Kulturë
Albert Vataj: Shkodra, ishte dhe mbeti, njajo që Migjeni i'u dha me nji "dashuni tragjike"
E diele, 30.10.2022, 06:56 PM
"Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… e liqenit ëndërrtar ku mëngjeseve t'kullueta lan hijen e vet"
Nga
Albert Vataj
E
deshti dhe s'drashti tue i dhan njaq dashni e adhurim, njaq amëlci e idhnim,
njaq andrra dhe gazmim anipse t'vdirun prej lëngimit qi e përndoqi... Kjau e kangës
i'a dha, qeshi e u mner, heshti dhe foli... jo nuk foli por gjimoi, siç nji
krahnuer din me gjimu nën peshën e rand t'dhimbjes qi s'mujti me e kapërdi, pa
i'a lshu piskamës, pa guxu malit me i'a ngjesh, grushtin e paligjshëm.
Ai
i dha Shkodrës tan çka kishte, me mish e me shpirt, i dha shum' ma shumë sa
mujti me gostit nji zemër e ligshtueme e nji shndet i molisun, një gulç
shpërthyes e kushtrim i zashëm. E krejtkja munden me i ba vend n'krahnorin e
vet ku kolla e gjuen me gjëmime e ithtim poterues.
Shkodra...
u ngjiz n'shpirtin e poetit e u mrue me njaq andje, u gatit e gulçoi,
shndriti... e mrazit të territ i'u gjegj me shkëndija zemrash e shkreptima
buzësh n'puthje tinzare. Kanilit i lypi dritë me i'u lëshu piskamës, e drojes
nuk i bani vend, n'përpjekjen për me i'u dhan kangës së mjerimit, si t'vetmes
andërr ku rrxohet njaj turr i mraztë, njajo qasje për me mujt me mrri sa ma
larg kah dhimbja lyp për me xanun sa ma shum vend.
Shkodra,
njaj qytet qi Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike”… Shkodra ishte parajsa
dhe ferri i tij, vend i bani n'prehnin e vet e qiell i lshoj njasaj thirrje
gjëmimtare. Jetoi e kumtoi me te, i dha dhe mori prej njatij hovi... kohë dhe
kangë, rënkim e klithmë, ditë t'zezume e mramje lojcake, gjëmim e gjamë, e
shterri ndër vaje synin e buzën i'a eshku me zjarm zemrash.
Për
te ishte dhe mbeti n'pambarim... “Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… e
liqenit ëndërrtar në të cillin, në mëngjese të kullueta lan hijen e vet. E
njashtu u rrek me e majt n'zemër dashnin e vet, pa i'a dhan zorit e shterrimit
të frymës. Me za t'përvajshëm e me hov runuer u ep e u ndesh, dritoi e vezëlleu
e tue vegue lypi me ik pa ankim e rënkim, mos me lan mbi dhimbjen qi e grryen,
dhimbjen e vet qi e molis keqas.
E
njashtu, mbetun tue vujt ma shumë se tue gëzu, n'luftën pa i'a da me tançka
mujti. Kështu do të shkruajë për Shkodrën kur i'u lyp me e sodiste prej larg,
“Këtu në këtë largësi ndjej damarët e saj që rrahin, e rrahin… edhe sikur mjeku
që tharpton ftyrën kur shef se pacienti i tij ka ethe, njashtu edhe unë
pezmatohem n’idhnim, tue pa se si pulsi i dashnores seme nuk rreh siç duhet.”
Shkodra,
ishte dhe mbeti, njajo qi Migjeni i'u dha me nji "dashuni tragjike",
dashuni e cila pilson në çdo vërshim e amëlcohet n'tana andrrat qi gjejn vend
n'njat buzë t'nezun ndër prendime t'purpurta, përmendet n'njata zemëra
t'djeguna ndër zjarme gjimuse, za, za lyp kah ka qiell e zogu kah lshon
flatrimin... ikën e vjen, pran e bzan, viket e paqton dhimb e dihamë tue ken
prehën blatimesh adhurimi.