Kulturë
Hamdi Hysuka: Udhë të mbarë "Zëri i Mërgimtarit" dhe jetë të gjatë artistike!
E merkure, 22.11.2023, 07:57 PM
Udhë të mbarë "Zëri i Mërgimtarit" dhe jetë të gjatë artistike!
Nga
Hamdi Hysuka*
Siç
dihet, nëntori është muaji i datave historike kombëtare. I pari është kur
Pavarësinë e Shqipërisë e shpalli kryeheroi, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më 28
Nëntor të vitit 1443. Mbi kështjellën e Krujës ngriti Flamurin kuq e zi, me
shqiponjë dykrenore. Nëntori i dytë është data 28 e vitit 1912, kur në Vlorë u
mbajt Kuvendi i Pavarësisë, i cili shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur. Kështu, pas
469 vjetësh, Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar kuq e zi. Katër vjet para
Shpalljes së Pavarësisë, më 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir u
mbajt Kuvendi mbarëshqiptar i alfabetit të shkronjave shqipe, në të cilin morën
pjesë delegatë nga të gjitha viset shqiptare. Në atë Kongres u miratua alfabeti
i sotëm shqip, i njësuar. 29 Nëntori i vitit 1944 është dita e çlirimit të
Shqipërisë, datë e lavdishme e historisë së popullit shqiptar.
Ditë
historike kulturore është dhe 6 Nëntori i vitit 2022 kur në Novara të Italisë u
themelua Shoqata “Bashkimi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë”. Festimit të
kësaj date iu shtua përurimi i Antologjisë “Zëri i Mërgimtarit”, me poezi nga
autorë të të gjitha vendeve të botës, ku jetojnë e punojnë shqiptarë.
Prandaj,
në nderim të festave të nëntorit dhe 1-vjetorit të themelimit të Bashkimit të
Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë "Zëri i Mërgimtarit" Itali, më
18 Nëndor 2023, në Novara u organizua takimi poetik "Nëntorët e lavdishëm
të tokës Arbërore". Morën pjesë drejtues të shoqatave kulturore artistike,
artistë e aktorë, shkrimtarë e poetë, piktorë e skulptorë, moderatorë e
recitues, si dhe konsujt e Konsullatës së Kosovës në Milano, zotërinjtë Diamant
Kastrati dhe Driton Blakçori. Pas Himnit të flamurit shqiptar dhe atij italian,
kryetarja e Bashkimit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, znj.
Trandafile Molla (Baja) përshëndeti të pjesëmarrësit.
*
* *
Pas
i kisha rilexuar poezitë e "Zërit të Mërgimtarit", përgatitur nga
poetja Trandafile Molla (Baja), ndjeva dhe besova se të 46 poetët përfaqësues u
bashkuan në lokalet “Aula Dedaktike soto Museo e Circolo del Lettori”. Se
poetikisht ishin mes nesh, duke filluar nga: Gjokë Dabaj, Përparim Hysi, Meçan
Hoxha, Myftar Gjonbalaj, Hamdi Hysuka, Kujtim Stana, Iliaz Bobaj, Petraq Risto,
Ndue Dragusha, Valbona Jakova, Sokol Demaku, Bajram Canameti, Tyran Prizren
Spahiu, Fatmir Musai, Halim Dulluku, Kasam Shaqirvela, Xhavit Gasa, Xhemile
Aliu, Ramazan Çeka, Agim Desku, Ligor Shyti, Ramë Oraca, Trandafile Molla
(Baja), Jusuf Zenunaj, Mirvete Kabashi (Leku), Polo Çipa, Diana Zhiti, Vahid
Hyzoti, Rizah Sheqiri, Robert Shkurti, Beqir M. Cikaqi, Dhimitër Nica, Janaq
Jano, Pranvera Belba (Fusha), Fatmir Gjata, Eda Miri, Fatmir Neli, Shefik Ferat
Arifi, Vera Istrefaj, Eltona Lakuriqi, Vjola Petrit Braho, Anxhela Shurdhi
(Ziso), Marek Belba, Blerta Tmava Veselaj, Hidajete Hasani, Jokida Mati.
Krejt
natyrshëm me vargjet e tyre ata rrëfejnë jetën që bëjnë në dhé të huaj... Me
kaq vërtetësi, me mesazhe shpirtërore, rrallë se gjen mpleksje malli për
vendlindjen, për tokën, për nënën, për barin, për pluhurin e udhëve të
fëmijërisë, për jetën në mërgim.... Brenda secilës poezi ka një ngjarje, një
personazh, por dhe shumë emocion, mall, shfrim dhe thirrje shpirti.
Siç
thekson në parathënie prof. Zija Vukaj, shkrimtar shkodranë, studiues e përkthyes
i mirënjohur, “Antologjia “Zëri i Mërgimtarit” është një vëllim
poetik i vyer dhe interesant”. Ai rendit disa arsye:
Së
pari, si gjetje e poetes Trëndafile Molla
(Baja), e cila ka një kontribut të çmuar në eksplorimin dhe përzgjedhjen e një
numri të konsiderueshëm poetësh, shumica prej të cilëve jetojnë në të katër
anët e botës dhe një pjesë e kësaj trupe poetike janë poetë shqiptarë nga viset
e Kosovës.
Së
dyti, për larminë e profileve poetike që
përmban ky libër.
Së
treti, për shumëllojshmërinë e motiveve,
të teknikave dhe procedimeve letrare”.
Sipas
prof. Zijait, motivi i mërgimit sillet nga autorë të ndryshëm në trajta të
ndryshme dhe në këndvështrime të ndryshme. Diku perceptohet në përmasat e
tragjedisë, (citoj):
Të
zeztë ne, na i hëngri deti njerëzit
na
i hëngrën kurbetet, dikujt i morën vajzën, djalin
vëllezërit,
rininë... (Gjokë
Dabaj)
Diku
përcillet si trishtim nën sfondin arketipal të Urës së Qabesë. Një toponimí e
kobshme që ka ngjyer me të zezë fate mërgimtarësh përgjatë historisë së kombit
tonë:
Këtej
Urës së Qabesë me azilantë linjat plot,
nga
sytë-këmbët për një shpresë,
udhës
së pa udhë e pa Zot... (Hamdi Hysuka)
Në
disa njësi poetike mërgimi përcillet në formë introspektive nga vetë
mërgimtari, nga bota e tij e brendshme, nga kuvendimi lirik me vetveten, si një
gjendje vetmie që e ndjek bartësin e saj edhe kur është në shtete të zhurmshme
të botës:
Vetëm
buzë oqeanit, i panjohur për ‘të
vij
nga një det i vogël me dallgët zarfa malli,
zgjohem
si një këngë nën zë... (Petraq Risto)
Në
optikën poetike të zërave të mërgimtarëve janë vendosur moria e pafund e
përjetimeve të heronjve lirikë, pasojat e mërgimit, si ikja e pjesës më vitale
të popullsisë, boshatisja e fshatrave etj, ku ligjërimi poetik merr trajtat e
këmbanave të alarmit me nota gati elegjiake:
Zëra
kullash pa banorë, zëra arash pa punëtorë
zëra
oborresh pa fëmijë, zëra rrugësh pa njeri. (Bajram Canameti)
Këto
pasqyrime, me variacione të ndryshme, spikasin dhe në poetë të tjerë: Dhimitër
Nica, Robert Shkurti, Trëndafile Molla (Baja), Jusuf Zenunaj, Mirvete Kabashi,
Polo Çipa, Rizah Sheqiri, Beqir Cikaqi etj. Po kështu, në këtë vëllim poetik
ndeshim dendur motivin e vendlindjes. Në vargjet e poetes Xhemile Hoxha (Aliu)
ky motiv merr trajtat e një kushtimi në formë ode-je:
Shqipërinë
e dua, atje e kam nënën
e
dua Kosovën, ajo m’freskon zemrën
atje
kam shtëpinë, atë vatër të vjetër
buzë
atij shpati kujtimet kanë mbetur.
Ndërsa
në lirikën pikante të Dhimitër Nicës derdhet një dhimbje personale alla Esenin:
Kisha
shumë kohë pa shkuar në vendlindje,
tek
oborri në vend të nënës, / më priti një trëndafil i tharë...
Një
çast që meriton vëmendje dhe që mund të përfshihet brenda këtij motivi është
qasja poetike narrative e poetit Iljaz Bobaj me legjendën piluriote, “Dasma”:
Një
çast... e rrëmbeu brenga, / si furtunë mbërrin në varreza,
-Ngreu,
Vitë, dil nga varri, / se sot na martohet djali!
Shpesh
lirikat e vendlindjes mbizotërohen nga tone pesimizmi:
Ne?
vendin tim më shumë jam bindur, / sa herë që vij në behar,
më
pak shoh një shpresë të lindur, / më tepër shoh një shpresë të vrarë. (Shefik Arifi)
Motivin
e dashurisë poetët e kanë kryefjalë. Ky është impulsi që vë në lëvizje gjithë
botën e brendshme të tyre në aktin e krijimit. Në këtë këngëtore e gjejmë në
variacione nga më të ndryshmet, por gjithnjë dhënë me një delikatesë
tradicionale të poetikës shqiptare. Te poeti Fatmir Gjata kemi një vargëzim të
përkryer klasik alla lasgushian me një 14-rrokësh, me cezura të rregullta
kompozuar prej dy hemistikësh 7-rrokësh:
Fërshëllej
një melodi dhe ca zogj më ulen pranë,
zëmë
këndojmë për dashuri, të dëgjohet në çdo anë,
rrihni
krahët o trumcakë, cicërini dhe për mua
zgjo
mendimin fluturak që t’i them se sa e dua!
Te
poetja Eda Miri ndeshim karakterin bipolar të dashurisë (gëzim-trishtim):
Po
iki larg e po të them adio, / madje po të them edhe lamtumirë,
ndoshta
larg meje do të jesh i lumtur, / ndoshta larg meje do ndihesh më mirë...
Më
sensual dhe idilik jepet motivi i dashurisë nga poeti përmetar, Janaq Jano:
Unë,
apo ti e thirre perëndinë / si erdhi erosi në mes nesh,
ajzbergun
“Titanikut” me puthje ia shkrimë,
qiejt
e ndezur vërshuan rrebesh.
-Në
këtë libër antologjik, -thekson prof. Zija Vukaj, -kemi shumë poezi kushtuar
Kosovës. Ndoshta kjo shpjegohet edhe me harkun kohor të krijimtarisë së këtij
brezi poetësh, me jehonat dhe reminishencat e rrugëtimit të popullit shqiptar
të Kosovës në dy dekadat e fundit. Ishte kjo finale e një historie të gjatë
vuajtjesh e gjëmash, që nuk la shpirt pa tronditur e përfshirë.
Autorja
e kësaj përmbledhjeje, Trëndafile Molla (Baja), jo vetëm që e ka jetuar këtë
kohë me shqetësim atdhetar, por mbase kjo ka qenë periudha e qëmtimit dhe e
sistemimit të fondit poetik të këtij vëllimi. Poeti Ndue Dragusha sjell
gjithçka përmes familjes Jashari, që përbën simbolikën më të fortë të
rezistencës:
Ka
një ëndërr që ndrin më shumë se të tjerat,
lindur
mbi buzë të rreshkura,
dhe
plagë si lulekuqe mbi trup të atdheut.
Poeti
Kujtim Stana, përmes kësaj lirike peizazhi, sjell bukur një copë Kosovë me
bukuritë e saj magjike:
Më
shfaqesh përrallshëm në grykë të Rugovës,
e
shndritëshme, mitike, vezulluese, si perlë
e
freskët, e kristaltë, si shkrirjet e dëborës
e
hijshme, mes bjeshkësh, e ëmbla Pejë!
Poeti
Ramë Oraca e jep poetikën e dhimbjes brenda vetes, përzier tragjikisht me
intimitetin e vet:
Hape
atë perde të vrugët, e dashur / i sheh të huajt si vijnë madhështorë,
kërkojnë
burime të reja gjaku, / në luginën e lulëkuqeve...
Shumë
njësi poetike të këtij vëllimi janë kushtime ndaj poetëve tanë të shquar.
Fatmir Neli i ka kushtuar Pjetër Budit një poezi të shkruar në distikë:
Guri
i Bardhë të përkundi, / gur të quhet edhe emri
gur
më gur më pas u rrite, / gur i madh për dhè e shqipe.
Nga
Përparim Hysi kemi kushtim Lasgush Poradecit:
Kush
ta vrau shpirtin e bukur / që lëshonte vetëm xixa,
pse
tërë jetës ndenje “strukur”, / sikur vije që nga “Bibla”?
Për
Migjenin vjen një kushtim poetik nga Kasam Shaqirvela:
Ngrihu
Migjen, në do për të parë
/ se
Shqipëria ku ka mbërritur,
dhe
mjerimi si në këngën tënde, / shpimi brinjëve na ka drobitur.
Duhet
evidencuar fakti se shumica e autorëve shkruajnë me vargje të matura dhe me
rimë. Kjo prozodi dëshmon, së pari, dominimin dhe sigurinë e autorëve në
procesin e krijimit, së dyti përvojat e gjata të tyre në leximin e mirë të
poetëve tradicionalë dhe ushqimin e hershëm me artin e tyre të fjalës.
Natyrisht që rima është element pozitiv, që i jep muzikalitet tekstit poetik
dhe ka një rol memorizues edhe në procesin e deklamimit. Përfundimisht, thotë prof.
Zijai, “Zëri i Mërgimtarit” i vjen letërsisë sonë si një prurje e
vlefshme dhe përbën një stacion të këndshëm leximi dhe meditimi.
*
* *
Në
vazhdim u përurua triologjia poetike: "Foleza e poezisë", "Duaje
veten", "Zgjidhja e artë", e shkrimtarit dhe poetit Myftar Gjonbalaj,
e cila përbën një ngjarje në botën letrare shqiptare. Sipas studiuesit të
njohur, kritikut letrar, Fatmir Minguli, vëllimi "Foleza e poezisë" i
këtij poeti është realisht një lloj ditari poetik, që autori e ka qëmtuar nga
jeta e përditshme. Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një ditar, por me shpërthime
poetike, të cilat janë si buqeta me lule, herë për dashurinë, herë për natyrën,
herë për humorin, herë për trimërinë shqiptare, herë për kujtimet nga vegjëlia
e herë për shpërthim atdhetar dhe herë-herë shpërthime mbi integritetin e
tokave shqiptare. Vargjet e poetit vuthjan Myftar Gjonbalaj kanë forcë të
jashtëzakonshme, sepse arrin të transformojë emrin e një objekti, fenomeni në
një tjetër objekt, në një tjetër fenomen, duke sjell analogji mes tyre edhe pse
ata nuk kanë lidhje natyrale. Ja, psh. "Masin "brirët" si
"azgana", "I vesha vargut një kostum", "Trak e trak,
nis e flet" etj. Por nuk janë vetëm këto metafora origjinale që burojnë
nga historia e madhe e shqiptarëve. Pikërisht ky është dhe konstatimi letrar
për poezinë e Myftar Gjonbalaj, një poezi e cila figurat artistike letrare i ka
me aromë të vendlindjes. Prandaj, -thekson kritiku Minguli, -me plot gojën them
se Myftar Gjonbalaj, me vëllimet e tij me poezi, po ndërton një piramidë të
poezisë autoktone shqiptare, që emeton dritë mbi jetën e shqiptarëve jo vetëm
në Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë. Vetë poezitë e poetit Myftar Gjonbalaj
janë shprehje e një teknike metrike plot eksperiencë, ide, emocione, fantazi
dhe mbi të gjitha një përmbledhje alkimike e të gjithë këtyre elementëve
poetikë. Me origjinalitetin e tij poetik ai vjen si një ogur për të ardhmen e
shqiptarëve.
-Në
poezitë e Myftar Gjonbalajt, -u shpreh poetja Trandafile Molla (Baja), -fryn
erë shqiptare, me mallin që çdo ditë djeg në shpirtin e frymëzuar të poetit, i
cili jeton me ëndrra dhe shpresa të realizuara të vendlindjes, aty ku ndihet
gurgullima e ujëvarës që zbret nga malet, duke i dhënë freski luginës plot
blerim. Jo gjatë leximit, por duke i studiuar poezitë e autorit, më bien
ndërmend poezi të Fishtës, të Naimit e Çajupit, të Nolit e të Asdrenit.
Pothuajse të gjitha poezitë e tij kanë frymë popullore shqiptare. Poeti ynë
është atdhetar i flaktë. Këtë e hasim te vargu i tij patriotik, ku dallohet
stili i ri. Është aq njerëzor, sa nuk e do vendin e tij vetëm për malet dhe
fushat, por edhe për njerëzit. Një vend kryesor në libër zë malli i bijëve të
ikur nga vendlindja në dhé të huaj, ku plaga e marrë nuk mbyllet kurrë. Ajo
është gangrenë epidemie, që rëndon mbi zemrën e atdheut, siç vuan zemra e
poetit tonë.
*
* *
Po
në këtë ditë festive u promovuan dhe dy botimet e reja në prozë: "Prapë
dukej e bukur" me tregimeve e novela dhe rubairat "Në kulmin e
diellit dhe dritë mos të kesh" të poetit e shkrimtarit Lumo Kolleshi. Sipas
kritikut e botuesit, Mark Simoni, poeti përmetar, Lumo Kolleshi, që jeton në
Milano, herë pas here i sajdis patriotët e qytetit të tij dhe shqiptarët me nga
një libër të ri. Dhe si një kulinarist i mirë, nuk iu sjell atyre përherë të
njëjtin zhanër letërsie, por ua zhdavarit shijen, duke punuar dhe propozuar
letërsi alternative. Këtë radhë ai erdhi me 108 rubaira, që rrinë në korpusin e
librit të tij si në një lojë gurësh diamanti që i mban në dorë prestigjatori.
Këto
poezi nuk i përkasin një konteksti kohorë të dallueshëm, por kohës universale
të njerëzimit, këtij njerëzimi që rreket mes paudhësive, andrallave, pushteteve
të ashpër, hileve dhe grackave. Në pamje të parë duket si nië libër i lehtë dhe
i shkruar thjeshtë, pa shumë figura dhe i pa ndërlikuar. Por magjia e forcës së
tij pikërisht këtu qëndron, te raporti direkt me lexuesin, duke thënë të
vërteta të mëdha me mjete shumë të kuptueshme.
Vargje, sentenca, kalke poetike vezullojnë kudo nëpë libër. Ja disa prej tyre: "Fati nuk është budalla, / Udhën nëpër
natë ia tregon qorri", "Më kërkuat tymin, nga thellësitë u nxora
flakën, / Hirin më kërkuat, prushin u hodha nga trupi imi i ndezur",
"Shtegëtoi me shtergun dhe një shpirt i shqipes, / Shtegëtoi në viset e
lashta të Buzukut”. Me një libër të tillë Lumo Kolleshi i vjen jo vetëm
qytetit të tij, por letërsisë aktive të vargut të shqipes.
*Klubi Letrar “Pjetë Budi” Mat, Albania