Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Nëpër Shkodër, nadje heret, flatrue kujtimesh e përflakun mallit
E marte, 18.07.2023, 06:59 PM
Nëpër Shkodër, nadje heret, flatrue kujtimesh e përflakun mallit
Nga
Albert Vataj
Asht
nadje korriku, dilli lan me dritë tan’ ç’ka sheh. N’mu asht prush malli, qi
përpushet në çdo hap qi çapit nëpër rrugica dhe kujtime. T’pakt janë ata qi
pahen me dritën e vezullimtë t’agut n’kyt orë t’ditës kur avllit djersin, e
xhamave duken t’drojshme gjurmët e nji dëshirimi t’flakun. Hala ka gjum n’syt
qi puliten tamëlcimit t’nji paqeje t’hyjt qi pikon nan rrezet qi u bien
kambanave. Ka dëshirim, n’andrra kridhen e n’petka pshtillen, e drujn me ju
dhan zgjimit me kaq përngut.
Qepenat
janë çue, e tarabat përgjys janë çil. Lulet janë ujitë tekaty ku kanga
shkodrane ndigjohet e përkund me tamëlcim andjen qi nepet, e buzën qi puthet,
synin qi lan me ujë pusi, e dehjen qi merr n’erë drandofillesh.
Jam
çue heret, jo si tue dasht me kujtu përngutin me xan radhën e tamlit apo
djathit, si dikur motit, por me i kap gafil rrugicat dhe udhët, zbrazun prej
hapave qi turravrapin, e shkujdesjes qi rrok ditën zedhshëm. Kam nji Panasonic
dhe zemrën, qi shkon kah nji ndijim i përmallëshmë prin, e njashtu unshëm don me
fokusu çdo gja, qi syni sheh e shpirtin përflak.
Asht
nadje... heret!
Nëpër
Shkodrën e hireve t’hyjshme, e nurit qi t’këndellun n’amëcim, turrem, si në
krahët e njati pasioni qi mundet me m’njit njaq nalt, sa gjaset vetëm nji
dëshirim shpirtnor me t’çu, tue dasht me m’përkund n’prehnin e t’tashmes e me
m’kredh n’krahnorin e t’shkumes, përmallshëm e pikëllushëm.
Shkoj
me hapat t’ngadaltë, drojshëm si ai fmija i xanun n’faj, tuj shëtit nëpër tisin
e hollë t’kujtimeve qi shpaloj n’andje. Tash s’kam se ku me u struk, si dikur,
nan nji bohçe, a poshtë nji prehni, veç mbas t’shkumes, qi përtrihet mirazheve
e përfytyrimeve qi rreken me i riba vitet e shkume, e me i rikthy n’jet ata qi
shkuen qiellit t’lamtumirave e detit t’lotëve. Jam i prekun prej mallit dhe melankolisë,
bash si ti qi don me u ndi vedja në këto fjalë e përjetime, si ti qi ndalon te
ky përjetim, te k’to foto, tekkwtu ku due edhe pse druj me riardh, mbas ikjesh
qi m’çunen larg, e pritjesh qi mu shndrrun n’plagë.
Asht
nadje... me dillin qi dritt!
Hova
e u lshova n’krahët e njatij përjetimi, qi m’pret andshëm, si tuj dasht me u
përkund ndër t’voglat gjana e gjendje, që t’majn lidhun me ç’ka ka shkue, për
mos me u thye kurrë ma. Çastet qi m’kthejnë n’Shkodër, meten hajmali t’varuna
degve, qi nuk u thyen dimnave t’ndarjes, e pemve qi nuk i thau vera e
mungimeve. M’rrokin me tan dëshirim e am, njaç sa me mujt me i’a ndi shpirtin
qytetit, t’rrahmen e asaj zemre mijëvjeçare, si tik-takun e nji zogu mitik, qi
ka xan vend n’at krahnor ku ladrojnë lumej e kapërdijen maja, e shkrihen
n’galdimi e hoka, si n’gzime njashtu edhe n’morte.
Asht
nadje... ma heret se zgjimi!
Kishte
kohë që më ngucte një vullnesë me u turr' në Shkodër e më u lëshu përplot me
pasion një sipërmarrjeje fotografike, me fokusu çdo copë të këtij hiri hyjnie,
që kjo nahi ka marrë, me i’a dhan' veten pa droje kësaj prekjeje magjike e
kjartësie, që kjo bukuri rrezaton sot gjithkah, ku më ngucatin kujtime.
Kohëshumë
kishin mbetur përmbas', qi nuk kjesh përfshi n’nji shëtitjeje nadjes
s’Shkodrës, në atë vakth qi qyteti duket si një nuse nën duvak, si nji hir qi
dron me u pa. Rrezet e para t’dillit lshohen mbi përpiqet e shpive t’vjetra,
mbi qiparitet hijeranda n’Rrmaj, me njaq hare e urdhnim, si mbi kumbanjela e
mbi minare.
Si
nji cohë e hollë e endun mrazit të pritjes së Penelopave, shtrihet ajo lpe
drite krejtkah syni rrok me vështrim e padurimin me ju kthye asaj qi ka shku,
me prek e drithrue ato epje qi i ka thye copash harrimi.
Kqyr
krejtkah kjo dritë qi bjen nji ditë, tuj e kërsit tinzash nëpër porta
t’drunjta, e tuj gjujt guraleca nëpër dritare. Kësodore mundet me nguc fminin,
e trazimet që na ngjyjn edhe tash me bojën e fajit.
Asht
nadje... e un’ ndihem plot!
Si
nëpër andrra i përshkova, rrugicat, krejtkah e shkumja kishte mujt me rujt brenda
meje kujtime e gjasmime. Tuj ik, tuj prek e tuj shkel gjanat që ngucatin për me
zgju përgjumjen që pluhuni i harrimit i asht lshu si rrobë përsipër.
Nuk
muj me than se qysh'kur, po krejçka trazoj kjo shëtitje nëpër këtë nadje haret,
n’pik t’sabahit, po dote me m’kthye te gjurmët qi ikja s’kish mujt me i marr me
vedi, bashkë me nji grusht dhé e do fara lulesh. Po, me m’pru te t’lumet
kujtime.
Dugajt
e Reja e kanë shpalu kandën e kahershme që struket nëpër urdhnesa burrash
t’mdhej e dashnish t’shpuzta, historish tragjike e tregimtarishë t’ambëlsume.
Gjuhadoli, tash i asht kthy triumfalisht t’shkumes së vet, tue dasht me shndrit
n’nji kohë tan hirin e vet, e t’ue çapit hapave qi shkojnë e vijnë, natave
t’vona nan han, e mramjeve t’turrshme frymëmarrjeve t’ngutshme, e shikimeve
t’prushuta.
Asht
nadje... e unë shkoj kah m’çon zemra, e tankun takoj “Nadja e mirë!” i tham, e
“Mirë se t’pruni nadja!” marr, e përlaj me sy e me shpirt çdo gja qi m’ban me u
ndi mushun me dritë agu, e kallun n’diell malli.
E
tash, m’duhet me kthy te ikja qi m’mban t’lidhun n’vargonj malli, tash qi dita
ka xan e dritt ma shum’, e dilli m’nez n’sy nji pamje qi flaket ngjyrave. Shkoj
e xa vend te çdoditshmëria jeme plot vargje e vragë, andje qi frymojnë e ngulme
qi teptisen.