Kulturë
Blerim Rrecaj: Dikush afrohej te lulet
E enjte, 14.03.2024, 08:15 PM
Dikush
afrohej te lulet
Nga
Blerim Rrecaj
I
ishte bërë zakon të u afrohej luleve, qoftë kur ishte duke shëtitur, a ecte,
kur kalonte pragun e dilte të shkonte diku, a kur merrte udhën e kthimit.
Afrohej e, i shikonte, për pak, a për shumë çaste. A thua se pse? Sepse e
tërhiqnin, i pëlqenin, i kujtohej nëna që kujdesej e merrej shumë me to, pastaj
për to lexonte në vargje të shumë poetëve, dëgjonte zëra këngëtarësh, ato
përmendeshin nëpër libra, shfaqeshin nëpër piktura, faqe gazetash, emisione, në
biseda, bëheshin pjesë e dhuratave, festave, ceremonive, kujtimeve. Ishin pjesë
jete edhe kur vetë diku, ecte me trishtim të (pa)kuptueshën, të rëndë, të
lehtë, mesatar. Një lule, ose një tufë lulesh i kishte dalë parasysh për t'ia
pakësuar a tretur një dëshpërim, një zhgënjim, një gjendje pezullie as andej e
as këndej, për t'ia larguar hallet qoftë edhe për ca kohë. E kur ishte i
gëzuar, gëzimi i shtohej edhe më. As vetë se dinte pse, po pastaj para se të
largohej prej tyre, u bënte ca shkrepje, dhe sikur i linte ato me buzën në gaz,
pa luajtur vendit, që ishte njëfarë buzëqeshje që herë i dukej tërë kënaqësi e
herë-herë përzihej me ironi. Dhe ato vazhdonin t'i dilnin në udhë, qoftë kur
dilte për një ecje tjetër livadheve jo fort larg shtëpisë, që pak po të
gërmonte do t'u gjente edhe emrin e emërtimin shqip, atë shkencor e artistik. I
pëlqenin vjollcat e vockëla e aguliçet, që prinin si lajmëtare pranvere, e ato
më shumë kuptim i jepnin jetës, sidomos kur ato shfaqeshin pranë Kullave të
Qëndresës në Prekaz. Më tej, ndalonte te lule që kishin ngritë kokën pranë e
brenda kështjellave, udhëve e kthesave malore, për të dalë te lulëkuqet,
trëndafilët, zambakët, jargovanët, luleradhiqet, për të takuar me ndonjë lule
pranë te një krua, te një burim lumi, e ndonjë këmbëzhytur a kryshytur në liqe.
Duke shfletuar një faqe tjetër dite, i dilte një lule mbi të cilën kishin rënë
pikat e para të shiut, që lahej në shi, ose rrinte e lagur të thahej nga era e
rrezet e diellit, qoftë në një ditë vere a vjeshte, por jo pak më të bukura ato
dukeshin edhe kur i mbulonte një vello prej mjegulle, që u mbulonte fytyrën e
ngjyrën. Ndalej edhe diku pranë ndonjë stacioni, qofshin këta stacionë
autobusësh, trenash, aeroplanësh, ndërsa petalet e tyre bëheshin pritore e
pista për bletë, flutura, mollëkuqe, grerëza, e ndonjë insekt tjetër. Lule
ngrenin kokën edhe nëpër plazhe, në rreze përvëluese të diellit, pranë a nën
hije palmash, pranë ndonjë porti anijesh. Nga to kishte që qëndronin kryelarta
a kokulura me vesë, mbështjellura me brymë, borë, akull. Dhe kështu
ndërroheshin stinët, lulet flinin, koteshin ose zgjoheshin, e disa s'donin t'ia
dinin për dimrin, duke sfiduar ftohtësinë e bardhësinë e tij. Diku shihte lule
që s'i kishte parë më parë. Pastaj kur përtonte ta ulte kokën përtokë,
drejtohej kah lulet e pemëve, e drurëve të degëdisur e stolisur të bardha, të
purpurta, të verdha. Pastaj përsëri përtokë, ato ngrinin kokën nëpër ara të
(pa)korrurra, nëpër livadhe të(pa)kositura, oborre, në vazo a jashtë tyre,
lëndina, pyje, parqe. Për një çast, seç e thirri a seç e "therri" diç, si të ishte gjemb trëndafili, dhe vendosi që
disa shkrepje lulesh t'i postoj, te dy grupe interneti që përpiqeshin ta
paraqisnin bimësinë e viseve shqiptare, që dilte të ishte e bukur dhe e
larmishme. E tërhiqnin lulet t'u afrohej
e, i dukej se edhe ato i afroheshin me gjithë bukuritë e stolitë, me ngjyrat,
aromat e veçantitë. Kishte raste kur i dukej vetja se ishte i pakujdesshëm e i
pavëmendshëm ndaj luleve, ndaj mozaikut të tyre mbresëlënës.