E shtune, 09.11.2024, 03:39 AM (GMT)

Kulturë

Rudolf Marku: Tre poezi të hershme

E hene, 11.03.2024, 07:49 PM


Tre poezi të hershme , botuar nga mesi i viteve tetëdhjetë. Me rastin e 8 Marsit, si një perulje e natyrshme per Nënen dhe Gruan e perjetshme.

Rudolf MARKU

GRATË

Aty janë dritaret. Të hapura si sytë

Në fasadat e mëdha të shtëpive ;

Burrat  brenda dhomave lexojnë gazetat,

Ndjekin sportin në Tv, pijnë kafe, duhan,

Bëjnë një dorë muhabet ose luajnë domino.

Kurse dritaret janë për Gratë ;

Mes një pune a një tjetre, kur lajnë a fshijnë,

Shkojnë në parvazin e dritareve dhe mbështesin duart,

Sikur të komunikonin në heshtje me ca botëra të largëta

Me ca shenja që veç ato i dinë.

Ftojnë ylberët në dhomë, një vetëtimë

E vënë si karficë në mesin e flokëve,

U bëjnë me dorë reve dhe ëndërrojnë

Ca yje që as astronomët nuk i zbuluan dot.

Dhe pastaj kthehen dhe pastrojnë tavllën e duhanit.

E askush nuk kujtohet, askush nuk di

Për marrëveshjet e tyre të largëta!

1984

NË SHTEPINË E PRINDËRVE

Pas udhëtimesh të largëta, pas netëve pa gjumë,

Duke bredhur në qytete të tjerë,

Në biseda miqsh tërë zhurmë,

Pas sukseseve, mos-sukseseve, ndarjeve, përqafimeve

Jam kthyer i lodhur përsëri, sado vonë

Në shtëpinë e vjetër të prindërve.

Këtu nuk duan t’ia dinë për lëvdatat a dështimet e mia,

Më shërbejnë në tavolinë pa meny,

Një pjatë supë, pa atë zorin për të lënë bakshish

Këtu nuk ka as recensione, as  mbledhje,

As artikuj kritikë,

Veç nëna ulet pranë dhe kollitet lehtë,

Sikur do më kujtojë

Diçka të largët,të shkuar, të vjetër.

Nënë,

Ti që ke provuar kaq shumë dhëmbje në jetë

Dhe prapë di të qeshësh,

Vetëm t’u bësh qejfin bijëve të tu,

Sa nevojë kam për mënçurinë tënde,

Për besimin tënd

qoftë dhe para një pjate me supë.

Se prapë do bredh nëpër botë, nëpër udhë të vështira,

Nën shirat rrebesh,

Trishtimin e jetës do mbart si hamall,

Por ti, Nënë, pa akte të ngatërruar procesverbalesh

Me zemërgjërësinë tënde të njohur,

Më lë trashëgiminë e besimit tënd të madh!

1985

NË KUJTIM TË NËNES

Pa lajmeruar askënd

Nëna vdiq.

Nuk desh të shqetësonte njeri

Mjaft ka bota hallet e saj, brengat,

Ajo iku, si të thuash, në majë të gishtërinjve.

Dhe sa vlen tani që jam më i kujdesshëm me pleqtë,

U lëshoj vendet në tren, në autobus,

Disa herë jam gati t’i marr në krahë si femijët.

Pa i njohur u flas, u buzëqesh marrëzisht,

Në dimër kam frikë mos ftohen, mos kolliten,

Gjithmonë u iki vjedhurazi nekrologjive.

Nuk dua të lexoj prapë moshën e saj,

Tani që fillova të deshifrojë rrudhat,

Të kuptoj magjinë e flokëve të thinjura.

Më duket sikur ndonjë ditë në duar

Do më ndodhet një letër e ardhur nga larg

- Më thuaj c’bën? Të tjerët si janë?

Pa shënuar kurrë adresën e saj

Vazhdon të largohet në majë të gishtërinjve

Mes zhurmës së botës, lajmeve,ulurimave…

1987



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora