E enjte, 24.07.2025, 10:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Në ceremoninë e konkursit poetik

E hene, 04.03.2024, 08:50 PM


Blerim Rrecaj:

Nga loja futbollistike në festivalin e këngës

Me vëllaun e vogël, morëm fëmijët e morëm drejtim për te stadiumi futbollistik i Prishtinës. Fëmijët hodhën flamujt krahëve, e mbërrijmë para njërës prej portave hyrëse. Si zakonisht para dyerve kishte shumë tollovi, tifozë, policë, kontrollorë, punëtorë sigurimi, si në veri, si në jug, si në lindje e si në perëndim, pra rrethepërqark.  Por do të hynin vetëm dy fëmijët në stadium, sepse unë duke kujtuar se vëllau kishte marrë mjaft para me vete, ndërsa ai duke kujtuar këtë për mua, kështu mbetëm jashtë pa hyrë brenda ne me gjithë djalin e vogël, pasi njëri nga kontrolluesit ngriti flamurin për të sinjalizuar për pozitë jashtë loje. Dhe duke pranuar vendimin e gjyqtarit, përpara portës, morëm rrugën për në platonë e Pallatit të Rinisë. U ngjitëm shkallëve, hodhëm sytë nga stadiumi, e kah ekrani i madh ku dukej rezultati, dukeshin një pjesë e shikuesve, një copëz e fushës së blertë e dëgjoheshin brohorimat. Në hyrje para portës së Pallatit të Rinisë, pamë një tepih të kuq të shtruar, e një grup njerëzish që merreshin me organizimin e diçkaje. U afrova për të marrë vesh se për çfarë bëhej fjalë. Në orën 21 po fillonte nata e parë e Festivalit të Parë të Këngës, edhe pse të paktën për sivjet nuk do pranohet kënga fituese për pjesëmarrje në Eurovision. U afrua edhe vëllau. Njëra prej punëtorëve aty, ia dhuroi dy ftesa për këtë ngjarje kulturore. Na u duk mjaft intetesante e filluam të mendojmë se s'i t'ia bëjmë pas ftesave që morëm papritur. Telefonuam fëmijët e folëm me ta. U afruam te dyert e stadiumit, tash kur kishte filluar pjesa e dytë, e hyjmë, në tribunat e pjesës lindore, u bëmë bashkë, rezultati nuk ishte në të mirë të skuadrës sonë, në këtë ndeshje të Konferencë Ligës, e brohoritëm nga zemra për t'iu dhënë zemër futbollistëve, por, pastaj edhe u treguam fëmijëve që është mirë të dilnim pak më përpara sepse na priste festivali i këngës. Fëmijët kundërshtuan mjaft, e nuk donin të dilnin pa përfunduar loja, por disi i bindëm dhe në fund u pajtuam duke dalur nja njëzet minuta para përfundimit të ndeshjesh, duke dëgjuar në radio por edhe duke parë në telefona për rezultatin. U nisëm për në strehëza për t'i lënë fëmijët, për t'u nisur menjëherë prej qytezës në kryeqytet. Isha i veshur në tuta sportive, prodhim vendor, kështu që s'pata kohë as të ndërrohem, pasi s'priste koha. Mbërrijmë duke e lënë veturën në parkingun prapa pallatit dhe kaluam kah Newborni për t'u ngjitur shkallëve. Kaluam si yje nëpër tepihun e kuq, duke treguar ftesat dhe në çastet e fundit hyjmë në sallë. Zumë vend e u ulëm, në këtë sallë të bërë gati së fundmi, pastaj filloi spektakli i udhëhequr prej dy moderatorëve të njohur, që paraqisnin një lloj simbolike e bashkimi mes shqiptarëve. Mendja seç shkoi te festivalet e këngës sidomos ato andej kufiri që i përcillnim me interesim, sidomos në valët e televizionit shqiptar, me vite e vite, duke lënë pas vlera e këngë që edhe sot e kësaj dite nuk u ka humbur bukuria. Kthehemi tash në këtë sallë pas fluturimeve nëpër kujtime. Ka vëmendje, të qeshura, duartrokitje, ndonjë pëshpërimë kënaqësie a moskënaqësie, drejtim sysh për të parë pikat e skenarit në një ekran të madh përballë skenës, këngëtarët duke zënë e lënë skenën, dhe këngë pas kënge, ndonjë skeç a prezantim i personaliteteve mediale të televizionit publik, ndonjë lidhje me skype, me drejtorin e televizionit tjetër publik matanë, e edhe me drejtorin e Eurosongut, që uron për këtë ngjarje kulturore me disa fjalë. E dalëngadalë, pas më shumë se tri orëve, kur tashmë ka kaluar mesnata, përfundon kjo natë e parë finale, zbrazet kjo sallë, siç zbrazen tribunat e stadiumit. Pyetëm njëri-tjetrin se si na u duk . Disa gjëra na pëlqyen, e disa jo aq, dikujt i la mbresë një gjë, dikujt diç tjetër, por në përgjithësi ishte mirë, e mbrëmje e këndshme. Dy këngë më tërhoqën vëmendjen më shumë. Njëra me karakter satirik me titull "Oj Kosovë", e tjetra një baladë me titull "Pa ty s'më rrihet". Dhe hipëm në veturë të kënaqur. Flisnim për përjetimet e kësaj mbrëmjeje nga stadiumi e nga salla.

Në ceremoninë e konkursit poetik:

Një mik imi më njoftoi për një konkurs mbarëkombëtar për poezi që do të mbahej, nga njëri prej portaleve kulturore. Ishte caktuar edhe juria, që përbëhej nga një profesor, një gazetare e një këngëtar. Duke biseduar, vendosëm të konkurojmë duke zgjedhur nga një poezi tonën, e duke dërguar me email, në adresën që kërkohej. Pastaj, pas ca ditësh do të mbahej ceremonia e dhjetë finalistëve, ku do të shpalleshin fituesit e tri vendeve të para. Pasi miku nuk mund të vinte, hamendesha, se çfarë të bëja. Larg nuk e kisha, kohë po, vetëmse përtoja të shkoja vetë. I bëra zë vëllaut, që ishte i lirë e mund t'i përgjigjej ftesës sime, dhe në mbrëmje u nisëm, me veturë, siç thotë vargu i këngës "të pijmë kafe për maturë". Parkuam veturën në një parking Ulpiane,  erdhëm nja gjysmë ore para kohe, zumë një vend, e kafeneja ishte e mbushur, dikush rrinte dhe në këmbë. Hyjmë në bisedë me njërin nga konkurruesit, e morëm vesh që ishte nga qyteza jonë, e vëllau aty mori vesh se njëri nga konkurruesit isha dhe unë dhe miku im. Sa më shumë vinte koha ku do merreshin vesh dhjetë finalistët fatlumë, aq më shumë shtoheshin emocionet. Me bashkëqytetarin tonë, vazhdonim bisedën me mjaft humor, me zë të ulët, duke ia uruar njëri-tjetrit rezultatin, ndonëse secili prej nesh veten e vënte në vend të parë. Këtu fusnim dhe mikun tim që mungonte. Fol e qesh, kur filluam t'i shihnim konkurrentët tanë që s'i njihnim, e siç duket as nuk na njihnin, me ca letra të fotokopjuara në dorë. "Hë, punët nuk i kemi mirë", tha duke qeshur bashkëbiseduesi që ndodhej mes meje e vëllaut. E siç po shihej,  ne pa letra ishim jashtë dhjetëshes së parë. "Ka shpresë, ka shpresë, siç duket fletët po u dorëzohen humbësve", thashë, duke u munduar të mos ta lëja të binte entuziazmi ynë, bashkë me nivelin e humorit. Dhe prezantuesi njoftoi se anëtarët e jurisë do të merrnin fjalët, do të arsyetonin vendimet e tyre. Kështu edhe ndodhi. Dhe erdh çasti ku u lexuan emrat e finalistëve. Nga qindra poezi konkurruese, numri arrinte pothuajse dyqind, me atë që rrija afër, nuk ishim në mesin e të dhjetëve. Ndonëse u lexuan dhjetë poezitë, nga pjesëmarrësit, e ndonjë që ishte në këtë listë në mungesë të pjesëmarrjes, për një apo një arsye tjetër, poezitë lexoheshin nga një aktore e njohur. Pastaj vijmë deri te tri vendet e para, që pasi merrnin çmimet, dilnin në fotografi vetëm por edhe me jurinë. Poezia fituese, u lexua edhe njëherë, dhe për të u mbajt edhe një fjalë nga profesori, që tha se stili i poetes fituese është i veçantë. I kërkova poezinë konkuruesit me të cilin u njoha këtu, e lexova dhe ia ktheva. Ia thashë ca fjalë, për të cilat më falënderoi. Ndërsa organizatori, tha që më kjo poete nuk është mirë të merrte pjesë në gara, sepse po i fiton ato, si këtej, si matanë vendit të shqiponjave, duke pasur parasysh dhe një a dy çmime tjera që ia përmendi. Dikush reagoi, duke thënë se do të ishte mirë që të përshëndeteshin edhe humbësit për pjesëmarrjen e mundin e tyre. Ndërsa dikush tjetër donte që të dihej renditja dhe vendet e të gjithë konkuruesve. Të paktën të dihej saktësisht ku ishim. Në fund priste kokteji me pije e gatime tradicionale. Aty pashë e u përshëndeta me artistin, që vazhdonte të gdhendte në mozaikë prej druri portrete të personaliteteve të njohura kulturore, që para dy vitesh kishte hapur ekspozitën e tij pikërisht në këtë kafiteri. Pasi dolëm nga kafeneja, dola në fotografi edhe me fituesen e konkursit, e urova, dhe buzëqeshëm, pasi e falënderova që pranoi të dalë fituesja e parë me humbësin e fundit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx