Kulturë
Viron Kona: Mbrojtja e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimi i saj, një detyrë e shenjtë
E merkure, 28.02.2024, 07:56 PM
Mbrojtja e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimi i saj, një detyrë e shenjtë
Përjetime nga libri “Këshilluesi gjuhësor” i
Muhamet Cenkos
“Një
ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është
edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i
saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po
vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore
edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme...”
- Eqrem Çabej
Nga
Viron Kona
Formimi
i gjuhës letrare kombëtare të njësuar është fryt i përpjekjeve të shumë brezave,
që kanë punuar e luftuar pareshtur, madje edhe duke sakrifikuar. Ishin ato përpjekje
që çuan në Kongresin e Manastirit (1908), i cili vendosi një alfabet të vetëm të
gjuhës shqipe; në vendimet e “Komisisë Letrare të Shkodrës”(1916-1917), e cila
kodifikoi përfundimet kryesore të përpjekjeve të bëra gjatë Rilindjes për gjuhën
letrare kombëtare dhe që u miratuan edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920)
duke ruajtur sa më shumë të përbashkëta, atë që i afronte variantet letrare të
shqipes e duke lënë mënjanë atë që i largonte. Vendimet e Komisisë Letrare u
bënë baza e drejtshkrimit të shqipes
deri në vitet e para pas Çlirimit. Në vazhdim erdhi natyrshëm Kongresi i
Drejtshkrimit, më 1972, i cili vendosi për herë të parë rregullat e njësuara
drejtshkrimore të gjuhës shqipe, që
përdoren edhe sot. Padyshim që libri
“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, shërben edhe në ditët e
sotme si bazë e drejtshkrimit të njësuar
të gjuhës shqipe, ndërsa pas botimit të
tij janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen edhe shumë e shumë libra të tjerë
gjuhësorë në nivel akademik, libra shkollorë, por dhe studime të thelluara dhe
artikuj gjuhësorë, që mbështetin, thellojnë apo pasurojnë gjuhën letrare
kombëtare të njësuar.
Në
këtë atmosferë Muhamet Cenkoja sjell te lexuesi librin e tij “Këshilluesi
gjuhësor” me të cilin afirmohet si një intelektual dhe qytetar atdhetar e i
vëmendshëm, që reagon ndaj vërshimit të gabimeve të shumta drejtshkrimore, që cenojnë
sot gjuhën letrare shqipe të njësuar. Nëpërmjet këtij libri ai përpiqet të
ndikojë dhe të na këshillojë me modesti se si të shkruhet shqip sa më mirë, sa
më qartë, kuptueshëm dhe pa gabime drejtshkrimore. Duke shkruar për fjalët,
shprehjet apo tekstet e shkruara gabim,
ai këshillon ndreqjen dhe korrigjimin e tyre, duke ia arritur të na bëjë më të
ndjeshëm, më të interesuar dhe më aktivë
në mbrojtjen e gjuhës shqipe standarde.
Libri
“Këshilluesi gjuhësor” sapo ka dalë në treg. Ai ka si bazë nisjeje faqen e veçantë
të internetit “Këshilluesi gjuhësor’”, që drejtohet nga vetë z. Cenko. Këtë
faqe tërheqëse dhe me vlera, ai ka rreth
10 vjet që e ka çelur dhe deri më sot ajo
ka mbi 13 mijë ndjekës, që janë nga Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali
i Zi, por edhe shqiptarë të vendeve të ndryshme të Evropës, Amerikës etj. Ata shprehin
pëlqime, bëjnë komente, tregohen të
interesuar dhe bëjnë pyetje për probleme të ndryshme gjuhësore.
Libri
“Këshilluesi gjuhësor” çelet me alfabetin e
gjuhës shqipe dhe vijon me “Disa njohuri për tingujt - fonema të gjuhës
shqipe”. Autori citon shkrimtarë të mëdhenj dhe ligjërues të rrallë të gjuhës
shqipe si N. Frashëri, Mjeda, Noli, Konica, Fishta, Poradeci, teksa e cilëson gjuhën
shqipe - një enciklopedi të gjithë jetës së popullit tonë. Autori na informon
se në këtë libër “nuk ka shkruar vetëm për drejtshkrimin e zanoreve apo të bashkëtingëlloreve, por edhe
për përdorimin e apostrofit, shkrimin e fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në
mes, përdorimin e shkronjave të mëdha, ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit, shkrimin
e datave, përdorimin e shenjave të pikësimit, zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë të shqipes etj. Cenkoja
tërheq vëmendjen gjithashtu, që të respektojmë më shumë gjuhën amtare. “Në
familje, - shkruan ai, - në shtëpi, vendlindje etj. mund të flasim edhe në
dialekt, por në institucione duhet të
flitet e të shkruhet vetëm në gjuhën
standarde”. Këtë mendim ai e mbështet edhe me një thënie të shkrimtarit të madh
shqiptar Ismail Kadare, i cili në një intervistë të tijën thotë: ”Natyrisht kur
ka një gjuhë standarde, asnjë vend në botë nuk lejon që në shkolla, në shtyp,
në radio, televizion etj. të flitet e të shkruhet në dialekte apo të folme
krahinore”. Muhameti e shpreh shpeshherë interesimin e tij për pastërtinë e
gjuhës letrare të njësuar shqipe, madje edhe kur lëviz në rrugë, në sheshe e
qytet, në institucione shtetërore, kulturore, sociale, ekonomike, ushtarake, politike;
në shkolla, lokale, shitore, sikurse dhe në veprimtari që zhvillohen për
kulturën dhe librin. Për ilustrim përmendim këtu disa fjalë apo shprehje ku
autori tërheq vëmendjen e lexuesit. Ai nis me fjalën nëpunës, e cila
shpeshherë shkruhet nënpunës. Vijon
me fjalën Mirë se vini!, e cila
shkruhet shpeshherë bashkë Mirësevini!. Madje, siç vëren autori, kjo
fjalë shkruhet gabim edhe në shkolla, në hyrje të tyre, në një kohë kur shkolla
ka mësues të gjuhës shqipe, të cilët nuk duhet të lejojnë gabime të tilla
drejtshkrimore. Autori ka kurajën ta mbrojë standardin e gjuhës shqipe, në
drejtshkrim dhe në drejtshqiptim edhe në institucione të nivelit të lartë, si
Kuvendi i Shqipërisë, ku edhe deputetë, të thjeshtë apo me detyra të larta,
shprehen apo shqiptojnë fjalë jashtë standardit të shqipes. Teksa, si pa kuptuar
Cenkoja na mëson të gjithëve se s`duhet të pajtohemi me shkrimin plot gabime të
emrave të rrugëve dhe shesheve. Ai nënvizon: ”Po të ecësh Rrugës së Kavajës, do
të vësh re se nëpër tabela ka emërtime që nuk janë shkruar përshtat normës
drejtshkrimore. Kështu, afër qendrës së qytetit, në një tabelë të madhe janë
shkruar emërtimet: sheshi Skënderbej dhe posta Shqiptare, për të
cilat autori në rolin e këshilluesit gjuhësor
na këshillon se ato duhen shkruar Sheshi Skënderbej dhe Posta
shqiptare. Ai vijon të sqarojë se emërtime të tilla duhen shkruar pa
gabime. Autori ka vënë re gjithashtu edhe emërtime të tilla rrugësh, si rr
Shyqyri Bërxolli apo rr Him Kolli, kur ato duhen shkruar Rruga
Shyqyri Bërxolli dhe Rruga Him Kolli. Këtu ai vë në dukje se në këto emërtime, në tabela duhet
të shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë, teksa sqaron se emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse
nuk duhet të vihen në thonjëza. Autori vëren edhe mospërdorimin e
nyjave të duhura në disa tabela të tjera, ku tregohen emra rrugësh, sheshesh,
shitoresh. Kështu ai ka gjetur të shkruar gabim togfjalësha, si: Rruga Dibrës,
Sheshi Flamurit, Mulliri Vjetër etj. Ato duhen shkruar: Rruga e Dibrës, Sheshi
i Flamurit, Mulliri i vjetër. Autori këshillon: “Njerëzit që shkruajnë tabelat,
posterat, reklamat etj. duhet të jenë specialistë të gjuhës shqipe, të njohin e
përdorin mirë standardin.”
Mësuesit,
gazetarët dhe shkrimtarët, kambana e parë kundër gabimeve drejtshkrimore
Muhamet
Cenkoja vëren se veçanërisht në mediet televizive dhe në botimet e gazetave e
librave, ka gabime të shumta drejtshkrimore. Krahas tërheqjes së vëmendjes, ai
këshillon se: “këto medie televizive duhet të jenë edhe më të vëmendshme ndaj
problemeve të gjuhës shqipe, aq më tepër të drejtshkrimit të saj”. Ai sugjeron
që, ashtu sikurse në institucionet qendrore të shtetit janë emëruar redaktorë gjuhësorë, edhe
mediet televizive duhet të kenë doemos specialistë të gjuhës shqipe dhe të
drejtshkrimit të saj. Ata duhet të kalojnë në filtër tekstet e gazetave apo ato
televizive, më parë se ato t`i bëhen të njohura publikut. Ka ndjeshmëri ky
problem me mësuesit, gazetarët dhe shkrimtarët, sepse janë ata të cilët japin
dhe mund të japin edhe në të ardhmen një mbështetje dhe ndihmë të madhe për
përhapjen dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe të njësuar, si dhe të drejtshkrimit
të saj. Lexuesi kur e lexon një artikull,
një libër në prozë apo vargje, natyrshëm ngulit në mendje edhe sesi janë
shkruar fjalët, shprehjet, dialogët, fjalët me vizë në mes, si nisin paragrafët, si vihen shenjat e
pikësimit, pika, presja, pikëpresja, pikëçuditja, pikëpyetja, dy pikat, si bëhet ndarja e fjalëve në fund të rreshtit
etj. Ndaj,
specialistët e gjuhës, mësuesit, gazetarët, shkrimtarët ta kenë çështje
të parë drejtshkrimin sapo vendosin fjalën e parë në letër apo në krye të
artikullit apo të librit që shkruajnë, teksa librat e shumtë që shkruhen e
botohen, doemos duhet ta kenë redaktorin dhe korrektorin gjuhësor, jo thjesht
si emër.
Në
vazhdim autori shkruan se edhe në institucione publike ka gabime të shumta
drejtshkrimore, që duhen korrigjuar doemos dhe urgjentisht. Kështu shkruhet arshiva
në vend të fjalës arkivi, shkruhet arshivistja në vend të fjalës arkivistja.
Gabime të tilla i sheh edhe në faqet e shtypit të përditshëm. Te rubrika “Fjalë
shqipe në vend të fjalëve të huaja” autori nënvizon: ”Është thënë shpesh që, kur
i kemi fjalët tona në shqip, s`kemi pse të përdorim fjalë të huaja. Por, janë të
shumta rastet kur fjalët e huaja përdoren
pa vend dhe pa qenë nevoja. Përdorimi i tyre shpesh bëhet jo për mungesë në
gjuhën shqipe, por për mbivlerësim të gjuhëve të tjera, për t`u dukur më modern
etj.” Mund të themi se përdorimi pa vend i fjalëve të huaja të panevojshme nga disa njerëz, të
cilët duan të bëjnë përshtypje tek të tjerët, nuk tregon kulturë, por krahas
mendjemadhësisë tregon se ata kanë mangësi të dukshme në leksikun e gjuhës
shqipe. “Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, -
shkruan Çabej, - krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës
me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të
huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë
depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio,
në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer
gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë
të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë
shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare...”. Duke ballafaquar shumë
fjalë të huaja të panevojshme që përdoren nga folës të ndryshëm në gjuhën e përditshme,
autori sjell edhe një listë fjalësh të huaja që duhet të zëvendësohen me fjalë
të gjuhës shqipe. Për këto zëvendësime është folur e shkruar shpeshherë nga
gjuhëtarët, por duket se ata që i përdorin ato fjalë e shprehje nuk duan të “lëshojnë
pe”. Ndërkaq, autori na këshillon sesi të
përdorim zanoret e dhe ë, prapashtesat, numërorët tre dhe
tri, shkronjën e madhe, përemrat kush dhe cili?, si të
shkruajmë datat, shkurtesat e fjalëve
etj., etj. Dikush mund të thotë se ne kemi në duar prej kohësh librin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, një libër
mjaft i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Natyrisht që ai libër është bazë e
shkrimit të gjuhës shqipe me standardin e
saj, por në librin “Këshilluesi gjuhësor”, autori e ballafaqon lexuesin me shembuj konkretë, që ai
i ka ndeshur dhe ndesh në jetën e përditshme.
Këtë e bën, jo vetëm duke e adresuar saktë gabimin drejtshkrimor, por
edhe duke e sjellë atë në libër të fotografuar. Pra, autori e prek problemin në
shembuj konkretë, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj gjuhës shqipe letrare të
njësuar, por edhe duke na e ngulitur më mirë në mendje mënyrën sesi duhet
shkruar shqip. Ai këshillon se si të hartojmë një dokument, si të shkruajmë
drejt emërtimet e shkollave, shkrimin e datave, emrat e ditëve të javës, të
muajve e të stinëve etj. Për të gjitha rastet dhe shembujt që ai shkruan, i ka
parë vetë të shkruara gabim, ndaj dhe i përmend realisht gabimet
drejtshkrimore, madje tregon edhe sesi duhet të shkruhen mbështetur në fjalorin
drejtshkrimor të gjuhës shqipe. Kështu ai tërheq vëmendjen edhe për shkrimin
gabim të disa fjalëve të zakonshme, që i
ndeshim në mjedise publike, në plazhe, në hotele, në klinika spitalore, në shitore,
në kafene e restorante, në tabelat paralajmëruese të policisë rrugore etj. Si
për ironi, autori vëren se gabime drejtshkrimore vihen re edhe në institucione arsimore,
studimore, kulturore, artistike e letrare, apo dhe në festime e përurime ngjarjesh të mëdha. Për
shembull, ai ka vërejtur se në hyrje të Pallatit të Kongreseve ishte vendosur
një reklamë që fliste për Panairin e librit,
që zhvillohej nga data 14 nëntor deri në datën 18 nëntor 2018 në Tiranë.
Në atë tabelë, të vendosur në krye të atij institucioni autori ka gjetur disa
gabime drejtshkrimore, që duheshin ndrequr: Nuk duhej shkruar ”panairi i 21
i librit”, por “Panairi i 21-të i librit”. Jo “tirana - 2018”,
por “Tiranë 2018”.
Duke
sjellë në libër episode, fjalë e shprehje konkrete me gabime drejtshkrimore, z.
Cenko na këshillon sesi të shkruajmë ndarjen e
fjalëve në fund të rreshtit, përdorimin drejt të bashkëtingëllores h apo
r, apo l dhe ll, apo të
grupeve të zanoreve -ue, -ye, përdorimin e presjes, përdorimin e saktë të
kohëve të foljeve, si duhet të shkruhet shumësi i emrave, përemrave pronorë, shumësi
i disa emrave femërorë, si duhet përdorur shumëpikëshi, foljet kam dhe jam,
si duhen shkruar titujt e librave, emërtimet e emisioneve televizive etj., ndërkohë
që shpjegon edhe kuptimin e shprehjeve
me prejardhje nga frëngjishtja apo latinishtja, si: “Ç` ka bërë frëngu!”, ”Tabula
rasa” etj.
Në
hartimin e këtij libri, autori sjell edhe mendime të personaliteteve të kulturës,
të arsimit dhe të letërsisë, sikurse fjalë dhe shprehje të nevojshme që nënvizojnë
rëndësinë, vlerat dhe nevojën për ta pasuruar vazhdimisht gjuhën e bukur shqipe,
e cila është si një organizëm i gjallë që kërkon përkujdesje të vazhdueshme. Personalisht
do ta quaja “Këshilluesin gjuhësor” të Muhamet Cenkos një libër praktik
tavoline, por që ka vendin e vet edhe në bibliotekë, në krah të shumë veprave të
tjera të shkruara nga gjuhëtarët tanë. E, në këtë atmosferë gjuhësore, ndiej
tek më tingëllojnë shumë aktuale fjalët e albanologut të shquar danez Olger
Pedersen, i cili mes të tjerash, shkruante: ”Gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që
duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin
kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”.
Kush
është Muhamet Cenko?
Muhamet J. Cenko lindi në fshatin Pirg
të krahinës së Gorës, Korçë, më 1 dhjetor 1953. Është diplomuar për gjuhë-letërsi
në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Në vitin akademik 1984-1985 mbaroi kursin
pasuniversitar për psikologji-pedagogji, pranë Fakultetit Histori-Filologji, Universiteti
i Tiranës, njësuar në janar 2010 me titullin “Master i nivelit të dytë”, nga
Fakulteti i Shkencave Sociale. Prej vitit 1976-1982 punoi si mësues i gjuhës
shqipe e letërsisë në shkolla 8-vjeçare e të mesme dhe më pas, në vitet
1982-1990, si inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës, pranë Komitetit
Ekzekutiv të KP të rrethit të Librazhdit.
Gjatë viteve 1990-2001 ka punuar si
drejtor në dy shkolla të qytetit, në shkollën 8-vjeçare “Genc Leka” dhe në gjimnazin “Ibrahim Muça” në Librazhd. Për
shumë vjet punoi si drejtor i Arkivit Shtetëror Vendor të qarkut të Tiranës.
Është bashkautor dhe redaktor gjuhësor e shkencor i librit “Fjalor shqip i
termave arkivore”, botuar në vitin 2015. Ka një bibliografi të pasur të
punimeve shkencore e profesionale (psikologjike, pedagogjike e të mësimdhënies)
të botuara në organe të ndryshme të medias së shkruar (rreth 40 shkrime). Në
vitin akademik 2009-2010 shkroi librin me titull “Psikopedagogjia” për nxënësit
e shkollave të mesme profesionale, drejtimi “Shërbime sociale e shëndetësore”. Ka
punuar si redaktor dhe korrektor gjuhësor me më shumë se 50 libra në prozë,
poezi, publicistikë etj. Ka përkthyer mjaft shkrime nga gjuha italiane në
gjuhën shqipe. Ka qenë dhe është hartues dhe administrator i faqes “Këshilluesi
gjuhësor”, duke filluar nga viti 2013 e në vazhdim në facebook.
Literatura:
1.“Drejtshkrimi
i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973,
2.Eqrem
Çabej, “Për pastërtinë e gjuhës”. Gazeta “Mësuesi”, 28 mars 1979.
3.Ismail
Kadare, “Gjuha shqipe, një nga makinat më të përsosura të Evropës”. Gazeta
“Tema”, 23 nëntor 2017.