Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Oriana Fallaci - Gruaja që guxoi, gazetarja që bëri epokë
E enjte, 15.09.2022, 07:43 PM
Sot 16 vite mungim i Oriana Fallacit, i një legjende, i gruas që guxoi, gazetares që bëri epokë
Nga
Albert Vataj
Koha,
por më shumë se koha, ajo e cila na përballi me zhbërjen e çdoditshme të
misionarëve të fjalës së lirë, atyre që u bënë syri dhe zëri i të vërtetës,
mitin Oriana Fallaci e shndërron në legjendë, e mbështjell me një tis idilik, e
ngriti aq lart sa nuk mund ta mbërrijë vetëm lutja dhe shpreszhbërja.
Ajo
iku, ndoshta për të marrë me vete gruan dhe gazetaren, zëshmërinë e
kushtrimshme të atij shpirti që e lartësoi misionin e gazetarisë. Iku për ta
lënë fjalën e lirë në duart e ndyta të matrapazëve dhe delenxhinjve. Iku, për
të lënë një tashmëri që e ka vrarë fjalën, e ka tharë shpirtin e pasionit, e ka
ngrysuar fatin e dritshëm të informimit, duke e mbuluar me hi prej gjithë
vullkaneve të poshtërimit dhe denigrimit, që ngrysin në llavë e në zjarr, fatin
e fjalës së lirë, dinjitetin e asaj për të cilën Oriana Fallaci dhe shumë të
tjerë u përulen këtij altari.
Sot
Oriana Fallaci, mbetet ikona e gazetarisë dhe Zhan D’Ark e ambicies dhe
vetmohimit të gruas, në një rruzull dinjitetesh të nëpërkëmbura, anësishë dhe
kufizimesh të mëdha që dikton predikimi i moralit të shekullit të XX e këndej,
strukur pas hekurave të konservatorizmit.
“Një
pikë bojë mjafton për të zgjuar mendime në miliona njerëz”. Kjo pikë boje e
penën e Fallacit ka bërë që bota të ndalë frymën kur flet për këtë gazetare të
madhe italiane, për penën e ndritshme të gazetarisë në shekullin e XX. Oriana
Fallaci, gazetare dhe publiciste, kronikane dhe shkrimtare, e cila ka plazmuar
në eterin e shekullit të shkuar e në të tashmin, jo vetëm emrin dhe imazhin e
femrës ngadhënjimtare, por edhe gruas vetëmohuese për pasionin e saj të
shenjtë, dëshmimin e lajmit, kushtrimin e zëshëm të lirisë së fjalës.
Çdo
grua ambicioze do të dëshironte ta kishte si idhull, si pikë referimi, si cak
ku do të synonte energjia dhe forca e saj për të pozicionuar veten në një vend
të privilegjuar, por janë të pakta, janë fare pak prej tyre, që guxuan kaq
shumë, që sakrifikuan sa ajo i blatoi, jo dhe aq emrit, se sa profesionit të
gazetares. Ajo vrau gruan brenda vetes, privoi nënën në shpirtin e etur për
dritë të shenjtëruar në prehër dhe prehje idilike amësie. La gjithçka, për të
mos marrë asgjë, veç emrit, shembullit dhe kulmimit që vullneti i saj ngulmoi
për të dhënë me mish e me shpirt asaj që ajo besoi.
Ajo
nuk është më prej 16 viteve, sikurse mbetet e pashpresë që të ketë mbetur
dikush që të jetë e gatshme të sakrifikonte sa ajo, t’i blatojë shenjtërisë së
fjalës së lirë gjithçka që ajo pati të shtrenjtë. Ajo besoi në atë për të cilën
dha deri në të mbramë të jetës. Nuk u shit as nuk u ble. Nuk munden ta përdorin
as nuk denjoi të përfilltë t’i qasej cilido që do të guxonte të vinte dorë në
altarin që e lartësoi atë deri në përjetësim.