Kulturë
Tahir Bezhani: Mal Haziri - Brigje, erëra e valë
E merkure, 28.02.2024, 07:50 PM
REFLEKSION
PËR LIRIKAT MEDTATIVE TË MAL HAZIRIT
Vështrim
libri:
Mal
Haziri: “Brigje, erëra e valë,” poezi,
botoi “Lena” Prishtinë,2024
NGA
TAHIR BEZHANI
Këto ditë doli nga botimi libri i parë
me poezi,” Brigje, erëra e valë,” i poetit Mal Haziri nga Dushkaja e Gjakovës.
Autori vjen nga një krahinë malore e cila i ka dhënë Kosovës disa autorë të
respektuar në të gjitha gjinitë letrare.
Pamjet epike të Dushkajës, traditat e
ruajtura me kujdes, fisnikëria, bujaria e atdhedashuria, kanë mbetur si trashëgimi
epike ndër breza e posaçërisht tek krijuesit e kësaj ane, si Hasan Hasani,
Skender Hoxha, e të tjerë poetë te mirënjohur.
Nga ky rreth vicioz nuk ka mundur të
largohet as krijuesi Mal Haziri, i cili në veprën e vet te sapobotuar,” Brigje,
erëra e valë” ka shkrirë talentin prej krijuesi me një elokuencë të rrallë, me një
titull mjaft provokativ për jetën e secilit prej nesh.
Ndonëse
autori i librit del për herë të parë me botim poetik të kompletuar, Mal Haziri
si krijues, dashamirëve të fjalës së shkruar iu është i njohur prej kohësh. Ka
botuar poezi e prozë në portale të ndryshme elektronike, gazeta e revista tjera
të kohës. Është prezent në jetën
kulturo-letrare, jo vetëm në Gjakovë por edhe në vende tjera të atdheut tonë
shqipfolës.Si një edukator brezash me përvojë, Mal Haziri, ka shkëlqyer kudo me
punën dhe veprën e vet ndër vite, duke treguar gjithë aftësitë personale e
profesionale, si në luftë dhe paslufte. E gjithë përvoja jetësore e ka kalitur
denjësisht në mënyrë që përjetimet e një periudhe të gjatë jetësore, t’i bartë në art, në artin
e të shkruarit dhe brezave t’ua lërë veprën madhore në lexim ,si koherencë kohore.....
Mal
Haziri ka shpërthyer fuqishëm në artin poetik, ku poezitë e tij të larmishme, kanë
prekë të gjitha skutat e jetës njerëzore, duke lënë te secili lexues
impresionin e figurës emblematike me veçori krijuese e njerëzore.
Cilat
vlera krijuese veçohen në librin “Brigje, erëra e valë”
Natyrshëm,
autori duke bartur në vete kohë të gjatë gjithë përvojën jetësore dhe sakrificat
e saj, ato sikurse janë fshehur në thellësinë e shpirtit e mendjes vite të tëra dhe në fund kanë
pëlcitur furishëm nga ajo strofull vuajtjesh, por tani, rrugëtojnë
ndërgjegjshëm shtigjeve të zemrës e mendjes plot elan shpirtëror.
Poetikisht
me mendësinë e shpirtit, poeti qëndron i skajuar në kujtesën historike ndër
shekuj, me vuajtjet e sakrificat, traditën, qëndresën, luftërat, gjakderdhjet e
shumta, varfërinë, rezistencën, por nuk harron assesi, dashurinë, si nocion
etik njerëzor, si unitet i pazëvendësuar jetësor. Të gjitha këto elemente
poetike, të futura me zhdërvjelltësi në embrionin e vargut poetik, e bëjnë
poetin Mal Haziri të jetë një krijues në qendër të vëmendjes së lexuesit tonë bashkohor.
Siç
e dimë historikisht, në periudha kalimtare të letërsisë sonë, ka ngjarë që një krijues,
me një vepër të ngelet gjatë në kujtesën e krijuesve të spikatur. Mendoj se kjo
rastësi do jetë edhe me autorin e librit simptomatik, “Brigje,erëra e valë”,
Mal Haziri. Për këtë mendim kurdoherë ka
dëshmuar cilësia krijuese e jo sasia e
veprave poetike .
Që
në fillim të librit, lexojmë poezinë “Porosia” e cila në vete mban elementin
edukativ si porosi imanente brezash, për arsyen e ndryshimeve që i nevojiten njerëzimit për ecje para, për
evolucion në çdo formë të jetës. E si do e fillonte ndryshe një “amanet” nga një
edukator brezash i cili gjithmonë ka spikatur me edukatë personale e shoqërore,
kudo qe ka qenë prezent në shoqëri. Ja disa vargje:
”
Të heqim /nga mendja/ mykun/ku ka zënë
fill/lëmashku....Të lutem / për një botë re/ku do t’jetonim/ së bashku...”
Ndërsa,
në poezinë “Tjetërsim”, vërejmë një urrejtje të skajshme nga uzurpatorët e
shpirtit e të mendjes ,të cilët në historinë tonë nuk munguan kurrë, si në këto
vargje: ”Kur ma zhbënë emrin/u këputa së
qari/ nga zemra- kristal.../Sa varfëri shpirti shihja/e qesëndi
hileqarësh/dikush ndiqte e unë fshija/gjurmë qenesh e zagarësh...” Sa i
fuqishëm na vjen emocioni si shfryrje ndaj padrejtësive të përjetuara nëpër
kohë.Elemente të ngjashme lexojmë në disa poezi të këtij libri me vlera.
Si
te çdo krijues i mirëfilltë, tek Mal Haziri nuk tejkalohet motivi i dashurisë
për vendlindjen, e cila i la kujtime të përjetshme e që të ndjekin pas gjithë
jetën, si hije, deri në varr. E bukur është edhe poema e këtij libri kushtuar
vendlindjes me titull “Poemë për Dushkajën”, në të cilën është shkrirë si në
bronz, jeta fëmijërore me gjitha kujtimet e përjetuara. Mjaftojnë disa
vargje nga kjo poemë për të shijuar
zjarrin me fuqinë poetike të shprehur në vargje:
“Dushkajë, vargu im i zgjimit/kënga ime që
s’mbaron/bulëza ime e lotit/Dushkajë ,trualli im i rrënjës/rreshka ime e
plagës/o hijeshia ime e shtatit/ Dushkaja ime, motra e Drinit plak/Itaka e
përhershme e kthimit...”
Kjo
poemë argumenton, pos atdhedashurisë, edhe talentin dhe fuqinë shpirtërore
poetike që ka poeti Mal Haziri.
Poetin
e mirëfilltë, të ngarkuar me filozofinë e jetës, padyshim se e e shoqëron edhe
vetmia, si faktor apo rrjedhë jete. Natyrshëm, edhe poetin Haziri, kur e zë ky
fenomen, e përplas,si nëpër lëfytës fyelli, oxhakut nëpër tym e flakë dhe, detyrimisht,
emocionet shëtisin pa frenim idileve shpirtërore.Këtë e vërejmë tek poezia
“Vetmia” ku poeti rrëfen:
“Qaj e qaj,e qaj e qaj/ndjell furtunë
shpirti/zhgrehur në shi....
Ndër
poezitë më të bukura lexova poezinë “Zemër e teleisur”,një poezi antologjike e
cila në thelb trajton aspektin filozofik të jetës kompleksive, ku njeriu shpesh
gjendet para një gjendje ekstazë dilemash, veprimesh, rrugëtimesh “si një tel i vdekur çiftelie që bie esëll në
mendje....”
Një
poezi emblematike tek e cila lexuesin do e surprizojë padyshim spontaniteti i
të shprehurit poetik. Përsiatje të tilla poetike ndeshemi edhe në disa poezi të
këtij libri.
Duke
pasur një galeri të pasur me dije në të gjitha fushat e jetës, me një zotësi
prej krijuesi të formuar, me elegancë poetike ai gdhend kohët e ndryshimeve të
mëdha politike, jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë Evropën. Zhbërjen e
etapës së komunizmit dhe ndryshimet në kohën e demokracisë, poeti i vargëzon me talent të rrallë si në
poezinë “Përmbysje”:
“Çekani theu drapërin/çekani zuri ndryshk/e
dorëza iu lëmyshk,/dhe u rrëzua
flamuri/nga shtizë e thyer/...e rrëzua MURI”
Me
poezinë “Gurë rrënjëthellë” poeti Haziri elaboron aspektin e qëndresës
kombëtare karshi luftës, kaluar rrathëve të historisë sonë, ku në vargje të rrjedhshëm
paraqet me pak fjalë, qartë nga aspekti historik:” ...strehën e moçme ma dogjën/e trupin shpore e poqën/për t’ gjallë, kurrë
nga aty/s’un me ndoqën”...
Librit
poetik “Brigje, erëra e valë”, nuk i mungojë motive të përkushtuara familjare
ku vë në shprehje me forcën e zemrës motivin amnorë, pastaj ndërgjegjshëm nuk i
kalon as miq e shokë të mendjes e zemrës, të cilët kanë lënë gjurmë të
pashlyera në jetën e poetit Haziri.
Duke
pasur parasysh fokusin e gjerë e gjithëpërfshirës të poetit Mal Haziri në
librin e lartcekur, mund të them lirshëm se tek lexuesit është ofruar një libër
me poezi të ndjeshme e bashkohore, i cili do jetë një pasuri në bibliotekat
tona personale, shkollore e universitare.
Secili
lexues e njohës i poezisë së mirëfilltë, pas leximit, ka se çfarë të shkruaj e të
komentojë, sepse, sipas mendimit tim, është arritje e mirë në poezinë tonë më
të re.
Gjakovë, 25 shkurt, 2024