Kulturë
Besim Xhelili: Nëntori i letrave shqipe dhe atdhedashurisë në Vjenë
E hene, 27.11.2023, 07:53 PM
NËNTORI I LETRAVE SHQIPE DHE ATDHEDASHURISË NË VJENË TË AUSTRISË
Nga
Besim Xhelili, Vjenë, Austri
Me një përzierje të këndshme kulturore dhe
letrare, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër
Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “ArbnoriIlir”, shfaqën para bashkëvendësve
tanë në Vjenë, një program të bukur dhe plot ndjenjë atdhedashurie, shoqëruar
me poezi, pika muzikore dhe përurime librash. E gjithë kjo me rastin e Festave
të Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Alfabetit.
Festat
e Nëntorit sërish i afrojnë dhe bëjnë bashkë shqiptarët gjithandej globit,
njashtu edhe në Austri, ku jetojnë e veprojnë një numër i madh i tyre. Me këtë
rast, LSHKSHA “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Teatrin “Arbnoriilir”, në
një ambient të bukur artistik, mbajtën një orë letrare, ku disa anëtarë lexuan
krijimet e tyre dhe disa krijues të tjerë, të ardhur nga Zvicra, përuruan
veprat e tyre më të fundit. Ardita Lajçi-Gjocaj paraqiti para artdashësve
romanin e saj “Hije që mbesin”, një roman me një përmbajtje të ndjeshme mbi
dhunën seksuale të agresorit në luftën e fundit për çlirim në Kosovë, ndërsa poeti
Besnik Camaj librin e tij me poezi “Fryma e kandilit të dehun”, një vëllim i
çmuar shumë nga lexuesit e kritikët, me copëza poetike, siç do të thoshte vetë
autori, “thërrmija apo trohë të vogla”, të mbetura anësh nga libri paraprak
“Strehë dashnie”.
Për
mbarëvajtjen dhe udhëheqjen e këtij organizimi kulturor u kujdes poetja
shkodrane Gabriela Mujaj, e cila lexoi me shumë patos emocional dhe fuqi
artistike disa poezi të autorëve në sallë.
Anton
Marku, poet dhe kryetar i LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” pasi i falënderoi
mysafirët për pjesëmarrje, uroi Festat e Nëntorit, të cilat na bashkojnë të
gjithë shqiptarët, kudo që ndodhemi, pa marrë parasysh dallimet krahinore,
politike e fetare.
Në
emër të Ambasadës së Kosovës në Austri përshëndeti zyrtari z. Jeton Maliqi,
ndërsa të Fondit Austriak të Integrimit, z. Bahri Troja. Me praninë e tyre e
nderuan këtë aktivitet znj. Manjola Z. Lumani, profesoreshë e gjuhës shqipe në
Universitetin e Durrësit, znj. Alketa G. Fazliu, poete dhe gazetare pranë
RTK-së, si dhe sopranoja e talentuar shkodrane Gesu Zefi, të cilat morën fjalën
dhe përshëndetën të pranishmit dhe uruan festat. Të pranishëm ishin edhe
mësuesit e gjuhës shqipe Miradije Berisha dhe Osman Ademi.
Në
pjesën e parë të programit, me nga disa poezi u paraqitën Violeta Allmuça,
Kimete Krasniqi-Prebreza, Besim Xhelili, Gabriela Mujaj dhe Angjelina Marku, në
pjesën e dytë u përuruan romani “Hije që mbesin” i autores Ardita Lajçi-Gjocaj
dhe vëllimi poetik “Fryma e kandilit të dehun” i autorit Bes Camaj. Një
shkëputje nga romani gjergjësisht disa poezi nga vëllimi poeti i lexoi znj.
Arilda Lleshi. Në pjesën e tretë, autori nga Shkodra me banim në Vjenë Gjergj
J. Kola, bashkë me znj. Enxhi Rroji shfaqën një shkëputje të shkurtër të dramës
së tij të radhës “Krishtlindje për fillestarë”, e cila në prag të
Krishtlindjes, do të vihet në skenë para publikut vendas. Për shoqërimin
muzikor të programit u përkujdes Prof. Lejla Agolli dhe në fund u shtrua një
koktej rasti.
Besim Xhelili,
26 nëntor 2023