Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Shkodër loce, andë marroke e dëshirimeve t'mija
E hene, 19.09.2022, 07:55 PM
Shkodër loce, andë marroke e dëshirimeve t'mija
Nga
Albert Vataj
Nadjeve
çohet me nji dritë e tamëlcim qi vetëm andja e njerzishme e melhemi i hireve
t'saj e mëkojnë ndër shikime qi e ledhin e dëshirime qi e ndezin. E prek
zenitin e shndritjeve t'hyjshme ku derdhet, me dorën e vogë e buzën qi thith
gjinin e nans.
E
shpalon dhe e kundron me mëtimin e ngjyrshëm t'luleve dhe buzqeshjeve, qi
dielli i ndez e dashtunimi i mrekullon.
Shkodra,
tanaheret m'ka befasu me qensin e vet t'fytyrshme, kandashumë e ojnake.
Gjithkahja e ksaj nahije ka diçka ndryshe me than edhe pse për shum’kand ajo
nuk qaset me ngucat ndoj’ ndjesi të allasojtë. Me pakicë kanë pas gjithmonë e
kurrë gja s’u ka mungu, sofra e ndeja, shtroja e mloja, hokat e gazi, trimnia e
nami. Janë kollonis me njata qi ka fal Zoti, me çka natyra u ka fal e zemra u
ka mylmy. Tuj ken t’pasun në shpirt kanë bind botën me pasuninë e tyne,
gjithqysh e gjithkah.
Anipse
kajher mundet me i yrysh n'teprim, prap i ka hije qe besa. I tumiret kur
shtatit ia beh e qehra ia lmon si gjinjt e drandofilles, rrezja e diellit,
nadjeve kur si djers kokrron vesa mbi shermashek e lulebore.
Masanej,
pozitat e saj t'patëdyta natyrore e gjeografike, meten njata qi e ledhin me
pekule dhe e trandin ndër trazime t’andshme e dëshirime qi plasin gazmimit si
shegë devedishe.
Pa
u drasht munesh me e than e me mrojt, se tue e pa Zoti, s'ka pas se si me e
godit ma përsmarit, me e end n’bash t’qefit, veç njashtu qysh e njohim e
përdëllehena prej saj.
Kiri
nga njana anë, qi xen e turret plot dogoni përposhtë, kur dimni majat zbardh e
prrojet i lshon vërtik, me tërsëllimë. Maranaj, Cukali e Taraboshi e fillërojnë
tue ia lshu kreninë e hijeshinë, mrrylin e kandën. Për me njom buzt’ e syt’ në
vërshimin e Bunës e Liqenit, n’njata syprina ku koloviten plot solemnitet
varkat e peshkatarëve e hija e purpurt e diellit, qi n’flak ia ngjyn gjuhën
perëndimi.
Rrugt’
e shëtitoret, që shtriqen nën blitë e rënkojnë nën hapat e hekave të njerzis’,
robve qi shkojnë e vijnë mbi ta, tue mërmërit a fishkllu ndoj melodi gazmore. E
mramjeve qi i lëbyrin dritat e arta në shëtitjen qi valzon me pëshpërimat e
bisedimeve e hokave, për me i lan venin nji nate, ku t’lehuna qensh zhubrosin
syprinën e tendosun të heshtjes.
Kumbanjelat
e minaret, qiellin e mrrijnë me zanin e devocionit e thirrjen e bekimit T’enzot.
Besimtarët që kridhen në gjunj, tue lyp falje e shugurim për shpirtin. Për mos
me lan pa mrri dora-doraz, tue u heq rrëshqan, për me e cek n’kreshtën e këtij
qyteti, ku nji nan mitike mëkon prej gjinit t’saj t’murum, jetën dhe qëndresën,
e djepin përkund, djepin e kulturës, memuarin e kujtesë. E përposht lshohena
plot pezëm e kreni, tue kumtue t’shkuemen e të tashmen e këtij qyteti, prej kur
bisha e Bosforit u lshue n’te si e babzitun e sandejmi Romës e krishtnimit iu
dridhen leqet e kamve. Atëditë e sot, ngadhnjyen këto bedena, ngulmuan këto
zemra, qëndroi i paepur ky qyte. Edhe sot bash njaj, njashtu, qysh e kanë
përshkru rrin tue prit e përcjell, zemërbardhë e buz’mjaltë, krejtken vjen e
ikën pa ia kthye shpinën.
(Foto:
Terenc Pepa)