Kulturë
Albert Zholi: Sot Panairi i 26-të i Librit “Tirana 2023”
E merkure, 15.11.2023, 08:31 PM
Sot Panairi i 26-të i Librit “Tirana 2023”
Motoja
e Panairit “Tirana 2023” është “Libri na bashkon të gjithëve”!.
Shtëpitë
Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” befasitë e këtij Panairi
15-19
nëntor 2023
Nga
Albert Z. ZHOLI
Ngjarja më e madhe e librit për vitin 2023 sot hap siparin e saj.
Si zakonisht ky Panair mbledh sot, bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria,
Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku
njihen me botimet e reja dhe një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me
çmime të reduktuara.
Ngjarja me e madhe letrare e vitit sjell sot, libra të rinj, autorë, përkthyes,
prezantime, konkurse, konferenca etj… dhe sidomos shumë lexues.
Panairi i 26 i Librit “Tirana 2023” do të organizohet në mjediset
e Pallatit të Kongreseve, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në datat 15-19
nëntor. Festa e librit tashmë është kthyer në traditë ku për më shumë se
25 vjet dashamirësit e librit frekuentojnë ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Për të gjithë lexuesit e rregullt, ky panair është një nga eventet më të rëndësishëm
dhe një nga ngjarjet më të mëdha për gamën e madhe të shtëpive botuese dhe për
numrin e madh të titujve.
Panairi i Tiranës, i vetmi që mbledh të gjitha ngjarjet më
interesante të librit, gjatë një viti!
Ekspozime, prezantime, takime me autorë, shkrimtarë të huaj të
ftuar, libra të rinj, çmimet e panairit, konferenca, Sofaja e librit dhe më
shumë!
Motoja e Panairit
Motoja e Panairit “Tirana 2023” është
“Libri na bashkon të gjithëve”!. Një moto që ngjall një emocion për rëndësinë e
librit. “Muaji nëntor është muaj shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare.
Janë pothuajse 100 ekspozues dhe të gjithë do të kenë mundësi jo vetëm të
zgjedhin librat që dëshirojnë, por gjithashtu të marrin pjesë në aktivitete. Unë besoj në rrafshin kombëtar, është ngjarja më e madhe më e
rëndësishme në fushën e kulturës. Kemi botues nga Kosova, shumë autorë nga
Kosova, kemi gjithashtu stendë edhe nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi.
Është një festë e bukur e kulturës shqiptare, është një festë e bukur e librit
në gjuhën shqipe”,- tha Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së
Botuesve në Shqipëri. Panairi i parë i librit në Tiranë ishte
panairi “Tirana 1998”, i organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në
Tiranë nga 16 deri 20 dhjetor 1998. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur
rregullisht
Problemet
Dhe pse shihet se vitin e kaluar pati një
rritje të lexuesve sërishmi problemet me librin në Shqipëri janë të mëdha. E
para si problem është shpërndarja gjeografike e librit. Sot libri nuk mbërrin
kurrë në fshatrat e thellë, por as në qytetet e vogla, pasi nuk ka një
organizim shtetëror, por vetëm iniciativë private. Edhe këtë vit dhe pse do
ketë mbi 100 shtëpi botuese sërish problemet janë të
njëta si vjet. Aktualisht shtëpitë botuese në vendin tonë nuk po përballen
vetëm me humbjen e lexuesve, por edhe me tkurrjen e tirazheve, ndërsa për shkak
të inflacionit kemi rritje të çmimit të librit. Situata duke marrë paarsysh
panairet e mëparshme tregon se 70 përqind e shqiptarëve nuk lexojnë rregullisht
dhe shtëpitë botuese punojnë për këtë 30 përqind. Kjo ka sjellë uljen e
tirazheve ku më parë një titull arrinte 1000 kopje, me tirazh minimal, ndërsa
tani shkon deri 200-300 kopje. Për të përmirësuar situatën, për të lidhur
lexuesin me librin sipas botuesve del detyrë që në çdo qytet duhet të nxiten
festivalet letrare, të cilat mungojnë. Organizimi i festivaleve letrare është
shumë e rëndësishme pasi tregohet se zhvillohen aktivitete, që mbështesin
librin dhe tërheqin vëmendjen e institucioneve.
Ulja e çmimeve të librave
Sigurisht si çdo vit edhe në këtë edicion
të 25-të të panairit do të ketë zbritje çmimesh në libra dhe disa aktivitete,
që do kenë në qendër kryesisht të rinjtë dhe fëmijët. Zakonisht uljet variojnë
20-30% ku botuesit mundohen të kënaqin lexuesit edhe të gjejnë gjithçka duan edhe për të
përfituar nga ato uljet e çmimeve. Ndërsa
në ditën e dytë të panairit, në datë 16 nëntor, në orën 17.00
Shoqata e Botuesve organizon një seminar rreth problemeve të përkthimit të
letërsisë për fëmijë dhe adoleshentë në shqip. Në këtë seminar është e ftuar
edhe një përkthyese e shquar italiane, konsulente editoriale e Sallonit të
Librit në Torino, përkthyese e Bolanos dhe Markezit dhe organizatore e
seminareve me këtë temë, znj. Ilide Carmignani. Vizita e Carmignani-t është mbështetur
nga Instituti Italian i Kulturës.
Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” befasitë
e këtij Panairi.
Për çdo vit në Panair 3 shtëpitë botuese “Bota Shqiptare”,
“Morava”, “Argeta LMG” kanë qenë befasitë e Panairit. Këto shtëpi botuese
dallohen për librat cilësorë, autorë të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë,
dhe për cilësinë e botimit. Secila prej tyre vjen në Panair me mbi 50 tituj të
rinj të autorëve më në zë, por edhe me libra të tjerë me karakter historik dhe
monografi që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit.
“Bota Shqiptare”
Vjen në Panair me 52 libra të rinj që do të prezantohen në
Panairin e Librit Tirana 2023, në Pallatin e Kongreseve, 15-19 nëntor. 33 tituj
për të rritur. 22 tituj për fëmijë. Gjithsej 640 tituj.
Sigurisht kjo shtëpi botuese do të ketë ulje surprizuese. Ja disa nga librat që
do sjellin surpriza në panair:
Emilienne Malfatto
“Le të vajtojë për ty lumi Tigër”
E përktheu nga origjinali: Nonda Varfi
Çmimi 600 lekë
* * *
Frymëzuar nga realitetet komplekse të Irakut, të cilat ajo i njeh mirë,
Emilienne Malfatto na çon në një shoqëri të mbyllur, të sunduar nga autoriteti
mashkullor dhe kodi i nderit. Një roman i parë verbues, me intensitetin e një
tragjedie të lashtë.
Emilienne Malfatto, Çmimi Goncourt për romanin e parë 2021, është një
fotoreportere e pavarur. Pas studimeve në Francë dhe Kolumbi, ajo u bashkua me
Agjencinë France-Presse. Në vitin 2014, vizitoi Irakun për herë të parë si e
dërguar speciale e AFP-së. Disa muaj më vonë, u bë profesioniste e pavarur në
Irakun Verior.
ELIF SHAFAK
“Pallati Bonbon”
Një profesor universiteti që ndahet midis pasionit për gratë dhe
Kirkegardin, misteriozja Dashnorja Blu, e çuditshmja Higjienë Tijen me çupkën e
saj Su, plaka Madamë Tetka: janë qiraxhinjtë ekstravagantë të Pallatit Bonbon,
një ndërtesë zotërinjsh gjysmë karakatinë në zemër të Stambollit.
E ndërtuar në mes të viteve Gjashtëdhjetë nga një emigrant i
pasur rus për gruan e çmendur, është shndërruar në një banesë të përbashkët, e
molepsur nga insektet, ku të mbyt duhma e një ere të tmerrshme që s’dihet nga
vjen. Një skenë ekscentrike për ndodhitë e korkolepsura dhe fiksimet e
protagonistëve të Pallatit Bonbon, që ndërthurin fatet e tyre në sfondin e një
Stambolli të trazuar dhe vital, varur pezull midis modernitetit dhe traditës.
Elif Shafaku na dhuron një afresk të paharrueshëm të qytetit mbi
Bosfor, prej nga nxjerrin krye një mijë fytyrat e një toke që të josh pa fund.
Shtëpia Botuese “Morava”
Shtëpia Botuese “MORAVA” sjell këtë Panair mbi 30 libra të rinj
për fëmijë dhe të rritur. Kjo Shtëpi Botuese prestigjioze e ka nisur
aktivitetin e saj në fushën e shtypshkrimeve që në vitin 1991. Pas shumë viteve
përvojë, aktiviteti i saj u shtri edhe në fushën e botimeve të teksteve shkollore
dhe librave artistikë. Botimet në fushën e letërsisë artistike i përkasin
grupmoshave të ndryshme, duke iu ofruar një kohë të vyer në praninë e librit.
Shtëpia botuese MORAVA i ka kushtuar një hapësirë të veçantë titujve të
letërsisë së huaj bestsellerë dhe autorëve të vlerësuar, që të rrëmbejnë në
tregimet e përshkrimet e tyre. Disa nga librat surprizë:
“Lindja e Afërditës”
Nga: Sara Dunant
“Edhe nëse nuk merrje vesh fare nga politika, ishte e pamundur
të mos e kuptoje helmin, që rridhte nga foltorja e kishës Shën Maria del Fiore.
Savonarola dukej sikur ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Zotin dhe, kur të
dy bashkë i hidhnin sytë mbi Firence, shihnin një qytet të korruptuar dhe
mëkatar. Ai predikonte me aq pasion kur fliste për ferrin dhe e pikturonte aq
të gjallë, sa të dukej sikur era e squfurit do të përvëlonte shpirtin.
Por, mesa dukej, papa nuk ndante të njëjtin mendim me priftin.
Ndërsa në Firence predikohej me të madhe dëlirësia, papa Borxhia kishte marrë
me vete në Vatikan edhe dashnoren e tij, ndërsa postet e kardinalëve i ndante
njëlloj, siç u shpërndante karamelet e sheqerosura fëmijëve të tij. Kur
pushonte së bëri dashuri, papa ia niste luftës.”
“Me synimet më të këqija”
Autor: Alessandro Piperno
Përktheu: Agim Doksani
Roman
Çmimi: 1000 lekë
Ky roman është i krahasueshëm me veprat e Philip Roth-it dhe
Saul Belloë-t. Një sagë e guximshme dhe e larmishme për ritualin dhe lirinë,
dashurinë dhe luftën, seksin dhe tradhtinë, e vendosur në lagjet e pasura të
Romës bashkëkohore.
‘Nën ujë”
“Jashtëzakonisht tërheqës... të gjitha këto intriga shpalosen me
mjeshtëri mbresëlënëse nga Paula Haëkins, e cila na tregon një histori të
ndërlikuar në formën e një kronike, faqet e fundit të së cilës përmbajnë
zbulime mahnitëse”.
“Argeta LMG”
25 vjet mes lexuesve. Në këtë Panair vjen me 37 libra të rinj.
Libra ndër më të lexuarit në botë. Ja disa prej tyre:
‘Magjia e mendimeve të mëdha”
Ky libër nuk ofron premtime boshe, por një program të menduar me
shumë kujdes për të përfituar sa më shumë nga puna, jeta, martesa dhe
komuniteti në të cilin jetoni. Ai ju rrëfen se nuk keni pse të jeni intelektual
apo të keni lindur me talent për të pasur sukses në jetë dhe për të arritur
kënaqësi, por duhet të mësoni dhe kuptoni shprehitë e të menduarit dhe të
sjelljes në mënyrë që të arrini aty ku dëshironi.
“SI TË BËHESH ZOT I MENDJES TËNDE”
Autori -Napoleon Hill
Ky ishte një nga dorëshkrimet që ishte kyçur në kasafortën e tij
që nga viti 1941, por që është hedhur në qarkullim disa kohë më parë. Në këtë
libër, mjeshtri i madh i disiplinës së zhvillimit personal, Napoleon Hill na
sjell këshillat sesi të organizojmë mënyrën e të menduarit për të pasur sukses.
çmimi - 1100 L
box
Nga data 15 deri më 19 nëntor në Tiranë do të
zhvillohet Panairi i librit, edicioni i 26-të.
Juria këtë vit do të përbëhet nga këto personalitete të
letërsisë dhe kulturës:
Arta Marku – gazetare e kulturës, përkthyese – kryetare
Aristotel Spiro – përkthyes, gjuhëtar
Enkel Demi – shkrimtar
Erion Kristo – pedagog, përkthyes
Monika Stafa – gazetare e kulturës
Autori, përkthyesi, libri më i mirë për fëmijë etj i vitit
2023 do të përzgjidhen për këto çmime të mirëpritura. Në konkurrim do të
përfshihen të gjitha botimet pas Panairit të 25 të Librit (dhjetor 2022 –
nëntor 2023), përjashtuar ribotimet. Kështu ka njoftuar përmes një njoftimi në
Facebook, Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Ndërsa sipas njoftimit bëhet me dije se
mund të futen në garën e çmimeve me librat e tyre të gjithë botuesit shqiptarë
nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, pjesëmarrës në Panair. Shumë libra janë
paraqitur dhe shumë të tjerë priten ende! Data e fundit e dorëzimit të librave
është 3 nëntor 2023. Ndryshe, të gjithë të interesuarit (autorë, botues,
përkthyes) mund të dorëzojnë brenda kësaj date nga një kopje të librit/librave
që ata propozojnë për çmim.