| E shtune, 16.03.2024, 07:51 PM |
ARA
TREGIM NGA TAHIR BEZHANI
Ajo
pranverë nuk harrohet kurrë. Nuk pushuan të reshurat e shiut përafër tri javë. Pemët kishin luluar. Nga shiu me të ftohtit e
pranverës, ato binin për toke. Arat ishin mbushur me bar, ngjanin në livadhe.
Ishte koha për fillimmbjellje,po afrohej maji. Bujqit ishin të gatshëm të
përvilnin mëngët për punët në ara. Ishin të nervozuar në motin e keq, të
stërzgjatur për stinën. Shpesh e pyesin njëri tjetrin se “a din kush, edhe sa
do zgjatë kjo kohë e ligë?!” Përgjigjet mungonin.
Befas,
në fillim të majit, qielli po shpaloste bukurinë e vet ngadalë. Kaltërsia
mbuloi gjithësinë. Retë e zeza iknin si hajdute , kishin marë rrugën atyre shpateve të larta si
në pakthim, ndërsa natyra filloi buzëqeshjen me bukurinë e paparë dhe
buzëqeshjen e lulëzuar. Fushave bleroshe dëgjohej këndshëm blegërima e qengjave
dhe loja e pambarim e fëmijëve të fshatit Qëndresë, i cili gjendej i “ngulitur”
në një kodër mali, si lapidar. Përmes
fushës pjellore rrugëtonte dredhueshëm lumi Erenik, i cili buronte nga lartësitë e Alpeve tona.Tani të
nxehtit e pranverës kishte krijuar kushtet e nevojshme për bujqit e fshatit
Qëndresë e jo vetëm. Gjysma e fshatit kishte mbaruar të mbjellurat e pranverës,
kishin hedhur farën e bukës nën lavrat e tokës.Mbrapa me punë kishin mbetur
disa familje të rralla të cilët nuk kishin krahë dhe vegla pune.
Hasan
Malaj, dukej shumë i mërzitur. Sillej rrugëve të fshatit pa asnjë ide
përcaktuese. Dukej hapur se e kishte kapluar mërzia, një nervozë e papërshkruar. Dilte edhe në fushë,
te arat, shikonte njerëzit duke punuar dhe ikte, si me vrap te shtëpia. Mbyllej
kohë të gjatë. Meditonte. Fëmijët i kishte të vegjël. Visari e Zemëraku vijonin
mësimet në klasën e pestë e të gjashtë. Bashkëshortja mërrej me punët e
shtëpisë si amvisë. I dilnin mjaft ato punë. Nuk pushonte tërë ditën Hava e
shkretë. Pesha e lodhjes i shtohej kur vërente shokun e jetës, Hasanin, se po
mërzitej nga se kishte ngecë me punët e
pranverës në të mbjella. Shpesh e gajretonte me fjalë;” çdo gjë ka derdalje,
mos u mërzit Hasan! Punët e mira vinë ngadalë!..”-i thoshte plot admirim.
Hasan
Malës i kishte kaluar në shprehi ditore të dilte para dyerve të oborrit, në
rrugën kryesore të lagjes. Ulej mbi një gur. Shpesh aty e pinte edhe kafen e mëngjesit, thithte
nikotinën e duhanit si një ëmbëlsirë. Mbante me vete gjithënjë një brisk me teh
të gjanë, brisk çobanësh u thoshin, dhe tërë paraditen gdhendte e lulonte thupra, pa asnjë qëllim të caktuar,
krejt instinktivisht. Humbte kohë, fikte zjarrin e mërzisë gdhendave të thuprave, si një fëmijë
në shkarravinat e fletores së vizatimit shkollor. Kudo që shiheshin gdhendla
nga brisku, Hasani thoshin në fshat i ka bërë...
Sa
kohë që kalonte Hasan Malaj ulur në gurine rrugës, duke gdhendur me briskun e
xhepit, thupra lajthie me shkronja të ndryshme, atypari kalonin bashkëfshatarë,
të cilët shpesh dinin ta thumbonin me fjalë therëse, sa që i djersitej lëkura e
ballit. Si rasti i Zenelit. Zenel
Thumbaqi e quanin në fshat. Ky, Zenel Thumbaqi, kurdo që kalonte rrugës, kur e
shikonte Hasanin duke gdhendur thupra me brisk, i thoshte: “ Hasan, a u lodhe?
A ke mbjellë arën hala o Hasan ? Kish
qitë bar shumë, mashalla!....”dhe ecte rrugës ,disi i gëzuar qe i kishte
shkaktuar “plagë” Hasanit, i cili rrinte ulur në atë gur, para shtëpisë së tij,
pa ia bërë një të keqe askujt. Hasani ishte kurthuar në skamje dhe me mërzinë e
tij, sepse nuk kishte me çfarë t’ia niste punëve në bujqësi. Nuk kishte as
kuaj, as qe’ e as traktor. Askush nuk ia jepte pa i mbaruar punët e veta. Pa e
ngacmuar, ishte i ngacmuar Hasani i gjorë.Atë e digjte nga brenda një plagë
tjetër, jo e vogël, e cila e gërryente në heshtje si një sëmundje e pashëruar.
Nuk kishte kaluar shumë kohë që ishte ndarë me vëllain, Bakën. Në vjeshtën e kaluar, kishin ndarë gjithë
pasurinë që e kishin të përbashkët. Hasani ishte i prekur deri në shpirte se
ndarja nuk ishte bërë e drejtë dhe se ajo ndarje ishte e ngutshme, e hershme
dhe e panevojshme. Hasani kishte dy djem të mitur ndërsa vëllai, Beka, kishte
tre djem të rritur, të zotët për punë. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja që kishte
kërkuar ndarjen, të rehatohej më mirë e më shpejtë Beka, me familjen e vet.
Kush e di....
Hasanit
nga ndarja me vëllain, i kishte takuar
të merrte dy lopë e një viç
,ndërsa Bekës, i kishin takuar tri krerë lopë dhe kiet,( qetë), e
mëdhenj sa shtëpia, thoshin moti. Dashtë e pa dashtë, kjo ndarje kështu
mbaroi. Hasani u pajtua me zor, për të mos u “copëtuar” me vëllain, mos me u horavë, mos me u lanë fëmijëve pasoja.
-Si
erdhën këto kohë, fliste Hasani me veten. Kur të humb dashuria e respekti në
vëlla, kur nuk ndien keqardhje e dhimbje, kur e shikon në vështirësi jete, kur
i gëzohesh mundimeve që përjeton vëllai, nuk di se si zoti mund të na mbajë mbi
këtë dhe- thoshte Hasan Malaj me vete, i gjendur para shume dilemave të jetës.
Iki
disi ajo ditë, duke ngërthyer në vete plagë mbi plagë, me të çarat e kohës.
Dielli kishte prekur mesditën kur Hasan Malaj u fut brenda në shtëpi, me shumë
ngarkesa e dilema jete. Nuk i hahej as buka nga mërzia që e kishte kapluar. As
për së afërmi nuk e shihte zgjidhjen. Koha po kalonte e fusha kishte mbetur
djerrinë. Fëmijët duan bukë, duan kushte
jete e shkollim, thoshte me vete Hasan Malaj.Pasditja ishte akoma më e rënduar
për Hasan Malaj. Do re të zeza e të mbarsura me shi, silleshin majave përreth
atyre bokave. Ishte shtuar shpresa qe shiu i kërkuar për bujqësi, sidomos për
të mbjella, të sillte përshtatshmëri pune. Mendimet iu kishin ngulitur
pikërisht në arën e pa mbjellë, të cilën e kishte kapluar bari dhe dukej si një
livadh i pakositur.
Rrezet
e ngrohta të majit, gjelbërimi dhe lulëzimi i çdo gjëje në natyrë, kishin
krijuar madhështinë e kësaj stine, e cila të ngacmonte deri edhe poret e
lëkurës. Gjitha këto të mira të natyrës, të gjithë i gëzonin e përjetonin, pos
Hasan Malaj, i cili ndihej i ngacmuar nga plagët e kohës, nga plagët e të
vëllait dhe peripeci tjera.Dita ishte zgjatur, të nxehtit kishte prekur thellë
mesin e majit. Kafshët lëshoheshin herët, pa lind dielli në kullosa, ktheheshin
para mesditës në ahrie.
Kishte
kaluam mesi i majit kur Bekë Malaj, vëllai i Hasanit, kthente gjanë nga kullosa
e paradites,(mangësi). Kur e pa Hasanin duke gdhendur një thupër me briskun e
xhepit, ulur në gurin afër shtëpisë së tij, nga larg, iu dëgjua një dënesje, një vaji burri pa lot, me
ofshama, thua se po dridhej toka nën këmbë. Para Bekës ecnin të ngopura dy kie
sa shpija, tri lopë që u derdhej qumështi rrugës, ndërsa u grahte me një thupër
thane të hollë. Kur iu afrua vëllait, Hasanit, zë vaji u dëgjua me gulçimë të thellë, sa që
Hasani ngriti kokën dhe iu drejtua: “ Hë, çka të re Bekë, o bac,pse qan,tregomë,të ka ngucë
kush?!”
-Jo
Hasan, jo, por u përmallova kur e shikova arën tënde të pa mbjellë, kishte dalë
shumë bar, e arat tjera kanë fillue me qitë bimën në sipërfaqe. U përmallova
Hasan bac dhe u bë se po i fshinte lotët dhe ndalte dënesen Beka.
Hasan
Malaj me shumë vëmendje i dëgjoi fjalët e vëllait. Sikur mos ta kishte provuar
me rastin e ndarjes së pasurisë, ndoshta
i kishte besuar deri në skajshmëri. Por, njeriu nuk mashtrohet dyherësh
nga i njëjti person.U ngrit në këmbë, plot huti e dridhje, duke shikuar drejtë
në sy e dëgjuar mirë me veshët e tij,
vëllain, Beken, se si “dinte” të aktronte atë mesditë maji, se si dinte
të shprehte gjithë atë dashuri false, hapur e pa fije turpi.Me ngadalë, derisa
Beka e shikonte, Hasani iu drejtua me fjalët:
“
Baca Bekë , mos qaj për tokën time! Nëse ke dhimbje për mua, për mbjellën e
arës sime, jepmi nesër kiet ta plugoj arën, dhe për tre ditë, ia qes kokrrën
nën dhe’.
I
gjendur ngushtë dhe i penduar se u ndal ,kinse për shprehje dhimbje para
vëllait, Beka uli kokën dhe në
ecje, po i thotë Hasanit,:
”
Jo, kiet nuk t’i jap, sepse janë lodhë, por po më dhimbet ara që mbet e
pambjellë!....”
Hasani
e shikoi gjatë, pa folur asnjë fjalë, derisa hyri në oborrin e shtëpisë së vet, vëllai, Bekë Hasani. Vetëm një
pëshpërimë e zjarrtë i shkrepi buzëve Hasanit, si një çfryrje e beftë dhe me plot mllef, klithi:
“O
Zot, kah po shkojmë në këto kohë të mjegullta?! Nuk ka jetë pa vëlla, nuk ka të
ardhme pa njëri tjetrin ”,shkrehu mellanin e tij plot zjarr Hasan Malaj i
fshatit Qëndresë. Në këto kohë të pa
kohë, duhet kërkuar mëshirën e zotit, që ne, raca njerëzore, mos t’u ngjajmë
kafshëve.
Koha shpesh di të sjellë befasi në mesin e
njerëzve. Ara e Hasan Malaj nuk mbeti e pambjellë atë vit, pavarësisht vonesës,
por atij çdo bimë që dilte ngadalë prej toke i dukej e hidhur...
Gjakovë, Shkurt,2024