Kulturë
Shyqyri Fejzo: Ah! Kjo dashuria virtuale…!
E marte, 27.02.2024, 07:53 PM
Ah!
Kjo dashuria virtuale…!
Tregim
Humoristik
Nga
Shyqyri Fejzo
Duan
e thonë se koha është flori. Po të ishte tamam kështu, një nga më të pasurit e
nahijes do të ishte im shoq. Ai, në ato kohra kur u ndërrua sistemi, nuk e
“blojti dot karroqen” të futëte kokë e këmbë në ndonjë parti e rrëmbente ndonjë
pronë. Le atë nuk e qullosi dot, por humbi dhe punën që kishte nga një i
flamosur nen 24/1 ndaj të cilit qahej vaht e sahat. Kjo vazhdoi ndonjë vit.
Pastaj atij po i pëlqenin orët, ditët, muajt e vitet papunë. Tani kishte kohë
me shumicë, po ç’e do. Florinjtë e kohës flori, nuk po dukeshin gjëkundi.
Kopështin
e vogël që kishim, e vërteta është se e punoi nja tri herë, me bel e me kazmë.
Mbolli nja dy tre pemë, dhe ndërroi disa fidana domate, speca e tranguj
megjithëse gjitoni që e kishte në thua zanatin e perimeve, i bënte herë pas here verejtje. Pa merrte
kutinë e shahut apo të dominove dhe vrapin, pas mëngjesit e kafesë, e linte
andej nga parku. Kur u zmadhua nata dhe
vranësira dominonte qiellin, im shoq ulej në lap-topin që i dërguan djemtë nga
emigracioni. Nuk linte gazetë pa lexuar aty. Më pas hapi dhe një facebook dhe
mburrej se tani vendosi lidhje me
shokë
e miq jo vetëm në vendin tonë, po në mbarë botën. Qari i kësaj pune, me sa
duket, ishte se bisedonim me djemtë dhe
nuset e tyre pothuajse çdo ditë.
Nganjëherë
me të “i mbërthenim qetë”,se unë me gjysëm pune e gjysëm page, kthehesha e
lodhur, e do të gatuaja, të laja, të shplaja dhe rrallë na mbetej pak kohë të
pinim ndonjë kafe së bashku aty në kopësht.. Kot nuk thonë se”Gruaja punon si
merimaga po dhe puna e saj ka pak duk.”
Nuk i isha ankuar ndonjëherë, por jo rrallë po bënte “mbi rrugë e nën rrugë”
dhe një ditë po më qahej ai për lodhjen, ne vend te ankohesha vete.
-Po
ku u “këpute” apo duke luajtur? Mos të kanë rrahur ata shokët e tu në domino?-e
ngacmova atje ku ai nuk mban dobec.
-Akoma
nuk e di ti, se mua në domino nuk më del njeri përpara? Që kur po shkruaj
pikët, se ata nuk shikojnë nga sytë të shkruajnë, mua dhe ortakët e mi nuk na
rreh dot njeri.-më ktheu një përgjigje të thatë duke mbyllur paq dhe syrin e
majtë. Në bisedat që bënim, ai kishte rolin e komentuesit, sidomos nga
facebooku dhe unë rolin e dëgjueses. Kjo më bëri ta ndjej veten jo të barabartë
me të ndaj u kërkova djemve të më
sillnin një tablet të ri i kohës së fundit. Nipi dhe mbesa kishin blerë biletat
dhe për dy javë fluturonin në Itali tek djemtë. Ksisoj, thirra me kujdes mbesën
dhe i thashë se”dhe unë do të hap një facebook, ndaj ulu dhe më ndihmo .Në
fillim ajo hapi sytë si të kaut kur shkon pranë një pellgu me ujë. Pas habisë,
më shpjegoi ajo radhën e punës, po mua mu dukën shumë e nuk i mbaja dot mend të gjitha sa më
tregoi, ndaj ngrita zërin, i dhashë një letër të bardhë e një stilokalem dhe i
them:”Pa mi shkruaj këtu, një për një dhe pa gabime çfarë duhet të bëj, se ta
shkul gërshetin,” kërcënova me me grushtin mbyllur para fytyrës. Ajo qeshi
fort, më hodhi një shikim prej mbese të dashur dhe ju fut punës për t’ma bërë
dritë atë punën që do bëja me facebookun.
Kur
përcollëm fëmijët e ndjemë më shumë vetminë. Ulem një ditë, hap fletët me
shënime që më kishte lënë mbesa dhe nisa
punën të hap dhe unë një facebook.Mbasi shkrova ato që më kishte lënë mbesa “se
duheshin se s’bën” ngeca tek fotografia që do
të publikoja. Se foton time nuk e futja aty unë. Po kërkoja një foto të
bukur. “Se cila është ajo femër që nuk e qas bukurinë?”Në një revistë atje ku
punoja,i ngula sytë një fotoje dhe aty ngeca. Atë mora për ta vendosur. Se cila
ishte ajo fatlume që do vegjetonte në fb. tim nuk e dija se poshtë fotos ku e
mora nuk kishte asnjë diçiturë. Po e soditja me zili shemrën time.
Kur
ktheja kokën pas, në fytyrën e sozisë
time m’u duk se çeli trëndafili i një buzëqeshje të mirë, që buronte si nga
shpirti im. Kur u linda, nuk më pyeti njeri, kur u rrita më vendosën në trupin
që kam, por nuk do e zgjidhja po të më pyesnin sot. Po ashtu edhe me ngjyrën e flokëve dhe të
syve nuk do i merrja këto që kam tani. Dhe për
emrin nuk më mori njeri mendim, se cilin do më ngjitnin. Ama tani që më
erdhi në dorë… Zgjodha një emër me dy zanore anash e një bashkëtingëllore në
mes. Mbiemrin e zgjodha pak më të gjatë; me dy zanore e dy bashkëtingëllore.
Publikova dhe dy foto të tjera, ku në një plazh ekspozoheshin më shumë trupi
dhe ,kofshët, ndërsa tjetra në një pyll,
ku binte në sy silueta në një
shetitje e vetmuar. Të dy fotot pak të mjegulluara që mos më pikasnin që kisha
“huajtur” dhuntitë e botës për ti kllaposur në fb.tim. Me këto tregues mendova
se e fitoj provimin duke vlerësuar veten time. I futa disa të dhëna për
vendbanimin, shkollimin etj. dhe e publikova.
Ç’të
shikoje si u kumbisën burra dhe gra të më bënin shok në fb. Pranova disa, të
tjerë i fshiva. Po dhe vetë kërkova disa për pranim. Për tre katër ditë e net u
ndodha në një tension të madh duke i bërë vetes pyetjen:”Çfarë po më ndodh kështu? M”u bënë dhjetra shoqe e sidomos
shokë.” Megjithëatë, gjeja kohë e merresha me facebookun. Im shoq, nobare, nuk
është kurrë kurioz për xhepat e mij, për çantën time, apo tani tabletin që e
fshihja në vend të sigurtë e me çelës.
Tani
më kishte mbërthyer një merak e kuriozitet i madh se çfarë njoftime, përgjigje
apo kërkesa kisha. Ishte merak e
kuriozitet më i madh se ai kur shikonim telenovelat turke.
Në
një natë të bukur me hënë e prag pranvere,
hapa facebookun si zakonisht.
Çfarë të shikoj! Ishin nja katër
kërkesa në adresën time. Më e bukura dhe e papritura ishte se burri im kishte
kërkuar të më bënte shok në fb.”Hë!” më erdhi të bërtas me një ndjenjë
kënaqësie e çudie të pa provuar ndonjëherë.
Mendova
të mos i përgjigjem me njëherë. E lashë
nja dy ditë të priste dhe ditën e tretë shkrova në mesenxherin për atë një
përgjigje tepër elekuente me një mirëse
ardhje të ëmbël mjaltë, të cilën vetë nuk e kisha përdorur asnjë herë, se për
ta dëgjuar nga të tjerë as që bëhej fjalë. “Kur ju pashë në fb. disa herë u
mata të kërkoja për shok, por në fillim
ndruajta se vallë a do pranoje.
Nuk durova më dhe ta nisa kërkesën. Tani
jam shumë i lumtur që të kam e më ke shok,” kishte shkruar. Kur po pinim kafe e
bisedonim për të rejat e ditës, vura re se ishte shumë i gëzuar, entuziast, por
për “shoqen e re” të pranuar në facebook nuk foli asnjë fjalë.
Sapo
u deklaruam me njëri-tjetrin shokë, teptisi një komunikim i ëmbël mjaltë, duke
i deklaruar njëri tjetrit fjalët më të
mira e më të bukura që mban edukata. Krekosesha me të drejtë se në jetën time nuk kisha pasur
kurrë një kujdes të tillë. Ishte dita e dhjete a e dymbedhjetë e “njohjes” tonë virtuale dhe isha kurioze se
si do e “çante ferrën”më tej im shoq të cilin e mendoja se i gjori është mjaft
i turpshëm dhe i pa shprehur me femrat.
“Unë
jam në dilemë si do e bëjmë bisedën bashkë? Me doganë apo pa doganë!” -Hë! ja
sa i “pa shprehur qënka burri im!” më vëloi në
kokë mendimi.
”Po
pa doganë, është më mirë. Doganat po hiqen në gjithë Ballkanin Perëndimor e
vetëm ne të dy do i mbajmë akoma?” Më dridheshin duart e me vështirësi po shkruaja përgjigjen.
”Kemi
arritur afër rrethit të kuq, si do vazhdojmë më tej?”I ra “përmidis pazarit të
Durrësit” im shoq.
“Si
të kesh dëshirë i nderuar. Po disa pyetje i kam dhe unë që të të njoh më mirë. Ju a kini grua.?-Desha ti vinja mengenenë unë.
“Jo.
Fatkeqësisht ndërroi jetë para një viti.”-Shkroi pa teklif burrë i botës.
Atë
që shkruante, me ngut e lexova nja tri herë se nuk i besoja syve. U ula në
shkallët e gurta se po më vinte kopështi me të gjitha pemët rrotull e rrotull.
E mblodha veten. Pranë kisha një cfurg, me të cilin po mblidhja barishtet e
shkulura në kopësht dy ditë më parë. Dy mëhallanake më kishin vënë re dhe pyetën çfarë kisha.”Asgjë asgjë! Ky djall
kaposhi më ka prishur farishten e domateve.” Gënjeva. Dhe u bë mirë, se mos
kishin pyetur ato mëhallanaket shkova me cfurg në dorë ti lëshohesha burrit që për të kisha një vit
që kisha ndërruar jetë.
Kjo,
pa dashur më kujtoi komedinë “Pas vdekjes” te Çajupit e cila ishte dhënë në
TV dy netë më parë. Natën, kur zgjohesha
nga një gjumë i turbulluar e flija përsëri, sepse më dilte në ëndërr ajo
përralla, ku gomari i kafshuar nga ujku, i cili po i merrte frymën, mendonte
“ishallah jam në ëndërr.” Por unë doja që ëndrra ime e dashurisë virtuale
të mbante sa më gjatë. Ne ndryshonim se
gomarit i dhimbëte trupi e shpirti kurse mua më gëzonte shpirti si vetë
pranvera që po trokiste kudo.Pas çdo leximi më shpërthente një gas në shpirt dhe
ndihesha krejt e lumturuar.
-Më
thuaj ndonjë gjë. Si ja bën për ushqimin, higjenën se njerëz jemi dhe njeriu i
do të gjitha-shkrova në fb. Ai, me sa duket, këtë pyetje tepër njerzore e mori
për keqardhje dhe kujdes të veçantë që po bëja për të se më pas lëshoi një lumë
shpjegimesh “për vuajtjet e tij i
vetmuar”
-Lere,lere.
Mos më pyet. Kur kisha me jetë time shoqe jam ndjerë si jo më mirë. Tani e kam
kuptuar si ai që e mësoi se vlera e ujit dukej kur i shteri pusi.-Kur lexova
këto në mesenxherin tim, më erdhi dhe keq dhe për të qeshur. Të paktën në këtë
mes po merrja në mungesë një vlerësim për rolin tim. “Do gërmoj më tej në këtë
minierën e fb.të burrit tim” më shkrepi aty për aty një xixë e re. E më pas,
kur ai e “kishte kaluar vijën e kuqe”plasën ato më të bukurat. Nuk po i
publikoj tamam si i kishte shkruar ai, se nga një anë,
anonimimati duhet ruajtur dhe nga ana tjetër, “po të binte kallaji” i personit
tim në fb.do të ndodheshim përpara një divorci të sigurtë. Po ju shkruaj më poshtë se çfarë gjeta “në
minierën” e burrit tim. M’u mburr në fb.se nuk ishte nazeli në ushqime e në
gatimin që i bënte e ndjera. I pëlqente shumë dora e saj. Nga kjo ndjeva një
lloj kënaqësie të përzier një krenari të
brendëshme.
Gjella
me patllixhana, dollmatë me gjethe rrushi dhe byreku me dy petë me kungull, na
qënkeshin dobësia e tij. E vërteta është se ato ai nuk i zinte me dorë
fare.”Lum unë”,po i thosha vetes.”Tani
do të gatuaj lirshëm ato që burri im u
mburr në fb.”asaj tjetrës” se ishin “dobësia e tij”. Informacion të ri mora për
bulmetin, mjaltin, reçelërat e glikotë. Ato që realisht ai nuk i hante
fare se po i vinte rrotull diabeti vitet
e fundit dhe tani në fb. i nxori të
preferuarat e tij. Për fasulet trahananë e salcën e qumështit dhe piperkat e
fërguara me gjalpë e gjizë, që janë të preferuarat e tij te verteta, as që shkroi fare. Hap pas hapi i
shkrova “burrit të botës” se çfarë pasione e hobi ka ai. Ndër kohë e vura në
dijeni sipas kërkesës së tij se “çfarë pasione ka burri im”.U ndala tek
peshkimi. Nuk harrova ti shkruaj se kur nuk kap asnjë cironkë kthehet tek
dyqani i peshkut dhe nuk vjen kurrë bosh.” Kur erdhi fjala tek arti e kultura u
ndala tek muzika e kënga. “kënga popullore nuk pëlqehet fare nga ai. Sa herë
dua të dëgjoj këngë nga Skrapari të kënduara nga Demir Zyko apo Nesim Mane me
Xhevair Borën, më bërtet: “Ule zërin, ose dil dëgjoje nga kopështi se më
ngrejnë nervat këto këngë.”Vetë, sipas deklarimeve në fb. ka pasion muzikën operistike, soprano
Ermonela Jaho dhe Elbenita Kajtazi, koncertet e Yanis grekut, pjesë orkestrale
të kompozitorit Bedirich Smetana, “Vëlltava” të Edvard Grig apo të japonezit
Diku Si, pa harruar kompozimet e Tish Daisë
“Një ditë pikniku” apo “alarme të përgjakura”e “ditë feste “ të
Zoraqit,etj. “Me siguri” mendoja “që më
mbushi mendjen “se është një dëgjues modern i muzikës klasike.”Kuptohet, këto
që shkrova e lexova nga ai duheshin
lexuar realisht në të kundërtën e tyre. Në fakt, ai kishte shkruar për kërkesat
e shijen time për muzikën. Pas këtij njoftimi lexova në fb.
-Ua!
Sa përputhje paskemi në shumë plane ne të dy. Ku më qëlloi ky fat i madh
të njihem me ty!-
-Mos
e zerë me gojë shumë atë “përputhjen” se nuk dihet, mua, apo ty apo të dyve
fati mund të na bashkojë në atë emision me nam të madh.-shkrova.
-Të
ngrëntë goja mjaltë moj guguçe. Çfarë kohë po jetojmë. Ta kisha afër atë
bashkëshortin tënd do e kisha shpartalluar që nuk ta ditka vlerën. Nuk paska
shije të njëjta me ju dhe më e keqja se nuk ju mbështetka në shijet tuaja për
muzikën. Ju, përsa kemi komunikuar bashkë, jini një engjëll që duhej t’u mbante
në pëllëmbë të dorës.” Në shkrimet në
fb. më krahasoi me zogj të bukur, si
“guguce”, “Thëllënxë”me “trandafil me fletë”,”borzilok”e”manxuranë,” “karafil
me erë” etj. .Të gjitha lulet i kisha vënë në vazo në dritare e kopësht, por
bukurinë e lezetin e tyre po e ndjeja nga ato që më shkruante im shoq në fb.
M’u krijua një ndjenjë sikur isha në kulmin e lumturisë. Përsa lexoja,
“m’u rritën veshët” e më vinte për të qeshur ku kemi shkuar me këtë
median virale, po ç’është e vërteta, më gërricte kurioziteti se çfarë fshihej
ende në “minierën” e pazbuluar të burrit
tim. Ksisoj, një ditë i shkrova se “ti je i
ri akoma. Nuk e shikon mundësinë e ndonjë martese apo bashkëjetese me
ndonjë grua.?”
-Ah!
Më qëllove drejt e në shenjë. Është e vërtetë se akoma nuk mund të më thonë “je i moshuar”.
Pastaj, nuk është sekret për ne të dy, ndihem vertet burrë i fortë. Si një dem
i pa tredhur”. Kur lexoja këto, e
përmbajta veten se për pak do i shkruaja imtimitete nga jeta jonë
bashkëshortore, për “për gjyqe me dyer të mbyllura të dështuara” që kemi bërë
bashkë, po nuk e bëra, se më vinte më mirë ta vazhdoja lojën.”Le të dalë,ku të
dalë” i dhashë udhë.
-Më
thuaj të drejtën. Sa larg është vendbanimi juaj? Unë banoja në rrugën e
thanave, afër asaj pemtores me murriza e kulumbri që ka ngritur një miku
im.-shkroi.
-Largësinë
midis nesh e do ta dish në metro, apo në kilometra?-shkrova pa marrë përgjigje
se teptisi shkrimi tjetër.
”Po
kërkoj ndonjë grua për bashkëjetesë, por ende nuk kam qëlluar në të. Njëra, e
cila ishte nja 15 vjet më e re se unë,
m’u vërdallis dhe ishim gati në të ujdisur, po kur mora vesh se ishte e
interesuar çfarë prona kam, hoqa dorë, se si më tha një mik nga Opari, ajo dhe disa të tjera si kjo, e marrin me
vete dhe barin e miut për ta hedhur në kafenë e burrit për të trashëguar vetë
pronat…Kështu që u prishëm. Në fshatin fqinjë gomari vrau një burrë. Futa
njerëz të ujdisesha me të vejen e tij, po ishte treguar më i shpejtë kovaçi i
fshatit të cilit i kishte ikur gruaja në Gjermani dhe ishte martuar andej me
një egjyptian. Eh! Kanë shumë probleme këto punë, po unë ty do ti tregoj “pa
egjër dhe pa dushk” se më dukesh njeri shumë i mirë dhe i drejtë. Ti që ma njeh
hallin, me siguri do calltisësh të më ndihmosh te gjej një njeri për të qënë.”
Dhe
këtë kisha mangut nga komunikimet në fb.me burrin tim! Tani duhet të vrisja
mendjen të gjeja për të një grua me të cilën të martohej ose të bashkëjetonte.!
Kur kërkonte, ai çuditërisht ishte shumë
i ngjitur ne fb. e nuk të shqitej kollaj. Këtë veti, me gjithë stazhin e gjatë
si bashkëjetesë në çift u desh fb. ta zbulonte. Tani unë po vrisja mendjen se
si do të “na binte kallaji” e të delnim ashiqare në shesh cilët ishim në të
vërtetë. Se dhe kështu, me këto ngarkesa
teatrale nuk jetohet në familje. Atë moment m’u duk vetja se kisha hipur në një
pemë të lartë pa dege dhe po mendoja e shikoja për rreth se si do të zbrisja.
Por sot nuk mbetet problem pa një zgjidhje.
Nga
fb.mora vesh se do vinte këto ditë ime mbesë,
ajo që më ndihmoi për fb. E
vendosa që asaj do i tregoj dhe atë ditë do festojmë “për dashurinë tonë
virtuale”.Por nuk qe e thënë. Lexoj në mesenxherin tim se burri im, me fjalë të
ëmbla dhe ledhatare më kishte kërkuar një takim duke e lënë në dorën time,
vendin dhe orën e takimit. Me siguri ai këtë propozim shumë interesant e kishte
shkruar në LapTop ulur ku punonte vazhdimisht dhe unë e mora mesazhin për takim
kur po bëja një lakror me saç në ashef,
rreth 20 metro larg nga im shoq. Ju jap fjalën
se kur të bëjmë takimin do të shkruaj realisht si u zhvillua dhe çfarë u
bisedua. Mos hiqni dorë nga virtualja. Ne nuk e paskemi ditur se dashuria
virtuale qënka shumë më lart dhe më e bukur se ajo reale.
Shyqyri Fejzo
Hamburg, Shkurt 2024.