Kulturë
Jusuf Buxhovi: Kur shqiptari kthehet në Bashibuzuk!
E premte, 10.11.2023, 08:48 PM
KUR SHQIPTARI KTHEHET NË BASHIBOZUK!
Nga
Jusuf Buxhovi
Këto
ditë, Muzeu i Beogradit, në një aukcion në Londër, bleu pikturën e njohur
“Bashibozuku” të piktorit Paja Jovanoviq. Blerja e kësaj pikture në një shumë
prej mbi 400 mijë funta dhe sjellja në Beograd, u përcoll me një
propagandë denigruese ndaj shqiptarëve,
që sjell "Danasi", meqë, sipas kësaj pikture, ata identifikohen
bashibozukë, të cilët, i shërbyen Perandosë Osmane për zullum ndaj “rajës” së
krishterë dhe të serbëve në “Serbinë e vjetër” Kosovën e sotme!
Pa
hy në faktin se këtu ka edhe të vërteta sa i përket rendit bashibozuk, që si
mercenarë ka përfshi të gjithë popujt e perandorisë osmane, ku ka pasë edhe të
krishterë, fokusimi vetëm te shqiptarët, nuk mund të shihet i shkëputur nga
pretendimi i njohur serbomadh se
shqiptarët gjatë perandorisë osmane si
jeniçer dhe bashibozuk kanë rrënuar etninë serbe në Kosovë, e cila është
detyruar nga zullumi arnaut të shpërgulet! Pra, kjo anatemë, duhet t'i sherbejë
konceptit të njohur hegjemonist serb nga
shekulli XIX, që krahas gënjeshtrës rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb
në Kosovë, që nuk ka ekzistuar dhe krahas gënjeshtrës rreth të ashtuquajturës
Kishë Autoqefale serbe nga shekulli XIII, që
po ashtu nuk ka ekzistuar pos një autonomi e përkohshme e Peshkopatës së
Rashës (më vonë Zhiqes) nga Peshkopata e Ohrit, çfarëdo tjetër nga kultura dhe
jeta shpirtërore, shoqërore dhe politike e shqiptarëve nga mesjeta e këndej, të
paraqitet jashtë kontekstit historik,
pra si e shkapërderdhur nëpër etni të tjera (siç pretendon historiani
Shmitt), e mjegulluar dhe pa vazhdimësi historike e tërësi etnike e të
ngjashme.
Edhe
pse këto gënjeshtra, pak a shumë, historiografia botërore ka filluar t'i shohë,
megjithatë, historiografia hegjemoniste serbe, e mbështetur mbi projektin e
njohur të “Naçërtanjës” së Garashanint të viti 1844, me anën e falsifikimeve
dhe të shëndërrimit të miteve në histori (siç është ai i Kosovës e të
ngjashme), ka vepruar në mënyrë aktive dhe vazhdon ta bëjë këtë, gjithnjë duke
u përqendruar që të ndëpresë çfarëdo lidhjeje të shqiptarëve me antikitetin dhe me mesjetën e mesme dhe atë të vonshme, në
mënyrë që vetëm gjatë perandorisë osmane ata
të "shfaqen" si ardhacak
dhe si mercenarë në sherbim të kësaj perandorie!
Natyrisht
se këtij falsifikimi i është dashtë
binomi të dy formulave mashtruese: asaj
të shtetit mesjetar serb dhe të autoqefalisë së kishës ortodokse serbe nga
vitit 1217. Falsifikimi i parë mbështetet
te despotati i Rashës dhe
Nemanjajt, ndonëse nga burimet meritore bizantine bëhet fjalë për një despotat
si shumë të tjerë gjatë rrethanave të Bizantit, i ngritur fillimisht nga
Vatikani për qëllime që t’i krijohej një baraspeshë me krishterimin ortodoks në pjesën qendrore
të Ilirikut pas ndarjes së tyre në vitin 1054 dhe më vonë dhe, gjatë kohës së zhupanit të madh Stefan
Dushani, i përkrahur nga Bizanti për të mos lejuar forcimin e katolicizmit në Ilirik. Në të gjitha
dokumentet meritore të kohës (ato të perandorëve Porfirogenti dhe Kantakuzeni,
të kronistëve të njohur Pahemije, Kristobulus dhe të tjerë), kemi despotatin
ose zhupaninë e Rashës si Rascia, Rasie e të ngjashme, po askund Mbretëri
Serbe. Termi “mbretëri serbe” si titull kishtar, shfaqet vetëm në zhititë
(jetëshkrimet) e Hilandarit dhe të
klerikëve të tjerë ortodoksë, të falsifikuara në shekullin XIX nga shkolla
sllaviste e Vjenës e drejtuar nga Shafariku e deri te Jastrebovi rus, për ç’gjë
dëshmon më së miri historiani serb i shekullit XIX I. Ruravac, e që vula më
bindëse e këtij falsifikimi ordinar shfaqet te vepra e K. Novakoviqit “Zakonik
Stefana Dushana, cara srbskog” (Kodi i Stefan Dushanit, perandorit serb)
të botuar në viti 1908 dhe shumë herë të
ribotuar, me ç’rast, në hyrje, në faqen
4, Novakoviq thotë se “Kanuni i Dushanit, që e sjell, nuk është i mirëfillti,
nga shekulli XIV, po nga një harrnim kujtimesh nga një prift ortodoks serb nga
Prizreni si dhe nga disa mësues të Bogoslovisë së Prizrenit”! Ky falsifikim me
16 versione të tjera të “Zakonikut” të Dushanit, mbi të cilin ndërtohet e
gjithë godina e të ashtuquajturit shetet mesjetar serb, në shumë universitete
meritore botërore (SHBA, Britani të Madhe dhe gjetiu) është vlerësuar si
jokredibil.
Ngjashëm
ndodhë edhe me mashtrimin rreth të ashtuquajturës autoqefali të Kishës
Ortodokse serbe nga viti 1217, që poashtu, nga burime kredibile historike nga
vetë Patriarkana e KOnstatinopojës, është demantuar me faktin se kjo autoqefali
ka ndodhur tetë shekuj më vonë, në vitin 1923 pasi që ndërkombëtarisht të jetë
formuar Mbretëria Serbe-Kroate dhe Sllovene.
Por,
përkundër këtyre fakteve që mund t’u shtohen edhe shumë e shumë të tjera, që
vinë pandërprerë nga Akademia Serbe e Arteve dhe e Shkencave (SANU) dhe Kisha
Ortodokse Serbe, Muzeu i Beogradit e të tjera dhe mbi këtë diskurs vazhdojnë të përhahpen me të madhe nëpër botë,
akademitë në Tiranë dhe Prishtinë si dhe institutet e historisë dhe të
albanologjisë në Tiranë dhe Prishtinë,
nuk reagojnë veçse vazhdojnë mbllaqitjen e këtyre gënjeshtrave! Ndërsa Serbia dhe mekanizmat e saj kulturor dhe
akademik, siç ndodhi këto ditë në Londër, me rastin e blerjes së pikturës së
njohur të Paja Jovanoviqit, propagandën e njohur të përvetësimit të
krishterimit ortodoks në Kosovës, që me dokumentin e Ahtisarit, objektet e
krishterimit ortodoks iu dhuruan Kishës Orotodose Serbe e me këtë, Serbisë do t’i
njihen “tapitë shpirtërore dhe ato historike” në Kosovë, me të cilat, në
raportet politike dhe diplomatike ndërkombëtare , “konfirmon” pretendimet
hegjemoniste, vazhdon që ato t’i bart edhe në planin aktual politik të njollosjes së shqiptarëve në
përputhje me shpifjet dhe fymjet e Vladan Gjorgjeviqit, Cvijiqit dhe të
tjerëve, si “mbetje fanatike otomane” dhe
“zullumçarë të rrezikshëm për qytetërimin perëndimor”!
Kjo
anatemë, u përdor edhe në Londër, po edhe në Beograd me rastin e blerjes së
pikturës së Paja Jovanoviqit “Pushimi i Bashibuzukut”. Në Prononcimin e Muzeut të Beogradit, rreth kësaj pikture, për bashibozukët thuhet se ishin mercenarë
kryesisht nga radhët e shqiptarëve
e të kurdëve, të
paguar mirë për të ushtruar
terror ndaj popullsisë së krishterë, “rajës”, veçmas ndaj asaj serbe në
“Serbinë e vjetër”.
Ky
veprim i Beogradit dhe të ngjashmit, ndonëse nuk mund të ndryshojnë ato që me
Pakon e Ahtisarit, në saje të sjelljes së papërgjegjshme të klasës politike dhe
të një grupi historianësh, arkeologësh dhe kulturologësh që mori pjesë në këto
bisedime dhe u shpërbylen me honorare të majme dhe tituj "akademik"
dhe poste universitare, iu dhanë
peshqeshe Serbisë nga terashëgimia e
saj shumëshekullore kulturore dhe
historike, megjithatë duhet ta vetëdijësojnë politikën aktuale të Kosovës, që
në aranzhmanet e ardhshme politike, ku bie edhe statusi i kishës ortodokse në
Kosovë, me protokollet e decentralizimit të viteve 2013-2016, tashme me
tretmanin e eksterritorialitetit, sa më
parë të aprovojë ligjin për bashkësitë fetare, me ç’rast, kisha ortodokse serbe
do të trajtohet si bashkësitë tjera fetare, ndërsa objektet e kultit, që ajo
tashmë i ka përvetësuar, me një marrëveshje me ndërkombëtarët, të bëjë çmos të
fitojnë tretmanin e “pasurisë së hapur kulturore ” për të gjithë qytetarët, siç ndodh me të
ngjashmet kudor në Europë, të hapura për dhe jo të mbesin peng i klerikëve serb
në sherbim të politikave hegjemoniste dhe luftënxitëse, apo të shndërrimit të
tyre në depo municioni, siç ndodhi me manastirin e Banjës para pak kohësh!
Kosova,
pra, sot më shumë se kurrë, ka për detyrë që të neutralizojë sa më shumë që të
jetë e mundur, fuqinë e kishës ortodokse serbe në Kosovës, në mënyrë që ajo të
mos shfrytëzohet për qëllime politike, siç ka ndodhë dje dhe po ndodh edhe sot.