Kulturë
Albert Vataj: Libri nuk është gjithçka në jetë, por gjithçka që na lejon të ndjehemi krenar, e kemi të mëkuar prej bujarisë së tij
E shtune, 23.04.2022, 03:11 PM
Libri nuk është gjithçka në jetë, por gjithçka që na lejon të ndjehemi
krenar, e kemi të mëkuar prej bujarisë së tij
Nga Albert
Vataj
Nëse ju keni
kërkuar t’i detyroheni dikujt ose diçkaje për gjithë atë që ka pasuruar mendjen
tuaj, zbukuruar dhe hijeshuar shpirtin tuaj, që ka rrokur me dritën e magjishme
aktin tuaj sublim të të ndjerit një mrekulli e krijuesit, lejomni t’ia kërkoj
mirësisë suaj dhe përkorjes së përulësisë që ju fisnikëron këtë mirënjohje për
atë… librin. Ai nuk është gjithçka e jona, por gjithçka e mirë në veten tona i
atribuohet atij, gjithçka që na lejon të ndjehemi krenar e kemi huazuar prej
tij.
Ai nuk bën pjesë
në ato sajesa të rafinuara që kërkon nga ju me çdo çmim t’u shndërrojë në
vrasës të kohës, por në magjepsës të saj. Si një mrekulli, libri nuk premton të
bëjë mrekulli, por mundet që faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli e libër
pas libri tu bëjë të ndjeheni të prekur nga një magji, e cila bën që gjithçka
rreth jush të rroket prej një rrezellitje dehëse dhe çdo realitet të jetë një
ëndërr, me të cilën jeni shpërblyer.
Duke udhëtuar
përmes dimensionit të kohërave, kaluar mbi shpirtrat dhe ligjërimet e hyjshme
të kumtimit, ka behur në ëndjen tonë për ta shndërruar atë në një altar dhe ka
zgjuar prej thellë vullneteve dhe vetëdijes sonë atë lartësuesin, gjunjëzim të
besimit te dija.
Megjithëse, sipas
Jacob Grim “Është dëshpëruese të shkruash për një publik që nuk lexon!”, ne
ndjejmë se kemi ende obligimin ta trajtojmë librin si predikuesin e
dijes.
Thënie brilante
nga autorë të mëdhenj për librin, leximin, dijen
– Po të më vinin
te këmbët kurorat e të gjithë mbretërve të botës në vend të librave të mi dhe
të dashurisë për të lexuar, unë do t’i flakja të gjitha. Fenelori
– Grumbuj librash
nuk janë shkruar vetëm që dikush të mësojë diçka prej tyre, por më shumë, janë
shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë dhe kishte diçka
të vyer për ta ndarë me dikë tjetër, me ju. Gëte
– Njeriu që nuk
lexon libra nuk ka kurrfarë përparësie krahasuar me njeriun që nuk di të
lexojë! Tuen
– Sa më tepër kam
lexuar, aq më shumë librat më kanë bashkuar me botën dhe aq më të qartë dhe më
të rëndësishme ma kanë bërë ata botën. Gorki
-Të jesh në mes të
librave është njësoj sikur je në mes të njerëzve, mudn të biesh në shoqëri të
mirë ose të gllabërohesh prej asaj së keqes. Helvecius
– Disa i çmojnë
librat nga vëllimi i tyre, sikur të jenë shkruar për të ushtruar krahët e jo
mendjen Grasian
– Kur leximi ju
lartëson shpirtin dhe ju ngjall ndjenja fisnike e burrërore, mos kërko arsye
për ta çmuar atë vepër; ajo është e mirë dhe e ka shkruar një mjeshtër. Zh.
la Bryjer
– Leximi e bën
njeriun të qartë, biseda e bën të shkathët nga goja dhe të shkruarit e bën të
përpiktë Bekon
– Librat janë
anije të mendimit, që enden nëpër dallgët e kohës dhe e bartin barrën e tyre të
çmueshme nga një brez në tjetrin. Bekon
– Librat ndriçojnë
shpirtin, lartësojnë, forcojnë dhe plotësojnë njeriun, zgjojnë në të aspiratat
më të larta, mprehin mendjen dhe zbusin zemrën e tij Thekerej
– Libri mund të
jetë mrekullia më e ndërlikuar dhe më e madhja nga të gjitha mrekullitë që ka
krijuar njeriu në rrugën e tij drejt emancipimit. Gorki
– Për të shkruar
një libër të mirë, duhet vetëm të rrokësh penën, ta ngjyesh në bojë dhe ta
derdhësh përmes saj shpirtin tënd në letër, në atë letër. Berne
– Për të zbatuar
në praktikë një mendim të lexuar në një libër, ndonjëherë duhet të kesh aftësi
shpikëse jo më të vogël se sa vetë autori i atij mendimi… kjo është të uhqehesh
nga dija dhe të jetosh prej saj. Stendal