E enjte, 12.12.2024, 11:29 PM (GMT)

Kulturë

Mehmetali Rexhepi: E këndshmja e fortifikuar

E marte, 27.02.2024, 07:51 PM


E KËNDSHMJA E FORTIFIKUAR

(Cikël poetik)

Nga Mehmetali REXHEPI

KRUPA

ndoshta terri i natës e shtyri rrotullimin e pandalshëm

të insektit krahëbardhë  ndanë fanarit  dritë-zbehtë të tryezës

herë me turre e me vrulle ritëm prishur e lehtësisht prajshëm

instinkt i ritualit por pa droje i skajshëm

mbi shelgun vajtues i kishte ikur dita e përftimit  këndshëm

terri shufër e zezë  i zi gjarpërues i vërvitej kudo në hapësirë

dhe rrjeti i merimangës anë e kënd i shtrirë

duke mëtuar thithjen e tërë kësaj drite të bekuar

hutaqja flutur i jepej rrotullimit të pangopur

fanari i sillej nga lëbyrja i humbet vija përplas kokën

bota nuk është e sheshtë vijave me lakadredha

grishjes së dritës krahët i shqyheshin fare lehtë

bukuri  mjeshtërore e pikturuar mbi petka të reja

e drita ishte zjarr

simbolikë e pangopësisë i shporri gjumin fluturës

i dendësoi  para djegies krupën

MENDJEMARRA

kotësia di të rrisë vetëm gjemba

me injektime tullumbacesh të ujit për imunizimin e therkave

lakmia e kotësisë kaba

një trung i pret shirat t`iu ngjiten krahët

sikurse stalaktitet mbi stalagmitet

i do pjeprat e verës nën kaktusin e rërës

asnjë fije për mozaikun e syve

nyjës së ditë-bardhës

mugëtira prapa shpine i zbraz trastën

mendja e marrë hezitoi arin diellor ta shkëpuste për hambarë

sapo i ra në dorë e hodhi në bunar

tha: ditët e rrojtjes janë një det që nuk shterë

të lumin thesar në bunarin e thellë

mençuria e esëllt nuk doli t`ia nxjerrë

*

prit e prit e prit

mandati ia mori dhuntitë:

të kapesh për litari e të lëshohesh në thellësi të bunarit

të hysh deri në fund mendjemarra e djerrë

rrotullën e litarit i lë tjetrit ta mbështjell

dhe ah mendje e marrë

është vonë ta shohësh fundosjen tënde

nga dora e sherrit të djallit

NGJYRAT

ditën mos e lyp krejtësisht të bardhë

njolla të zeza i fluturojnë vërdallë

dhe lyp e lype të kuqe

sipas një tufe karafilash e buzësh burbuqe

ditën mos e lyp tërësisht të kaltër

ca re të hirta horizonteve i shfaqen

tepihu i ditës nuk të shtrohet vetëm i blertë

flokë verdhat e shquajnë ngjyrën e vet

vetëm kur dorë për dore të kap dashuria

ditës i shfaqen të paparat ngjyra

SHIJA E FORTIFIKUAR

i erdhi stina e harlisjes

dhe vallëzon harlisjen në erë

i shtrin gjymtyrët në të gjitha kahet e shpirjes

secilin gjeth ka ngjyer në fotosintezë

rrezet me afsh të bardhë ia puthin degët

dhe Piktor Klorofili Gjenial

priste shfryrje për vajin e reve

shpërfaq melodi të blertë të gjetheve

thuajse e blerta i përkiste veçse asaj

sa rrëshqitas shohin sytë e i paçim në ballë

*

hija jote nuk erëzon ëndje

porse nuk përfillë mure

njerëzit ngrenë kufi njëri-tjetrit

për çfarë

secili e di dhe asnjëri-tjetrin nuk e falë

përse

për ngastra sherresh të lashta

të cilat kurrë askush

nuk i mori dot me vete

andej në një botë të amshimit tjetër

*

të mbolli nëna ime nënë prej toke

një dorë që besoi në rrënjë

por asnjë kokërr prej teje nuk shijoi

për frytet e tua të forta nuk kishte dhëmbë

kokrrat ia fshehe majit

ia dëftoje qershorit

doemos do t`ua shpiesh

shtatorit e tetorit e

le të sprovohen dhëmbët e dhëmballët

për të parët lakmitarët

*

për shkundësit e grabitqarët

lakmia pa frenuar i lakoi dhëmbët e dikujt

çekani që thyen arra drejton dhëmballa

arrë arra

mbase rrënjët e tua të thella e të forta

plasaritin ngrehina të dobëta

për mllefet e tokës

dhe barbaritë e botës

*

vallë si ditka Enigma e Përsosjes së Bukur

frytin për ta fshehur

flegrat e thara ngjasimesh të trurit

t`i mbështjellka rrumbullakuar prej murit

që pa e thyer të mos i jepte frytin e fortifikuar përtypjes

dhe vetëm pas thyerjes t`ua çelte portat e shijes

KURDISJA E ZJARRIT

(Me poetin bohem Mirko Gashin)

e dashur: mos ma hiq gotën

i dehur dua ta shoh botën

në asnjë prapavijë nuk shoh armiq

asnjë ngjyrë nuk m`i lëbyrë sytë

asnjë censurë nuk m`i ndalon shijet t`i përtypë

Dua ta ndjejë këtë botë sipas shijes në gotë

të qajë dhe të qesh zezë-ditën me lot

t`i shijoj hardhitë e kaltërsisë

pa i përfytyruar kufijtë

i dehur jo i vetëm për vete

kështu ia nxjerrkam bunarit të fshehtën

Pse e dua një botë tjetër

enigmat ma lajthisin shpirtin me lloj-lloj veshje

se vera e përhershme

do ta avullojë dhe këtë gotë

Dikush mund të më ketë thënë:

mos e harro thikën e ftohtë

e mikut tënd dhe të bukurën kokë

gjithçka të mos e ndjesh krejt ngrohtë

edhe një shigjetë pas shpine e vashës

edhe një glasë sorrëshkine mbi flokë

edhe një buzëqeshje e ngulur në gozhdë

*

as i esëllt as i dehur

Për etikë nuk do t`i ndizeshin epshet plakut

Enigma e Përsosjes së Njeriut në gjene ia kurdisi zjarrin

një ditë Kalorësit e Apokalipsit

edhe diellit do t`ia mbështjellin akujt

urtësia s`është urti

nëse vetëm loton dhe i gurëzohen lotët



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora