Kulturë
Bashkim Saliasi: Muhamet Cenko - Këshilluesi gjuhësor
E diele, 03.03.2024, 08:50 PM
REFLEKTIM RRETH LIBRIT ME TITULL “KËSHILLUESI GJUHËSOR”, ME AUTOR MUHAMET CENKON
Nga
Bashkim Saliasi
Fundi i
muajit shkurt.
Një
telefonatë në orët e mbrëmjes nga miku im Viron Kona më bëri me dije se të nesërmen
do të takohej me mikun tonë Muhamet Cenko.
- Eja
dhe ti, Bashkim se edhe Meti ka shprehur dëshirën të të takojë.
-Do të
vij patjetër, nesër në takim me gjuhëtarin Muhamet Cenko, sepse u bë kohë që
nuk jemi takuar, - bëra me dije mikun tim Viron Kona.
Të nesërmen
rreth orës 9.00 u takuam në rrugën “Myslym Shyri”. Miku im Muhamet Cenko më
dhuroi librin e tij me titull “Këshilluesi gjuhësor”. E urova
për botimin e librit me vlerë që më bëri dhuratë. Libri është redaktuar nga
shkrimtari Viron Kona. Botimi i këtij libri është një vlerë e shtuar për gjuhën
shqipe, për ata që kanë dëshirën e mirë për të shkruar bukur dhe pa gabime gjuhën
tonë.
Në analizën që i bën librit të porsabotuar shkrimtari
Viron Kona thekson: “Në këtë atmosferë Muhamet Cenkoja sjell
te lexuesi librin e tij “Këshilluesi gjuhësor” me të cilin afirmohet si një
intelektual dhe qytetar atdhetar e i vëmendshëm, që reagon ndaj vërshimit të
gabimeve të shumta drejtshkrimore, që cënojnë sot gjuhën letrare shqipe të njësuar.
Nëpërmjet këtij libri ai përpiqet të ndikojë dhe të na këshillojë me modesti se
si të shkruhet shqip sa më mirë, sa më qartë, kuptueshëm dhe pa gabime
drejtshkrimore. Duke shkruar për fjalët, shprehjet apo tekstet e shkruara
gabim, ai këshillon ndreqjen dhe korrigjimin e tyre, duke ia arritur të na bëjë
më të ndjeshëm, më të interesuar dhe më aktivë në mbrojtjen e gjuhës shqipe
standarde”.
Porsa e merr në dorë librin, ndien sikur gjuhës sonë të
bukur i është bërë një dhuratë me vlerë të çmuar për mësuesit, nxënësit e
shkollave 9-vjeçare e të mesme dhe për studentët. Ai të ndihmon të mos gabosh,
por të lëvrosh bukur gjuhën tonë të ëmbël.
Në tavolinën e punës, pranë kompjuterit, mbaj vazhdimisht
botimin e vitit 1973 “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, të hartuar nga Akademia e
Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe me dhuratën e botuesit
Muhamet Cenko të librit të tij “Këshilluesi gjuhësor”, u bënë dy që hera-herës
të këshillohem me ta për fjalët e paqarta në drejtshkrimin e fjalëve që nuk jam
i bindur për kuptimin që shprehin. Në botimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”
pikësëpari jepen disa parime të përgjithshme, të cilat do t’i trajtoj
shkurtimisht për të sjellë vlerat që ka çdo botim i mëparshëm dhe ky i sotmi me
autor Muhamet Cenkon. Jeta është në zhvillim dhe evolucioni ndihet edhe në
drejtshkrimin e gjuhës shqipe dhe pasurimin e saj me fjalë të reja.
“Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e
kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të
strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore” (aqja 35, “Drejtshkrimi
i gjuhës shqipe”, botimi i vitit 1973. Në analogji me këtë frazë po sjell
fjalët e autorit Muhamet Cenko, ku shkruan: Qëllimi i krijimit të kësaj faqeje
(të hapur në internet) ka qenë, si më poshtë: t’u vijë në ndihmë të gjithë
atyre që janë të interesuar për të përvetësuar me vetëdije normat e gjuhës
letrare kombëtare shqipe apo që kanë shqipen standarde mjetin kryesor të
shprehjes publike, si: gazetarëve, politikanëve, krijuesve, mësuesve, redaktorëve
gjuhësorë etj.
Mendimi im është se askush nuk mund të pretendojë se e
njeh mirë drejtshkrimin e gjuhës shqipe, por për të është e nevojshme të
këshillohemi me fjalorët e gjuhës shqipe, rezultate të punës së njerëzve të
specializuar në këtë fushë studimi, standardin e gjuhës shqipe.
E shfletova ngadalë dhe me laps në dorë duke nënvizuar
pjesë nga libri që më nevojiten gjatë punimit të teksteve të shkruara në
kompjuter.
Me të drejtë autori në hyrje të librit sugjeron: Kemi
trajtuar në të jo vetëm probleme drejtshkrimore, por edhe probleme morfologjike,
sintaksore, të fjalëformimit dhe të pasurimit e pastrimit të gjuhës shqipe.
Autori thekson se ka rënie të standardit gjuhësor duke
nisur nga shkolla, mediet e shkruara, por edhe ato elektronike (audiovizive),
zyrat e administratës etj. Duke iu referuar shkrimit të autorit më erdhi në
kujtesë hartimi dhe përpilimi i këndeve të klasës, të cilat ne mësuesit që
punuam para viteve ‘90 këto kënde i përgatisnim në bashkëpunim me
piktorët që merreshin me këtë punë dhe ishin të specializuar në drejtshkrim.
Me të drejtë autori në botimin e tij thekson se sot ka
një lloj shpërfilljeje të madhe ndaj gjuhës sonë të folur e të shkruar…. E më
tej vazhdon: Njerëzit që shkruajnë tabelat, posterat, reklamat etj., duhet të
jenë specialistë të gjuhës shqipe e të përdorin mirë standardin e shkrimit të
saj.
Ajo që bie në sy në këtë libër është se Cenkoja studimin
e tij e ka përqendruar në një punim të thelluar dhe me shembuj konkretë ka
ilustruar çdo faqe të tij. Me të drejtë autori merr në analizë togfjalëshin që
në muajin shtator kur hapen shkollat në ballinën e hyrjes shkruhet parulla Mirë
se vini. Në shumë shkolla kjo parullë shkruhet bashkë, por autori na këshillon
se sipas rregullave të drejtshkrimit kjo duhet të shkruhet e ndarë dhe jo bashkë.
Nuk dua të bëj analizë të thelluar dhe të zbërthej materialin, por në këtë
shkrim dua të jap një hapësirë për njohje të studimit dhe vlerat që ka ky
studim i realizuar me mjeshtëri nga gjuhëtari Muhamet Cenko. Është një libër që
krahas fjalorëve e botimeve për gjuhën të Akademisë së Shkencave të zërë një
vend në bibliotekat e njerëzve që merren me letrat shqipe dhe të shfletohet,
kur lind nevoja.
Libri ka vlera të shumëfishta, sepse autori, i pajisur me
kulturën e duhur gjuhësore, me shembuj konkretë na sjell të freskët reagimin e tij
ndaj parregullsive që po vihen re pas viteve ’90 në shkrimin e gjuhës së bukur
shqipe. Në të gjitha rubrikat që ka marrë në analizë e ka trajtuar autori na
sjell shembuj konkretë dhe na tregon përdorimin e tyre, tregues ky mjaft
cilësor që i jep vlerë librit të tij.
Një meritë të veçantë në hartimin e këtij libri për
mendimin tim Cenkoja ka se në ilustrimin e shembujve që përdor është bazuar në
jetën e përditshme dhe në studimin e thelluar të gjuhës shqipe për të ndihmuar
sadopak në kulturën drejtshkrimore të gjuhës shqipe që sidomos në rrjetet
sociale të përdorur jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga moshat madhore
shkruajnë me gabime drejtshkrimore dhe nuk tregojnë kujdes edhe në portalet e
postuara, sidomos në faqen e facebookut.
Nga këndvështrimi im rregullat gjuhësore mësohen që në
bankat e shkollës dhe këtu duhet të mëshohet që mësuesit që japin mësim në
ciklet fillore, në ato nëntëvjeçare e të mesme të bëjnë kujdes për shkrimin dhe
shqiptimin bukur të fjalës shqipe. Mendoj se ky botim i autorit Muhamet Cenko
është i duhur për t’u marrë në konsideratë nga Ministria e Arsimit për
shpërndarjen e tij nëpër biblotekat e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme.
Botimi i këtij libri i bën nder çdo biblioteke të lexuesve dhe dashamirësve të
gjuhës shqipe të lexuar dhe të shkruar.
I uroj suksese autorit dhe me botime të tjera me vlera
gjuhësore, nevojë e kombit tonë.
Tiranë, më 01.03.2024