Kulturë
Albert Vataj: 'Mjerimi s’don mëshirë, por don veç të drejtë'
E marte, 06.06.2023, 06:39 PM
“Mjerimi s’don mëshirë, por don veç të drejtë”
Nga
Albert Vataj
Ky
varg i gjëmimshëm vazhdon të godasë plot pezëm e tërsëllëm ndërgjegjien e
topitur të qytetërimit, të tashmen apatike të shpirtrave të drobitur nga
dhembshuria dhe virtuoziteti mizor i mjeshtrave të së keqes.
Mëshira,
bujaria, altruizmi, zemërbardhësisë; nga gjeste humanitare kanë marrë atributet
e spektaklit tragjik. Individë, grupe dhe emisione televizive po pasurojnë deri
në më të pështirën manifestim, butaforinë e bamirësisë dhe spektaklin e turpit.
Po lind kështu shteti i mizerjes, shteti i së drejtës për ta ndjerë privilegj
fatin e keq të të qenit i varfër.
Situata
ka qenë dhe vijon të bëhet gjithnjë e më kritike. Në sytë që nuk shohin dhe
veshët që nuk dëgjojnë; hekakeqe, e molisur, e verdhemtë dhe e shëmtuar,
shpërfaq fytyrën e vet skamja, rreket t’i jepet rrokaqiejve të një britme të
thekshme ankimi. Politika herë zgjedh të bëjë atin zemërdhembshur e nënën
vetëmohuese, herë mjeshtrin e manipulimit dhe propagandës, por pa mundur dot të
zgjedhë atë për të cilën obligohet; të dëshmojë dorën e plotpushtetshme dhe
forcën e shtetbërjes dhe dalëzotjes së sovranit, të transformimit të territ në
dritë, të mëshirës në drejtësi, të bujarisë në mundësi.
Njerëzit
bujarë kanë hapur zemrat, duke i bërë vend përmes bujarisë, tragjikes së shumë
njerëzve në nevojë. Një makineri mëshire gjëmon si një përbindësh alarmi,
qyteteve, fshatrave, rrugëve, jetëve të njerëzve, të cilët rënkojnë. Fryma e së
keqes së mjerimit bëhet padashur një “trend”. Një dorë që shtrihet të japë
ndihmë, por pa dashur ajo vret tek ata çdo vullnet dhe forcë për të sfiduar,
për t’i bërë ballë vështirësive të jetës, të cilat janë jo më pak të mëshirshme
për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë zë të klithin, nuk kanë forcë të
zvarriten, por kanë zgjedhur të ndeshen dhëmb për dhëmb.
Nuk
më shqitet nga mëndja dëshmia plot trishtim e dhimbje e një kolegeje, e cila
kujton me pikëllim dhe mirënjohje çastin e ndarjes përgjithmonë me të atin, të
cilit ditë më vonë i gjeti në xhepin e xhaketës një copë presh, me të cilën ai
shuante urinë për të mos privuar asnjë nga fëmijët e tij që të shkollohen.
Babai im, sa mbaj mend, kurrë nuk e përfundoi racionin e bukës që nëna i jepte
me vete, për ta bashkëndarë atë me ne. Jo fort vite të largëta në përballjen me
shanset e Tiranës, për muaj të tërë më është dashur të fle në karrige dhe të
ushqehem një herë në ditë dhe nuk pata kohë t’i ankohem as atij që më
detyrohej, as fatit që po sillej kaq pamëshirshëm me mua, por nuk harrova
anjëherë t’i isha mirënjohës mundësisë dhe shansit për të përmbushur një
ëndërr. Kam njohur gra të braktisura që shitën gjakun e trupit për të mbajtur
fëmijët. Kam parë njerëz duke ngrënë gjethe dhe rrënjë bimësh për të mbajtur
shpirtin gjallë dhe askush nuk u kujtua për ta, askush nuk e dëgjoi zërin
britës të tyre, askush nuk pati mëshirë. Të gjithë ia dolën vetë. Zgjodhën të
ndeshen dhe fituan.
Mjerimi
ka kafshatë të hidhur, por mëshira ka shije të helmët dhe jo çdo helm është
ilaç. Mëshira, aq lart sa e ngre shpirtin e një bujarie, aq thellë e gropos
sublimen e humanitetit dhe të drejtën e çdo krijese për t’iu nënshtruar ligjeve
të vetë natyrës. Naiviteti i së drejtës për të valëvitur flamujt humanizmit mbi
gërmadhat e keqqeverisjeve dhe abuzimeve nuk përligj fodullëkun e atributeve të
të bërit Zotin në një realitet ku pakkush beson dhe pakkujt i pranohet përulja.
Edhe
teoricienët do ta kenë tepër të vështirë tëkuptojnë se ç’po ndodh në të të
vërtetë, por ajo që vërehet dhe rreket të kërkojë njohje të gjithëpranuar është
krijimi i një rendi të ri social.
Kjo
përmbysje, kjo kapriço e nevojës sonë për protagonizëm dhe nënshtrim kërkon të
nënshkruajë fundin e vetë filozofisë së ekzistencës, duke shkurorëzuar nga miti
vetë Sizifin. Ligjësia e pamëshirshme e natyrës po zmbrapset përpara kësaj
armate histerike humanistësh dhe këtij vullneti kokëprerë bamirësie. E drejta
për të shpresuar është një e drejtë për të besuar në diçka të lartë, në diçka
të ndritshme. Forcat dhe energjitë përtëritëse po zhbëjnë çdo kushtrim dhe
varrosin çdo vullnet që gëlon në themelet e vetë qenies, në sublimen e vetë
jetës.
Mjeshtra
të manipulimit, matrapazë dhe dallaveraxhinj, engjëj të baltosur të banalitetit
po rreshtohen në këtë marsh “funebër”. Ngado po dëgjohen gjithnjë e më fuqishëm
kambanat “morte” të fateve në udhëkryq. Asnjë zë i kurajës, përpjekjes dhe
ngadhënjimit nuk mbërrin deri në dëgjesën e atyre forcave nxitëse, atyre
energjive shtytëse, të cilat janë e vetmja shpresë, i vetmi shpëtim, e vetmja
rrugëzgjidhje, i vetmi sensibilitet social.
Sy
të përlotur, buzë që dridhen dhe përgjërime mjeruese, luajnë fatin e pafat në
një skenë ku ngjiten dhe zbresin radhë fatkeqësh. Mëshira na thërret në këtë
skenë pjesën më të brishtë të shpirtit tonë të drobitur nga pikëllimi dhe
keqardhja. Të gjithë shtrijmë duart, duke nxjerrë njëri-tjetrin nga gropat ku
kemi rënë. Të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës në këtë lojë makabre
të realitetit. Të gjithë jemi vrasës dhe viktima në këtë skenë fatesh tragjike.
Të gjithëve na dhemb ky kafshim dhe na çjerr kjo gërvishtje, na djeg ky lot e
na dërmon kjo dihamë. Të gjithë jemi mjeranë në këtë skenë që në mënyrë pompoze
tregon varfërinë si plagën e betejës dhe krenohet me skamjen, siç kërkon që një
medaljon t’i varim në qafën që i jepet dorzanë mëshirës.
Deri
kur do të vajtojë ky shpirt i drobitur nga fati i keq? Kjo dorë që zgjatet e ky
zë që lëngon, ende do të kërkojë mëshirës t’i bëjë vend në kthinën e terrtë,
plot lagështi dhe kudërbuar nga era myk, ku struket keqardhja.
Jo…
Mjerimi
s’don mshirë. Por don vetëm të drejtë!
Mshirë?
Bijë bastardhe e etënve dinakë,
t’cilt
n’mnyrë pompoze porsi farisejt
i
bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’
ia lëshue lypsiti një grosh të holl’ n’shplakë.
Sepse..
Mjerimi
asht një njollë e pashlyeme
n’ballë
të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe
kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta
shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.
E
keqja që duhet luftuar, me çdo mjet e çdo çmim nuk është mjerimi dhe varfëria,
por ajo bushtër e përdalë dhe ajo placentë e ndytë që ngjiz dhe nxjerr në jetë
tragjizmin si të vetmen pjellë që meriton t’i gëzohet jetës.
Botë
e mëshirës dhe sadakas’, e përulësisë dhe përkushtimit… një ditë nuk do të ketë
më shpirt të ushqejë këtë përbindësh që sa vjen e gllabëron, ha dhe përpin
gjithçka si një shtjellë terri. Atë ditë varfëria nuk do të shtrijë më dorën
për mëshirë. Ajo që deri dje mjerimit iu dha si lëmoshë, si bujari, si
bamirësi, si zemërbardhësi do të duhet t’i jepet si detyrim. Mëshira do të
vazhdojë të japë, por tashmë jo, sepse e thërret në këtë solemnitet hyjshëm një
vullnet i përkorë, por sepse e vë nënë zgjedhë vargonjtë që ka farkëtuar vetë
ajo.