E enjte, 10.10.2024, 02:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Lea Ypi: Rradha

E diele, 12.11.2023, 08:53 PM


Rradha

Nga Lea Ypi

Përpara dyqaneve kishte gjithnjë radhë në pritje të kamionit të furnizimit që nuk sillte kurrë mall të mjaftueshëm për gjithë të interesuarit.

Meqënse pa ngrënë e pa u veshur s'mund të rrije, doje-s'doje në rradhë do shkoje.

Por brenda këtij detyrimi të pashpallur kishte një përjashtim. Në vend që të qëndroje vetë, në radhë mund të vendosje një send.

Kalimi i pushtetit nga individi tek sendi, jo vetëm që lejohej, por edhe këshillohej. Sendi shërbente si përfaqësues i radhëmbajtesve për tu mundësuar lirinë të largoheshin për të bërë një pushim të shkurtër.

Pavarësisht nga forma dhe përbërja e sendit në rradhë: torbë doku, bidon teneqeje, shishe bosh, tullë, gur, ose gjithçka tjetër e pashpirt, roli zëvendësues mbetej i njëjtë.

Sendi i zgjedhur për të zëvendësuar njeriun e humbte plotësisht vlerën e tij përfaqësuese në çastin e mbërritjes së kamionit të furnizimit.

Kur, më së fundi, kamioni vinte, sendet përfaqësuese, torba, guri, tulla, shishja, kanaçja, e humbnin rolin përfaqësues, nuk mund të quheshin më njerëz. Në vend të tyre mbinte nga dheu një turmë njerëzish, qindra gjymtyrë në lëvizje: koka që zgjateshin mbi turmë për të parë sa mall kishte mbetur për tu shitur matanë banakut, shpatulla që përplaseshin me njëra-tjetrën, duar që kapeshin e lëshoheshin në hesap të vet, psherëtima ankthi e piskama zemërimi, shitëse me sytë e mobilizuar katër në kërkim të miqve në radhë per t'u dhënë përparësi, e plot si këto.

Si pjesë e stërvitjes për të kuptuar funksionimin e sistemit të radhave, pyeta të rriturit se përse duhet të linim një tullë në radhën e djathit dhe të vraponim me bidon për tek radha e vajgurit, kur faktikisht në asnjërën prej tyre nuk po ndodhte asgjë. Më thanë se sa kohë radhët vazhdonin për ditë e netë të tëra, ishte e rëndësishme dhe e domosdoshme që për mirëfunksionimin e rradhave, torbat e pazarit, bidonët e vajgurit, shishet e qelqit apo gurët e madhësive të ndryshme, duhej të ngarkoheshin me funksionet e tyre përfaqësuese, përndryshe do ishte stëmundim për njerëzit.

Sendet në radhë kontrolloheshin  rregullisht. Ata që i kishin vendosur i vizitonin shpesh për t’u siguruar se torbat, bidonët, tullat, gurët, nuk kishin lëvizur nga vendi gabimisht ose nuk ishin zëvendësuar tinëzisht.

Në rastet e  rralla kur sistemi send-njeri kërcënohej, plaste sherri e shamataja. Radhat egërsoheshin, shtrembëroheshin, zgjateshin.

Njerëzit luftonin ashpër për keqkuptime ose hile që bëheshin për shkak të sendeve në rradhë që në formë dhe ngjyrë i ngjanin njëri-tjetrit.

Mirësjellja dhe mbrojtja e mbarëvajtjes së rradhës bëheshin zanafilla të miqësive. Fqinjët me të cilët kalohej koha në radhë, ose miqtë e zënë gjatë ndarjes së përgjegjësive mbikëqyrëse gjatë orëve të pritjes, ktheheshin në burim aleancash për lloj-lloj rastesh me natyrë humanitare. Fjala vjen, kur një i moshuar i familjes sëmurej papritur e dikush duhet të kujdesej për fëmijët, apo kur, për dreq, pikërisht në ditën që duhej përgatitur një tortë ditëlindjeje, mbaronte sheqeri.

Mbështetja tek miqtë dhe fqinjët për gjithçka, ishin strategji themelore për mbijetesë.

Sa herë që në shtëpi mungonte ndonjë vegël pune apo përbërës ushqimor, mjaftonte të trokisje në derën e një fqinji, në çdo orë të ditës apo natës. Kur edhe ata nuk e gjenin dot atë që kërkohej, jepnin këshilla për të gjetur zgjidhje, ose i bashkoheshin operacionit të kërkimit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora