Kulturë
Blerim Rrecaj: Në fillet e një festivali
E premte, 15.03.2024, 08:17 PM
Në
fillet e një festivali
Nga
Blerim Rrecaj
Flitej
se bëheshin përgatitjet për mbajtjen e një festivali të madh me karakter
ndërkombëtar në Parkun e Gërmisë, në
mushkëritë e kryeqytetit, me protagoniste kryesore këngëtaren e njohur
shqiptare, që tashmë kishte famë të madhe. Dhe ashtu siç thuhej edhe ndodhi,
erdhi një ditë gushti dhe vërshuan lajmet e informacionet se në mbrëmjen e
kësaj datëdite vere po niste për herë të parë ky festival kënge. I bëri zë një
të njohuri, si prej shpati në shpat dhe jehonat e zërave u morën vesh. E në një
orë pasditeje të vonë ia mësyen Gërmisë së bukur e mikpritëse. Në hyrje të
parkut, por edhe përgjatë tij, shumë njerëz, vetura, e patrulla policie.
Pasditen e ngrohtë, filluan ta gudulisnin rryma të freskëta ajri. Vendosën të
ngjiteshin, pjerrinës së anës së majtë, kah kjo faqe mali, e do të dilinin në
udhën malore, një pjesë e së cilës niste me pisha për të vazhduar pastaj pjesa
tjerë me drunj tjerë, e lule tjera vere që ndjenin veten për mrekulli. Një
ketër i qetë që dukej se rrinte kujtueshëm e mendueshëm kërceu nga një degë për
t'u katrrithur për degën tjetër, mbasi dëgjoi zhurmërimën e hapave, vërejti se
filloi të vështrohej dhe shpejt humbi sysh, diku andej kah majat më të larta.
Rrugës një lule e bukur që u doli në udhë, shumëpetalëshe picigjate e jargovantë,
që dukej se kënaqej në vendin e vet ku ishte, me tri bijat e saj ende
petalepahapura. Menduan për koncertin dhe për udhën e kthimit për në shtëpi.
Vazhduan rrugën malore që përdridhej si gjarpër, duke u ndalur vende-vende, për
t'u kthyer kah erdhën, e për t'ia mësyer lugut të gjelbër të Gërmisë, rrethuar
me dy faqe mali, që i bënin mburojë, e herë dukeshin si krah shqiponje me të
cilët bëhej gati të fluturojë. Ecën. Në një pjesë, në fushë, panë dhe ca
shatorre të vëna. (E këto, tash, edhe pse ishin vënë për ta kaluar natën pa
farë frike, sikur i kthyen paksa në kohë, në kohën e vështirë të përpjekjeve,
durimit, përpjekjeve, qëndresës, rezistencës, luftës, mbijetesës). Ecën vetëm
për ta ndjerë atmosferën e krijuar nga ky lumë njerëzish, pa bileta, e pa
rrathë plastikë në duar që mbanin të tjerët, sikurse të ishin bylyzykë stolie,
e as që i ndali kush. Dhe u bënë pjesmarrës të këtij festivali. Mbërrijnë deri
para binës së ngritur. Po jehonin zëra këngëtarësh e grupesh të njohura
muzikore shqiptare, për të kënduar këngë si "Beso në diell",
"Prishtina, Prishtina", e të tjera. Më pas këngëtarë e grupe nga
vende e shtete të ndryshme, në mesin e tyre edhe një këngëtar shqiptar që
jetonte diku në Amerikë, e që tregoi për origjinën e tij, që ishte nga trevat
shqiptare në Mal të zi, i cili u prit shumë ngrohtë nga të rinjtë, një pjesë e
madhe e publikut, i njihnin, e i këndonin bashkë me të këngët e tij. Në fund
doli, këngëtarja, bija e këngëtarit, kjo që ishte bërë mbase shkaku kryesor i
mbajtjes së festivalit. Pas këngëve që këndoi, e shoqëruar në skenë nga një
grup valltaresh, pas atmosferës së krijuar nga gjithë ai numër i madh prej
mijëra njerëzish, përfundoi nata e parë e për të vijuar dhe dy net tjera. Në
përfundim prisnin udhët e kthimit e autobusët prisnin, e stërmbusheshin për t'u
drejtuar kah kryeqyteti, më pas kushedi se për kah, e secili udhës së vet. Kjo
"zbrazje" Gërmie zgjati deri kur filloi të dukej dritë e mëngjesit, e
ndonjëri a ndonjëra nga pjesëmarrësit që ishin nga jashtë Kosovës, kërkonte drejtim
e orientim të cilin e gjente shpejt. Shumë nga pjesëmarrësit, largoheshin edhe
duke ecur në këmbë, të shtyrë nga një fllad mëngjesi. Kjo seç ngjallte ndjenja
zilie, mes udhëtarëve. Ata që ishin nëpër autobus sikur donin të ishin jashtë,
e ata që ishin jashtë donin të ishin nëpër autobusë. Sidoqoftë, seç e hodhi
vështrimin kah kjo ngjarje që kishte të bënte me fillin e Sunny Hillit, për të
cilin flitej, për nisjen dhe vazhdimin e tij, për ta bërë tradicional, për
ndarjen a mosndarjen e një parcele toke në shërbim të tij, e të turizmit
kulturor, mosmbajtjen e tij për shkak të pandemisë, mbajtjen e një edicioni të
tij në Tiranë, e rikthimin e tij në fshatin Bërrnicë e poshtme në afërsi
Prishtinës.