Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Lumturimi që na zgjon kujtimet
E diele, 01.05.2022, 10:55 AM
Lumturimi që na zgjon kujtimet
Nga
Albert Vataj
“Fëmija
që i lumturohet këpucëve të reja”, është një foto legjendare, e cila ka
udhëtuar në kohë për të na gërvishtur cipën e hollë të kujtimeve, të asaj të
shkuare, që i gëzoheshim diçkaje më një forcë shpërthyese përjetimi, e tillë sa
mbetet ende sot gjurmë drite në kujtesën e viteve.
Fotoja,
“Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, evokon periudhën pasluftës së Dytë
Botërore, kur austriaku 6-vjeçar, Hans Werfel jetonte në një jetimore. Foto
është realizuar nga Gerald Waller, dhe publikuar në revistën LIFE më 30 dhjetor
1946 (faqe 22).
Pothuajse
pesë vjet më vonë, më 24 shtator 1951 (faqe 180), e njëjta fotografi u rishfaq
në LIFE falë një lexuesi, i cili i shkruan revistës se ky është Werfel, një
jetim austriak 6-vjeçar, duke përqafuar një palë këpucë të reja dhuruar nga
misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan, veprimtaria e së cilës shtrihej në një
pjesë të konsiderueshme të vendeve të goditura nga Lufta e Dytë Botërore.
Sa
herë që e shikon këtë foto, është një emocion i veçantë që të pushton, një
përzierje e përmallimit, dhimbjes së kujtimeve dhe një lumturimi sipëror, tejet
i dritshëm, sepse askush nuk do të lumturohet çiltërsisht dhe me një forcë
qiellore sa një fëmijë.
Sot
kemi pak, fare pak momente të tilla fatlume, kur ky diell lumturimi të na
mbështjellë me rrezatimin e vet, si një brerore shenjtërimi. Kjo jo sepse ka
vdekur fëmija brenda nesh, por sepse kemi mësuar të harrojmë kohën kur i
gëzoheshim këtyre çasteve. Sa e trishtueshme ishte varfëria, por sa të bukur
ishin ato momente, kur jeta jonë mëkohej nga një dritë e tillë lumturimi.
Edhe
pse dua ende ti gëzohem këtij çasti, shpirti im e ka të pamundur ta ndez atë
kandil flakëpakët, drita e të cilit të na i bashkojë skajet e kohës në një
përplasje përjetimi.