Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Gjyqi ndaj At Gjergj Fishtës në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve më 1949
E premte, 04.08.2023, 06:57 PM
Gjyqi ndaj At Gjergj Fishtës në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve më 1949
Nga
Albert Vataj
Një
dosje e këtij viti ruajtur në AQSh me materiale mbi përgatitjen e kësaj
Konference përmbledh një mori dokumentesh ku dëshmohet se si po zyrtarizohej
nga viti në vit ‘historia e re’ e letërsisë shqipe.
Ndër
tezat që po përgatiteshin të diskutoheshin në Konferencën e III-të të Lidhjes
parashtrohet dhe kjo analizë mbi veprën dhe aktivitetin e At Gjergj Fishtës, pa
autor në fund, ku argumentohet paragraf pas paragrafi se pse ky autor duhej
zhdukur njëherë e mirë nga historia e letërsisë shqipe dhe cila ishte fryma
“armiqësore” në veprat e tij.
“Gjuha
që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar.
Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai
me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i
afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më
vonë me Luigj Gurakuqin…” Kështu shkruhet në një paragraf të kësaj analize,
duke përfunduar pak më poshtë me një varg konkluzionesh mbi pikat, se ku dhe
pse duhej dënuar ky autor që nuk i shkonte për shtat regjimit të ri komunist që
po instalohej në Shqipëri.
Më
poshtë sjellim pjesën e dytë të këtij dokumenti.
Pjesë
nga tezat e Konferencës së Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve
Mrizi i Zanave
–
Fishta vijën e tij politike, përmbajtjen poetike, nuk e ndryshon as në vjershat
e tij lirike, dhe as që mund ta ndryshonte. Edhe këtu ai u ngre himne feudalizmit
dhe imperializmit; edhe këtu ai vjell vrer kundër popujve fqinj, sidomos kundër
sllavëve; edhe këtu ai do t’i ngrejë himne “Mbretit”.
Lirikat
e Mrizit të Zanave janë në përgjithësi një jehonë e “Lahutës”. Gjenden këtu
edhe disa lirika me subjekt jo politik, si “Burrnija”, “Dita e Gjyqit”, “Nji
lule vjeshtet”. Në subjekte të tilla Fishta zakonisht bie në retorikë, në
reklamacion, në reminishenca dhe imitacione të thata. Fishta ndjen dhe këndon
vetëm ashtu siç është edukuar; ndjen e këndon gjëra të klasës dhe të klikave që
e kanë rritur, që e kanë mësuar dhe e kanë madhëruar me dekoratat e titujt
“Poet Kombëtar”, “Akademik” etj. si poet lirik Fishtën përgjithësisht nuk e
kishte pranuar as kritika zyrtare e së shkuarës; kjo do të thotë se lirika e
tij klasës sunduese nuk i kishte sjellë shërbime aq të mëdha siç kishte bërë
“Lahuta”. Aq më pak prandaj do ta pranojmë ne sot Fishtën si poet lirik, kurse
lirizmi i tij ose është një jehonë helmuese e “Lahutës”, ose është retorik dhe
imitacion i thatë i poetëve të huaj.
Këtë
mund ta shohim qartë në lirikën e tij “Nji lule vjeshte” ku Fishta ka imituar
njëkohësisht Leopardin, Horacin, Manzonin, Montin dhe Foscolo. Bile në disa
vargje ai edhe i ka përkthyer fjalë për fjalë këta poetë. Gjithashtu në lirikat
“Burrnija” dhe “Dita e Gjygjit” ai me një retorikë bombastike është përpjekur
të imitojë madhështinë universale të koncepteve artistike të Michel Angelo-s,
por krijimi personal i tij nuk shihet në to.
Anzat e parnasit dhe
Gomari i babatasit
–
Në këto dy vepra përmblidhet satira e Fishtës. Është thënë shumë herë, e
ndonjëherë edhe në kohën tonë revolucionare, se Fishta si poet satirik është
një poet me vlerë dhe si i tillë do të mbetet. Kjo ide është shumë e gabuar. Në
Fishtën ka kontradikta, këtë askush nuk e mohon as që mund ta mohojë, sepse
vetë vija politika që ai ndjek në zgjedhjen e temave dhe në trajtimin e tyre,
është plot me kontradikta.
Ajo
është vija politike e imperializmit dhe e klasave sunduese në procesin historik
të vendit tonë. Dhe dialektika ne na mëson se imperializmi dhe klasat sunduese
jetojnë si parazitë mbi kontradiktat. Kontradiktat zhduken në sistemin shoqëror
ekonomik dhe politik veç me zhdukjen e klasave, e për konsekuencë edhe në art
vetëm atëherë do të mund të zhduken këto kontradikta.
Mbi
sistemin e kontradiktave më të çuditshme ishte rritur, rronte dhe këndonte
Fishta. Është një çudi pra në qoftë se e shohim Fishtën në disa momente të
ngrihet dhe të satirizojë Turqinë, Italinë, Anglinë ose ndonjë tjetër shtet
imperialist. Ai këto shtete të tjera herë edhe i ka lëvduar. Kështu ai vepronte
sipas momentit, sipas situatës politike, sipas interesave të klasës sunduese
për të cilën këndonte. Kështu p.sh. të mos çuditemi aspak kur Fishta në poemën
heroike-komike “Palok Cuca” vërsulet kundër Italisë dhe shtëpisë Savoia, sepse
po ai Fishtë shtëpisë Savoia më 1940 do t’i urojë fitore glorioze në telegramin
që i drejton Viktor Emanuelit me rastin e 40-vjetorit të mbretërimit të tij.
Asnjë
çudi në qoftë se shohim Fishtën të ngrihet dhe të kritikojë qeverinë e Tiranës
në “Gomarin e Babatasit”. Ai këtë bënte në një moment kur Zogu dhe klika e tij
po mendoheshin dhe s’po vendosnin dot se cilit imperializëm t’i shiteshin,
kurse një klikë tjetër tradhtare, ku bënte pjesë edhe Fishta kishte vendosur që
Shqipëria t’i shitej Italisë dhe donte që hapi i parë të fillonte pikërisht aty
ku është baza e independencës së një shteti të pavarur, d.m.th. në ekonomi. Ja
se ç’thotë Fishta në “Gomarin e Babatasit”:
“Vall, traktatit të
tregtis
N’mjest’Shqypnis – edhé
Italis,
Qi tash ma se nji motmot
Kjé ba gati, pse dér
m’sot
Qeverija s’i vu’ dorë,
Por la fushë edhé
malcorë
Me u tha ujet t’ngatët e
shpija,
Ke s’u ban pare
baktija?…”
(Gomari i Babatasit…, f.
45)
Natyrisht
për realizimin e politikës së shitjes së vendit te të huajt duhej vajtur edhe
më tutje, duheshin sjellë të huaj që në fillim të ekzistencës së shtetit të ri
për t’u futur kudo në administratë, për t’i përgatitur terrenin okupacionit. Ja
këshillën që i jep Fishta shtetit të ri shqiptar me satirën tij:
“Për me siellë punët
t’ona mbarë,
Ktu duen siellë njerz
dijetarë
Prej Europet: profesorë
Edhe eksperta: e ktyne
n’dorë
Me jau lshue
administratën…”
(Gomari i Babatasit…, f.
55)
Klasës
sunduese dhe klikave tradhtare, poeti i të cilave është Fishta, pas Luftës së
Parë Botërore kishte mbetur vetëm një padron me të cilin punët u ujdisnin mirë:
Italia imperialiste. Dhe Zogu, përfaqësuesi i kësaj tradhtie të re, nga më të
mëdhatë e më të poshtrat që u bënë ndonjëherë në kurriz të popullit shqiptar,
ia mbaroi Fishtës që të dyja këto amanete: i dha koncesione ekonomike Italisë,
dhe aparatin e shtetit e mbushi me të ashtuquajturit këshilltarë italianë të
cilët në bashkëpunim me agjentë të brendshëm si Fishta me shokë i përgatiti
popullit shqiptar ditën e zezë të 7 prillit 1939. Pasi Zogu i bëri këto Fishta
s’e kritikoi më as atë as xhelatët e tij; për më tepër bile u bë mik i ngushtë
i tij, shkroi artikuj lavdërimi për monarkinë e tij, dhe në pallatin e tij hyri
e doli si në shtëpinë e vet.
Ja
ku qëndron e ashtuquajtura vlerë e kritikës politike që bën satira e Fishtës:
kritiko sot atë që s’të vete pas interesit për t’u bërë mik i ngushtë nesër me
të në rast se interesat bashkohen. Ja morali, ja parimet mbi të cilat
mbështetet edhe satira e Fishtës.
Do
të ishte gabim i madh sikur ndokush të donte të pranojë satirën e Fishtës sot
si një gjë pozitive: ata që duan të bëjnë një gjë të tillë Fishtën ose nuk e
kanë studiuar thellë dhe flasin kështu sipërfaqësisht mbi të, ose e bëjnë këtë
gjë me qëllim për t’i lënë kështu Fishtës edhe sot ndonjë qoshe të lirë në
literaturën tonë. Fishta ka qenë konsekuent kudo e kurdoherë në prodhimin e tij
letrar me vijën politike e ideologjike që ka ndjekur klasa sunduese e vendit
tonë për të cilën ai ka kënduar. Përmbajtja e veprave të tij që nga pjesa e
parë e “Lahutës” që u botua më 1905 e gjer në fund të jetës së tij përfaqëson
aktivitetin tradhtar të politikës së kësaj klase, me të gjitha lodrat,
kapërcimet dhe zigzaget e saj.
Satira
shoqërore e Fishtës merret me vese bujarësh të rënë nga gjendja, me vese grash
e të tjera punë boshe, dhe është trajtuar në mënyrë që s’lë ndonjë gjurmë kritike
konstruktive për shoqërinë.
Arti, stili dhe gjuha
–
Natyrisht arti i Fishtës është lidhur ngushtësisht me përmbajtjen e veprave të
tij. Prozopopeja, hiperbola, metafora dhe deklamacioni i fjalëve bombastike të
shurdhojnë veshët në gjithë poezinë e tij. Natyrisht ai detyrohet të veprojë
kështu, pse nën këto ai do të mbulojë figurat e tij jo reale, situacionet
fantastike të ngjarjeve, shproporcionet e heronjve të tij antihistorikë. Fishta
nuk mund të ishte i natyrshëm, realist në artin e tij. as lënda që ai
trajtonte, as shkolla ideologjike dhe estetike ku ai kishte mësuar s’ia lejonin
një gjë të tillë.
Lënda
që ai trajtonte është një gënjeshtër e madhe. Me këtë ai do t’ua arrijë
qëllimeve që janë në kundërshtim me të vërtetën, dhe prandaj arti dhe stili i
tij detyrohen të bëjnë përpjekje për të gjetur ekspresionin e tyre jashtë
natyrës: Kështu patjetër arti i tij në përshtatje të plotë me përmbajtjen,
karshi realitetit të gjërave dhe të historisë njerëzore, ta sublimojë në trajta
mbinjerëzore, bie në komicitet; karshi armikut që ai kërkon ta gjejë atje ku
s’ekziston, dhe ta luftojë me fanatizëm prej kleriku inkuizitor, bie në
monstruozitet. E tërë “Lahuta” e tij është ekzekutuar me një art dhe me një
stil të tillë.
Dhe
kjo për Fishtën kishte konsekuencë: bazat e artit, ideologjia, ndjenja dhe
fantazia e tij ishin edukuar dhe ushqyer shtrembër në gjithë jetën e tij;
domosdo shtrembër do të dilte edhe veshja e tyre artistike dhe stilistike. Nuk
mund të këndohet realisht e natyrshëm falsiteti dhe e çnatyrshmja, nuk mund të
këndohet bukur e keqja dhe monstruoziteti.
Metrika
që ai përdor zakonisht është e thjeshtë: e tërë “Lahuta” e tij është shkruar me
8-rrokëshe që i kanë aksentët tonike mbi rrokjen e tretë dhe të shtatë. Në
lirikat e në satirën e tij ai ka përdorur edhe vargje të tjera që nga
3-rrokëshi e gjer te 11-rrokëshi. Përgjithësisht metrikën ai e njeh mirë, por
gjuha e rëndë që përdor e bën të zorshëm leximin dhe skandimin e vargut të tij.
Stili i prozës së tij është i rëndë dhe i ngatërruar, sepse periudha e tij
kërkon të ndjekë modelin e periudhës klasike latine dhe italiane, pa marrë
parasysh natyrën e thjeshtë të gjuhës sonë.
Gjuha
që përdor Fishta është gegërishtja më e egër dhe më e zorshmja për t’u kuptuar.
Një gegërishte më e egër s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Ai
me këtë kërkon të luftojë fanatikisht tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i
afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më
vonë me Luigj Gurakuqin. Edhe me anë të gjuhës Fishta bën lodrën e klasës
sunduese dhe të armiqve të jashtëm të vendit tonë: hap hendekun e përçarjes edhe
më tej se ç’e kishte hapur vetë koha e okupacionit turk.
d)
KONKLUZION. – Fishta që e filloi karrierën e tij politike me kompromis karshi
okupatorit otoman me himne lavdie dhe dashurie karshi imperialistëve të rinj që
po i kërcënoheshin vendit tonë me urrejtje egërsie karshi popujve fqinj, me
sublimin të feudalizmit e të patriarkalizmit, me mospërfillje për popullin që
shtypej nën një mijë mjerime, Fishta qe ai që realizoi në literaturë të tërë
vijën e reaksionit më të tërbuar të vendit tonë. Për këtë meritë, klasat
sunduese që morën në dorë sundimin ekonomik dhe politik pas çlirimit të
Shqipërisë nga zgjedha otomane, Fishtën e pagëzuan “Poet Kombëtar”. Për këtë
meritë të tijën padronët e tij, perandorët, mbretërit dhe papët i dhanë
dekorata e tituj akademikë.
Për
këtë edhe kritika zyrtare e servilizmit dhe e konformizmit letrar të kohës së
Zogut “Poetin Kombëtar” të njëmijë flamurëve e rrethoi me aureola, me thimjane
e dafina, dhe veprën e tij të shëmtuar e quajti “epokë letrare”. Klasa sunduese
dhe imperialistët e ndryshëm kishin të drejtë ta shpërblenin Fishtën, sepse ai
këndoi për të gjithë jetën e tij, vu në dispozicion të tyre të gjithë energjinë
e tij artistike dhe kulturore, zhvilloi për to një aktivitet të dendur politik.
Vepra
e tij mbetet një dokument tradhtie të pashembullt në literaturën tonë: tradhti
karshi independencës së vendit dhe lirisë së popullit. Mbetet një dokument
elokuent për egërsinë e mizorinë e mjeteve me të cilat klasat sunduese kanë
zakon të realizojnë shtypjen e shfrytëzimin e popujve. Mbetet një dokument
barbarie e kanibalizmi, karakteristikë e klerikëve inkuizitorë të Mesjetës.