Kulturë
Andon Lula: Leta e Radios...dhe poezia lirika
E enjte, 29.02.2024, 08:22 PM
Leta e Radios...dhe poezia lirika
Nga
Andon Lula
“Leta
e Radios”, kështu i flisnim Violeta Muços, folëses së Radio-Gjirokastrës në
vitet 70-të, sot e njohur për poezitë e saj romantike e lirike, në vëllimin e
parë të saj të titulluar
“Shtigjeve
të zemrës”, redaktuar nën kujdesin e poetit të njohur gjirokastrit, Ylli Musta.
Kur mora në dorë librin e saj, m`u kujtua Leta e atyre viteve, vajza e bukur me
zë të mrekullueshëm radiofonik, e cila, në radio bënte dy punë: redaktore e
muzikës dhe hartuese e radiopostës, një emision ky shumë i kërkuar nga
dëgjuesit, me këngë popullore dhe muzikë të lehtë. Por, në kolektivin tonë,
flitej edhe se Leta shkruante dhe vjersha, por që ne si kolegë të saj, nuk i
lexuam kurrë... Përse i mbante për vete dhe të fshehura, këtë edhe sot e kam të
vështirë të jap një mendim; por ndoshta për motiv dhe liri të munguar... Me
vëllimin e saj të parë, ajo ndan me lexuesin ide, ndjenja e emocione të bukura,
poezi të pasura me nuanca dhe shprehje individuale, vështrim të kthjellët për
jetën dhe shoqërinë. Herë-herë bien në sy shprehje popullore, folklorike, fjalë
gjirokastriçe... që krijojnë një stil e bukuri të veçantë
poetike!
Leta është origjinale në mënyrën sesi në to shpreh veten, gëzimin, dhimbjen dhe
trishtimin. Nga poezitë më të bukura, e të spikatura, mendoj se janë ato “me
dashuri”... Të
tjerat,
për natyrën dhe Gjirokastrën,vendlindjen e saj të dashur, në të cilat shpreh
lidhje intime, zbulon anë të veçanta të qytetit gri, mall, traditë, pasion e
dëshira, qetësi dhe reflektim me veten dhe botën rreth tyre. Ja, për shembull,
vargjet e një poezie me lidhje të forta emocioni: “Dikur edhe unë kam qenë më
parë/Brenda atyre mureve, odave të rënda,/Kam njohur njerëz të zotë në fjalë/
Të çlirët, sikur kishin lerë nga kënga.../ O moj Gjirokastër, ç’të ndrin ai
nur!/ Si ëngjëll më je lartësuar.../ Dhe pse në kohë të acartë/ S’më mbyllet
syri, por rri zgjuar/ Nga dashuria e pamatë!”
Ndërkohë
do veçoja dhe dy poezi për dashurinë: “Mëngjesi më gjeti aty ku ne mbetëm/ Një
trëndafil aty e këputa,/ Prandaj po e marr, ta mbaj mu në zemër/ Në faqet e një
libri do ta vë.../ Sa herë ta shfletoj, do pëshpëris një emër/ Që tok me
petalet ka mbetur në të...”
Dhe
tjetra:
“Do
këndoj për dashurinë/ Sa ta zbraz shpirtin me derte,/Vitet ikin më nuk
vijnë.../ Zemra këngën merr me vete...” Nga vëllimi veçojmë edhe poezinë “O
kohë e shkuar”, në të cilën poetja shpreh ndjenjat e melankolisë dhe kujtesës
në lidhje me kohën e shkuar. Përshkrimi i natyrës, bora dhe dielli,
bashkëshoqërojnë ndjesitë, mbresat e pashlyera shpirtërore, poetike për
bukurinë, rrëketë dhe rete, sfidat dhe pengesat; ndërsa strofa e fundit: “Sa
ëndrra u tretën//Bashkë me rininë,/ Po kujtimet mbetën/Përjetë shkreptimë...”
shpreh ndarjen midis ëndrrave dhe realitetit, duke treguar se edhe pse ëndrrat
mund të jenë zhdukur me kalimin e kohës, kujtimet e mbresat mbeten të forta dhe
të pakthyeshme, si një shkreptimë e përjetshme... Kjo poezi, si dhe shumë të
tjera të këtij vëllmi lirik, me atmosferë emocionale, shprehin reflektim mbi
jetën dhe
Shtigjeve
të zemrës 5 kohën, duke sjellë një ndjesi të ndarjes nga e kaluara dhe
vlerësimin e rëndësisë së kujtimit. Kjo është në përgjithësi tematika e poezive
të Letës, që ju do të mund të njiheni në faqet e këtij vëllimi të parë, ku
autorja gjirokastrite, sikundër treguam në fillim të këtij shkrimi, disa i
mbajti “të fshehura”, të “pazbuluara” për vite të tëra, që të na i shfaqë
sot...
Dhe
ja, sot kemi “arkivin” e saj poetik të hapur, në dorën tonë! E natyrisht ne
provojmë atë ndjesinë e bukur, që provon çdo njeri kur hap një shishe vere të
vjetër, shumëvjeçare...
Të
mbledhura në kohë, të gjitha poezitë bashkë, janë qershia mbi tortë, mbi gurin
e argjendtë të qytetit të saj të dashur, Gjirokastrës. Duke i uruar poetes
suksese në poezinë e saj, i them çdo lexuesi: Udhëtim të mbarë nëpër shtigjet e
zemrës së poetes sonë!