Kulturë
Viron Kona: Ta paskan marrë mendjen lejlekët...!
E enjte, 23.11.2023, 07:53 PM
Ta paskan marrë mendjen lejlekët...!
-tregim
për një tregim-
Nga
Viron KONA
Kur
dikush më tha se mund të çoja ndonjë tregim për botim te gazeta “Drita”, më
shkoi mendja tek tufa e tregimeve që kisha shkruar muajt e fundit dhe thashë se
mes tyre kishte ndonjë që ishte i përshtatshëm për atë gazetë. Ishte gazeta më
e rëndësishme letrare në vend dhe asokohe ishte privilegj të botoje atje. Një
copë herë vrava mendjen se cilin tregim të çoja. “Po sikur,-thashë me vete, -
të këshillohesha me ndonjërin nga të njohurit në Vlorë, për shembull me Lamen
(Harallamb Fandin), i cili, vërtet që punonte farmacist në spital, por ai ishte
plotë dije dhe kulturë, i talentuar dhe krijimet e tij binin në sy. Unë lexoja
atëherë me ëndje, veçanërisht artikujt e tij kritikë e studimorë për pikturën.
Ndonëse pak njihesha me Lamen, ”me të thënë e me të bërë”, vendosa ta marrë në
telefon:
-Lame,-i
thashë, -mundesh ta pimë një kafe sot?
-Me
kënaqësi,-mu përgjigj ai,-në çfarë ore?
-Po
ja, nëse mundesh nga ora 11.00, tek “Turizmi i Skelës”.1) Po të jesh i zënë me
ndonjë punë, më thuaj ti një orë që e ke
të përshtatshme.
-E
kam të lirë, në orën 11.00 do të jem aty.
Lamja
erdhi fiks në orën 11.00.
Shkuam
te kafja. Në tavolinë, unë i afrova një dosje ku kisha futur tregimet.
-Këtu,
kam tre tregime të shkurtra. Njërin prej tyre dëshiroj ta çojë për botim te
“Drita”, por, se cilin prej tyre, këtë do ta vendosim bashkë, si thua?
E
ndërsa Lamja i mirë dhe i ditur nisi leximin, unë shihja detin dhe molin që
shfaqej nga jashtë dritares së lokalit. Deti dukej shumë i qetë. Anijet hynin e
dilnin nga moli butësisht. Herë-herë vinte deri tek ne buria e zgjatur e ndonjë
vapori, që qëndronte në radë dhe priste t`i hapej një vend në mol. Mbi det
fluturonin pulëbardha, që ngriheshin lart e pastaj zhyteshin pingul në ujë për
të kapur peshk.
Viz.
Autori
Herë-herë
pulëbardhat lëshonin ca klithma të mprehta dhe grindeshin mes tyre. Ndërsa
njëra e mbante fort peshkun në sqep, të tjerat përpiqeshin t`ia rrëmbenin.
”Luftë për ekzistencë, edhe në ajër”, thosha me vete, por ama mendjen e mbaja
nga Lamja që vijonte leximin.
Pas
rreth 15 minutash, Lamja ngriti sytë nga unë.
-Cili
të pëlqeu? - e pyeta pa e fshehur ankthin.
-Më
pëlqeu më shumë ky, “Lejlekët”, ky më bëri më shumë përshtypje.
-Po
më çudit, - i thashë, - unë e mendoja si një tregim kot. Një ditë sesi më erdhi
në mendje shqetësimi i banorëve të Llakatundit2) se, çifti i lejlekëve që
shkonin atje çdo pranverë, atë vit s`po
dukeshin. Nuk e di pse më rrihte mendjen herë pas here ai shqetësim dhe, një ditë, si pa kuptuar u
ula dhe e shkrova. Në fakt e shkrova me një frymë, rrallë më ka qëlluar ashtu
me tregimet e tjera.
-Po,-
tha Lamja,-ai përjetim që të kishte mbetur në mendje ishte vet tregimi. Si pa kuptuar, u ule dhe e
shkrove? Dhe, ja, “lejlekët po nisin fluturimin”, -tha ai figurshëm, duke
ngritur lart fletët e bardha të daktilografuara.
-Ti
mendon se “Drita” mund ta botojë?
-“Dritën”
e drejton një shkrimtar, Zija Çela. Kam bindjen se ai do ta vlerësoj tregimin
dhe do ta botojë.
-Faleminderit
Lame! - i thashë me sinqeritet dhe i gëzuar.
-Nuk
e di si mendon për një ilustrim, -tha ai, - por, unë do të rekomandoja
Sabaudinin (Xhaferrin), piktorin dhe skenografin e teatrit. Ai, krahas
pikturave dhe skenografive, bën edhe ilustrime të bukura. Te “Hosteni” i firmos
shkurt: “Sabka”.
U
ndava me Lamen, duke i shtrënguar dorën fort, shkova në zyrë dhe mora në
telefon Sabaudinin. Pasi e pyeta për shëndetin e ftova për një kafe në mbrëmje.
-Si
mendon, ta pimë te “Kapelja”? -Kështu quanim ne një lokal në qendër të qytetit,
ku mblidheshin shpesh krijuesit.3)
-Po,
te “Kapelja”, me kënaqësi,- tha Sabaudini si gjithnjë i mirësjellshëm.
Sa
u ulëm në kafe, i afrova tregimin.
Sabaudini
qeshi me padurimin tim.
-Kështu
jemi ne krijuesit,-tha duke marrë nga unë tregimin.
-Është
i shkurtër, - i thashë.
-E
shohë, mund ta lexoj edhe tani.
E
lexoi shpejt dhe më tha:
-Po
më shijon shumë kjo kafe, do ta bëj me kënaqësi ilustrimin, - dhe, duke më
thënë këto fjalë, shtoi: - Mund të ta ofrojë edhe unë një kafe nesër në mëngjes
para se të fillojmë punë, si thua?
Të
nesërmen në mëngjes, u takuam me Sabaudinin te lokali pranë stadiumit
“Flamurtari” në Skelë. Porositëm kafe dhe unë pashë një copë herë ilustrimin. U
mrekullova dhe shpejt kuptova se atij tregimi i rriteshin shumë vlerat me atë
ilustrim.
-S`di
sesi të falënderoj për këtë ilustrim kaq të bukur!-i thashë.
Sabaudini
bëri buzën në gaz:
-Dërgoje,
që sot, dorazi, nuk e mendoja se do ta shkruaje ti atë tregim!
-Pse
e mendove kështu?
-Ngaqë
bën punë ...zyre, dhe ... Ç`të të them! Edhe nuk të kam njohur...
-Tani
kam ankthin e botimit,-i thashë me sinqeritet.
-Është
ankth i çdo krijuesi,-tha ai.
E
dërgova tregimin dorazi po atë ditë, me dikë që shkonte me shërbim në Tiranë.
Ora
14.00 të asaj dite, mendova t`i telefonoja Zijait, shkrimtarit të mirënjohur
dhe kryeredaktor i gazetës “Drita”.
Njihesha me Zijain. Fillimisht ma kishte prezantuar tregimtari i njohur,
Shefqet Tigani, kurse më pas e kishim vazhduar natyrshëm miqësinë.
-Zija,-i
thashë,- të kam dërguar një tregim, po munde...
-Në
dorë e kam, - më ndërpreu ai me një zë ku shprehej kënaqësia, - Po më pëlqen
dhe do të bëj çmos të botohet këtë të diel.
Mezi
e prita të dielën. Dola vrap te kioska e pallatit tonë, ku vinte gazeta
“Drita”. Me duart që më dridheshin
shfletova faqet e gazetës. U emocionova dhe ndjeva një gëzim të pa
rrëfyer kur pashë tek shkruhej: “Lejlekët”, tregim nga ...Mes tregimit, edhe ai
ilustrim plot dritë i Sabaudinit.
Me
gazetën e hapur në dorë mbërrita në shtëpi. Sa s`po fluturoja nga gëzimi.
-Kujdes
se do të fluturosh edhe ti me lejlekët, -bëri humor ime shoqe...
Sabka
Falënderova
nga zemra Lamen, se ai ma përzgjodhi atë tregim, përndryshe unë s`isha i sigurt
se do ta çoja për botim. Me mendje, falënderova shumë edhe Sabaudinin për atë
ilustrim aq mbresëlënës, por edhe të gjithë ata lexues, që më uruan atë ditë
dhe ditë të tjera. Se, ja, sa dola në rrugën përpara shtëpisë, më ndali Nevzati
(Seferi), dramaturg dhe mik i mirë imi. Edhe baballarët tanë kishin qenë shumë
miq.
-Urime,
urime!- foli ai duke ardhur drejt meje dhe më shtrëngoi dorën.
-Faleminderit!-i
thashë.
-Më
pëlqeu,-tha ai,-dhe, jo vetëm mua, por edhe shumë të tjerëve që e kanë lexuar,
veçse...
Nevzati
heshti një hop. Meraku i një miku, i lexohej në sy.
-Çfarë,
ka ndonjë gjë që nuk shkon tek ai tregim?
-Jo,
tregimi është më shumë se i bukur, edhe mesazhi, edhe ilustrimi i Sabaudinit,
por, druaj se atje tek zyrat ku punon ti, do të thonë: “Po ky shoku Viron,
s`paska punë, me lejlekë merret?”
Qesha.
Qeshi edhe ai dhe shtoi plot siguri:
-Kështu
shkruaj, le të thonë ç`të duan!
Shtrënguam
duart dhe e falënderova për sinqeritetin, por fjalët miqësore që më tha
Nevzati, kushedi pse më shkaktuan një turbullim të lehtë. Dhe, kushedi pse s`po
ndihesha aq entuziast sa në fillim. Kur po i afrohesha zyrës takova një kolegun
tim, i cili sesi më shihte ndonjëherë. Ai, sapo më pa, më tha duke nënqeshur: ”
Kishe shkruar sot një artikull në gazetën “Drita”. E lexova, por s`mund të rri
pa të thënë se ti do të kishe më shumë rezultate në sektorin që drejton, nëse nuk do të merreshe me artikuj si ky që
ke shkruar sot. Duket se ta paskan marrë mendjen lejlekët...
-Ai
është tregim artistik,-i thashë dhe jo artikull,-por unë i shkruaj ato pas
pune, janë pasioni im, i shkruaj edhe natën, edhe...
-E
di, e di, por ato ta largojnë vëmendjen nga punët që ne kryejmë. Veç kësaj, të
kam vënë re edhe nëpër mbledhje. Ti qëndron një copë herë si i menduar dhe
pastaj “frap”, nis e shkruan pa e ngritur kokën..! Çfarë shkruan ashtu, aman,
ma thuaj?”
-Përgatitem
për diskutim,-iu përgjigja, por pas fjalëve të tij nuk u ndjeva mirë.
Kolegu
e nuhati shqetësimin tim.
-Mos
u mërzit, ”se të thashë, nuk të rashë!”. Ti e di se vërejtjet dhe sugjerimet na
ndihmojnë për të përmirësuar punët, ti e di mirë këtë...-Ai tha ato fjalë dhe u
largua duke nënqeshur përsëri.
Qëndrova
një copë herë në zyrë i menduar. Kisha dëgjuar se edhe atje në “bllokun e
udhëheqjes”4. gazeta e parë që lexohej ditën e diel ishte gazeta “Drita”. -Po
sikur, thashë me vete, - edhe atje, dikush duke lexuar tregimin “Lejlekët” të
mendojë njëlloj si ky kolegu im? Pra të thotë: “Prandaj s`na venë punët mirë
ne, se këta kuadrot tanë në bazë merren me lejlekët? Ky paramendim ma hoqi
krejt humorin dhe kënaqësinë që kisha ndjerë deri ato çaste. Thua do të më
vinte ndonjë gjë e keqe nga lejlekët? Dola nga zyra dhe mora rrugën për nga
teatri i qytetit (sot “Petro Marko”). Si pa kuptuar në dorë mbaja natyrshëm
gazetën “Drita”, që ishte palosur në faqen ku dukeshin lejlekët që ilustronin
tregimin. Skica e lejlekëve sikur më gjallëroi dhe më krijoi përsëri një gjendje
të mirë shpirtërore. Më bëhej se ata lejlekë më thoshin të mos shqetësohesha,
se askujt nuk i kishte ardhur e keqja nga lejlekët. Ata, në të gjithë qenien e
tyre shprehnin vetëm paqe dhe mirësi...
Pranë
hyrjes së teatrit u takova me Lekën (Krutën), mjeshtrin e madh të humorit
vlonjat. Ai ishte i shoqëruar me dy-tri aktorë të tjerë të estradës dhe të
teatrit. Me humorin e tij brilant, Leka
më tha:
-Shoku
Viron, urime, eh, më kënaqe, shumë gjëra mësova nga ai tregim, por më mbeti në
mendje se lejlekët ushqehen me zhapinj, hardhuca, bretkosa, karkaleca, brumbuj,
minj, nepërka dhe gjarpërinj...Eee, kemi ne të tilla, kemi...”
-Çdo
të thuash ti shoku Leka me këto fjalë?-e pyeti serioz një amator i
teatrit, që nuk u ndahej aktorëve më në
zë vlonjatë. Ai përmendej midis tyre si ekstremist dhe... Kisha dëgjuar se
atij, thuajse të gjithë të tjerët i druheshin, donin ta largonin por ai u
ngjitej...
-Po,
ja, dua të them ato fjalë që thashë që, lejlekët ushqehen me zhapinj,
hardhuca.. brumbuj, minj, nepërka dhe gjarpërinj..., -përsëriti humoristi i
shquar duke nënqeshur dhe duke më parë pjerrtësi si pëllumbat.
Ajo
ditë u mbyll me një telegram nga Llakatundi, i cili kishte këtë tekst:
“Na
pëlqeu fakti që subjektin e tregimit e morët nga Llakatundi. E lexuam dhe na
pëlqeu.
Nga
një grup lexuesish të Kino-Klubit,
Llakatund
28.
III.1983
Në
fund të asaj dite ndihesha përsëri i gëzuar e i emocionuar dhe thuajse e kisha
harruar sugjerimin dhe vërejtjen që më kishte bërë kolegu i punës. Edhe ditët e
tjera nuk pata ndonjë shqetësim. Nëse dikush nga ata të “bllokut të udhëheqjes”
do të kishte pasur vërejtje për tregimin “Lejlekët”, këtë do ta merrja vesh nga
Ziaji. Mbaja mend që ai më kishte thënë se, ditët e hëna, redaksitë e gazetave
rrinin me ankth dhe në pritje se mos dikush nga “blloku” i telefononte për
ndonjë vërejtje. Por asgjë e tillë nuk ndodhi për tregimin tim, ndërkohë që të
tjerë njerëz më uronin sapo më takonin.
Më
uruan edhe te Lidhja e Shkrimtarëve në Tiranë, kur shkova atje pas një apo dy
javësh. Mbaj mend Briseidën (Mema), që shkruante te gazeta “Drita” dhe revista
“Nëntori” e që shquhej si gazetare, por edhe për përkthimet tërheqëse dhe
interesante nga frëngjishtja. Ajo më ndali në hyrje të Lidhjes:
-”Më
pëlqeu, më pëlqeu ai tregim, një gjetje e bukur, por edhe ilustrimi i
Sabaudinit...Tregimi kishte dritë...Urime!” -U ndjeva i vlerësuar nga ai
përgëzim i Briseidës.
Kur
takova Zijain dhe i shpreha falënderimin tim të veçantë, që e botoi aq shpejt
tregimin, shkrimtari i mirënjohur më pa në sy me dashamirësi:
-Merita
ishte e lejlekëve, ata fluturuan mbi ne dhe e gjetën vet faqen e gazetës sonë.
Lejlekët e kërkojnë dritën...
Ato
ditë më takoi edhe Bajrami (Mejdiaj) etnograf, miku im, i cili sapo e takova më
tha:
-Më
nxore mallin e fshatit dhe të fëmijërisë me ata lejlekët...Bukur, por, unë nuk
kuptoj një gjë: Pse janë rralluar lejlekët sot tek ne? Kur ishim të vegjël, ata
vinin thuajse fshat më fshat dhe kudo kishin edhe vendbanimet e tyre: te
“mullarët”, te “plepat” në qendër të fshatit, te “kambanorja”, te “kodra e xinave”,
te “lisat” në anë të lumit...Gjithnjë të
mirëpritur, mbase edhe sepse asgjësojnë shumë dëmtues të prodhimeve
bujqësore, deri edhe konsiderohen zogj “të shenjtë”...Tani shumë pak lejlekë
vijnë, nuk e kuptoj pse, pse xhanëm, pse
nuk vijnë më si më parë?! – thoshte ai me keqardhje, me ton ankues e me
dhembje dhe, pastaj e jepte vet përgjigjen: - E po, po u prishe habitatet5) e
nevojshme, doemos që ata do të largohen....
-Kurse,
Agim Xheka, poeti dhe gazetari i mirënjohur, e lexoi në radio atë tregim. I dha
bukuri me zërin, tonin dhe mjeshtërinë e leximit. Madje edhe sot, pas më shumë se afro 40
vitesh, kur takohemi, ai më thotë:
“Lejlekët, hë! Tregim i bukur, i bukur!...”.
..........
1.“Turizmi
i Skelës”, emër simbol i vendosur nga banorët e
Vlorës. Një godinë njëkatëshe buzë detit. Dikur quhej ”Dom Marku”( ishte ndërtuar për
famulli, famullitar i saj kishte qenë kleriku Dom Mark Vasa nga Shkodra, edhe
atdhetar). Godina sot nuk ekziston, u prish pas viteve `90, duke ia lënë vendin
një hoteli. Ishte e këndshme, me soletë, me disa dritare të tipit Venecian, e
lyer me bojë të bardhë...
2.
Llakatund, fshat në rrethin e Vlorës. Para viteve `90 së bashku edhe me fshatra
të tjerë, ka qenë fermë shtetërore (NB). NB Llakatund furnizonte qytetin me
prodhime bujqësore e blegtorale, ishte si një qytezë e vogël, e populluar.
3.”Kapelja”,
një lokal(kafene) në qendër të qytetit të Vlorës, në katin e parë të një
godine, lokal i frekuentuar para viteve `90 nga vlonjatët, të cilët me humorin
e tyre u vinin emra simbolikë mjediseve
natyrore apo ndërtimore, lokaleve etj. Në Vlorë ka shumë të tilla, ato i
pagëzon vet populli.
4.
Blloku i udhëheqjes, grup ndërtesash në qendër të Tiranës ku banonin familjet e
udhëheqësve të vendit. Ai ishte një bllok i siguruar dhe i ruajtur mirë nga
ushtarët e gardës.
5.Habitat
(Habitate), territore tokësore ose ujore...Të gjitha gjallesat kanë nevojë për
një vend ku të rriten, të ushqehen, të jetojnë dhe të shumohen. Disa
habitate mund të jenë malet, pyjet,
ujërat, brigjet, lagunat...