Kulturë
Albert Vataj: Nën peshën e qiellit që lartësoi besimi
E shtune, 27.08.2022, 07:29 PM
PERJETIM
Në Toluzë dhe Paris,
brenda kishave, nën peshën e qiellit që lartësoi besimi
Nga
Albert Vataj
Fatlum
ishte ajo e mundshme që mu dha që kësaj vere, me familjen të kaloja disa ditë
magjike në dy qytete që bujta dhe u gjenda i rrethngërthyer nga një prani
ngjethëse dhe ngasëse, historie dhe arti, hershmërie dhe tashmërie, në Toluzë
dhe Paris.
Çfarë
rroka me ëndje dhe adhurim, se si më goditi në shpirt ai kremtim thesaresh që
koha ka shpërblyer brezat, është sikur të zbraz një det që piva me një etje
epike. Por do të dëshiroja të ndaja me ju, pak nga gjithëkjo ngrehinë e
lartësuar në mëkim të magjishëm arti dhe besimi. Mirësis suaj do ju ofroj
impresionon që ma lanë kishat dhe katedralet, aq sa munda të vizitoj në këto dy
qytete, në ato pak ditë. Nuk dua tu lodh kokën me emra shenjtorësh e me histori
e legjendat e këtyre galaksive të zbritjes së vullneteve të larta, në të
epërmen forcë blatimi.
Brenda
atyre kishave dhe katedraleve, ishte të ndiheshe jashtë çdo dimensioni racional
kohe. Ngërthyer prej një prehjeje të Hyjt, e kapluar nga një ndjesi, që të
përshkon si një hukamë, duke të të zbrazur nga boshi e mbushur me një plotni të
shëlbyer në epjen e kulluar të shpirtit biblik.
Nuk
mund ta imagjinoni se çfarë rëndese peshon mbi shpirtin ky qiell, lartësuar
prej duarve magjibërëse dhe lutjeve përgjëruese të adhurimit të Zotit. Nuk je i
vogël nën ketë madhështi, solemne, që krekoset mbi kokën tënde dhe struket
poterisëse në zemrën dhe frymëmarrjen e ndërsyer, që e zë përfundi kjo peshë.
Kurrë
nuk e kisha përjetuar lavdinë e përuljeve, sa nën këtë ngërthim të epërm
frymësh dhe shpirtjesh. Se si ajo lartëson në etër të forcës së besimit, që ju
blatuan këtij adhurimi. Qielli i këtyre kishave pikon yjet e gjithësisë, së
atyre vullneteve që e shenjtëruan mundin dhe trupin, me atë bekim që sot na
gjunjëzon.
Mjafton
të prekësh këto gurë të gdhendur me daltë e përgjërim, të përqafosh këto
mermere, të përpish këto kushtime të shenjta dhe të derdhura në dritë të hyjt
arti, që ta ndjesh se si nën këtë kore të trashe kohe, vërshon një lum i
rrëmbyer, ndjesish, djerse, gjaku dhe lotësh. Ndjen teksa pluskojnë mbi harrim,
jetë dhe frymë, që pulson në ajrin e kësaj heshtje sublimi, ku droja ta struk
edhe rrahjet e zemrës.
Qëndrova
si një gur nën këtë kurm blatimi dhe e ndjeva Zotin se si pudros me aromë dhe
melodi plagët e kohëlargësisë.
Dyert
e drunjta, që hapeshin zoritshëm e heshtur, sillnin deri te ky çast, vërshimin
e sopatave e rënkimin e mundimeve të shpirtrave dhe supeve, shiun dhe erërat që
i rrahën, vështrimet që skalitën në gjendje që ndezën në këtë zedh të paepur
hovin e një zotërimi. Ata, në kaq ngulm e hutim, nuk mi rrëfyen të gjitha, sa e
sa pendestarë e shenjtore, kanë hyrë e dalë prej tyre, por gërvima e mbytur që
rrëzohej në tabanin e gurtë, i rikthyen ato rendie e rrëshqanje, atë trokth të
ndrojtur hapash e nxitim të teptisur besimtarësh. Dhe nuk u lodhën dhe dorëzuan
ato porta as nga koha as nga mundimet, as nga plagët e as nga lëndimet. E ndanë
botën dhe përbashkuan çdo frymë e drithërimë në atë magji, që u foli shpirtrave
me zë e zjarr lartësimi në Hy.
Nuk
gjendet askund përveçse në art dhe këtë gjenialitet forcash krijuese të asaj
shpirtjeje të kredhur zëshëm e përulësisht, ku njeriu, duke lartësuar hirin e
Hyut, të ketë përcaktuar caqet e kufirit, ku ai ka shndërruar arritjen e tij të
epërme të besimit, në altar.
Ti
i sodit sot këto madhështi, dhe e ke të pamundur se si, i gjithë ky qiell
adhurimi i kredhur në gur dhe mermer, në statuja dhe kryevepra arti, në gjak
dhe djersë, blatime e sakrilegj, përgjërim dhe lutje, dhe... stolisur me
shpirtin e virtuozëve dhe pasionin e të përulurve, të qëndrojë pezull, mbi ty
si dhe brenda teje.
E
mora me vete në gjithë qenien time këtë papërshkrueshmëri të lartësuar, nga
ata, të cilët gjithçka patën ishte mbrujtur me përulje dhe besim. Këto shtëpi
të Zotit janë një testament i asaj force, i atij përkushtimi dhe asaj përulje,
që i ngjiti deri në qiell navatat, deri atje ku zemra e tyre lypte, kërkonte,
rrëmonte dhe gjente, shëlbim dhe amshim.
Fatlum
isha që u mbusha me këtë qiell, të cilin doja ta ndaja me ju si një mirësi që
universi i përjetësimit në art të besimit na ofron me një shpirt të madh sa
adhurimi për Zotin.