E enjte, 03.10.2024, 03:03 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Një poezi hymn për nënat

E premte, 03.11.2023, 08:57 PM


NJË POEZI HYMN PËR NËNAT

Nga Timo Mërkuri

I-Leximi i poezisë "Jam nënë" e Albina Idrizit të mahnit qysh në vargjet e para për diapazonin e gjerë e të thellë shpirtëror të tyre ku emocionet shfaqen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Idrizi ka zgjedhur të përdorë vargje të thjeshta e të drejtpërdrejta për të shprehur ndjenjat e heroinës ndaj të birit pa kërkuar ndihmën e fjalëve të komplikuara apo metaforave të ngarkuara, duke i dhënë kështu poezisë një ndjenjë sinqeriteti e natyrëshmërie.

Dashuria, dhimshuria, përkujdesi e sakrifica e nënës për fëmijën e saj janë tiparet kryesore të portretit shpirtëror të nënës, vijëzuar nga Idrizi në këtë poezi ku heroina shpreh me pasion dashurinë e saj të thellë për birin dhe përgjegjësinë që ka ndaj tij. Ky portret i ndjenjave të saj përfshin të gjitha aspektet dhe elementët poetikë e tregon se marrëdhënia nëne-fëmijë është një lidhje e pazgjidhëshme dhe e pazëvendësueshme, e farkëtuar me dashuri.

Kjo poezi e shkruar thjeshtë, na tregon se emocionet më të thella dhe më të rëndësishme janë të komunikueshme me fjalë të thjeshta dhe se thellësia e ndjenjave shpirtërore mund të kapet më mirë kur ato shprehen në një mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe të ndjeshme. Poetja përdor fjalë të thjeshta që burojnë lirshëm nga shpirti dhe rrjedhin në vargje të qarta për të shprehur ndjenjat e një nëne të përkushtuar ndaj fëmijës së saj. Shikoni me sa elegancë dhe finesë shkruan autorja, shikoni sa shkurt dhe qartë i shpreh  këto ndjenja, të cilat për ti analizuar na duhen faqe të tëra. Poezia është të shprehurit lakonit dhe me art të filozofisë së ndjenjave, dhe në rastin e shprehjes nga nënat për bijtë e tyre edhe lakonizmi është i tepërt, pasi mjafton imazhi i një shikimi të nënës. E parë në këtë këndvështrim themi se kjo poezi e Idrizit është një portret fin i ndjenjave të një nëne që shfaq një dashuri të thellë dhe përgjegjësi ndaj fëmijës së saj në situata të tensionuara dhe të vështira dhe bën që poezia të jetë e ndjeshme dhe e fuqishme për lexuesin.

Kështu, ngarkesa shpirtërore e poezisë është më e dukshme në mënyrën se si nëna përshkruan lidhjen e saj me birin si një lidhje thellësisht emocionale, e krahasuar me fuqinë e një perëndie, me dashurinë e një hyjnie, “…kam fuqi / perëndie,/kam etje, kam dashuri/ hyjnie” dhe me vetmohimin e saj të patundur. Emocionet janë të pranishme në çdo varg, duke përfshirë gëzimin, dhembjen dhe dëshirën e thellë për të kujdesur për fëmijën e saj.

Qysh në leximin e parë të këtyre vargjeve, më vetiu ndër mend se diku e kisha lexuar frazën: “Kam etje” dhe befas me një tronditje shpirtërore u kujtova se këto janë fjalët e fundit të shqiptuara nga Jezu Krishti në kryq, pas të cilave ai dha frymën e fundit. Kjo është përmendur në Bibël, më saktësisht në Ungjillin e Gjonit, në kapitullin 19/v. 28. Nuk e di pse por mes vargjeve te Idrizit dhe fjalës së fundit të Krishtit në kryqëzim shoh një qasje për një etje dashurie, pasi si Idrizi ashtu dhe Krishti nuk është se shprehen për etje për ujë. Artistikisht themi se në vargjet e Idrizit dhe fjalën e Jezu Krishtit në kryq, ka një përshtatje poetike që mund të shihet në nivelin e ndjenjave dhe simboleve.

Vargjet e Idrizit shprehin një etje të thellë për dashurinë dhe përjetësinë e lidhjes ndërmjet nënës dhe biri të saj. Këto vargje përdorin fjalë të forta për të përshkruar ndjenjat e një nëne për fëmijën e saj dhe fuqinë e ndjenjave të saj. Përdorimi i termave si "fuqi perëndie" dhe "dashuri hyjnie" thekson ndjenjat e pazakonshme të një nëne për fëmijën e saj.

Në këtë kontekst, kur shohim momentin e Jezu Krishtit në kryq dhe fjalinë "Kam etje", mund të kuptojmë përshtatjen poetike. Jezusi ishte Bir i Perëndisë në krishterim dhe kjo lidhje mes tij e Perëndisë është e jashtëzakonshme, ndaj i Ati e mori pranë vetes, në qiell pas kryqëzimit. Fjala e tij "etje"duhet të interpretohet si etja për marrjen e mëshirës dhe dashurisë hyjnore, gjatë tre orëve që Jezusi në kryq u braktis nga Zoti, duke vuajtur dënimin e mëkateve tona apo si etja për lidhjen me Atin e tij: Perëndinë, ndërkohë Idrizin si një nënë e shohim nëpërmjet priverbit hebraik se: “Perëndia nga që nuk mund të ndodhej në kudo njëherësh, dërgoi nënat në botë”, në një mënyrë janë të dy të dërguar të Zotit: nëna dhe Krishti. Nuk është e rastësishëm që në lutjet tona, më së shumti kërkojmë ndihmën dhe mbrojtjen e Shën Mërisë, sigurisht bashkë me Krishtin, birin e saj. Prandaj, mund të shprehemi se shihet një përshtatje midis vargjeve të Idrizit dhe momentit të Jezu Krishtit në kryq në mënyrën se si shprehin ndjenjat e fuqishme dhe etjen për një lidhje të pazakonshme dhe të thellë: Krishti me Zotin dhe nëna me fëmijën. Sigurisht që Idrizi mund të mos e ketë lexuar Ungjillin sipas Gjonit, ose ta ketë lexuar por duke mos u kushtuar rëndësi këtyre fjalëve të Krishtit në kryq apo ti ketë interpretuar ato si një etje për ujë, siç i kanë interpretuar dhe shumë jerarkë të kishës, por me gjithë atë ajo i ka shprehur në poezinë e saj dhe mendoj se kjo është bërë instiktivisht, si një poete-nënë, e cila gjithmon është e etur për dashurinë e fëmijës. Kjo qasje shpreh shënjtërinë e nënës dhe të dashurisë së saj ndaj fëmijës, ndaj jo më kot poetja përmend : "kam fuqi/perëndie,/kam etje, kam dashuri/hyjnie". Sinqerisht është vështirë të krijosh vargje të tilla poetike, duhet të jesh një talent i lindur më shumë se i arsimuar.

Duke e zgjeruar këndvështrimin tonë te tonaliteti i ulët poetik, melodioz plot ëmbëlsi e ngrohtësi dhe teksti poetik, vargjet të krijojnë imazhin se kjo poezi është një  ninullë që nëna ja këndon birit të saj, madje kjo ndodh në prag apo gjatë një situate tronditëse. Është pikërisht melodiciteti i poezisë që të forcon ndjesinë e një ninulle. Qasja për të parë këtë poezi si një ninullë është shumë normale, pasi poezia ka elementë të ngrohtësisë, të përkushtimit dhe të sakrificës, të cilat janë të thelbësore për një ninullë nëne dhe pikërisht të shprehurit plot ndjenjë, dashuri e dhimshuri në një formë përkëdhelie, që e shndron tonalitetin e ulët poetik në melodicitet të ëmbël na qas me ninullat. Përgjithësisht ninullat janë një rrëfim i melodizuar i nënave mbi djepin e fëmijës dhe shpreh ndjenjat e saj ndaj tij, gatishmërinë e saj për rritjen dhe mbrojtjen e tij, dëshirën e nënës që fëmia të rritet si një njeri i shquar dhe për të mundësuar këtë rritje ajo shprehet e gatëshme edhe për vetsakrifikimin më  të skajshëm. Kjo qasje është shumë e përshtatshme, duke parë se poezia shpreh përkushtim thelbësor të një nëne ndaj fëmijës së saj. Konceptimi me qasjen e poezisë me ninullën na ndihmon të shohim më me imtësi dashurinë, ngrohtësinë dhe përkushtimin që një nënë ndjen e shpreh ndaj fëmijës së saj, sidomos në prag apo gjatë situatave të tensionuara. Fëmija e ndjen dashurinë e nënës dhe sigurinë e tij në krahët e saj,por ka raste që ai ka nevojë ta dëgjojë të shprehur nga nëna me zërin e saj atë dashuri e siguri, sidomos gjatë situatave tronditëse të përjetuara, ku pavarësisht se ai nuk e kupton tekstin, ai ndjen te vibracioni i zërit të nënës dashurinë dhe gatishmërinë e saj për ta mbrojtur ndaj krijon besimin e tij. Këto ndjenja te poezia janë shprehur aq bukur e ngrohtë në vargjet e Idrizit sa që ne mendojmë se kjo është një poezi e krijuar (apo e konceptuar) gjatë periudhës së luftës së Kosovës dhe se heroina që flet është vetë poetja. Jemi njohur me këtë stil të saj ku në vargje është ajo vetë heroina që flet, mendon e ndjen, dhe në këtë rast mund të shprehim bindshëm se: delikatesa e vargjeve është delikatesa femërore e saj, mendimi psikologjik në vargje është psikologjia e saj në jetë, e saj është fjala e qartë si e prerë derdhur në vargjet e shkurtëra, si dhe ajo buzëqeshja që regëtin herë mes dy vargjeve e herë midis dy fjalëve është po e saj, ndaj themi se Albina Idrizi është vetë poezia që ajo krijon. Kjo është arsyeja që duke lexuar këtë poezi përfytyrojmë poeten Idrizi në një situate tronditëse duke i kënduar të birit mbi djep si ninullë poezinë e mësipërme. Njohja e disa situatave jetësore të saj gjatë luftës na e përforcon këtë mendim. Megjithë atë duhet të themi se ka një ndryshim midis tekstit të kësaj poezie dhe ninullës, ninullat janë këngë me tekste  shumë të thjeshta, ndërkohë që poezia e Idrizit është një poezi moderne, por fakti që moderniteti i saj qëndron pikërisht te thjeshtësia e vargjeve dhe kuptimshmëria e tejdukëshme e tyre, e afron qasjen më tepër.

II-Thamë se poezia “Jam nënë” përcjell një dashuri të jashtëzakonëshme e përkushtim të një nëne ndaj fëmijës së saj, dashuri thellësisht shpirtërore që përkufizohet nga sakrificat dhe guximi për të mbrojtur dhe kujdesur për fëmijën, dhe për këtë sollëm pasazhin poetik: “kam durim, kam fuqi/perëndie/ kam etje, kam dashuri/hyjnie”.

Nëna është e gatshme të sakrifikojë veten dhe të përballojë të gjitha dhimbjet për të ndihmuar fëmijën në çdo mënyrë. “Jam nënë, dhe/Mund ta ha veten,/ Mund ta vjellë,/Mund ta përpijë prapë” shkruan poetja natyrshëm, por ne kujtohemi se e shprehur  në këto përmasa vetësakrifikimi i nënës në mbrojtje të fëmijës së saj është hera e parë që e shohim. Ky aspekt i poezisë përcjell ndjenjat shpirtërore të sakrificës dhe përkushtimit të thellë të nënës dhe ne na krijohet përshtypja se nuk e kemi lexuar por e kemi dëgjuar si një betim nëne..

Nëna është burimi i ngrohtësisë dhe mbështetjes emocionale për fëmijën. Ajo është aty për ta kënduar atë në mënyrë që të ndihmojë në të vdekurin e djellit, dhe ajo shtron gji për ta ushqyer. Kjo përcjell një lidhje të thellë shpirterore mes tyre. “Më qeshet kur gëzohesh ti,/Më qahet kur dëshpërohesh ti,/Më dhemb atje ku lëndohesh ti” lexojmë dhe menjëherë na lind dëshira që tjua këndojmë si ninull fëmijëve mbi krye këtë tekst për tu thënë se ne jetojmë për ata dhe nëpërmjet atyre.

Te mesazhi: "Se jam nënë, Vetëm se jam nënë" shohim të shprehur me art se lidhja më e fortë në këtë botë është ajo mes nënës dhe fëmijës. Vargu i fundit “Biri im” është adresim i përkushtimit, por njëkohësisht edhe një rikujtesë fëmijës por edhe një dëshmi e fuqisë, dashurisë dhe sakrificës së nënës për mbrojtjen e tij. Lexojeni këtë poezi dhe thuajuani fëmijëve tuaj, do ti bëni më të sigurtë në jetë.

III- Poezia e Idrizit shpreh faktin psikologjik se një nënë është e gatishme për të sakrifikuar edhe veten në mbrojtje të fëmijës së saj. Kjo është e rëndësishme në kontekstin e psikologjisë dhe rolit emocional të saj dhe këtë e shohim te elementet  poetikë që tregojnë për këtë:

Poezia fillon dhe përfundon me fjalën "Biri im!" duke theksuar faktin se tërë veprimet dhe ndjenjat e nënës janë të përqëndruara në kujdesin dhe mirëqenien e fëmijës (birit) të saj. Ky përqendrim thekson lidhjen shpirtërore që një nënë ka me fëmijën dhe gatishmërinë për të bërë çdo gjë për të. Të kuptojmë një gjë, poetja nuk e lidh këtë me konceptin tradicional të “djalit” të shtëpisë, ajo e mbështet te koncepti “fëmija im”. Cilësimi “Biri im” është një element personal që ka lidhje me kohën dhe rrethanat e konceptimit të poezisë.

Fraza "Mund ta ha veten, /Mund ta vjellë,/ Mund ta përpijë prapë", një metaforë simbolike e hiperbolizuar shpreh gatishmërinë e nënës për të përdorur çdo mjet e burim të mundshëm për të mbrojtur dhe shpëtuar fëmijën, pavarësisht nga vuajtjet që mund të përjetojë ajo vetë. Vargjet e mësipërme përcjellin një imazh të fuqishëm emocional të një nëneje që është e gatshme të sakrifikojë gjithçka për të mbrojtur dhe kujdesur për fëmijën e saj. Ato shprehin një nivel thelbësor të përkushtimit dhe dashurisë materiale dhe emocionale të një nëneje ndaj fëmijës së saj, pavarësisht nga vuajtjet dhe vështirësitë që ajo mund të përjetojë në këtë proces.

Vargjet "Mund të falë atë /Që nuk falet, /Mund të marrë atë /Që nuk merret, /Për ty" shfaqin dëshirën e thellë të një nëneje për të kujdesur për fëmijën në çdo rrethanë, madje edhe kur situata është e pamundur, duke reflektuar edhe faktin psikologjik se një nënë ka një lidhje të thellë dhe të pashmangshme me fëmijën e saj. Këto vargje tregojnë se një nënë është e përkushtuar ndaj fëmijës së saj dhe është gatshme të sakrifikojë veten dhe të kujdeset për të në mënyrë të pakushtëzueshme. Ato shprehin një imazh të thellë emocional të dashurisë materiale dhe shpirtërore të një nëne ndaj fëmijës së saj dhe dëshirën e saj për të siguruar që fëmija të ketë një jetë të lumtur dhe të sigurt.

IV-Poezia "Jam nënë" e Albina Idrizit ka një strukturë të thjeshtë dhe moderne që përdor elementë të poezisë së lirë dhe shprehje të thjeshta për të komunikuar emocionet dhe ndjenjat e thella të një nëneje ndaj fëmijës së saj. Struktura e thjeshtë dhe moderne e kësaj poezie ndihmon në thellësinë dhe ndjenjat e saj, duke e bërë më të qartë dhe të prekshme për lexuesin. Kjo poezi shpreh thellësinë e rolit të nënës dhe emocionet që lidhen me atë rol në një mënyrë të fuqishme dhe të ndjeshme. Disa elementë të strukturë së kësaj poezie përfshijnë:

Kjo poezi përdor fraza të shkurtra dhe fjalë të thjeshta për të paraqitur ndjenjat dhe përkushtimin e një nëne ndaj fëmijës së saj, duke krijuar një strukturë të thjeshtë dhe të drejtëpërdrejtë, e cila fokusohet te emocionet në poezinë moderne.

Poezia nuk ndjek një strukturë të rregullt rime, ajo i lejon poetes të shprehet lirshëm dhe të fokusohet te ndjenjat dhe mendimet që do të komunikojë. Kjo është një karakteristikë e poezisë së lirë moderne.

Krijimi poetik fokusohet thelbësisht në emocionet e nënës, ku përfshin dashurinë, sakrificën, dhimbjen e gëzimin, duke theksuar qëllimin kryesor të saj për të komunikuar një ndjenjë të thellë dhe për të përcjellë një mesazh emocional, tipar i poezisë moderne.

Autorja përdor imazhe dhe përsiatje të thjeshta për të përshkruar rolin dhe ndjenjat e një nëneje, kjo krijon një ndërthurje të thellë midis imazheve të thella emocionale dhe fjalëve të thjeshta.

Poezia ndahet në strofa që fokusohen në aspekte të ndryshme të rolit të nënës dhe ndjenjave të saj, dhe ky qëndrim ndihmon lexuesin të ndjekë dhe të kuptojë thellësinë e emocioneve të shprehura në poezi, por së pari kjo strukturë e bën më të dukëshme idenë e poetes në portretizimin e vlerave shpirtërore të një nëne për birin e saj, duke na dhënë poetikisht një portret të realizuar si rrallë herë.

V-Figurat artistike të kësaj poezie i shërbejnë modernitetit poetik të poezisë dhe shfaqjes dukshëm të portretit shpirtëror të një nëne. Kjo poezi e Idrizit përdor figura artistike që përcjellin ndjenjat dhe emocionet e thella të një nëne, si:Metafora:"Mund ta ha veten, Mund ta vjellë, Mund ta përpijë prapë." (Figurë e sakrificës së thellë). Ky pasazh përdor metaforën e të ngrënies, të vjelljes dhe të pirjes së vetvetes, metaforë që tejkalon edhe vizionet e herëshme të legjendave e miteve për të paraqitur gatishmërinë e saj për të bërë sakrifica të mëdha për të kujdesur për fëmijën e saj.

Vargu "Më qeshet kur gëzohesh ti, Më qahet kur dëshpërohesh ti." Është  një personifikim i emocioneve që tregon se ata ndjekin reagimet e fëmijës ndaj jetës. Kontrasti midis mundësive"Mund të falë atë Që nuk falet, Mund të marrë atë Që nuk merret." paraqet fuqinë dhe vendosmërinë e nënës për të arritur atë që duket e pamundur, si për të falur dhe për të marrë atë që nuk është e lehtë. Interesant është përdorimi i anadiplozës:"Jam nënë, dhe / kam durim, kam fuqi / perëndie, / kam etje, kam dashuri / hyjnie." (ku fillon dhe përfundon me të njëjtat fjalë "Jam nënë" dhe duke përdorur fjalë të ngjashme në rreshtat e mesit) me të c ilën përcjell përsosmërinë dhe thellësinë e ndjenjave të një nëne për fëmijën e saj.

Ndërsa imazhet vizuale:"Mund ta ha veten, Mund ta vjellë, Mund ta përpijë prapë" shfaqin tërësinë e përpjekjeve të  nënës për tu kujdesur për fëmijën, duke krijuar një tablo e forcës dhe sakrificës së saj.

Pra, përdorimi i suksesshëm i këtyre figurave artistike i ndihmon poezisë të përcjellë emocionet dhe mendimet e saj në një mënyrë e ndjeshme, fine dhe tërheqëse për lexuesin dhe figurat artistike ndihmojnë në krijimin e një imazhi të thellë të ndjenjave të një nëneje në kohëra të vështira dhe kontribuojnë në ndikimin emocional të poezisë.

VI-Poezia "Jam nënë" e Albina Idrizit mund të përshkruhet si një poezi simbolike, metaforike, dhe psikologjike, pasi përdor elementë të shumta simbolike dhe metaforike për të shprehur ndjenjat, emocionet dhe sakrificën e një nëne në një kontekst të luftës dhe vuajtjeve për të mbrojtur fëmijën e saj.

Poezia përdor simbolin e nënës për të shfaqur figurën e sakrificës, dashurisë dhe përkushtimit të një nëne ndaj fëmijës së saj, ku nëna simbolizon forcën dhe guximin për të bërë sakrifica të mëdha për fëmijën.

Disa vargje përdorin metafora të fuqishme për të paraqitur sakrificën dhe gatishmërinë e nënës për të mbrojtur fëmijën,psh. "Mund ta ha veten, Mund ta vjellë, Mund ta përpijë prapë" janë metafora që përshkruajnë sakrificën e thellë.

Poezia shpreh ndjenjat dhe emocionet e një nëneje ndaj fëmijës së saj, duke përdorur personifikime të emocioneve si gëzimi dhe dëshpërimi, duke treguar kështu një qasje psikologjike ndaj roli të nënës në kontekst të vuajtjeve dhe emocioneve të thella.

Për shkak të përdorimit të shumë simboleve, metaforave dhe fokusit të thellë psikologjik në ndjenjat dhe emocionet e një nëneje, poezia "Jam nënë" është një poezi më shumë simbolike, metaforike dhe psikologjike sesa realiste. Ky stil i poetes ndihmon në thellësinë dhe ndikimin emocional të poezisë dhe e bën atë të përshtatshme për të shprehur ndjenjat dhe emocionet e një subjekti të tillë (nënë) të ndjeshëm dhe të thellë.

VI- Vargu poetik i Idrizit është i pasur me imazhe emocionale dhe metafora që theksojnë thellësinë e ndjenjave të një nëneje ndaj fëmijës së saj. Kjo poezi përdor vargun poetik për të shprehur një portret thellësisht emocional të një nëneje dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në jetën e fëmijës.

Thanë në sipër se vargu poetik i Albina Idrizit në poezinë "Jam nënë" është i tonalitetit të ulet dhe shpreh emocionet e ndjenjat me një ton të butë, të thellë, dhe të ndjeshëm, ku poetja përdor një gjuhë të pastër dhe të thjeshtë për të paraqitur ndjenjat e një nëneje ndaj fëmijës së saj, dhe ky ton i butë është përshtatshëm për të shprehur përkushtimin dhe dashurinë e një nëneje. Ky ton i butë, i melodizuar dhe i ndjeshëm ndihmon në ndikimin emocional të poezisë, duke e bërë atë më të prekshme dhe të përshtatshme për të shprehur thellësinë e ndjenjave të një nëneje në një mënyrë të fuqishme, por të respektueshme.

Albina Idrizi përdor një gjuhë të thjeshtë dhe fjalë të zakonshme në poezinë "Jam nënë", por arrin të krijojë një poezi shumë të fuqishme emocionalisht. Gjuha e poezisë është e pastër dhe e thjeshtë,  ku përdorimi i fjalëve të thjeshta dhe të njohura bën që poezia të jetë e lehtë për të kuptuar dhe për të ndjekur emocionet. Mungesa e fjalëve të komplikuara ose abstrakte lejon lexuesin të lidhet më lehtë me poezinë dhe të kapë emocionet e shprehura. Ky faktor (fjalët e thjeshta dhe gjuha e qartë) e bën poezinë të përshtatshme për një audiencë të gjerë si dhe që lexuesi të ndjehet i afërt ndaj temës dhe të identifikohet më lehtë me emocionet dhe detyrat e një nëne.

Megjithë se fjala e është e thjeshtë, poezia përcjell emocione të thella, ku vetë përdorimi i fjalëve të njohura e të thjeshta e lejon poeten të përqëndrohet në shfaqien e emocioneve me thellësi dhe ndjenjë. Pra, përdorimi i një gjuhe të thjeshtë dhe fjalëve të zakonshme nuk pengon poezinë për të shprehur fuqinë emocionale, përkundrazi, bën që poezia të jetë më e prekshme dhe më e përshtatshme për të përshkruar ndjenjat e thella dhe të kompleksa të një nëneje në mënyrë të fuqishme dhe të prekshme për lexuesin.

E parë në këto spektete kjo poezi moderne e Albina Idrizit është në vetvete një hymn për ndjenjat dhe dashurinë e nënës ndaj fëmijës.

Sarandë, më Tetor 2023.

JAM NËNË

Jam nënë, dhe

kam durim, kam fuqi

perëndie,

kam etje, kam dashuri

hyjnie.

Biri im!

Jam nënë, dhe

Mund ta ha veten,

Mund ta vjellë,

Mund ta përpijë prapë.

Biri im!

Jam nënë, dhe

Më qeshet kur gëzohesh ti,

Më qahet kur dëshpërohesh ti,

Më dhemb atje ku lëndohesh ti.

Biri im!

Jam nënë, dhe

Mund të falë atë

Që nuk falet,

Mund të marrë atë

Që nuk merret,

Për ty.

Se jam nënë,

Vetëm se jam nënë.

Biri im!

“Dashuruar me diell” (f. 27).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora