dhe i bëri
atlete këmbëshpejta, si vetëtima, në garën dramatike përpara se të hynin në
cak. Pasi erdhi deri këtu me këta reshta, që herë i dukeshim me pak kuptim,
herë sa për të kaluar radhën, herë sa për ta përmbyllur fundin e këtij muaji me
diç, herë se ata rrëshqitnin në drejtim të një proze poetike, u ndal. Nuk do ta
zgjaste edhe më, si llastikun, si vajzat në lojën e tyre fëmijërore. Ç'të bënte
me këta rreshta, t'i mbyllte në një shishe e t'i hidhte në lum a
në det; t'i lidhte për këmbën e një pëllumbi; a t'ia dhuronte erës, mbase do
t'i bartte deri te zogjtë që sërish u dukën duke flutururuar mbi kokën e tij,
me vrull gjallërie e ngazëllimi.