Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Qytetërimet e tjera të Natasha Lakos
E marte, 12.03.2024, 08:56 PM
QYTETËRIMET E TJERA TË NATASHA LAKOS
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
"Dhe qytetërime të tjera" (“Lëkura e ujit” Toena 2004, f. 192) e
Natasha Lakos është tepër interesante dhe e veçantë, madje e parë dhe brenda
krijimtarisë së saj, jo pse mund të interpretohet si simbol i mungesës së lirisë dhe imponimit të
bindjeve, por për faktin se porteti poetik i heroinës të sjell para syve
portretin fizik e shpirtëror të poetes, pikturuar me imazhe metaforike.
Sigurisht që nuk themi se poetja ka bërë një autoportret poetik, por kemi të
drejtë të mendojmë se poetja e ka krijuar poezinë me elementë jetësorë të
vetët, gjë që jo vetëm nuk na befason, por na duket tepër e natyrshme në
krijimtarinë poetike moderne, ku poezia krijohet me elemente shpirtërorë
individualë. Le ta shohim konkretisht këtë interpretim tonin.
I-Sipas
natyrës së saj Natasha Lako shprehet me metafora, simbole dhe imazhe , ku
metaforat i ka jo vetëm si figura por dhe si mendim, ndaj lehtësisht kjo poezi
mund të quhet një poezi e metaforike (dhe simbolike). Këtë tipar e cilëson dhe
fakti i përdorimit metaforik të imazheve e simboleve për të shprehur ide dhe
emocione, të cilat shpesh janë më të thella se shfaqjet e dukshme të tyre apo
pamjeve fizike.
Metaforat
në poezinë "Dhe qytetërime të tjera" të Natasha Lakos shërbejnë si
mjet për të shprehur gjendjen emocionale e psikologjike të autores në një
mënyrë më abstrakte dhe simbolike, duke ndihmuar në thellimin e kuptimit të
përjetimeve dhe ndjenjave të përcjella në poezi. Kështu te vargjet: "Si
një shkollë e mbyllur, koka ime qëndron buzë rruge/e qullur dhe e zbrazët, pa
besnikëri, pa tradhti/ dhe pa liri brenda…" ku fraza "si një shkollë
koka ime qëndron buzë rruge" është një metaforë, te e cila përdorimi i
"shkollës" në kontekstin e poezisë nuk është literal, por është
përdorur për të shprehur situatën e ngjashme me një shkollë të mbyllur. Lako
është personalitet i letrave shqipe dhe “një shkollë të mbyllur” (jo për pushimet e semestrit) e vlerëson si
një mbyllje të ecurisë së jetës përpara, një ndalin apo izolim të saj, ndaj
vlerësojmë se kjo frazë sugjeron një ndjenjë të mungesës së lirisë. Në kët
kontekst, përdorimi i "koka ime", është një metaforë që paraqet
individin, identitetin dhe vetëdijen e tij, dhe në formën si paraqitet shfaq
një ndjesi pengimi, lënie mënjanë dhe
izolim të individit në një kontekst urban dhe nqse dikush do ta vinte në dyshim
këtë mungesë lirie, duke nënkuptuar aktualitetin e poezisë unë do ti lutesha të
më tregonte një njeri që të jetë i lirë nga hallet e problemet, i lirë nga borxhet, nga ankthi, nga stresi,
të jetë plot shpresë e besim te e ardhmja dhe pastaj të më shpjegojë ikjen e
rinisë në emigracion masiv.
“Koka”
në këtë poezi është një simbol i shprehur metaforikisht, që përfaqëson një sërë
ndjenjash të paraqitura në formën e një siluete koke njeriu, një shoqëri apo
një mjedis. Në këtë kontekst,”koka” shihet si një imazh visual, që (ajo)shpreh,
apo shfaq një ndjenjë izolimi dhe mungesë të
lidhjeve autentike me të tjerët dhe me vetveten. Përmes kësaj metafore,
autorja shpreh një mbingarkesë psikologjike dhe një ndjesi të humbjes së
identitetit dhe vetëdijes, ajo shfaq një gjendje shpirtërore të përballjes me sfida dhe
kufizime të jashtme, dhe të luftës së saj të gjejë lirinë, identitetin në një
realitet urban të mbingarkuar. Prandaj, interpretimi i kokës si një simbol
metaforik na ndihmon të kuptojmë më mirë ndjenjat dhe përvojat e heroit poetik,
duke afruar një mënyrë të fuqishme të shprehjes së ndjenjave dhe mendimeve në
mënyrë poetike e simbolike.
II-
Dimë që Lako metaforat i përdor dhe në funksion të shprehjes së imazheve poetike
si psh. te kjo poezi: "koka ime qëndron buzë rruge, e qullur dhe e zbrazët
, pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda" me të cilat shfaq e shpreh
ndjenjën e mbingarkesës emocionale, ku, metafora shfaqet si imazh:
Vargu:
“Koka ime qëndron buzë rruge”, pra koka (metaforike) qëndron "buzë
rruge"duke na shfaqur një imazh të saj (kokës) në një ambient të hapur
publik, ku mungon intimiteti individual.
Vargu:”E
qullur nga shiu dhe e zbrazët” shpreh situatë braktisjeje (si jetimi në shi),
trishtimi dhe vetmie, ku shiu, si një element natyror, përforcon pamjen e
mbingarkesës emocionale dhe vështirësive. Kjo braktisje, lënie mënjanë, e ka
hutuar dhe heroi nuk di çtë mendojë, ndaj i duket se e ka kokën të zbrazët, pa
mendime dhe ide brenda saj.
Le
ta shohim me vëmëndje të shtuar vargun: “Pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri
brenda” i cili shpërfaq ndjenjën e një vetmie të madhe të heroit poetik,
mungesën e lidhjeve që përforcojnë identitetin e një personi, sepse njeriu
është një qënie shoqërore dhe jo vetmitare.
Në
këtë kontekst metafora"Kanë dashur ta mbyllin kokën" shfaq trysninë e
ushtruar mbi individin me kufizime, ndalime e mënjanime në kontekstin qytetar,
gjë që do të thotë privim i lirive të tij (individit). Mirëpo bota ka nevojë
për larmi individualitetesh dhe jo për
turma uniforme lejfenistësh, ndërkohë vargu "i kanë vënë gardhin e
teshave, i kanë blerë dhe gjuhën" është ulëritës, pavarësisht se i pasur
në përmbajtje dhe interpretime, sipas meje:
-Metafora:
"i kanë vënë gardhin e teshave" shfaq imazhin e një teli ku nderen
rrobat për tu tharë, gjë që të sjell ndërmend një punë të rëndomtë, që në kohët
e sotme moderne kryhet nga makineria (lavatriçja), pra ky varg shpreh ndjenjën
e izolimit, shpërfilljes dhe mënjanimit të individit intelektualë dhe mendimit
të tij nga shteti dhe forcat politike, mënjanim që ka ndikuar, sa në një
prapambetje arsimore e kulturore aq dhe në atë ekonomike, pasi te ne vendimet
miren nga partitë pa dëgjuar e vvlerësuar mendimin vizionar intelektual. Në
këtë kontekt "gardhi i teshave" simbolizon jo vetëm kufizimin e
lirisë por dhe shpërfilljen ndaj saj dhe për pasojë formimin e një shoqërie
anonimësh, ku lehtësisht drejtimin do jetë automat. Në qoftë se do ecim në këtë
linjë, së shpejti ky anonimitet do kurorëzojë inteligjëncën artificiale në
drejtimin shoqëror.
-Fragmenti
metaforik: "i kanë blerë dhe gjuhën"
është tepër i dhimbshëm për tu lexuar, pse shfaq jo imazhin e një njeriu
pa gjuhë por ca më tepër, “aktin e shitjes së gjuhës” në mënyrë të imponuar,
duke u shprehur për kontrollin dhe censurën e fjalës së lirë, dhe dakortësinë e
individit për këtë akt shitje, duke harruar që liria e fjalës është “a” e
lirive njerëzore, e individualitetit njerëzor. Ndërkohë krahasimi "si zilen e vjetër" që
simbolizon një formë të vjetruar dhe të harruar të komunikimit, ironizon me
tragjizëm aktin e “shitjes së gjuhës” si një “panevojshmëri të fjalës”. Besoj
se kjo mënyrë interpretimi ju sjell ndërmend elemente kanunorë në familjet patriarkale ku gruaja “nuk
qet fjalë” para burrit, ndërkohë që fjala është perëndi, fjala është liri.
III-Në
pamje të përgjithëshme poezia duket si e mbuluar nga një tis trishtimi, por
befasisht te strofa e tretë trevargore jo vetëm që shohim një reze drite, por
dëgjojmë edhe një tingull të ëmbël violin. Kështu te vargjet: "Violina
atje brenda saj (kokës) po flet, po flet imitimi i zemrës/ i mëlçisë së zezë/e
urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" shohim se e gjithë kjo strofë
është jo vetëm në kontrast me dy strofat
e para por dhe me një optimizëm të befasishëm të heroit poetik, pasi këtu
ndjehet diçka më shumë se një ndryshim,
ndjehet një shpresë, një rezistencë, një kundërvënie, e shfaqur si
zakonisht me imazhe metaforike lako-iane ku : metafora: "Violina atje brenda
saj (kokës) po flet" pra mendja brenda kokës “po flet”si një violinë. Mqse
violina është një instrument muzikor i ndjeshëm dhe flet me një melodi fine dhe
të ngrohtë, kjo paraqitje sugjeron një ekspresion emocional ose mendimi, i cili
buron nga brendia shpirtërore e heroit poetik . Është pikërisht termi “violin”
që të bën të kthesh kokën me vëmëndje mbi vargje, se sigurisht një muzikë e ëmbël do vijë prej saj. "po flet imitimi i zemrës" thotë
poetja dhe kjo metaforë më kujton vargun e Bertold Brehtin kur thoshte se:
”njeriu mund të mendojë” dhe aty fillon revolta."Imitimi i zemrës, i
mëlçisë së zezë" sugjeron një shprehje emocionale të një revolte që vjen
nga thellësia e qenies së një njeriut, madje të duket se gjithë qënia e njeriut
është përmbledhur te termi “koka”.
Kemi
një metaforë të bukur te vargjet: "e urtë ka mbetur koka, si forma e një
klaviri" që na bën të kthjmë kokën dhe ta sodisim me kënaqsi, pse shpreh
inteligjencën dhe maturinë e heroit duke e krahasuar me formën e një klaviri, i
cili është një instrument i sofistikuar, ndaj kjo metaforë sugjeron një maturi
dhe thellësi mendimi që ndodhet në individin e përshkruar, madje duke e shtrirë
më tejë interpretimin do thoshja se “e gjithë poezia e Lakos ngjan me një
melodi klaviri”. Është pikërisht vargu i
mësipërm që na qas heroin poetik te personi
i poetes. Izolimin, shmangien e partive politike dhe institucioneve
shtetërore e kemi ndjerë te vetja jonë shumë prej nesh, por ndryshe nga ne
Natasha Lako ka reaguar me qetësi, me urtësi, duke nënkuptuar frazën “me pjekuri”, pse “ajo kokë ka mbetur
e urtë”. Poetja nuk di të bërtasë, ajo flet me qetësi dhe urtësi, por me
vendosmëri. Nuk njohim shumë deputetë që të kenë dorzuar mandatin për dinjitet
qytetar, për kundërshti me praktikat e forcës politike të cilës i përkasin, por
një prej tyre nuk e harrojmë dot: Natasha Lakon.
Poezia
e Lakos është jo lule mali por shpat e majë mali, që u jep drejtimin erërave
dhe orientimin frymëzimeve. Megjithë atë asnjëherë nuk e kemi dëgjuar të flasë
për veten e saj, ndërsa ata që flasin për atë dhe poezinë e saj janë të pakët,
sepse jo të gjithë mund të ngjiten në majat e modernitetit poetik të Natasha
Lakos, madje janë të shumtë ata që as shikimi nuk u mbrin dot deri aty, ndaj
dëgjojmë shprehje të tipit: “si shumë e mjegulltë është poezia e saj”. Nuk
gabojnë, majat e maleve gjithmon janë të mbuluar nga mjegulla për sytë me
probleme, por lulet aty çelin dhe në të çarat e shkëmbinjve. Shikoni metaforën
"e urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri" e cila urtësisht shpreh qëndrueshmërinë, bukurinë dhe forcën e
autores, megjithëse është nën presionin dhe mbylljen e krijuar nga jashtë. Të
sqarojmë se klaviri është një instrument muzikor që përdoret për të performuar
muzikë, ai përbëhet nga një seri tastierash në një strukturë të hapur të
drejtuar nga mekanizmi i ndezjes së notave që prodhon tinguj. Ai është i njohur
për shkallën e gjerë të notave që prodhon, për fuqinë dhe ndjeshmërinë e
tingujve që krijon. Në kontekstin e krahasimit të kokës me formën e një klaviri
esenca e këtij krahasimi mund të qëndrojë në disa aspekte:
a)-Ndjenja
e kompleksitetit, pse klaviri ka një strukturë komplekse dhe aftësinë për të
prodhuar tinguj të ndryshëm me shkallë të ndryshme emocionale. Duke e krahasuar
kokn me një klaviri, autorja përshkruan thellësinë dhe kompleksitetin e mendimeve
dhe ndjenjave të personazhit poetik.
b)-Aspekti
i fuqisë së shprehjes, ku: klaviri, si
një instrument i fuqishëm mund të shprehë emocionet dhe ndjenjat me një shkallë
të gjerë. Duke krahasuar kokën me një klavir, autorja shfaq aftësinë e
personazhit poetik për të shprehur ndjenjat në mënyrë të ngjashme me muzikën që
prodhon një klavir. Duhet të njohësh poezinë e Natashës që të njohësh forcën e
shprehjes së saj, pasi ajo shprehet me vargje ashtu si muzika me tinguj.
c)-Qëndrueshmëria
dhe qetësia e njëjtë, pasi: klaviri si një instrument i qetë dhe i qëndrueshëm,
përfaqëson stabilitet dhe harmoni. Duke e krahasuar kokën me një klavir,
autorja mund të paralelizojë ndjenjën e
qëndrueshmërisë dhe të qetësisë që personazhi poetik ka brenda tij, edhe pse
është nën ndikimin e kufizimeve dhe të sfidave të jashtme. Njësoj si
qetësia dhe qëndrueshmëria e Natasha
Lakos, për të cilën folëm.
Pra,
kjo është një mënyrë e bukur për të interpretuar këtë poezi. Edhe pse koka
është e “mbyllur”, në thelbin e saj ajo, mbart ende potencialin për të shprehur
emocionet, mendimet dhe shpresat. Kjo është e ngjashme me idenë e një shkolle,
që mund të jetë e mbyllur porta e jashtme, por brenda saj ende ndodhin proceset
e rëndësishme të mësimit, ose është e mbyllur për efekte pushime semestriale,
por procesi mësimor është në vazhdim. Interpretimi që koka, edhe pse e mbyllur,
ende përmban elemente të rëndësishme (si muzika, kënga, dëshira dhe shpresa)
është një përputhje e mirë me mesazhin që transmeton poezia, që edhe në mënyra
të ndalimit, mënjanimit, izolimit etj., njerëzit kanë ende mundësi për të
shfaqur talentin e vetë, për të gjetur frymëzim dhe shpresë dhe për të dhënë
vlera.
IV-Vargu
"Ku po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë,/o kokë e mirë,/pa
besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda,/të mbetura, si dele të tepërta mes
shiut." është i pasur me metafora dhe imazhe poetike që rikthehen te
ndjesia e mbylljes, izolimit a
mënjanimit në një kontekst urban, ku: metafora: "të mbetura, si dele të
tepërta mes shiut" rikthen ndjenjën e mbylljes, izolimit, ndjenjën e
humbjes së lirive qytetare. "Delet e tepërta mes shiut" paraqesin
imazhin e një tufe të vogël të ndarë nga kopeja, por në kontekstin poetik
shpreh qënien e individit i ndarë nga grupi i shokëve, miqve, i braktisur në
një ambient të hapur, nën një shi të vazhdueshëm, duke përforcuar ndjenjën e
lënies vetëm, izolimit e braktisjes, mungesën e lidhjes me komunitetin urban.
Metafora:
"pa besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda"shfaq mungesën e lirive
qytetare në një ambient urban, ku sugjeron
ndjenjën e humbjes së identitetit dhe mungesën e ndjenjës së sigurisë
dhe besueshmërisë brenda këtij konteksti, ndërkohë që metafora:"Ku po
qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë"
shpreh ndjenjën e humbjes së orientimit dhe kohës, paraqet ndjenjën
e humbjes së qëllimit në një qytet të
madh, ku njerëzit ndihen të humbur dhe të paorientuar jo aq në rrugët se sa në funksionimin dhe vizionin
e tij.
U
ndala i befasuar te fraza “o kokë e mirë”dhe mu duk se poetja në një moment po
i drejtohej vetes së saj me një farë dhimshurie. Në fakt shprehja “o (moj)
kokë” përdoret zakonisht kur dikush i drejtohet vetes për ndonjë veprim të
kryer (çbëre moj kokë, çbëre?) apo të menduar (çmë thua moj kokë?), madje poeti
popullor ve në gojën e një komiti të burgosur vargjet: “Moj kokë e qenit, moj
qëne/ Që s’dite për veten tënde/ Nga bodrumi nuk u trëmbe” por të them të
vërtetën qesha dhimshurisht me cilësorin ”(kokë) e mirë” të poetes, pse ndjeva
se ndodhej në një tension shpirtëror jo të pakët, por gjithsesi nuk e kishte
humbur besimin dhe shpresën te vetja (koka), madje u kujtova se emri i Homerit
shqiptarizohet me fjalët “I miri” dmth ai që këndon mirë, që flet mirë. Ky
cilësor i përshtatet poetes Natasha Lako më së miri.
Lind
pyetja, pse poetja ju rikthye përsëri shfaqies së dëshpërimit të mënjanimit,
izolimit, shmangies etj. të fillimit të poezisë pasi ka shprehur shpresën të
strofa e dytë? Për të kuptuar
përshtypjen që përcjell poezia, është e rëndësishme të analizojmë kontekstin
dhe përmbajtjen e vargjeve në kontekst. Nëse poetja ka përdorur vargje që
ngjallin shpresë, pastaj ka paraqitur vargje që shkaktojnë trishtim, dhe më pas
vazhdon me vargje optimiste, kjo strukturë (ndoshta) synon të shprehë një gamë
të gjerë ndjenjash dhe përvojash njerëzore.
Në
poezinë e saj, poetja mund të ketë përdorur vargjet për të shfaqur kontrastin
midis ndjesive të ndryshme që njerëzit mund të përjetojnë në jetë. Përdorimi i
këtij kontrasti mund të jetë një mënyrë për të shfaqur kompleksitetin e jetës
së njeriut, duke treguar qëndrime të ndryshme që ndikojnë në emocione dhe në
perceptimin e realitetit. Për më tepër, vargjet
optimiste që vijojnë, siç janë "dritat e makinave", mund të
jenë një mënyrë për të shprehur shpresën dhe ndriçimin që vjen pas periudhës së
errët. Kjo mund të jetë një mënyrë për të paraqitur një vizion më pozitiv të
jetës, pavarësisht sfidave dhe vështirësive që mund të përjetohen. Por si poezi
moderne që është, pranon interpretime të ndryshme nga lexues të ndryshëm, pasi kuptimshmëria e vargjeve nuk është si blloqe
gurësh monolite.
V-Përveçse
e bukur artistikisht, poezia shpreh një perspektivë positive dhe optimiste,
pasi shpalos një botë vlerash shpirtërore, e shprehur ndryshe mund të themi se
poezia të ngacmon telat e shpirtit, të ve muzikë në shpirt dhe vetmevete nis
e lexon vargjet me zë, madje me një
tingull që i qaset këngëzimit. Vargu i fundit "Dritat e makinave fillojnë
të ndizen, një nga një/për të ndjellë vetëtimat” na shfaq metafora e imazhe, plot dritë
makinash e vetëtimash dhe reflekse dritash që mund të interpretohen në mënyra
të ndryshme, ku:
Metafora:
"Dritat e makinave fillojnë të ndizen, një nga një" shpreh fillimin e
një procesi të ndriçimit për të thyer natën, duke sugjeruar fillimin e një
ngjarjeje apo procesi të rëndësishëm. Mënyra si shprehej poezia len përshtypjen
e një ngjarjeje që po ndodh gradualisht duke u rritur në pjesmarje dhe që sjell
“ndriçimin” në një kontekst të ndryshëm, pra paraqet një proces gradual të
agimit të ditës së re, të ndriçimit. Ky mund të interpretohet si një proces i
rilindjes së shpirtit, besimit dhe
shpresës për fitimin e lirive qytetare. Ato, dritat e makinave janë si simbole
të një realitetitë ndryshueshëm, ku njerëzit ecin përpara në jetën e tyre, duke
përjetuar kohën dhe përballuar sfidat që vijnë me të.
Ndërkohë
metafora:"për të ndjellë vetëtimat" shpreh qëllimin e ndezjes së
dritave të makinave, pra dritat e makinave mund të kenë shërbyer si sinjal për
tu shpërthyer vetëtimat ku "vetëtimat" mund të përfaqësojnë dritën e
befasishme që vjen para “zhurmës”, si vetëtimat para gjëmimeve, mund të
përfaqësojnë rrezet e diellit, por dhe një rrebesh që po vjen mbi
negativitetin. Kjo metaforë sugjeron
fillimin e një udhëtimi të ri, një ngjarje të rëndësishme, apo një çast
të realizimit të ëndrrës, në kontekstin e poezisë: triumfin e lirive mbi
aspektet robësuese, imponimin, izolimin apo mënjanimin.
VI-Forca
morale e heroit poetik, e cila përfaqësohet në poezinë "Dhe qytetërime të
tjera" nga koka, është një element themelor që përbën qendrën e tregimit
poetik. Pavarësisht nga kufizimet,përjashtimi, izolimi apo mënjanimi, “koka”
tregon një qëndrueshmëri dhe një besim në veten dhe në aftësitë e saj për të
rrezistuar presionit dhe përballuar sfidat. Në mes të kufizimeve, ajo shfaq
aftësinë për të gjetur lirinë dhe shpresën brenda vetes, madje ajo reflekton
një formë të brendshme të lirisë dhe shpresës që nuk mund të ndalohet apo kufizohet nga kushtet e jashtme
institucionale, sepse shpirti ka ligjësinë e tij. Kjo forcë morale e heroit
poetik gjithashtu përfaqëson një shpresë për ndryshim dhe përparim në mes të
privimeve e kufizimeve të jetës urbane.
Për
më tepër, forca morale e heroit poetik,
reflekton një lloj rezistence njerëzore ndaj kushteve të vështira, pse
edhe nën presionin e kufizimeve dhe sfidave, ai vazhdon të përpiqet dhe shfaqë një qëndrueshmëri shpirtërore për të
përballuar situatat dhe për të gjetur shpresë edhe në kohërat më të vështira.
Një aspekt i rëndësishëm i forcës morale të heroit poetik është aftësia për të
gjetur kuptim dhe shpresë në mes të mundësive të kufizimeve. Për shembull, edhe
pse ajo. “koka” përjeton mungesën e lirisë së plotë, ende gjen bukurinë dhe shpresën në imazhet e
saj, siç është violina, një instrument, te i cili "po flet imitimi i
zemrës". Kjo shfaq një aftësi për të gjetur kuptim dhe bukurinë e shpresës
në mes të vështirësive dhe privime urbane të jetës. Qytetërimet e tjera të
njeriut janë brenda botës shpirtërore të tij, prej të cilave duhet të nisë
eksplorimet .
Sarandë, më mars 2024
Natasha Lako
Dhe
qytetërime të tjera
Si
një shkollë e mbyllur, koka ime qëndron buzë rruge,
e
qullur dhe e zbrazët, pa besnikëri, pa tradhti
dhe
pa liri brenda…
Kanë
dashur ta mbyllin kokën,
i
kanë vënë gardhin e teshave, i kanë blerë dhe gjuhën
si
zilen e vjetër,
Violina
atje brenda saj po flet, po flet imitimi i zemrës,
i
mëlçisë së zezë,
e
urtë ka mbetur koka, si forma e një klaviri.
Ku
po qëndrojmë mes rruge, në ç’kohë po vijmë,
o
kokë e mirë,
pa
besnikëri, pa tradhti dhe pa liri brenda,
të
mbetura, si dele të tepërta mes shiut.
Dritat
e makinave fillojnë të ndizen, një nga një,
për
të ndjellë vetëtimat.
“Lëkura e ujit” Toena
2004, f.192