E hene, 29.04.2024, 08:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Muzika ndjehet në vargje!

E merkure, 06.03.2024, 08:55 PM


"Poezia është pikturë me fjalë; piktura është poezi pa fjalë". - Lesing

MUZIKA NDJEHET NË VARGJE!

Bajram Sulejmani në librin, ”Valë ndjenjash”

Nga Kadri Tarelli

Pak dit më parë, poeti Bajram Sulejmani, më dhuroi dy librat e tij më të fundit, me poezi: “Perëndime të skuqura” dhe “Valë ndjenjash”, botuar në shtypshkronjën “2M”.

Para do kohësh, në diskutim me një poet të njohur, mbi ndërtimin e një libri me poezi, miku im ngulte këmbë që poezitë duhen grupuar sipas temave, për lehtësi leximi. Unë kundërshtoja: Më pëlqen më shumë një lëndinë me lule çfarëdo, të bukura e me shumë ngjyra, të shpërndara sipas dëshirës së tyre. Kështu edhe lexuesi ka mundësi të shikojë dhe shijojë të gjitha, duke shfletuar faqe pas faqe.

Kështu ndodh edhe me poetin tonë Bajram Sulejmani në librin, “Valë ndjenjash”, ku poezitë vijnë natyrshëm, pa ndonjë rregull të veçantë. Për Bajramin, në këtë linjë edhe për mua, mbase edhe për shumë të tjerë, rëndësi ka kumti që përcjellin poezitë, më pas ndërtimi i vargut, ritmi, muzika, ngjyrat. Fjala e zgjedhur dhe e gdhendur me kujdes, figurat letrare, dhe në veçanti metaforat, e përqafojnë mendimin e dijetarit, Robert Frost, i cili thotë: - “Poezia është, kur një emocion i ka gjetur mendimet e tij, dhe mendimet kanë gjetur fjalët”.

Nuk do të hyj në analizë të librit dhe poezive në brendësi të tij. Të tjerët kanë folur dhe do të flasin, ca më shumë lexuesi i dashuruar me poezinë e bukur. Ndaj do përpiqem të them pak fjalë mbi ndërtimin e vargut poetik, metrika, rima dhe muzika e tyre.

Autori përdor më shumë vargun tetë rrokjesh. Kam përshtypjen se ka më shume ritëm dhe muzikë. Por nuk i shmanget edhe vargjeve 10-11 dhe 12-rrokjesh, kur kërkon t’i shprehë, apo t’i shtrijë më qartë dhe më qetë, mendimet.

Ndërsa rima, ah rima e shkretur, si jetime mbetur! Që kohëve të fundit, i janë turrur ta zhdukin fare nga vjershërimi, duke harruar se poezia është muzika e fjalës, ashtu si piktura poezi e ngjyrave. Besoj se edhe autori është në një mendje me mua, kur përdor ritmin: A-A, B-B, apo A-B, A-B. Më thoni ju lutem: A ka muzikë pa nota dhe pa ritëm….!? Si do të luajë pianisti, si do të vallëzojë valltari apo balerina, pa ritmin muzikor…!? Është çudi e madhe, që koha po e pranon, por jo poeti ynë Bajram Sulejmani…!

Jam munduar të shkëpus disa vargëzime, nga poezi të ndryshme, sa për ilustrim dhe kënaqësi leximi:

Të lutem pas dere mos më lë,/se sedrën e burrit e kam të sëmurë./ nëse falën me mua e zë,/mbaroje atë fjalë, se ziej nën lëkurë. “Sedër burri”. Faqe 76.

. Eh, more miqtë e mi,/ sa mall kam për ju!/të shkrumbojmë netët,/ n’atë qiellin blu. “U shkrumbuan netët”. Faqe. 77

. Në s’të pëlqejnë vargjet e mia,/mos u tharto sikur pi shëllirë. Mos përtyp atë që kafshon dhia,/ e lë lastarin që këput pa gdhirë. “Kapotën si gunë”. Faqe 84.

. Kaloj rrugës dhe mbledh psherëtima,/në gropat e plagëve këmbët më pengohen./ Ato gropa sikur janë hapur nga mina./ Janë plagë shpirti, që s’mund të shërohen. “Mbledh psherëtima”. Faqe. 85

. Sa dëshirë që kam tani,/të përtyp një fije bari./në dreq dhe kjo burrëri,/ kur s’të lë të bësh si djali. Fije bari. Faqe 102.

. Botë e mbushur me harbutë,/në shpinë thikën si hajdutë. “Botë pa dhimbje”. Faqe. 108

Urime dhe suksese në libra të tjerë, me poezi kaq të arrira dhe me vlerë!

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Fillim pranvere, 2024.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora