Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Bukuri shqiptare
E hene, 21.11.2022, 07:18 PM
BUKURI SHQIPTARE
Nga
Albert Vataj
"Vajza
shqiptare" e holandezit, Jan Frederik Pieter Portielje, emblema e hirit që
e shenjtëron piktura, përkorja që përjetësohet në arti
Ju
e keni parë edhe tjetërherë. Keni dëgjuar të flitet për të. E keni përjetuar në
ndijim atë çfarë kjo delikatesë e kristaltë dhe ky hir i stolisur me ngjyra
prej zjarri, mëton. E risjell për të sëmbuar zëshmërinë tuaj të zjarrit dhe
blatimit, për të rrëmuar thellë brenda jush forcën që zgjon shpirti për të
lexuar një vepër arti, që duke ardhur nga thellësia e kohës, i jep tashmërisë
një shkundullimë të rrëmetshme, e trand nga themelet apatinë tuaj që rutinorja
e falsitetit dhe shtirjes, manipulimit dhe spektaklit të trillit e kungon në
një qasje për ta kthyer shijen tuaj kah balta.
Ajo
është e dlirë dhe e ndrojtur. Qëndron e rrethuar nga një ngulm që e bën të
drithërojë, ndërsa rreket të përgjojë zërat që i gofojnë nga brenda shpirtit.
Por ajo qëndron në prehjen e një urtësie që e shenjtëron, përkundet në prehrin
e një andjeje që e ledhaton me adhurim.
Nuk
mund të idealizohej bukuria e femrës shqiptare më përsosmërisht se kaq. Asnjë
adhurim hijeshije dhe blatim artistik, nuk mund ta tejkalonte këtë dlirësi hyji
të sharmit dhe finesës femërore. Çdo ëndje rrëmbimi dalldisës e këtij çasti, do
të ishte e denjë për këtë kumt shprehës, siç do të ishte e përligjur çdo
poetikë këndimi e kësaj përkorjeje.
Tabloja
e titulluar, "Vajza shqiptare” (77.5 x 63.5 cm) e piktorit të shquar
holandez, Jan Frederik Pieter Portielje, realizuar në vitin 1870, ndoshta është
nga më interesantet dhe më përfaqësueset e galerisë së punëve të mjeshtrit të
penelit.
Pesha
meditative e modeles deshifrohet qartë, në prarimin e tendosur të gjendjes që
shkreh në një ansambël komponentësh kumtues artistik. Një droje që nuk e lejon
atë të shoh piktorin, ndërsa ai rreket ta nxjerrë nga imagjinata, e bën më
mikluese femrën tek ajo, dhe më të përkorë fisniken që mëton kjo shprehshmëri e
kulluar estetike. Impresionuese mbeten gjithashtu ngjyrat e ndezura,
karakteristike për punët e piktorit, në të njëjtën kohë evidentim i elementeve
të veshjes së gruas shqiptare, gruas së stolisur, gruas që dëshmon saora pragun
e një solemniteti, sepse e tillë është gjithçka që tipizon kuadrin. Tiparet e
portretit dhe ato fizike, bashkëshoqërojnë këtë harmoni të përsosur me veshjen,
krejt atë sublime që shpreh në vetvete tabloja. E vendosur në një sfond të
errët, çdo element i ngjyrave të ndezura dhe dritës, plazmon duke mos lënë
asgjë të hirit të kësaj bukurie të dlirë të shterrojë.
"Vajza
shqiptare" e holandezit, Jan Frederik Pieter Portielje, është dhe do të
mbetet një emblemë e asaj bukurie që e shenjtëron piktura, e përjetëson arti.