Kulturë
Albert Zholi: Kur flasim 'Mbi regjinë dhe aktrimin e kënduar në teatrin muzikor'
E marte, 21.11.2023, 08:34 PM
KUR FLASIM “MBI REGJINË DHE AKTRIMIN E KËNDUAR NË TEATRIN MUZIKOR”
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Libri
“MBI REGJINË DHE AKTRIMIN E KËNDUAR NË TEATRIN MUZIKOR” është një libër
sepcifik, tepër i veçantë, absolutisht profesional që vjen mbi regjinë dhe
aktrimin e kënduar. Dhe si profesion dhe si gjini të shkruari, autorët në këtë libër sjellin
një histori ndryshe, një tematik të parrahur, një dritare të re të të shkruarit
mbi teatrin muzikor, që vetëm një lexues tejet i kultivuar mund ta analizojë
dhe ta bëjë pjesë të kulturës së intepretimit.
At’ e bir, së bashku kanë vënë afërsisht 100 opera në skenë dhe të dy
janë nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, për këtë kontribut të çmuar. Qysh
në krye të herës autorët theksojnë se: “Të flasësh për specifikën e operas si
gjini dhe regjinë në teatrin muzikor, për veçoritë dhe specifikën e saj, për
pikat nevralgjike që e ndajnë ose që e bashkojnë me dramën dhe regjinë teatrore
të prozës, është e nevojshme t’i drejtohesh një problemi themelor, lidhur me
SPECIFIKËN e vetë operas si gjini e veçantë e artit muzikor-skenik, me
veçantitë e artit muzikor-skenik, me veçoritë që e bashkojnë ose e ndajnë nga
arti skenik në përgjithësi”. Problemet e krijimtarisë, studimit dhe
interpretimit të muzikës shqiptare sidomos asaj operistike, përbën një moment
delikat për çdo krijues të kësaj gjinie, por dhe një habi për një njeri të
zakonshëm. Për vetë specifikën e saj Opera, sipas përkufizimit klasik, “është
një formë e artit, në të cilin këngëtarë dhe muzikantë performojnë një punë
dramatike duke kombinuar tekstin (libreton) dhe bazën muzikore, zakonisht në
një mjedis teatral. Në opera tradicionale, këngëtarët bëjnë dy lloje të të
kënduarit: recitatativ, nje stil i influencuar nga fjalimet dhe arias, një stil
më melodik. Opera përfshin shumë elemente të teatrit të folur, të tilla si
dramën, poezinë, aktrimin, skenografinë, kostumografinë, dhe ndonjëherë
përfshin vallëzim. Performanca zakonisht jepet në një shtëpi opere, e shoqëruar
nga një orkestër apo një ansambël muzikor më të vogël, i cili që në fillim të
viteve 1800, ka qenë e drejtuar nga një dirigjent. Opera është pjesë e traditës
së muzikës klasike të perëndimit. Ajo ka filluar në Itali në fund të shekullit
të 16-të (me veprën e humbur te Jacopo Peris'e Dafne, të prodhuar në Firence më
1598) dhe shpejt u përhapën nëpër pjesën tjetër të Evropës”. Në kapitullin e
parë, SPECIFIKA E OPERAS SI GJINI, autorët përcjellin në mënyrë korrekte se, në
opera dominon rregulli sipas të cilit, VEPRIMI ËSHTË MUZIKOR DHE MUZIKA ËSHTË
VEPRUESE, ndërsa në teatër, veprimi nuk bëhet mbi muzikë dhe i diktuar nga
muzika, atë e përcakton regjisori në provat e regjisë në studio dhe në skenë.
Vetëm kur veprimi dramatik arrin kulminacionin, dhe fjala nuk ka se çfarë të
thotë më, atëherë edhe në teatër hyn muzika për ta intensifikuar në maksimum
emocionin e personazheve në konflikt. Në përcaktimin dedikues autorët theksojnë
se “Krahas teatrit të dramës, kinematografisë, televizionit, edhe skena e
operas është një protagoniste aktive e ideve të kohës, prandaj ndaj saj dalin
detyra gjithnjë në rritje”. Tek kapitulli
dytë, KËNGËTARI-AKTOR I OPERAS NGA VOKALIZAT TEK REALIZIMI I PERSONAZHIT,
autorët japin një përcaktim profesional mbi rolin e këngëtarit aktor të operas,
të cilët e cilësojnë si një qënie
ontologike krejt të veçantë, të pangjashëm me askënd tjetër në botën e
pakufishme të teatrit muzikor. Sipas tyre, këngëtarët i japin rëndësi të madhe
anës vokale, teknikës së këndimit, por në mungesë të një regjisori
profesionist, çfaqjet vuajnë nga mungesa e konceptit regjisorial profesionist,
nga mizanskena të varfëra e statike, pa thellësi e mjeshtri të dobët aktori, pa
larmi pozicionesh, me këngëtarë që më shumë luajnië për vete, se sa në
marrëdhënie me partnerin.
Tek
kapitulli I 3-të, PUNA E KËNGËTARIT ME DREJTUESIT E SPEKTAKLIT OPERISTIK,
DIRIGJENTIN, REGJISORIN, VEHTEN, DHE ME PIANISTIN, tregohet me hollësi rëndësia e punës së
dirigjentit me këngëtarin, për ta edukuar këtë si pjestar të ndërgjegjshëm të
kolektivit krijues. Duke qenë të dy regjisorë në Opera, autorët vërejnë se
“rrallë herë gjëndet mes atyre që kryejnë degën e kantos në Universitetin e
Arteve, bashkimi i zërit të bukur me teknikën e mirë vokale, dhe muzikalitetin
e zhvilluar, cilësi të domosdoshme për një këngëtar të ri për të hyrë në rrugën
e pavarur të krijimtarisë”.
Një
kapitull shumë interesant është dhe kapitulli i 4-ët, PUNA INDIVIDUALE E
KËNGËTARIT AKTOR ME VEHTEN, PIANISTIN, DHE AUDICIONI.
Në
këtë kapitull mbizotëron ideja se “Këngëtari i operas para se të audicionojë
një rol ai njihet me veprën në përgjithësi, me autorët kompozitorin dhe
libretistin, me përmbajtjen e veprës, me realizime të ndryshme audio-video në
teatro botërorë, pastaj futet në studimin intensiv të rolit duke filluar nga
solfezhi ritmik, më pas vetëm solfezh ritmik me tekst, e në fund vendos
solfezhin melodik me tekst”. I gjithë libri që mund të konsiderohet si një
tekst i rrallë mësimor dhe studimor për Akademinë e Arteve përbëhet nga 14
kapituj. Çdo kapitull ka specifikën, dallimin, detajet për çdo pjesëtar të
operas, punën në grup, ku specifikohet roli dallues i regjisorit. Si një gjini
arti tepër e rrallë, opera ka një forcë magjike te spektatori, ku dhe shikuesi
më i ri që e viziton për herë të parë këtë skenë, magjepset dhe bëhet një
frekuentues i rregullt. Ky libër plot ritëm dhe
shkruar me mjeshtëri profesionale,
mbyllet me kapitullin, REGJISORI,
PUBLICITETI, DHE PUBLIKU, një trio që përbën bërthamën e suksesit të një opere.
Të tri këto element janë të lidhur pazgjithshmërisht, jo vetëm në suksesin apo
dështimin, por janë plotësues në rrugëtimin e shfaqjes deri në minutën e
fundit. Për të qenë korrekt me sa më sipër, në libër theksohet me bindje se:
“Regjisori nuk e mbaron punën e tij me mbarimin e provës gjenerale. Megjithëse
teatrot kanë zyrat e tyre të marketingut me disa punonjës specialist marketingu
me detyra të ndara, që produktin artistik kanë për detyrë ta shesin, regjisori
me vënien e tij moderne apo klasike, ka në dorë të ndikojë në tërheqjen e
shtresave të caktuara të publikut. Ai gjithnjë kur merr përsipër të verë në
skenë një vepër, ka parasyh se cilës shtresë e grup moshe i drejtohet.
Regjisori gjithmoni duhet të jetë i guximshëm me vënien e tij, e të synojë tërheqjen
në teatër të të gjitha grupmoshave, bile edhe të atyre që nuk kanë shkelur
kurrë në opera”. Ky libër ka disa pika
kulmore që përcjellin mesazhe të qarta etjeje për dije për studentët e
Akademisë së Arteve. Një libër i shkruar me përkushtim dhe nga babë e bir, të
cilët përbëjnë një binom unik, jo vetëm për ndërtimin e një vepre të tillë, por
edhe për vetë faktin se ata për mëse 50 vjet mbeten dy regjisorët më të lakuar në Teatrin e
Operas shqiptare. Dy regjisorë që për kaq dekada kanë komunikuar bindshëm dhe
plot elegancë me spektatorin më të kualifikuar shqiptar në të vetmin
Institucion Operistik shqiptar. Nuk është as rastësi, as mbivlerësim të themi
se, të vësh në të vetmen skenë shqiptare Operistike, operat më të bukura të
botës dhe ato shqiptare, përbën një triumf magjik, që besoj se nuk do të
përsëdytet në këtë tempull të muzikës klasike shqiptare. Luigji dhe Nikolini, një duet karaktersitik,
që me dijet e tyre të thella, seriozitetin, përkushtimin, njohjen e zhvillimeve
operisitke botërore, me eksperiencën e tyre, me shënimet dhe vëzhgimet e detajuara në skenë dhe pas kuintave, kanë
ditur të sjellin sot atë libër që i mungonte tregut, por dhe librave studiues
shqiptarë. Askush më mirë se këta të dy regjisorë nuk mund të na sillte në
mënyrë kaq bindëse, kaq në mënyrë elastike një libër që të tundon të bëhesh i dashuruar me Operan.
Një meritë e madhe e tyre është se me stilin e komunikimit, me vizionin e realizimit të veprave botërore, ata kanë
ditur në mënyrë të përpiktë të komunikojnë dhe të bashkëunojnë me këngëtarët
dhe këngëtaret më të mirë klasikë shqiptarë, ç’ka ka bërë që skena e Operas
shqiptare të konkuronte dhe me ato Europiane. Duke e lexuar disa herë këtë
libër them me bindje se, autorët po sjellin
para lexuesit një libër ndryshe, një frymë tjetër të të ideuarit të
librit, një përgjegjshmëri në anën artistike të ndërtimit të veprës, duke na
dhënë në duar një vepër të re, të palexuar më parë, që do shtrojë një rrugë të
bukur për të gjithë ata që do studiojnë për këtë degë, sa të vështirë, por po
aq dhe magjepsëse. E bukura qëndron tek e veçanta, që qëndron larg rrëmujës,
larg zhurmave hallakatëse që të trishtojnë. Edhe ky libër është një aromë deti,
një fllad mëngjesor, që të frymëzon dhe të ndriçon një irrugë të panjohur që
duke e lexuar, bie në dashuri me të. Kjo sepse, ky është libri i parë i këtij
lloji që flet në mënyrë profesionale për regjinë dhe aktrimin e kënduar në
opera dhe specifikat e saj si gjini.