Kulturë
Fatmir Halimi: Itinerari i një kohe të pakohë
E marte, 27.02.2024, 07:49 PM
ITINERARI I NJË KOHE TË PAKOHË
Nga
Ma.sc. FATMIR HALIMI
Një vit pa stinë, është
titull shumë interesant dhe karakteristik i romanit të fundit të shkrimtares
Ylfete Aliu Osmanit.
Zbërthimi
i titullit Një vit pa stinë na shpie në dy venerime: atë artistik,
simbolik e figurativ dhe në venerimin faktik e konkret. Venerimi simbolik e
figurativ i titullit zbërthehet si një itinerar i një kohe të pakohë, si një
rrugëtim i pandalshëm fiksional i një shoqërie në ndërtim e sipër, i një kohe
që të gjithë vrapojnë pas angazhimeve ditore e që harrojnë të marrin frymë dhe
duhet të ndodhë diçka e befasishme që këta njerëz të ndalen e ta kujtojnë
vetveten dhe të mendojnë për të tjerët. Ndërsa zbërthimi faktik i romanit Një
vit pa stinë valorizon kah një semantikë më filozofike dhe që është
shumë vështirë të faktorizohet. Por, mbi të gjitha titullin mund ta
konkretizojmë se stinët e vitit çdo herë lidhen me faktorin natyror, por edhe
me qenien njerëzore, me njeriun dhe mund të ndodh që viti të jetë pa stinë
pakohë e pa ndryshime në jetë.
Shumë
kritikë ndajnë mendimin se shkrimtari nuk është këtu për ta interpretuar, por
për ta shkruar veprën e tij, prapë se prapë interpretimin na e bënë çdo
shkrimtar përmes titullit të veprës së tij. Pra, titulli i veprës për diskursin
kritik çdo herë merret si çelës për interpretim. Në rastin tonë titulli i
romanit Një vit pa stinë zbërthehet nga vetë autorja në momentin kur
ajo ka vendosur që ta emërtoj me këtë emër duke i lënë anash shumë tituj, që duke
u bazuar në përmbajtje, hipotetikisht do të mund ta kishte emërtuar edhe si:
itinerari i një kohe të pakohë.
Fabula e romanit
Romani “Një vit pa stinë” në vija të trasha trajton jetën e të rinjve
të shoqërisë sonë në fillim vitin 2020, të një viti të jashtëzakonshëm për
shoqërinë tonë dhe për shoqëritë e globit në përgjithësi, pra është një
përshkrimi i realitetit aktual kosovar dhe një thirrje për tejkalimin e krizës kolektive dhe individuale.
Ky roman është i ndërtuar mbi bazën e shumë këndvështrimeve që kanë për
qëllim të ngjallin shpresë dhe të
shtyjnë përpara ndryshimet. Romani nisë me dukurinë e mërgimit të të rinjve nga Kosova. Duke
përshkruar pesimizmin apo depresionin kolektiv, që jo pa shkak ekziston në
Kosovë, për shkak të të cilit të gjithë kërkojnë shpëtim. Janë këta të rinjtë
studentë të fakultetit të Juridikut, që diskutojnë për një mundësi për të
emigruar në Amerike.
Laidi personazhi kryesor në roman
refuzon tu bashkëngjitet për të migruar, por këtë e bën Doruntina e dashura e
tij. Ajo bashkë me grupin largohet nga Kosova duke e lëne Laidin të pikëlluar
dhe pa cak për jetën, Në këtë përudhë të zymtë Laidi takon një fëmijë, Aurelin,
një lypsarë, jeta e të cilit mbaron
tragjikisht. Ky vogëlush, ndonëse rrjedh nga shtresa më e ulët e shoqërisë, është në fakt
një mirazh që shfaqet për të porositur, që të shohim gjërat nga një tjetër perspektivë, jashtë asaj depresive. Pra, një i
mitur i braktisur e i pa strehë, thërret
personazhin kryesor të këtij tregimi, Laidin, që të shoh ndryshe Kosovën dhe
vendlindjen e tij. Nga një tjetër kënd, ndryshe duken kullat e bukura, që janë
orakuj në dhomat tona. Kështu e nis udhëtimin e tij prej një avokati Laidi. Ai
e kupton se tragjeditë dhe realiteti i tij është vërtet i karakterizuar me de-humanizëm, me humbje jetësh
për shkak të shumë gjërave si, jetës së rëndë sociale-ekonomike, kushteve të
vështira të punës, etj. Ai mjedis, ku ai jeton kërkon ndihmë dhe jo ta
braktisim apo të qëndrojmë duarkryq.
Një
personazh tjetër i rëndësishëm në roman është edhe Arina Bregu. Një gazetare që
tenton të shpëtoj veten nga realiteti, i cili është jo adoptues për të. Arina në
roman paraqitet si një person në ekstremitetin tjetër, në industrinë e famshme
të modës, që është fikson i të rinjve, e që përsëri është i pa arritshëm nëse
nuk e ka origjinalitetin e vet. Përmes
saj dhe shokëve të ngushtë Agnesës dhe Dinit theksohet kriza e individualitet në shoqërinë tonë, posaçërisht
e femrës kosovare. Ajo është vajzë e një gruaje të suksesshme ndërmarrëse, por
nuk ndihet e përmbushur, sepse jeton midisi dy botëve plot paradokse, varfërisë ekstreme dhe luksit që
nuk e lumturon. Ajo lë luksin dhe pasurinë që i ofron e ëma për t’i ndihmuar
shoqes së saj të fëmijërisë, Agnesës që të dalë nga kriza dhe inferioriteti i shoqërisë, e sidomos i
familjes së saj.
Midis përpjekjeve të Arinës shohim
paragjykimet shoqërore, politikën që e ndikon jetën e të gjithëve, profesionalizmin
e gazetarisë, botën e modës dhe keqkuptimet. Duket se autorja përmes këtyre
personazheve dhe ndodhive që i ngërthen brenda romanit kërkon të gjej shtegun
dhe të trokas ndërgjegjshëm, e me takt në egon e secilit. Ajo sheh si të vetmit shpëtimtarë gjeneratat e
reja, kërkon që ata të aktivizohen, të bëhen
bashkë dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin, si rasti i Arines ndaj Agnesës. Bashkë
mund të tejkalojnë çdo kohë krizash, si ajo e pandemisë, e cila në roman
paraqitet veç në pjesën e fundit të tij. Shih për këtë gjë mund të them se
romani Një vit pa stinë është veç si një fillim i një kohe te pakohë,
veç fillimi i pandemisë, e cila do të zgjas edhe për disa muaj, apo edhe për ca
vite, gjë që autorja lë shumë gjera pezull, i lë pa i përfunduar. Unë mendoj se
këtë e bën me të vetmin qëllim, që të zgjoi kureshtjen e secilit lexues dhe
gjithsecili lexues të bëjë zgjidhjen e vetë imagjinare. Kjo mënyrë e të
shkruari e zgjon kureshtjen te lexuesit, kjo mënyrë e të shkruarit tashmë edhe është
vetëdije letrare artistike te shumë shkrimtarë dhe që s’do mend është edhe te
autorja Osmani.
Për
fund mund të them se romani
“Një
vit pa stinë” i shkrimtares Ylfete Aliu
Osmani e ka arritur nivelin e duhur artistik dhe është një dhuratë e
mrekullueshme për lexuesit.
Autores
i dëshirojmë shëndet dhe suksese në të ardhmen, me prurje të reja të ndonjë
libri të ri, sepse me këtë roman e ka dëshmuar veten dhe ka dalë e suksesshme
në krijimin e artit letrar, sidomos krijimit në prozë.