Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Hapat në hënë, gjurmët që lamë në ëndrrën e madhe
E enjte, 20.07.2023, 06:55 PM
Hapat në hënë, gjurmët që lamë në ëndrrën e madhe
Nga
Albert Vataj
Për
3 ditë bëhesha 3 vjeç, as se i’a kisha idenë se pluhuri ku shkelte këmba ime e
vogël, kishte diçka të ngjashme me atë që gdhendte gjurmën e parë të njeriut në
sipërfaqen e hënës. Por të dy ishim fëmijë në botë të ndryshme, që rrekeshim
njëjt sfidues që duke lënë gjurmët e hapave tanë, të shkruajmë histori
njerëzore, të hedhim farë të shpirtit në truallin ku do të mbijë bima e ëndrrës
për fitore dhe përjetësi.
Ishte
20 korrik 1969, afro 400.000 kilometra larg tokës, Neil Armstrong dhe kolegu i
tij astronaut, Buzz Aldrin, u ndoqën përmes televizionit nga mbi 500 milionë
njerëz nga gjithë bota, kur ata u ulën në sipërfaqen Hënës. Me zemër të ngrirë
u ndoq ky moment, me ovacione shpërthyese u përcoll kjo arritje.
Që
nga ajo ditë, njeriu nuk do të ishte më një soditës i yjeve, një krijesë
inferiore, por një sfidant me sytë nga qielli dhe me ëndrrat për të eksploruar
këtë pafundësi.
Ky
hap i ndrojtur në një botë të panjohur, në një planet trillesh, imagjinatash,
legjendash dhe përfytyrimesh, është çapi i parë i një "fëmije" të
frikësuar nga e panjohura. Hutimi dhe pasiguria, frika nga e papritura dhe
makthi i humbjes rëndojnë mbi sipërfaqen e Hënës, si në ankthin e miliona syve
që vështrojnë nga mijëra kilometra larg, atje ku nën një trysni mbytëse e një
entuziazëm të ngrirë në frymëmarrjet e shtuara dhe pulsin e gjëmueshëm, po
skaliteshin të artat shkronjat e historisë së hapit të parë të njeriut në Hënë.
Kjo
gjurmë që ka mbetur e fiksuar në pluhur, e plazmuar në këtë imazh dhe e
skalitur në një prej sfidave më të ethshme të astronomëve amerikanë dhe
misionit të "Apollo 11", është hapi i parë i njeriut në sipërfaqen e
Hënës.
"Ky
është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin" tha
47 vite më parë, Neil Armstrong, amerikani që la këtë gjurmë në sipërfaqen e
hënës, këtë gjurmë që do të mbetet jo vetëm arritja më e madhe e njerëzimit,
por dhe ngulmi më i pamatë i shkencës për të eksploruar universin.