Kulturë
Kadri Tarelli: 'Gjurmë suksesi'
E enjte, 29.02.2024, 07:58 PM
“Mësimdhënia duhet të jetë e tillë që, ajo që ofrohet të perceptohet si një dhuratë e çmuar dhe jo si një detyrë e vështirë”. - Albert Ainshtain
“GJURMË SUKSESI”
Në Shkollën
“Marie Kaçulini”, Durrës.
Nga Kadri
Tarelli
Në rolin e gazetarit, për shumë vite mësues
dhe drejtues shkolle, për të pasqyruar në shtyp, veprimtari apo ngjarje që i përkasin
shkollave, u bë kohë që i jam shmangur. Përjashtoj rastet kur bëhet fjalë për përurim
libri, apo kuvend mbi librat dhe letërsinë, të autorëve të ndryshëm nga Durrësi,
nga vendi, nga trojet mbarë-shqiptare, apo nga mërgata jonë e shpërndarë në katër
anët e botës.
Ndjej kënaqësi që po kthehem përsëri në rolin
e gazetarit dhe po them, se është e vetmja shkollë që po më jepet rasti të
ndodhem i pranishëm disa herë. Natyrisht me ftesë të drejtorëve, ndër vite:
1. Viti 2005, intervistë me drejtorin e
shkollës z. Ylli Qesja. Lidhur me edukimin në shkollë. Me këtë rast publikova
artikullin: “A e matim vlerën e
veprimtarive në shkollë?”. Përvojë e shkollës “Marie Kaçulini”. Durrës. Gazeta “Mësuesi”. Tiranë. E
mërkurë. 16 Mars 2005.
2. Pranverë e vitit 2014. Bisedë më nxënësit
rreth librit tim, “Misionarë në udhën e
dijes”. (Publicistikë), që i kushtohet kryesisht mësuesve dhe shkollave të
Durrësit.
3. Së fundi, Shkurt, 2024. Bisedë me
drejtoren, znj. Etleva Çelmeta. Shkak u bë festa e zhvilluar pak dit më parë,
lidhur me “5-vjetorin e hyrjes në ndërtesën e re”, që unë e vlerësoj si ngjarje
e shënuar në vazhdimësinë e jetës së kësaj shkolle me shumë emër, siç është shkolla
“Marie Kaçulini”, në Durrës.
Më duhet të them pak fjalë për ndërtesën, që
më pëlqen kur e shoh nga jashtë, dhe tani në mjediset e brendshme. Shkolla është
me tre kate, ku përfshihen 30 klasa mësimore, 2 klasa për parashkollorët, sallë
e madhe për veprimtari artistike dhe konferenca, dhoma veshje-zhveshje për
lenden e edukimit fizik, 4 laboratorë informatike, fizike dhe kimie, 4 zyra,
sallën e mësuesve, bibliotekën, etj, etj. Pra një ndërtesë e madhe me mjedise të
bollshme, për mësim dhe edukim.
Dëshira u plotësua. Festë e vërtetë në shkollë, shkurt, 2024, ku veç mësuesve të tanishëm, të pranishëm ishin,
drejtues dhe mësues të vjetër të asaj shkolle, ish nxënës, prindër dhe të ftuar
të tjerë. Mbase duket e tepërt, por u gjet mënyra më e mirë për të bërë një shtrëngim
duarsh, një përqafim dhe bashkëbisedim mes miqsh e kolegësh, të vjetër dhe të
rinj. Rast i bukur për të përjetuar më shumë, atë përmbledhje të asaj pune shumë
vjeçare, duke gëzuar së bashku “Gjurmët e sukseseve”, ndër vite.
Pa i ndarë nga kolektivi i mësuesve, një
meritë të veçantë kanë të gjitë drejtuesit, që zëvendësuan njëri-tjetrin në
këto 20 vjet: Ylli Qesja (2004-2006), Aleksandër Gjiri (2007-2009), Etleva
Lusha (2009-2010), Genciana Çako (2010-2013), Merita Kuçi-Thartori (2013-2014),
Arben Peza (2014-2019) dhe Etleva Çelmeta (2019 - në vazhdim). Të gjithë kush
më shumë e kush më pak, bënë më të mirën e mundshme në ecurinë e shkollës.
Vlerësimi i “Gjurmëve të suksesit” të secilit, bëhet vetëm duke hyrë në lëkurën
e kohës që jetuan dhe punuan.
Në bisedë me drejtoren Etleva dhe ish
mësuesin e vjetër të kësaj shkolle z. Sadik Reçi, ku ende ndjehej përjetimi i
festës, biseda rrodhi natyrshëm, duke shkëmbyer përvojë, mes kolegësh.
Nuk kishte nevojë të bëja pyetje, siç e kisha
menduar më parë, sepse drejtorja, nisi të tregojë pa u mburrur, arritjet e
shkollës brenda këtyre viteve të fundit.
Në listën e gjatë të arritjeve të nxënësve
dhe mësuesve nëpër veprimtari të shumta në shkollë e jashtë saj, po mundohem të
sjell në kujtesë vetëm disa prej tyre. Ndryshe do më duhej të bëj një libër të
dytë, në vazhdim të librit, “Gjurmë suksesi”. - “Shkolla “Marie Kaçulini”,
(Historiku i saj, për vitet 2005-2023). Libër që kanë hartuar koleget mësuese,
(grup autoresh): Majlinda Qosja, Matilda Bardhi, Irena Serbo, Etleva Çelmeta.
Gjykoj se vetëm ky libër do të mjaftonte të bëhej një festë e madhe, madje të
ishin të ftuar të gjithë drejtorët e shkollave, për të përfituar përvojë të
dobishme. Ndërsa autoret mund të anëtarësohen në “Lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve
të Durrësit”, për t’u bërë pjesë e bashkësisë së krijuesve durrsak.
Të them të drejtën, duke qenë njohës dhe
veprimtar në fushën e historisë, u befasova dhe më erdhi mirë kur mësova se
shkollës “Marie Kaçulini”, i është shtuar një libër historik plotësues. Unë nuk
them se kam njohje për të gjithë veprimtarinë e hartimit të historikëve të çdo
shkolle, aq më pak plotësimin e tyre ndër vite, por rasti i shkollës “Marie
Kaçulini”, kam përshtypjen se është ndër të rrallët, jo vetëm në Durrës. Do më
pëlqente që të ishte ndryshe dhe të dëgjoja kundërshti dhe zemërim, që dikujt
po i ha hakun.
Në shkrime të tjera, kur bie fjala për vepra
historie, më pëlqen të nënvizoj këto fjalë: “Kur
kam shkruar për dy historianët durrsak, Hava dhe Sali Hidri, të dy Dr. shkencash
në histori e arkeologji, kam thënë: “Mjerr
ai që niset të shkruajë histori apo monografi, pasi duhet të ketë: dije
dijetari, vullnet shkencëtari, durim skllavi dhe kurriz hamalli”. Besoj se këto
fjalë u shkojnë përshtat të gjithë historianëve”. Jam i bindur se kam të
drejtë, duke përfshirë këtu edhe bashkautorët e këtij libri me vlera, për
historinë e shkollës, madje të arsimit durrsak e më përtej atij kombëtar. Çdo
njëri nga ne bindet lehtë, mjafton t’i drejtojë pyetjen: - Sa kohë u është
dashur ta hartoni këtë libër historik? Jam i bindur në përgjigjen: - “Disa vjet punë……!”
Nuk jam i pari që po them këto fjalë, se
shkolla e mirë dallohet dhe merr emër nga nxënësit e mirë, që përgatiten nga
mësues të mirë. Fjalë që përputhen me një thënie të vjetër arabe: “Shkolla e mirë, mund të jetë kasolle me
kashtë, por me mësues të mirë”. Të gjitha të tjerat, ndërtesa, klasat,
laboratorët, biblioteka, salla e konferencave apo e veprimtarive artistike,
palestrat, terrenet sportive, etj, etj, lehtësojnë dhe e bëjnë të këndshme punën
e mësuesit dhe të lehtë shpërfaqjen e dëshirave, talenteve, veçorive dhe aftësive
të nxënësve. E gjitha në përmbushje së detyrës që ka shkolla, në shërbim të
mësim dhe edukimit të nxënësve.
Drejtore Etleva, ndjehet krenare, që nxënësit
e shkollës që ajo drejton, arrijnë rezultate të larta në mësim, duke u pagëzuar
me të drejtë “Krenaria e shkollës”. Janë ata “heronjtë”, që përfaqësohen në të
gjitha veprimtaritë, artistike, shkencore, konkurse, ekspozita, olimpiada,
kampionate sportive, panair të punimeve me dorë, që organizohen nga QKF. e Durrësit,
disa edhe në shkallë vendi, apo ndër-ballkanike, duke u renditur ndër më të mirët,
madje duke u vlerësuar me certifikata, kupa,
çmime dhe tituj nderi. Po të mbetemi deri këtu, kemi thënë vetëm gjysmën e të
vërtetës, pasi pas çdo nxënësi të suksesshëm, qëndron mësuesi, si “Misionar i
dijes dhe edukimit”. Në këtë rast, drejtore Etleva ka të drejtë të krenohet dy
herë: për nxënësit dhe për mësuesit e shkollës.
Drejtorja nuk mund t’i thotë dot të gjitha,
por këndonjësi i dëshiruar, do t’i gjejë të pasqyruar në faqet e librit, “Gjurmë
suksesi. 2005-2023”, ku ka shumë hollësi, do të thosha me tepri, përfshi lista
të gjata të veprimtarive dhe emrat e nxënësve përfaqësues. Shpesh shoqëruar me
statistika dhe grafikë, duke e bërë librin një burim studimi shkencor.
Në këtë udhë gjykimi, nuk e teproj kur
shprehem se, “Mësuesia” është së pari
mision, e më pas profesion”. Kështu cilitdo drejtues, mësues, prind apo
lexues, i vjen mirë kur këndon në faqen 78, këto fjalë: “Mësuesi Sadik Reçi, përzgjidhet nga trupa mësimore e shkollës dhe
vlerësohet nga DAR. Durrës, me titullin “Mësues i vitit”. Ndërsa drejtori i
shkollës z. Arben Peza vlerësohet nga DAR. Durrës, me titullin “Drejtues i
vitit”. Mars 2018. Në vazhdim
shikoj se edhe znj. Vjollca Muça, në mars
2018, vlerësohet “Mësuese e vitit”. Kështu vazhdon edhe në vitet e tjerë, mësueset, Enkelana Plepi dhe Marte Fekaj,
shpallen “Mësuese e vitit”, 2022. Besoj se edhe këta mësues të nderuar e
meritojnë një festë të madhe.
Në vazhdim të bisedës, që hëngri pjesën më të
madhe të kohës, u përshfaqën projektet që ka shkolla në zbatim të ditës, por edhe
për të ardhmen. Një pjesë e tyre janë bërë dhe do të bëhen me pjesëmarrjen dhe
kontributin e komunitetit, që vetiu kërkon një marrëdhënie të ndërsjelltë,
veçanërisht me prindërit. Bie fjala: salla e veprimtarive, perde për skenën,
karrige, fonia, kamerat, laborator informatike i pajisur me grila për kufizim
drite. Ndërsa në oborr u vendosën koshat e basketbollit.
Drejtorja ndjehet e lumtur që vazhdon
traditën disa vjeçare, për botimin e “Gazetës së shkollës”, si formë e
pazëvendësueshme e përgjithësimit të përvojës së dobishme, por nuk mjaftohet me
kaq. Ajo shprehët e bindur dhe e vendosur për të realizuar gjurmë të tjera në
mjedisin jetësor të shkollës. Gjithnjë në shërbim të nxënësit.
- Në plan të parë, tani kemi, - thotë drejtorja:
a.
Laboratori i gjuhëve të huaja.
b.
Pasurimi i bibliotekës së librit shqip.
Në fund të
kësaj bisede të ngrohtë dhe plot ide e dëshira, më pëlqen të vendos pak vargje
nga poezia “Mësueses sime”, krijuar nga nxënësja Elena Qirjako. Klasa: VIIIb.. Maj 2023.
………….
“Besoj do më mbash mend,
Në çdo rrethanë e në çdo vend.
Të falënderoj për ndihmën e dhënë,
Do të të konsideroj si nënë”. “Gjurmë suksesi”.
Shkolla “Marie Kaçulini”. Faqe 118.
Urime dhe suksese në të gjithë veprimtarinë e
shkollës, për sot dhe të ardhmen. Le të shtohen dhe shënohen “Gjurmët e
suksesit”, pasi ato i rrisin vlerat nxënësve, trupës mësimore dhe shkollës!
Bashkë me urimet, i dhurova drejtores, znj.
Etleva, librin tim më të fundit, “Vjeshta në vargje”.
Kadri Tarelli
Durrës. Shkurt 2024.