Faleminderit
Albert Vataj: Robert Elsie, njeriu ndaj të cilit nuk na mjafton mirënjohja
E diele, 02.10.2022, 07:57 PM
SOT PESE VITE NGA VDEKJA E ALBANALOGUT
Robert Elsie, njeriu
ndaj të cilit nuk na mjafton mirënjohja
Nga
Albert Vataj
Robert
Elsie, ishte një nga njerëzit më të devotshëm të albanologjisë, një nga
kontributorët më të vyer të promovimit dhe njohjes së vlerave më të qenësishme
dhe atributeve krenuese të shqiptarëve. Veprimtaria e tij është e gjerë dhe
cilësisht nga më përfaqësueset në lëmin e albanologjisë. Vdekja e Robert Elsie
ishte një humbje që krijoi një hendek të thellë në lëmin e studimeve hulumtuese
dhe jetësimin në dritën e fakteve të figurave, etapave dhe momenteve kyçe të
historisë, gjuhës dhe kulturës së identitetit shqiptar.
Ai
ishte nga të paktët që luftoi me kaq përkushtim dhe devocion ndaj harresës,
tjetërsimit dhe denigrimit të atyre visareve që ishin dhe mbeten të themelta në
testamentin tonë si komb.
Humbja
e Robert Elsie nuk ishte thjeshtë ndalimi i një hapi nga rruga e jetës, ishte
shterrimi i atij dielli rrezet e të cilit nxorën në dritë nga errësira
ekzekutuese e kohës një realitet të tillë vlerash dhe kapacitetesh përfaqësuese
të atij shpirti pasurish që u mbrujtën, duke fituar identitet nën mëshirën e
stuhive dhe rryma rrapëllitëse të kohës.
Gjuha,
letërsia, folklori, fotografia, gojtaria, historia, etnosi, ishin disa nga
shumësia e sferave ku ai ushtroi veprimtarinë e tij të ngulmët dhe të themeltë
për të shqyrtuar dhe afirmuar gjithçka shqiptare, atë me të cilën pati mirësinë
të na shpërblente dhe bujarinë ta bëntë të njohur ndërkombëtarisht si vlerë.
"Çdo
njeri ka interpretimin e vet për albanologjinë por për mua, thelbi i punës sime
është të prezantoj shqiptarët, t’i prezantoj Shqipërinë, botën shqiptare,
gjithë botës. Unë përpiqem t’i transmetoj botës së jashtme njohuritë që kam për
këtë vend, që kjo botë të kuptojë se ç’është Shqipëria, kush janë shqiptarët,
historia e tyre, kultura e tyre, pra fazat e ndryshme të jetës këtu. Dhe këtë e
bëj që të bëhet e njohur pasi në fund Shqipëria mbetet një vend shumë i
panjohur", është shprehur ai në një intervistë.
Shkrimtari,
albanologu, përkthyesi dhe interpreti, Robert Elsie, ndërroi jetë në moshën
67-vjeçare duke lënë pas një vepër të vëllimshme dhe vlerëshumë. Ai ishte një
emër i rëndësishëm dhe një zë i fuqishëm i albanologjisë. Materialet shkresore
dhe ato fotografike, hulumtimet gjuhësore dhe historike, komentet dhe studimet,
ishin një kontribut që qartësoi shumë momente që dendësia e mjegullave të kohës
i kishte verbuar. Shkallmoi hamendësimet dhe sulmet denigruese të
kohëpaskohëshme të armiqve historik të shqiptarëve, të cilët u përpoqën të
tjetërsonin historinë, shpesh duke i dëmtuar seriozisht disa prej tyre. Ai
erdhi për të treguar botës së qytetëruar mbi vlerat dhe atributet civilizuese
të shqiptarëve. Kumtoi zëshëm për përkatësinë dhe vlerat europiane, për
cilësitë dhe aspiratat e lartë të kësaj race vitale. I ndërkombëtarizoi dhe i
mbrojti këto vlera në foltoret e botës së madhe duke i’u bashkuar armatës së
albanologëve dhe historianëve, hulumtuesve dhe promovuesve, të cilët shkruan
faqe të rëndësishme të veprës së tyre, faqe që mbeten kapituj potencues të
njohjes dhe vlerësimit të shqiptarëve.
***
Robert
Elsie u lind më 29 qershor 1950 në Vankuvër, Kanada. Ndoqi Universitetin e
Kolumbisë Britanike (University of British Columbia), ku mbaroi studimet e
filologjisë klasike dhe gjuhësisë më 1972. Po në atë vit, shkoi në Evropë me
një bursë studimesh. Vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Lirë të
Berlinit Perëndimor (Freie Universität Berlin), në Shkollën Praktike të
Studimeve të Larta (École Pratique des Hautes Études) në Paris, në Institutin e
Dublinit për Studime të Larta (Dublin Institute for Advanced Studies) në
Irlandë, dhe në Universitetin e Bonit (Universität Bonn), ku mbrojti
doktoraturën më 1978.
Që
nga 1978 pati mundësi të vizitojë Shqipërinë disa herë në kuadrin e 'takimeve
shkencore' midis Institutit të Gjuhësisë së Universitetit të Bonit dhe
Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu mori pjesë disa vite me radhë
në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në
Kosovë. Pas studimeve universitare ai punoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme
gjermane në Bon dhe nga 2002 deri 2013 për Tribunalin e Hagës. Ishte anëtar i
Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), anëtar i Akademisë
së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së
Shkrimtarëve të Kosovës. U nda nga jeta më 2 tetor 2017, duke lënë amanet që të
prehej në Shqipëri.
I
përgjithmonshëm qoftë kujtimi ngaj Robert Elsie, ndaj atij burri të madh dhe të
vlertë, atij që e deshi dhe bëri për shqiptarët më shumë se shumë shqiptarë.