Kulturë
Ibrahim Rugova: Romani për Murtajën
E merkure, 13.03.2024, 07:54 PM
ROMANI PËR MURTAJËN...
“Shënimet
e Gjon Nikollë Kazazit”, roman, botoi “Rilindja” Prishtinë, 1982
Shkruan:
Dr. Ibrahim Rugova
1. Gjendaja
epidemiologjike
Romani
i Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” është roman i situatës,
roman i një gjendjeje. Themi kështu meqë motivi kryesor i romanit është
një gjendje epidemiologjike e shkaktuar
nga futja e murtajës. Kjo situatë bëhet më e veçantë nga e dhëna se epidemia
është shkaktuar nga pushtuesi osmanë me pretendimin që të thyejë, pra të
nënshtrojë, një ambient të caktuar, që
në rastin tonë ka të bëjë me një qytet (Gjakovën). Fjala, pra është për një
rast nga e kaluara (shekulli XVIII), kur popullatës së asaj ane i futet murtaja
shkatërruese. Dhe, e gjithë atmosfera e kushtëzuar nga futja e sëmundjes zhvillohet
në bazë të sistemit të qëndresës: pra që infektimit me murtajë t’i bëhet
qëndresë e organizuar. Mbase kjo “mbulesë” e motivit nuk do të ishte gjithaq e
rëndësishme po qe se nuk do të bëhej fjalë për idenë e pasojave të mëdha, që
rrjedh nga kjo gjendje, që e pasqyruar me fjalorin e sociomaterializmit bëhet
fjalë për një sëmundje kolektive, ku fati individual në tërësi varet nga fati
kolektiv. Në këtë gjendje sëmundja kolektive e përmasave shkatërruese, ose
shfarosëse, inicion një proces aktiv mbrojtës, i cili duhej të ishte i tillë,
ngaqë turqit osmanlinj, në kuadër të metodave të tyre shkatërruese, përdornin
edhe përhapjen e sëmundjeve, duke e sjellë mikrobin e saj fshehtas, në mënyrë
që ia të bëjë punën e tyre. Dhe këtë marifet ata e bëjnë me sjellje dyfytyrëse:
në njërën anë, në emër të “etikës” për ta luftuar sëmundjen vdekjeprurëse, haptas shpallën si mbrojtës të popullatës së
rrezikuar, ndërkohë që fshehtas e përhapin atë. Po ashtu, në emër të etikës së
përkujdesjes, përveç qeveritarëve, popullatës u ndalohet çfarëdo veprimi
mbrojtës. Në këto rrethana, pra “të përkujdesjes”, qytetit i vihet
shtetrrethimi, duke e shkëputur atë nga pjesa tjetër e botës, në mënyrë që
sëmundja të mbahet e mbikëqyrur bashkë me shkatërrimin, që pastaj të bartet, po
ashtu e mbikëqyrur, edhe në pjesët tjera. Por, edhe përkundër kësaj, kur qyteti
duhej të mbetej në “duart e sëmundjes” dhe të fatit, qytetarët fillojnë t’i
kundërvihen kësaj gjendjeje. Me këtë rast shfrytëzohet mençuria e vet dhe
vetëdija kolektive. Kështu, në kushtet
tepër të rëndë të sprovës të rrosh apo mos të rrosh, me shumë gjeturi,
del në pah një atmosferë e veçantë
ekzistenciale çfarë është ajo e rrethanave të murtajës. Një atmosferë të
tillë, në letërsinë botërore, ndeshim te “Murtaja” e Alber Kamysë, ku shfaqet
një gjendje thuajse e njëjtë, por me qëllime fare të ndryshme. Te romani i
Kamysë, epidemia e murtajës shfaqet pa ndonjë shkaktar të jashtëm, pra si
sëmundje që prek njerëzit, ndërsa në rastin tonë, pra te romani i Buxhovit,
shfaqet në mënyrë tepër perfide me qëllim të shkatërrimit fizik dhe të
shthurjes psikike të një popullate, gjë që epideminë e kthen në një absurd midis atij biologjik dhe historik.
2. Intelektuali dhe roli
i tij
Në
këtë gjendje të mbrojtjes kolektive rol të veçantë luan intelektuali, i cili në
situatën e dhënë përfaqësohet nga një figurë reale historike – Gjon Nikollë
Kazazi. Autori nuk ngurroi që ta inkarnojë
figurën e intelektualit real që ta theksojë rolin dhe vendin e
intelektualëve në shoqëri, pra në rrethin ku ai jeton dhe vepron. Atij, madje,
në roman i takon roli kryesor, ai i rrëfyesit dhe i kronistit, ku nëpër mes tij
njihemi me gjithë situatën. Por, me zhvillimin romanesk të ngjarjes ne harrojmë
në tërësi intelektualin real dhe kalojmë
në sferën teorisë së përgjithshme rreth rolit të intelektualit si personazh
artistik. Pra, intelektuali i këtij romani në të vërtetë paraqet tipin e
intelektualit që është i lidhur ngushtë me fatin e vendit dhe të mjedisit, dhe
në këtë gjendje të rëndë, personaliteti i tij ngrihet në gjithë kompleksitetin.
Në
planin praktik të organizimit të mbrojtjes kundër epidemisë, pra kundër
murtajës, Kazazi, duke shfrytëzuar ogurin e së keqes së madhe, por mbi të gjitha, përkatësinë e njëjtë
etnike, ia del që në atë organizim të përfshijë njerëzit e të gjitha besimeve
dhe të profesioneve. Kështu, roli i tij prej intelektuali, del në pah çastin që
ai përqendrohet për të gjetur metodën e kundërvënies sëmundjes vdekjeprurëse,
duke iu kthyer historisë së shkruar, në
mënyrë që prej andej të gjejë përvojën e sjelljes në situatat e ngjashme, me
anën e të cilave ishte siguruar mbijetesa, gjë që e gjitha nxjerrë në pah
dimensionin historik të ekzistencës. Dhe në saje të përvojës së shkruar, pra të
shkrimeve, duke lexuar tekstet latine rreth gjendjeve të njëjta, ai i
kthehet antikës, sheh se ajo nëpër të
cilën po kalohej, ishte një formë e përsëritur për rrënime të caktuara fizike
dhe metafizike shoqërore. Në këtë rropatje me tekstet e vjetra, Kazazi, sheh
shumë ngjashmëri midis ideve asimiluese dhe shkatërruese (romakëve dhe
osmanëve), që u kanë shërbyer për t’i
arritur qëllimet e tyre historike. Aty, jo rrallë, shfaqen sëmundjet si metoda tinëzare, të
cilat, në shumë raste, bëjnë më shumë se
sa armët. Natyrisht, se duke u ballafaquar me luftërat të tilla të
fshehta, popujt e rrezikuar, kanë
zhvilluar metodat mbrojtëse, që u kanë mundësuar mbijetim. Natyrisht se Kazazi,
do t’u kthehet metodave autoktone, të cilat rrjedhin nga tradita dhe përvoja shekullore. Në këtë punë, Kazazi,
pasqyron fuqitë dhe karakterin e intelektualit të njëmendtë, duke vepruar në
atë mënyrë që tinzaritetit të pushtuesit, i cili ka në dorë gurin dhe arrën,
t’i kundërvihet me punë dhe veprime të hapura publike, të cilat janë në
përputhje me të drejtën e mbrojtjes nga sëmundja shkatërruese, të drejtë këtë
që as pushtuesi nuk mund ta mohojë publikisht. Natyrisht se Kazazi, punën, pra
mbrojtje, do ta marrë në dorë, pasi që do t’ia dalë të zbulojë rrënjët e së
keqes që vinte nga jashtë në forma të ndryshme, e ku frika dhe përçarjet shfaqeshin
si gjendje psikologjike të veçanta, të cilat i duheshin secilës fushatë. Për
t’i eliminuar këtë faktorë, Kazazi, duke i kthyer vlerave të përbashkëta
shpirtërore dhe frymës së tyre, do t’ia dalë që t’i bashkojë që të gjithë
njerëzit, pa marrë parasysh dallimet e brendshme. Kështu, në planin
intelektual përkrah ka poetin Pader Coli
dhe këngëtarin popullor Selami Taraku. Te i pari tragjika shfaqet në elementin
shpirtëror si fuqi e përbashkët identifikuese, ndërsa te Selamiu ajo paraqitet
në një formë ndryshe, e cila nuk largohet nga elementi i përbashkët
ekzistencial. Sepse, që të dy i lidh e njëjta vegez e gjendjes ekzistenciale që
ka të bëjë me revoltën krijuese, e cila
nuk është hiç më e vogël nga gjendja e rezistencës së përgjithshme. Pra, përderisa
Kazazi, personazhi kryesor i romanit, paraqet tipin e intelektualit që mendon
(racionalistit) – krijuesit dhe
studiuesit në funksion të ideologjisë
dhe të idesë së qëndrueshmërisë së përbashkët, të dy poetët, në planin tjetër,
paraqesin tipin e intelektualëve kreativë, të cilët me amplituda kreative
zbulojnë të vërtetë rreth një veprimi tjetër nga ai intelektualit studiues. Në
këtë mënyrë, del në pah natyra e intelektualit i cili ndjenë, mendon dhe vepron
në përputhje me gjendjen, por edhe me rrethanat që imponon momenti i caktuar.
Kështu, rreth personazhit kryesor (Kazazit), zhvillohet organizimi i
rezistencës, por që merr jetë në saje të një rrethi të gjerë i bashkëvepruesve,
që kthehen në bashkëmendimtarë të tij. Ndërkohë që poetët vetëm sa plotësojnë dhe forcojnë figurën e
tij, duke ia krijuar asaj oreolin e punës së përbashkët, si një veprimtari ku
bashkëveprojnë dhe bashkëdyzohen shpirtërorja me realen. Kjo vlen veçmas për
Padës Colin.
3. Empiria popullore
Gjatë
hulumtimeve për të gjetur mundësi që kanë të bëjë me qëndresën, ku mbrojtja
kundër epidemisë së murtajës kthehet në një preokupim ekzistencial, personazhi
kryesor i romanit, Kazazi, hedh shikimin në fushën e mençurisë popullore, që
mbështetet në empirinë e tij, pikërisht te çështjet që kanë të bëjë me përvojën
e ekzistencës aktuale dhe asaj
historike. Në bazë të kallëzimeve popullore dhe të njohurive të ndryshme, por
edhe duke u bazuar në burimet e shkruara, Kazazi vjen deri te përfundimi se në
ato troje edhe më parë kishte murtajë ose mort, gjë që kjo do t’ia bëjë me dije
se vazhdimi i ekzistencës lidhet me ndonjë fshehtësi e cila ruan çelësin e
përballimit të asaj të keqe, siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën. Duke
hulumtuar, Kazazi, mëson se edhe në të
kaluarën, në pjesët e Malësisë murtaja ishte përballuar më lehtë në saje të
njëfarë gërrithje, e cila ishte përdorur nga malësorët, dhe se kjo mbrojtje,
kishte qenë fare e thjeshtë: kur nga i
sëmuri (hundët) ishin nxjerrë dregëza, të cilat pastaj ishin fërkuar në lëkurën
e gërrithur të njeriut të shëndoshë, pasi që prej saj të ishte liruar pak gjak,
gjë që e gjitha kishte paraqitur një përzierje të mikrobit në organizëm, ku ai
ishte kthyer në mbrojtës të saj. Gërrithjen si mënyrë mbrojtëse, që në Malësi
ishte ruajtur me fshehtësi, Kazazi, po ashtu, fshehtas e merr dhe e bart në
qytet me anën e “plakave gërrithëse”, të cilat veprojnë fshehtas për kundër
murtajës. Po qe se kjo “fshehtësi” shpjegohet me anën e mjekësisë së stome,
atëherë kjo paraqet një lloj vaksinimi, që populli e ka përdorur për t’u
mbrojtur nga sëmundjet shkatërruese.
E
kemi përshkruar këtë mënyrë të rezistencës ndaj epidemisë për ta theksuar jo
vetëm forcën e një “mrekullie” popullore, por për me tepër të të nxjerrë në pah
çështjen e forcës intelektuale si dhe rolit të saj në jetën e një populli, si
një faktor i brendshëm, i cili është vendimtar për t’u fituar jo vetëm imuniteti
fizik, por edhe ai shpirtëror, mbi të cilin konsiston secila rezistencë
dhe secili qëllim.
4. Dokumenti dhe fakti
Konturat
e romanit, që i theksuam këtu, në të vërtetë janë fryt i narracionit romansier,
e cila formohet dhe ruhet me anën e rrëfimit të personazhit kryesor, Kazazit.
Këtu Jusuf Buxhovi tregoi aftësitë e tij, ngaqë me maturi dhe përpikëri shfrytëzoi
dokumentin. Dhe ç’është edhe më e rëndësishme, ai ia doli që nga dokumenti të
nxjerr dhe të realizojë faktin, që ia mundësoi të formësojë botën e dokumentit
si botë artistike të romanit. Këtu bëhet fjalë për “shndërrimin” e dokumentit
në dobi të fitimit të faktit, prej nga pastaj kyçja e dokumentit ndërlidhet me
aktin e ngritjes artistike. Duke u parë
si analogji me prosede real që krijon përshtypjen e “iluzionit të realitetit”,
autori krijon “iluzionin e dokumentit” (dokumenti që krijon kronika e Kazazit)
sipas prosedeut të romanit bashkëkohor.
Faktor
i rëndësishëm i vlerës së rrëfimit artistik të Jusuf Buxhovit gjithsesi është
edhe ndërlidhja dokumentare në raport me
përmbajtjen: vetë romani është një dokument artistik, që bazohet dhe zhvillohet
mbi bazat e dokumetaritetit, pikërisht të atij dokumentariteti që kërkon
njohjen e dokumentit. Kjo shihet më së miri nga personazhi kryesor: Kazazi
është personazh i dokumentit, i cili
mbështet mbi realitetin që buron nga hulumtimi i ekzistencës së vazhdueshme që
manifestohet me anën e dokumenteve të
shkruara, të cilat njëherësh vinë si pjesë të kujtesës së kozervuar në
dëshmi, por që duhet zbuluar në mënyrë që prej tyre të nxirret përvoja e
caktuar.
Një
faktor tjetër i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me atë se Jusuf Buxhovi nuk
e komplikon shumë narracionin në dëm të romanit, por se duke shfrytëzuar
përshkrimin dhe efektet e dokumentit në planin e linjës lineare, krijon një
shkrim analitik, i cili i ndihmon leximit të lirshëm të romanit, duke e bërë atë
të afrueshëm dhe të kuptueshëm.
E
gjithë kjo shkon në dobi të autorit dhe bën të ditur se ai përnjëmend gjendet
në kontakt me të arriturat e romanit tonë bashkëkohor dhe romanit në
përgjithësi, gjë që me këtë roman ai dëshmoi se është mjeshtër i trajtimit dhe
të përpunimit të dokumentit, në mënyrë që në këtë drejtim edhe më tutje duhet
të mbetet.
Duke
përmbyllur këtë vështrim të shkurtër për këtë roman, duhet thënë se Jusuf
Buxhovi ia ka dalë që faktin e dokumentit ta kthejë në një universalizëm artistik, që tregon se është një romansier tejet me
përvojë dhe njëherësh një prozator që shquhet si rrëfimtar tejet i mirë. Nëse
në romanet e tij të mëparshme (Matankrena dhe Loja) merret me simbolikën e
tekstit, në këtë roman, e vazhdon atë, por me
një dozë më të madhe të konkretizimit, çka e dallon nga romanet
paraprake. Duke pasur parasysh disa nga elementet që u theksuan më lartë e që lidhen me përvojën krijuese dhe përvojën
romaneske në gjithë spektrin artistik të refleksioneve të këtij autori, mund të
thuhet pa hamendje se për nga
cilësitë, “Shënimet e Gjon Nikollë
Kazazit” mund të radhitet ndër romanët
tona më të mira bashkëkohore.
(Parathënie për botimin në serbokroatisht të romanit
“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”- ‘Zapisi ?ona Nikolle Kazazija’ nga shtëpia botuese "Jedinsvo"Prishtinë dhe
"Nolit” e Begoradit, 1986, përkthyer nga dr. Engjëll Sedaj).