Faleminderit
Albert Vataj: Simon Gjoni, kontributori i vlerave t’epërme krijuese dhe ekzekutuse muzikore
E merkure, 01.11.2023, 08:54 PM
Simon Gjoni, kontributori i vlerave t’epërme krijuese dhe ekzekutuse muzikore, "një model i papërsëritshëm në lirikën tonë"
Nga
Albert Vataj
Ai
asht ndër t’parët dirigjent profesionist t’orkestres simfonike. Ai sa kje ndër
t’mdhejt e t’mdhejve t'muzikës shqiptare, ka zhvillu nji aktivitet t’dendun
n’fushën e krijimtaris, muzikologjisë dhe pedagogjisë, ekzekutimit gjithashtu.
Veprat e krijuese prej tij shtrihen qysh prej te muzika e dhomës, ajo për
orkestër, muzika instrumentale e vokale, muzika e filmave, përpunimet e
t’kangve popullore, orkestracion t’veprave t’kolegve kompozitor, kangt e deri
te muzika fetare kishtare. Tanjtata veprat t'tij, si romanca, suita, koncerte,
fantazi, simfoni, janë mirpritun, kanë marrë vlersime, tue xan njiherash edhe
nji vend n'repertorin e lujtun t’instrumentave, orkestrave dhe koreve, shkruen
Marjan Z. Shestani në librin “Shkodra, kontributet në traditat kulturore e
artistike shqiptare”.
Simon
Gjoni u lind n'qytetin e Shkodrës, më 28 tetor 1923. U eduku n'nji familje
t'thjesht qytetare shkodrane, njaty ku "djepi i kulturës" përkuni e
mkoi shpirt e gjenialitet, za e zemër, kah u naltu arti dhe tan mirsit e tjera
shpirtnore.
Shkollën
fillore dhe t’mesme e kryen në Kolegjin Françeskan, n'qytetin ku u lind, njaty
ku emna e figura t’ndrituna t’artit shqiptar nisën rrugën kah andrra dhe vepra
e vlertë. Kur ishte hala fëmij, ai ka marr pjesë në mënyrë aktive në grupin koral
të shkollës, dhe ma vonë i dedikohet instrumentit të trompës. Asokohe asht
antar i bandës së fëmijëve së bashku me Tish Dainë, Tonin Harapin, Çesk Zadenë,
etj, me drejtues kompozitorin e njoftun, Prenkë Jakova. Mbasi mbaron gjimnazin,
ju kushtu nji aktiviteti t’dendur muzikor, duke kontribu n’formacione të
ndryshme orkestrale e vokale. Drejton ansamblin artistik t’gjimnazit,
t’Shkodrës, aktivizohet njiherash si drejtues orkestrave të ndryshme, pranë
Radio Shkodrës. Në kyt periudhë Simon Gjoni, u shfaq edhe talenti i tij prej
krijuesi, me nji ndjenj t’fuqishme dhe origjinalitet t’dukshëm shpirtnor, me
t’cillin ai e mishëroi artin e bukur të sendërgjimit muzikor. Përgjatë
periudhës ndërvitëse, 1946 – 1947, ai bahet nji reale e shpirtit krijus, një
gjendje kah e cilla pulsoi vitalja e asaj epje, qi erdh për me ken nji vlerë e
muzikës dhe kangës lirike shkodrane.
Kyt
kontelacion yjesh magjepsëse t’kangs s’bukur, ku spikat ndjeshmëria i vibrimeve
muzikore dhe tejpamshmëria e idilit poetik dhe tamëltimi i andjes t’themelt
t’shpirtit shkodran, qi shpërfaqet përmes nji dehjeje mrekullimi këndues, me
"Lule - bore", "Sy laryshes", Sulmuesja e tisazhit",
"Pash sytë e tu si drita", "Fyelli i çobanit", "Nëna
dhe çika", etj, kang qi e çuan më tej traditën qytetare të lirikës
shkodrane dhe u përhapën me një shpejtësi të vetëtimshme, tue u kthy n’hymne
t’atij shpirti qi jetoi dhe u blatu më t’amlën fjalë dhe melodi hyjnue n’kang e
muzikë, virtuozitet interpretus dhe thellsi përjetimi.
Simon
Gjoni, kësisoj kje, ajo zemra dhe ai zani, ai vullneti qi bani shend e verë
krejtkënd u gjegj me u ba, prehën dhe e perëndishmja e fryms qi duhmën aromë
lulesh e freski, për me u ngjit atje nalt, ku e perëndishmja e artit të madh
t’muzikës, zotonte dhe magjepste shpirtin e botës. Erdhën kta kang, u ba
vullnet i epërm ky shpirt krijus dhe Shkodra u beku prej njatij mëkimi. Kangt e
Simon Gjonit kjen gëzimi i tan gazmendeve. Ndigjoheshinj kto riprumje dhe
kumte, n’shpi e n’oborre, n’salla koncertesh e krejtkund Shkodra e ndijonte
pulsin e ritmit t’gjalljes s’vet.
Jo
veç Shkodra dhe shpirti shkodran u deh prej këtij ambrozi, qi mëkoi hyjnisht ky
shpirt krijus, por edhe ata, t’mdhejt e kangs dhe muzikës, ata qi shkruen
historinë e këtij solemniteti, e naltuen këtë punë, e çuen kah e epërmja xente
vend, kësisoj, Çesk Zadeja e konsideronte ate: "nji model t’papërsëritshëm
në lirikën ton’".
Tue
dasht me përcjell sa ma kjart punën krijuse dhe veprën, sfidën e ktij gjigandi
t’zashëm shkodran, qi xuni nji vend nderi n’artin e mahnitshëm t’muzikës, marr
ndihmë nga puna hulumtuse dhe promovuse e kolegut dhe mikut tem, Flori Slatina,
i cili në “55x2”, portrete artistësh ai bjen një pasqyrim shterus të njohjes së
kësaj figure.
Për
mos me u mjaftu me njaq, Gjon Simoni, studimet e narta i kryen në vitet 1952-
1958, n’Akademinë e Nalt Muzikore t’Pragës, n’klasën e dirizhimit simfonik me
profesorët v. Smetacek, R.Brook, dhe A. Klima. Në vitin 1954 asht pjesmarrs si
kompozitor n’Festivalin Internacional t’Muzikës, bashk me kolosët botnor,
kompozitorët dhe instrumentistët si Shaporin, Janson, Rihter, Shafran, Fisher,
Fournet, etj. N’vitin 1956, në sallën "Mestska Knihovna" ai drejton
"Rosamunda" e Shubert dhe "Perr Gynt" të Grieg. Po në kyt
kohë drejton veprën "Pygmalion" t’kompozitorit, Jiri Benda. N’vitin
1957 në sallën "Dum Umelcu", drejton "Simfoninë koncertale për
violinë e kontrabas" të K. Dittersdorf. Suksesi i ktij koncerti pasohet
nga ai i pjesës simfonike "Les Preludes" të Franc Liszti -it. N’vitin
1958 kthehet n’atdhe me dy valixhe plot me libra, dhe me nji kulturë t’gjan,
talent, pasion, disiplinë e forcë organizative artistike, vlera këto që i
trasmeton edhe në orkestrat simfonike ku la mbresa të thella dhe horizont
kulturor e artistik.
Ai
kje nji ndër dirigjentët e parë t’orkestrave tona simfonike të Teatrit të
Operas dhe Baletit dhe të Radio Televizionit. Në vitin 1958 emërohet dirigjent
në TOB. Shum’ vepra t’shqume e gjetën interpretimin e "parë" tek
dirigjenti i ri dhe i talentum, i cilli i interpretoi ata, tue zbulu ngarkesën
emocionale t’tyne me nji ndjeshmëri t’nalt. Përmendim baletin "Lola",
"Laurencia", operat "Don Paskuale", "Berberi i
Seviljes", Paliaçot", "Franceska da Rimini",
"Pranvera".
Spariherë,
me kujdesin dhe pasionin e tij, inçizon krijimtarin e deriat’hershme
t’kompozitorëve shqiptar, Zadeja, Gaci, Nova, Grimci, operetën
"Lejlaja" të T. Daise, operetën "Agimi” të K. Konos, Koncertin
për violinë të Zoraqit, rapsodin për piano të Gacit, rapsodin për piano dhe
orkestër të Tonin Harapit, gjithashtu edhe muzikën e disa filmave shqiptarë.
Ishin hapat e para t’kristalizimit t’nji kulture kombtare, ku Simon Gjoni dha
kontributin e vet të paçmim, prandaj regjistrimi n’radio paraqiste mjaft
vështirsi, kjoft përsa i pëket anës teknike, njashtu edhe sa i përket
përgatitjes së këngëtarëve, korit, orkestrës, për realizimin sa më dinjitoz e
me një nivel të nalt artistik. Nga autorët botnor ekzekutoi për herë të parë në
Shqypni, Beethoven, "Simfoni Nr 8", Mendelson "Uverture",
Bethoven "Eleonora", uverture K. M. Veber "Gjuetari magjik”,
Liszt "Prelude" Dvorzhak "Valle simfonike". Me orkestrën e
re të RTV delnin mjaft probleme për krijimin e nji profili t’kjart, për kyt,
Simon Gjoni punoi në mjaft seriozitet e me një disiplinë t’hekurt, punoi për
individualitetin e kësaj orkestre, e cilla përbahej nga nxënës të Liceut
Artistik, nga studentë qi vazhdonin konservatorin, dhe nga orkestrantë me
pasion e vullnet.
Krijimtaria
e tij ka kalu pothuajse t’tana gjinit, tue fillu që nga kangt, romancat,
kantatat, suitat, poemat, veprat instrumentale e deri te veprat e mëdha
orkestrale, si 11 valle simfonike, poema simfonike, suita e deri tek Simfonia,
vepra t’cillat ndihet atmosfera e kohës, besimi i kompozitorit ndaj popullit të
vet, prezenca e t’cillit asht e pashmangshme, me tan dukunit në kta vepra.
N’maj t’vitit 1960 kompozon oden lirike "Pranvera jonë", me tekst
t’Ismail Kadaresë, dhe një suite simfonike me katër kohë. Një vit ma pas
kompozon, "Poema e rapsodit" për bas - celo - piano. Ballada
"Lufton shqipja" u këndu menjiherë nga basi malcor, Llukë Kaçaj.
Simon Gjoni gjithashtu, kompozon duetin "Bjeshkëzo", romancat lirike
"I fola valës", "O toka nanë”, "O bjeshkë, o male
kreshnike", dhe nji numër kangsh të ndryshme. Në vitin 1962 kemi prej tij
vallen e parë simfonike shqyptare, që u pasu gjat viteve nga 10 Valle Simfonike
të tjera qi paraqitnin nji gërshetim t’mrekullueshëm t’muzikës së kultivuar me
muzikën popullore. Secila prej valleve asht një vepër n’vedi, krejt e veçantë
dhe e ndryshme nga tana t’tjerat. Simfonia trajton situatat e randa dhe
t’vështira historike për t’fitu lirin dhe pamvarsin e popillit ton. Aktivitetin
e tij si pedagog, ku ai dha një kontribut t’çmum deri n’dekikat e fundit
t’jetës, ku përgatiti me dhjetra student, e filloi në vitin 1958 n’Liceun
Artistik. Më 1961 asht nji prej pedagogve t’par n’themelimin e Konservatorit
Shtetnor të Tiranës, s’bashku me Çesk Zadenë, T. Guraziun, Y. Skënderin, etj,
ku ka dhan landët e Intonacionit, Polifonisë, Dirigjimit, Muzikën e dhomës. Ai
kje nji shembull i rrall nga ku gjeneratat munden me nxan, si për kërkesat
sistematike, kambnguljen e disiplinën e nalt artistike, ndërgjegjjen e thellë.
Në gjithë krijimtarinë e tij të gjatë artistike është nderuar me çmime të
ndryshme si dhe me titullin, "Artist i Merituar". U nda kso jete më
31 tetor 1991. Emri i Simon Gjonit, ashtu siç e ka cilësuar edhe Zadeja i madh,
do të ngelet i skalitur në pentagramin e muzikës shqyptare, së cillës i shërbeu
me dashuri dhe respekt.
Figura
e Simon Gjonit dhe kontributi i tij i jashtzakonshëm, ka ken, asht e ka me mbet
nji prej figurave t’randsishme, vepra dhe kontributi i t’cillit përban nji faqe
t’randsishme të ma t’naltit art, atij t’muzikës. Tue e njoft Simon Gjonit, na
mundena me e fut në nji hulli t’randsishme shpërfaqjen sa ma t’plot të ksaj
figure shumëdimensionale, të ktij personaliteti që la një emën dhe nji vepër
t’vlersume.