Kulturë
Kozma Gjergji: Kërkimtari erudit
E shtune, 18.11.2023, 07:55 PM
Kërkimtari erudit
Përsjatje
rreth veprës "Fjalor Frazeologjik i Gjuhës Shqipe" dhe krijimtarisë
së Profesor Doktor Eshref Ymerit
Nga
Kozma Gjergji
Një
nga gëzimet e veçant që kam përjetuar së fundmi ka qenë dhurimi nga Prof. Dr.
Eshref Ymeri i kryeveprës së tij "Fjalor Frazeologjik i Gjuhës
Shqipe". Shtangesh me fuqinë mbinjerëzore të Autorit për një realizim të
tillë kaq vëllimor e thellësisht shkencorë, shto dhe fjalorët frazeologjikë
italisht-shqip, rusisht-shqip, anglisht-shqip e frëngjisht-shqip prej mijëra e
mijëra faqe, për të cilët do duheshin grupe profesionistësh t'i kryenin. Ndërsa
e falenderova për dhuratën e çmuar, u trishtova kur mësova që botimin e kishte
paguar me lekët e pensionit. Prandaj iu luta t'ia paguaja dërgesën e postimin,
por nuk pranoi absolutisht. Më preku gjesti. Kishte qenë i shtërnguar të paguante
nga pensioni, pasi kërkesës së tij për një financim tejet modest, pushteti i qe
përgjigjur me shurdhmemecëri, domethënë me refuzim, vetëkuptohet, për shkak të
qëndrimeve opozitare të Profesorit. Dihet që kësilloj privilegjesh" e
presin çdo intelektual me personalitet e integritet të lartë. Ai ka pësuar
shumë më keq në regjimin e kaluar. Vetëm sepse nuk pranoi të bëhej komunist dhe
të përdorej nga njerëzit e kastës sunduese, menjëherë e ndëshkuan me
transferim, nga Profesor i Universitetit të Tiranës, me vënien në dispozicion
në rrethin e Kukësit. Në fakt ishte interrnim e varrosje e perspektivës prej
pedagogu e studiuesi të talentuar.
Refuzimi prerë i atij vendimi krejt të padrejtë e absurd nga z.Ymeri, i kushtoi dy vjet pa punë dhe një mbijetesë bashkë me dy fëmijët e vegjël, veçse me pagën modeste të bashkëshortes. Nuk e shpjegon dot, duke patur parasysh atë kohë shtypëse, përse duhej të rrezikonte kaq, kur mund t'ia çonte bukur mirë e bënte karrierë. Apo mos i përkiste atyre karaktereve që e dashurojnë dhe e kërkojn vetë sakrificën e rrugën mundimtare për hir të ca kapriçove?! Jo, jo, më përgjigjet jetëshkrimi i Profesorit, i shkruar nga Vilhelme Vranari Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe, që ashtu është i ngjizur e farkëtuar qysh në agimin e jetës. Ai e ka prejardhjen, si nga linja e babait dhe e nënës, nga familje të njohura për virtytet kombëtare e kulme atdhetarizmi, dhe të një vijimësie në breza deri tek i Ati i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për trimëri në luftën për çlirimin e Vlorës më 1920. Kontributet në disa rrafshe të Profesor Doktor Eshref Ymerit, i përfytyroj figurativisht si një pejsazh madhështor, ku malet, kodrat, pyjet, lumenjtë, janë veprat gjuhësore, arsimore, pedagogjike, përkthimore, të studimeve e analizave historike e letrare, publicistikës… Ka në to pa fund dituri të dhënë me një qartësi diellore, gjelbërim të pasur faktesh, argumentesh e arsyetimesh shkencore, shkëmbinj mendimesh të mermertë, graniti e stralli, hapësira kuptimesh e tolerance dhe gjithçka për të lartësuar mendjen. Është aty, si për ta zbutur mjedisin hijerënd, edhe një lulëzim i sinqertë ndjenjash, zjarre dashurie dhe përrenj gugullues malli për vendin e njerzit, lugina të gjera bujarie e dashamirësie… E kam fjalën për tërë ato shkrime të një tjetër natyre, si letërkëmbime, portrete, përgëzime, inkurajime, mirënjohje, kujtime, prononcime, përsiatje, refleksione, komente dhe eksplorime analitike për krijimtarinë e qëndrime të ndryshme, ku Autori ka shpërfaqur margaritët e shpirtit. Të duket sikur tek Ai hera-herë ka ngritur krye e ka marrë flakë pasioni i artistit për të sfiduar shkencëtarin që e dominon. Po le të vijojmë konkretisht me Fjalorin, që jam duke e lexuar me vëmendje e kureshtje dhe të shpreh diçka nga përjetimet. Nuk e kam aq lehtë përballë analizave të një profesionalizmi sipëror të Prof. Dr. Fatmir Terziut, Prof. Dr. Rami Memushajt, Prof. Dr. Hajri Shehut dhe shkrimtarëve e studiuesve Vilhelme Vranari Haxhirajt e Fatmir Mingulit.
Ashtu
siç vlerësojne këta personalitete të shquar, edhe unë ndiej në çdo faqe të
veprës zërin prej kërkimtari erudit e poliglot të autorit të saj. Si një
lundërtar i sprovuar Ai noton i sigurt në këtë det të paanë gjuhësor të
shpirtit të popullit, duke mbledhur perlat më vetëtitëse dhe zbuluar vende e
udhë të reja. Vështrimi i tij i mprehtë si rrezja rëntgen depërton veshjen,
lëkurën e mishin e fjalës dhe sos në shpjegimin e gjithanshëm të kuptimeve dhe
të shndërrimit në togfjalësh të figurshëm, proverbë mençurie apo aforizëm
përshkënditës. Puna me fjalën është sa delikate dhe tejet e vështirë. Veç
intuitës e nuhatjes së hollë për ta pikasur e ia njohur aromën, kërkohet shumë
dituri e përvojë, aftësi vrojtuese e fushëpamje e gjerë siç i ka Profesori.
Falë kësaj përgatitje, por edhe zellit, durimit e dashurisë pa kufi për shqipen,
ai ndihet këtu në arën e tij, ashtu si kopshtari pasionantë që ia nis me
përzgjedhjen e farës e vazhdon me ndjekjen e mbirjes, degëzimit dhe lidhjes së
frutave. Në hyrje të Fjalorit Profesor Doktor Eshrefi falënderon ata që e kanë
ndihmuar, midis të cilëve dhe bashkëshorten, Zonjën Hava. Përveç si
bashkëpunëtore shkencore, mendoj se roli i saj mbetet i jashtëzakonshëm si
shoqja më e ngushtë e jetës e z.Ymeri. Vështirë t'i përballonte të tillë pesha
pa dorën e dashurisë e kujdesit të vazhdueshëm të Asaj, pa krijimin e atyre
gjendjeve që shndërrohen në burim energjie, besimi, optimizmi. Rrallë kombinon
fati kësi përputhje shpirtrore e intelektuale. Duke iu falenderuar shumë
përzemërsisht e me mirënjoje për dhuratën ju uroj shëndet e jetë të gjatë plot me
gëzime e ngjarje sa më të bukura.
Venecia, Itali
09 Nëntor 2023