Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Pena e poetit e ngjyer në zjarrin e epsheve të dashurisë
E hene, 10.07.2023, 06:42 PM
Pena e poetit e ngjyer në zjarrin e epsheve të dashurisë
Nga
Albert Vataj
E
trishtë është zemra e një poeti, e një poeti që druhet të ngjyejë penën në
përroin vërshues të epshit. E së andejmi të na sjellë atë përmbytje ngulmesh të
ethshme pasioni. Të na shpërfaq atë kurajë miklimesh delikate që zvarget përmes
hukamash e buzësh që djegin përgjatë një kurmi që gufon prej poreve një aromë,
një aromë që do të dehte çdo tërbim e do të yshtte çdo engjëll në gostinë e
zjarrit.
Ndoshta
diku thellë teje, në mes territ që dridhet prej hutimit e ngurimit, një shkëndi
ka mundur të bulojë sythin e një ofshame, e vetëm një zemërgur nuk do ta
nxirrte faqe drite këtë vullnesë mugëtimi pranvere, e të sodiste me ëndjen
teksa ajo bukuri do të shumohej në çdo petale luleje, do të lodronte me çdo
farfuri fluturash, në çdo buzë do të ndez një puthje, e në çdo prekje do të çel
një epsh.
Një
penë që është ngjyer gjithnjë në gjak, do të cytej të lëshonte vërshimin e vet
në andjen për me dëshmu kufijtë. A ndoshta një fluturim për të kthjelluar prej
mërryljes së dyshimit e territ çdo hov që turret zjarmues në kopulimin e gjithë
ngjyrave që jetësojnë më të dëshirueshmet përfytyrime.
Penë
e poeti thuaje se ngulmet e mendjes dhe harlisjes shkallmojnë çdo rrekje për ta
mbajtur këtë vërshim të kyçur brenda gardheve të perceptueshmes. Pa droje
dëshmo, më më të bukurat fjalë se epshet e zgjerojnë përherë e më shumë
pafundësinë, universin të cilit i përket, si shpërthimet galaktike, duke e
mbajtur gjithnjë të mbushur me shkreptima yjesh qiellin ku kullotim sytë, sytë
e ujitur prej lotëve të zjarmimit, çasteve të flatrimit në eter të shpirtrave.
Qëndise
me fjalë të ngjyera në epshin e dashurisë, poet, rrugën nga gishtat e
ngërthyer, pulitja e buzëve në puthje, deri te përplasja e trupave, e do të
shohësh se si gjaku s'do të të mjaftojë të shkruar himnin e këtij shugurimi
shpirtrash. Ngjitu në krahët e këtij flatrimi, lart, shumë lart, ku kurrë më
parë s'ke qenë. Me një Eol do të kuvendosh për erërat që lodrojnë nëpër flokët
e shpupurishur, me një Afërditë do të shihesh si me të hyjshmen ëndërr që ta
qëndisi dalldinë me më të hirshmet pekule, në prehrin e Helenës së Trojës
tragjike do të dëgjosh ninullën e pafajësisë që paqton çdo trazim që ndërzen
bukuria. Një Odise do të gjesh në çdo Itakë të harbimit të mishit dhe një
Penelopë do njohësh, një Penelop që end e ç'end pëlhurën ky pena jote ditirambe
do të qëndis… dhe elegji.