Kulturë
Anton Nikë Berisha: Pse romani 'Karvani i Bardhë' i Azem Shkrelit na prish punë?
E diele, 10.03.2024, 08:55 PM
PSE ROMANI “KARVANI I BARDHË” I AZEM SHKRELIT NA PRISH PUNË?
(Heshtja
që u bëhet disa veprave letrare të disa autorëve tanë e përligj këmbëngulësinë
kryeneçe për ruajtjen e vlerave të pakta ose të rrejshme në letërsinë tonë edhe
në kohën e tanishme, duke krijuar kështu një rrafsh të dëmshëm, të shpifur dhe
me pasoja, në vend të përfilljes, dhënies përparësi vlerave poetike, ngritjes
dhe pasurimit të mirëfilltë të artit tonë të fjalës.)
Nga
Anton Nikë Berisha
I
Tashmë është e njohur se letërsia nuk është shkencë nga
se për hartimin e veprave përkatëse letrare përdoret si materie kryesore gjuha
poetike dhe se teksti letrar synon sa më shumë kuptime. Teksti i natyrës
shkencore synon njëkuptimësinë, përkufizimin, saktësinë. Për t’ia dalë kësaj
edhe për shkencëtarin, edhe për shkrimtarin, është e domosdoshme dije sa e
thellë aq e gjerë dhe përkushtim i madh në punën që bën.
Pra, për shkrimtarin janë të domosdoshme njohuritë e
mirëfillta për letërsinë, për natyrën dhe llojet e saj. Ai duhet ta njohë sa më
mirë traditën letrare, qoftë në rrafshin kombëtar, qoftë ndërkombëtar. Sa më
shumë që shkrimtari e njeh këtë traditë, bëhet i vetëdijshëm për zgjerimin e
përhershëm të njohurive për artin e fjalës, po dhe për fusha të tjera të
veprimtarisë së njeriut. Kjo gjë mundëson përftimin e veprave të arti që do t’u
qëndrojnë kohëve. Në punimin “Piksime Estetike mbi zêje të fjalës” (i
nënshkruar vetëm me shkronjën X) Fishta vë në dukje se në artin e fjalës, si
dhe në çdo mjeshtëri tjetër, kërkohet përgatitje e përvojë dhe një përkushtim i
madh për përftimin e veprave me vlera të rëndësishme, që do të shtegtojnë
pastaj nëpër breza njerëzish, duke u qëndruar kohëve të përardhshme[1].
Domosdoja e njohjes së natyrës së letërsisë dhe të
traditës letrare, përkatësisht të veprave të krijuesve më të mëdhenj paraprakë,
dëshmohet edhe nga ky mendim i poetit tonë të shquar, Lasgush Poradecit: “Unë jam Bücherwurm – krimb librash – që rri
ditën e natën mbi libra[2]”.
Pra, arti i Poradecit, siç ka ndodhur dhe me të gjithë shkrimtarët e rrafshit
të tillë, ishte rrjedhojë e leximit, e njohjes të letërsisë sonë dhe e ngritjes
së vijueshme të tij si krijues.
Për një varg shkrimtarësh tanë dija e mirëfilltë, qoftë
për natyrën e letërsisë, qoftë për njohjen e traditës letrare, sikur nuk
përfillet, gjë që ka shkaktuar edhe zbritjen e cilësisë së letërsisë sonë e të
llojeve të saj. Kjo dukuri e kishte shqetësuar në kohën e tij edhe poetin tonë
të madh dhe njërin nga estetët më të shquar, Fishtën[3],
prandaj thotë me ironi: “Due me thânë, se per ç’do zanát, qi do me kapë nieri,
duhet nji farë pregatitje gjithkund […]. Vetem âsht nji zanát, qi në Shqypní
s’lypë kurrfarë pregatitje: letersija!”[4].
Disa nga shkrimtarët tanë (mjerisht edhe disa nga ata që
kinse merren me studimin e letërsisë dhe me kritikë letrare) ende nuk e dinë
atë që pati thënë Jurij. M. Lotman: “Tashmë moti është futur në përdorim
krahasimi i artit me jetën. Mirëpo, vetëm tash po bëhet e qartë sesa shumë të
vërteta ka në këtë krahasim, i cili dikur ka tingëlluar si metaforë. Me siguri
mund të thuhet se midis gjithë asaj që ka krijuar dora e njeriut teksti
artistik në masën më të lartë ka ato cilësi, të cilat kibernetistin e nxisin të
merret me indin e gjallë[5]”.
Gjuha poetike e një vepre të mirëfilltë letrare nuk
vjetrohet, por vazhdon komunikimin nëpër breza. Ajo i ofron lexuesit një
shumësi sa më të madhe kuptimesh; e vë përballë mundësive të shumta, të thuash
të pafund, ku teksti poetik e përligj qenësinë e vet. Me cilësi të tilla ai
nxit komunikim më të thellë e më të mirëfilltë dhe bën ndikim estetik më të
madh në marrësin[6].
E tillë nuk është e nuk mund të jetë gjuha e komunikimit dhe e kuvendimit të
përditshëm (të rëndomtë), që ka për qëllim të sjellë një kuptim të vetëm, të
jetë shprehje një kuptimore.
Nga shumësia kuptimore që shkakton teksti poetik tek
marrësi, i mundëson atij jo vetëm të përcaktohet për ndonjërin ose për disa
prej tyre (kuptimeve), por e nxit të krijojë e të shumëzojë brenda vetes edhe
kuptime të tjera të mundshme, që lidhen me botën dhe me shpirtin e tij. Asnjë
lloj teksti që nuk i ka këto cilësi, as një lloj tematike ose motive që e
cilësojnë tekstin përkatës, nuk mund të shkaktojnë kënaqësi shpirtërore.
Letërsia është art i fjalës art dhe para së gjithash është shtjellim gjuhësor
poetik dhe shumësi kuptimore. Pra, magjia e fjalës, siç thotë Stevenson, është
një ndër cilësitë themelore që duhet të zotërojë një shkrimtar[7].
II
Në çastin kur shkrimtari i jep dorën e fundit një vepre
të vet, kur bindet se teksti i saj shpreh atë që ai e ka menduar dhe duhet të
jetë e tillë, ua “hedh” në duar lexuesve, e boton. Mirëpo, në rrjedhë të
moteve, ose edhe pa kaluar shumë kohë (këtu s’ka as nuk mund të ketë rregull),
ai bindet se veprës përkatëse duhet t’i shtohet ose t’i hiqet diçka. Së
këndejmi, përcaktimi që t’i kthehet përsëri veprës së vet të dikurshme dhe ta
përpunojë, është i natyrshëm dhe, në të shumtën e rasteve, ka dhënë fryte të
rëndësishme.
Arsyet për ndërrim dhe mënyrat e ndërrimit të veprës
përkatëse te secili krijues janë të ndryshme, po dy prej tyre duhet të jenë më
kryesoret:
a) ngritja e rrafshit artistik të veprës përkatëse
b) bërjen e saj më të komunikueshme dhe mundësinë e
ndikimit më të madh estetik në marrësin.
Ngritja e cilësisë artistike të një vepre letrare
nënkupton, para së gjithash, ngritjen dhe pasurimin e shtjellimit gjuhësor
poetik, të sistemit të të shprehurit. Vetëm përmasa artistike është përbërësi
që i jep vlerën kryesore një krijese letrare dhe e bën atë pronë të kohëve.
Pra, struktura e tillë gjuhësore shprehëse mundëson
shqiptimin më të ndërliqshëm të dukurive të botës e të rrjedhave të jetës së
njeriut; ballafaqimin e njeriut me vetveten dhe me të tjerët, me të panjohurën
dhe me të papriturën. Me fjalë të tjera, vetëm nëpërmjet mesazhit poetik, që
është fryt i shtjellimit të tekstit, vepra letrare është në gjendje të bëjë një
ndikim sa të thellë aq edhe të gjithanshëm estetik në marrësin.
Gjithë ajo që thashë më lart lidhet pandërmjetësisht me
romanin e Azem Shkrelit “Karvani bardhë”, varianti i vitit 1996.
Vendimi i Azem Shkrelit t’i kthehet romanit “Karvani i
bardhë”, të botuar për herën e parë më 1961, pas 30 vjetësh, nuk është i
rastit. Këtë ai e vë në dukje në shënimin hyrës të variantit të dytë”:
“Sa isha nxënës i Shkollës
normale në Prishtinë, kisha botuar një libër me poezi. Kujtoja se mund të
shkruaja edhe roman dhe shkrova ‘Karvanin e bardhë’. Roman nuk ishte, ishte një
skicë për roman. Aq mund të bëja atëherë.
Lexuesit e quajtën librin tim roman dhe
e pëlqyen. Kritika po ashtu. Nuk e patën vështirë ta quanin roman të mirë, ta
lavdëronin e ta shpërblenin. Ne shkrimtarët në Kosovë nuk kishim botuar dhe
shumë romane me të cilat ta krahasonim.
Me botimin, as me lavdërimin e asaj
skice për roman, jo që nuk u qetësua, por u ndez edhe dëshira ime ta shkruaja
edhe një herë ‘Karvanin e bardhë’. Tani ai u shkrua.”[8]
Edhe pa këto fjalë të autorit, lexuesi i dy varianteve të
“Karvanit të bardhë” – të vitit 1961 dhe të vitit 1996 – nuk e ka vështirë të
thotë se ato janë dy vepra të pavarura. Ndryshojnë mes veti, edhe si sasi, edhe
si cilësi. Sidomos në rrafshin e shtjellimit, si vlerë, si mesazh poetik,
varianti i dytë ngrihet për shumëçka mbi të parin.
Në variantin e dytë të romanit autori shtoi dhe njësoi
një varg gjërash, ose ato të vjetrat i trajtoi nga këndvështrime e mënyra të
ndryshme; i shprehu me një gjuhë të zgjedhur dhe të pasur; i shpalosi më
thellësisht botët e personazheve e marrëdhëniet shoqërore dhe në këtë mënyrë
krijoi një vepër me vlera të mëdha, që e bëjnë atë ndër romanet më artistikë të
shkruar në gjuhën tonë.
Në rrjedhën e shtesave duhet përmendur sidomos
personazhet: Laken e Tahir Talit dhe serbin, Jagoshin, të birin e Kërst
Kapllarit, të cilët në disa pikë kanë kushtëzuar ndërrimin e shtjellimit të
romanit dhe rrjedhën e objektit poetik. Edhe personazhet e variantit të parë
(ata ruajnë, edhe emrat, edhe disa nga tiparet kryesore që i kanë në variantin
e parë të romanit) në variantin e dytë kanë pësuar ndryshime.
III
Dy çështje kushtëzojnë ndryshimet e mëdha midis këtyre dy
varianteve të romanit “Karvani i bardhë”:
a) gjuha poetike, përkatësisht sistemi i të shprehurit
poetik dhe
b) qasja dhe shqiptimi i ndërliqshëm i botës së brendshme
të burrave të ngujuar në shpellë dhe i marrëdhënieve shoqërore, që e kushtëzuan
dhe e kushtëzojnë atë botë.[9]
Si sistem gjuhësor shprehës varianti i dytë i “Karvanit
të bardhë” është përpunuar me përkushtim e me dije të lartë dhe dëshmon cilësi
kulmore poetike.
Fjalia e Azem Shkrelit ka, edhe drejtpeshim, edhe
natyrshmëri. Përshkrimet dhe imazhet poetike, të përftuara me anën e gjuhës së
zgjedhur dhe të pasur, janë mjeshtërore e pushtuese, shpesh tronditëse, që
dëshmojnë aftësinë e madhe krijuese të autorit.
Për të konkretizuar këtë që thashë do të mund të sillja
shumë shembuj, që i ndeshim në secilën faqe të romanit. Mirëpo, po sjell vetëm
disa prej tyre, që mjaftojnë të vërehet sa veçantia, aq edhe bukuria dhe
qenësia e të shprehurit poetik dhe shumësia e mendimeve që dalin nga struktura
përkatëse e tekstit.
²
“Mes tyre, brenda në të, do të hynte
dalëngadalë fortësia e gurit dhe ftohtësia e harrimit” (f. 17)
²
“[…] atij i vuri dreqi kërpeshin herët
dhe i priu mes tufës së vet…” (f. 45)
²
“Udha më e mençur është ajo që bëhet
për së dyti. Ia di fillin, orën, bërrylat. Mirëpo kohë nuk ka për korrigjime,
koha ecën, udhët ecin. Të shkelin dhe shkojnë.” (f. 61)
²
“Ai (Dyli) kishte marrë, marrë jo por
rrëmbyer, më shumë se ç’i përkiste nga guximi.” (f. 94)
²
“Thanë u vra, thanë vdiq lugati i
maleve [...]
Kishte ndërruar gëzof. E dinte se e
presin llogari të vështira. Gjaku me gjak lahet, thonë. Ai s’kishte gjak sa
kishte për të larë. U rras nën sqetullën e pushtetit të ri.” (f. 96)
²
“Farën e ligë nuk e prek as breshëri as
bryma.” (f. 121)
²
“Aty nuk ishin në zgorin e çukapikut,
siç u bëhej ndonjëherë se ishin, ishin në bark të një kështjelle gjigante në të
cilën mund të rrinin pa therrë në këmbë. Ishte në kokë therra e cila u shponte
atyre kohën ditën dhe qetësinë e gjumit natën.” (f. 177)
²
“Ujë pa va nuk ka, ka thënë ai që ka
thënë. Njeriut i kanë dhënë durimin pse i duhet. Si ajri, si buka, si gruaja e
mirë…” (f. 190)
²
“Zgërlyqi i shpellës ia duk më i
thellë, terri që e ndante nga shokët, më i gjatë e më i shpeshtë, ai po e
prekte me dorë atë terr, ai po e shtynte me trup si borë të zezë e të dendur
t’i çilte udhë vetes.” (f. 221)
²
“Të tjerë jemi ne, të tjerë. Rugovasi
nuk e lut vrasësin të mos e vrasë, por vrasjen të mos e ligështojë.” (f. 232)
Ajo që e bën të mëvetësishëm sistemin gjuhësor shprehës
në këtë roman është ballafaqimi dhe kundërvënia e mendimeve dhe e dukurive.
Asnjë shkrimtar ynë si Azem Shkreli nuk e ka ngritur kaq lart dhe nuk e ka
pasuruar kaq shumë shqiptimin e tillë kontrastik në strukturën e tekstit
poetik. Kjo mënyrë e të shprehurit kushtëzon, edhe vështrimin, edhe njohjen më
të plotë të botës së brendshme të personazheve e të marrëdhënieve shoqërore të
mjedisit ku ata janë rritur dhe veprojnë.
Kjo strategji e shqiptimit poetik përbën thelbin e
rrëfimit dhe të shprehurit në roman dhe është e pranishme në çdo faqe, për të
mos thënë në çdo pjesë të tekstit.
Të shprehurit kontrastik në tekstin e romanit nuk i
nënshtrohet ndonjë rregulli ose modeli, por bëhet në mënyra të ndryshme e me
mjete të ndryshme. Këtë parim krijues shprehës autori e zbatoi edhe në poezinë
e tij[10].
Shembujt që po i sjell në vijim përligjin vetëm disa nga
mënyrat e shqiptimit të tillë poetik në roman.
“Mjeria i rrinte më mirë dhe të tillë e
la. Nuk më duhesh as ti, as vdekja jote, deshi t’i thoshte, ndërsa po e ngrinte
nga supi, por u tremb mos thoshte më shumë se ç’duhej” (f. 63)
²
“Të mejtuar e të palëvizur, ata flitnin
me flakëzat e verdha të prushit të cilat po digjeshin si lëngatë” (f. 67).
²
“Sapo vërriu dy herë me kërthizën nëpër
këmbë, e ëma që donte të dinte për ç’bimë po e lidhte të ardhmen e gjatë e të
pasigurt të së vesë së Mehmet Ujkës, futi kërthinë nën akuj të gurrës, e
rrotulloi tri herë nën vrushkull dhe i ra pëllëmbë prapanicës: Ja rritu ja
mbytu, ja rritu ja mbytu, ja rritu ja mbytu!
Fëmija zgjodhi të parën. U dogj dy ditë
në zjarmi, mori veten dhe lidhi shtat shpejt. Lidhi shtat se e veja e Mehmet
Ujkës i dha kulloshtër ulkoje. Jo, por qumësht të dhisë së egër i paskësh
dhënë. As qumësht dhie, as kulloshtër ulkoje, por gjak sokoli të malit” (f.
77).
²
“Andaj, jij sa të jesh, mos jij i
paqenë dhe kurrkushi. Dikushi jij, jo kërmill, jo dru shtogu, jo bark që han
bukë e bën bukë” (f. 80).
²
“Zbriti Dyl Mehmeti nga malet, u
dorëzua kaçaku i malit, cubi i Mehmet Ujkës u zu i gjallë e i vunë prangat. S’i
vunë prangat, por e mbyllën, s’e mbyllën, e mbyllën që ç’ke më të se njerëz ka
vrarë, të vetët i ka vrarë, s’i dhemb serbit dhembja jonë, ja që nuk e mbyllin,
ja që e mbyllin se u duhet i mbyllur, këta e mbajnë në thark ta zbusin që ta
heqin pastaj përlaku…” (f. 88).
²
“Janë njerëzit që ua kanë mësuar
egërsinë kafshëve. Jemi ne që i kemi mësuar të tremben, të ikin ose të na
vërsulen. Janë të pabesa se i tremben pabesisë sonë” (f 142).
²
“Qëndroi mbi gacat që po kërcitnin.
Kërcitja e tyre kot që paralajmëronte ndryshimin e tij një kohë të gjatë. Edhe
koha ishte jashtë dhe ata nuk do të dinin sa do të zgjaste ndarja e tyre nga
moti e nga koha. Ato po rridhnin pa praninë e tyre” (f. 172).
²
“Vetëm fytyrës së fjetur të gruas nuk i
shihet djallëzia. Vetëm të fjetura, bukuria e tyre, e atyre që e kanë, i gjason
bukurisë së engjëllit. Te kjo femër janë shëmbëllyer që të dyja. E dyta ia
mbulon për mrekulli të parën. Ia mbulon po nuk ia fsheh të tërën. Kështu i rri
më mirë. Të bukurave u falet diç. Të hieshmeve u falet ndonjë e pahieshme se e
zbusin, e zbukurojnë” (f.180).
²
“A do ta bëje ti ndryshe femrën? Nuk do
ta bëje. As unë. As tjetri. Nuk mund t’i shtosh as t’i mungosh. Kur të duhet, të gjitha i ka. Kur s’të duhet, asnjë nuk i bën” (f.
222).
²
“Kishin ardhur rugovasit t’i tregonin
çetnikut të Beranës duhinë e zjarrin e armëve të dëgjuara të Rugovës e jo të merrnin
dhen e dhi” (f. 235).
²
“Kjo luftë ka pasur çmos, ka pasur edhe
të këtillë! Këta njerëz kanë pasur një trup e pesë krerë, edhe pesë krerë kanë
fshehur nën ketë kapelë” (f. 261).
Personazhet e variantit të dytë të “Karvanit të bardhë”
ballafaqohen më shumë dhe më ashpër me vetveten dhe me vetminë, me fatin e tyre
e të shokëve me të cilët frymojnë në shpellën e gurtë. Veprimi i tillë ua
zvetënon të tashmen deri në keqardhje, por ua errëson edhe të ardhshmen. Pra,
autori në variantin e dytë të romanit i vë ata përballë më shumë fakteve, i
shpalos mëdyshjet më të mëdha dhe shprishjet shpirtërore më të thella.
Shpalimi i këtillë nuk ngjet vetëm me krye personazhin,
njeriun që, siç thuhet, e ka vrarë koha, Dyl Memetin, por dhe me personazhe të
tjerë; ata janë “pasuruar”, qoftë për virtyte, qoftë për vese dhe të këqijat që
i kanë ose që i kanë dëshmuar në të kaluarën, ose i dëshmojnë në çaste të jetës
në shpellë.
Përmes asaj që ndodh në “gojën e shkëmbit” dhe të disa
ngjarjeve që “ndëgjohen” e “vinë” nga jashtësia e saj, autori ia ka dalë të
japë një tablo të qenësishme të jetës e të fatit të njerëzve në Rugovë dhe më
gjerë, sidomos në rrafshin atdhetar e të mbarësisë së botës shqiptare, të
domosdosë që njeriu ynë të mësojë nga pësimet, në veçanti përballë të keqes që
popujt e tjerë i shkaktuan dhe i shkaktonin. Po sjell disa shembuj.
²
“E kemi krisur kur duhej e kur s’duhej,
kumos e për këmos e kemi krisur të shkretën.” (f. 33)
²
“Nuk jemi trima pse jemi trima, po pse
nuk guxojmë të jemi tutca.” (f. 34)
²
“Vramë!, i thashë se ne shqiptarët
trimërinë për njëri tjetrin e kemi!” (f. 126)
²
“A nuk u shkulëm e s’u faruam mjaft
duke u herrur mes veti?!” (f. 126)
²
“[…] ne kemi njerëz që shiten e njerëz
që shtiren si ky oficeri i Arif Cubit, njerëz që veshin, jo uniformë, po edhe
fytyrë e lëkurë qeni për pak para a pushtet.” (f.168)
²
“Yni, pra, i kujt tjetër! Askush si yni
nuk di të japë për të huajin…” (f. 169)
²
“Ne gjithmonë jemi bijtë e vonimit,
vonimi është yni. Është dashur ta vëmë gishtin në kokë më herët, shumë më
herët.” (f. 248)
²
“Mirëpo për të më bërë futë e katran më
kanë bërë të zezat e shqiptarëve të mi, foli Bekë Rrushi.” (f.260)
²
“Kuq na polli, Cuko! Kuq! Sepse u ethëm
me Kremlin!” (f. 264)
²
“Na hyri fara kopile! Kopili i kuq na
hyri, tani ec e shkule!, shtoi nëpër zhurmë të kazanit Haxhi Mani. As nipat
tanë nuk do ta shpërlajnë flligën që ia veshëm vetes!” (f. 264)
Me sistemin e këtillë, sa të pasur po aq të veçantë
gjuhësor poetik, me format e shumta dhe të natyrshme shtjelluese, të veçantisë
së lakimit të gjuhës sonë shqipe, të shprehurit të pasur frazeologjik,
figurativ dhe metaforik, përmes të cilit krijohet një botë skajshmërisht e
mëvetësishme dhe e ndërliqshme, romani i Azem Shkrelit “Karvani bardhë” – varianti i vitit 1996, prish shumë
punë! Pas leximit të tij e ke vështirë t’u qasesh e t’i lexosh disa romane
(edhe vepra llojesh të tjera letrare), që përftohen me një gjuhë të zakonshme,
e cila është e komunikimit të përditshëm; një leksik të kufizuar e të rastit,
në qenësi gazetaresk, i cili qëllim kryesor ka kumtimin, informatën; bëhet
përshkrimi i ngjarjeve e jo përftimi i tyre përmes rrëfimit poetik të menduar,
nga teksti dalin porosi e jepen këshilla, që nuk lidhen me natyrën e artit të
fjalës, me letërsinë.
Veprat e këtilla mjerisht ngritën në qiell (nga motive
miqësore ose të tjera) duke përmendur tematikën e motivet si vlera të
rëndësishme e aktuale, po duke harruar se letërsia nuk është tematikë e
motivikë, po strukturim gjuhësor shprehës poetik dhe se kryesorja në artin e
fjalës është si thuhen dukuritë e jo çka thuhet.
Duke folur për poezinë e Azem Shkrelit shumë vite më parë
pata shkruar: “Poezia e Azem Shkrelit me
strukturën e veçantë tekstore poetike, me shumësinë dhe thellësinë kuptimore që
ngërthen në vete, me nëntekstin e pasur poetologjik dhe me mundësi të shumta të
ndikimit estetik, bën njërën ndër pjesët më artistike të poezisë shqiptare në
përgjithësi. Si e këtillë kjo është dëshmi e denjë e pasurimit poetik të
poezisë sonë. Them kështu duke pasur parasysh faktin se krijuesi letrar që
shpreh nivelin më të lartë të gjuhës poetike, shpreh nivelin më të lartë të
vetëdijes artistike kombëtare[11]. Azem
Shkreli këtë vetëdije e dëshmoi dhe me romanin “Karvani i bardhë” (Varianti i
dytë), me tregimet dhe me vepra dramatike. Kur kësaj i shtojmë një ndër
mesazhet e rëndësishme, që po e shpreh përmes mendimit përmbledhës të
personazhit, Dyl Mehmeti: “Ndihmoji njeriut të mbetet njeri!” (f. 267;
mendim që e ka bazën në filozofinë e Hegelit), që shtrihet në dy rrafshe: në
atë kombëtar, shqiptar, dhe në atë ndërkombëtar, njerëzor, atëherë ky roman i
Azem Shkrelit bëhet shumëfish i rëndësishëm.
Prishtinë,
shkurt 2024
[1] Gjergj Fishta, Piksime
Estetike mbi zêje të fjalës. Në “Hylli i dritës”, Vjeta VIII, n. 7 – 8,
Shkodër 1932, f. 396.
[2] Petraq Kolevica, Lasgushi më ka
thënë…Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë i plotësuar.
“Toena”, Tiranë 1999, f. 96.
[3] Shih për veprën letrare të Fishtës librin tim Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë.
Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës. “Shpresa” & “Faik Konica”, Prishtinë 2003.
[4] Gjergj Fishta, Piksime
Estetike mbi zêje të fjalës, pun. i përm., 396. Shih dhe Atë Gjergj Fishta,
Piksime estetike mbi artin e fjalës.
Me një punim hyrës nga Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2003.
[5] J. M. Lotman, Struktura umetni?kog
teksta. Nolit, Beograd 1976, f.
384.
[6] Shih rreth rëndësisë së ndikimit estetik të veprës
letrare në marrësin në veprën time Estetika dhe estetika
e letërsisë. Tekst për studentë. (Bashkë me Labinot Berishën.) Faik
Konica, Prishtinë 2018.
[7] Jorge Luis Borges, Ligjërata.
Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka, Pika pa sipërfaqe. Tiranë 2013, f.
10.
[8] Shënimi është shkruar në dhjetor të vitit 1995, në Prishtinë.
[9] Më 2006, kur e lexova dy herë romanin “Karvani i
bardhë”, variantin e dytë, me qëllim që ta shijoja gjuhën poetike dhe stilin e
veprës, më lindi ideja të shkruaja një punim me titullin “Rreth një romani
që na prish punë...”. Pas tetëmbëdhjetë viteve po e përmbush idenë –
hartimin e punimit.
[10] Shih Azem Shkreli, Azem
Shkreli, Rrënjë të gurta. “Shpresa –
Kuvendi Salezian”, Prishtinë 2001. Botimi i dytë i rishikuar, Shtëpia e
kulturës, Pejë 2012, botimi i tretë Argeta LMG, Tiranë 2023.
[11] Shih studimin tim Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit.
“Argeta – LMG”, Tiranë 2011.