Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Marilyn Monroe - Unë jam thjesht një vajzë e vogël në një botë të madhe
E diele, 03.09.2023, 06:05 PM
Marilyn Monroe: Unë jam thjesht një vajzë e vogël në një botë të madhe, duke u përpjekur të gjej dikë që ta dojë
Nga
Albert Vataj
Nëse
jeni kureshtar të njihni Marilyn Monroe, këtë grua që u shua duke shkëlqyer në
qiellin e natës së mistershme të ëndrrës amerikane, më saktë se përmes asaj
çfarë ajo mendon, për vete dhe jo vetëm, nuk do të mundni, sikur të përpini
çfarë kanë shkruar biografë të talentuar dhe zejtarë të shpirtit krijues.
Marilyn Monroe nuk i’a lejoi askujt të tregonte për vete, veç vetes së saj, një
vetvete që rëndom haset me vështirësi në kohën që pasoi dhe së cilës i
përkasim, ku secili VIP përpiqet të shtiret, të gënjejë, ta fshehi veten madje
edhe ndaj vetes, i/e përndjekur nga një frikë për të qenë kthjelltësish të
sinqertë.
Jeta
e saj përrallore erdhi nga një e shkuar jo shumë vezulluese, kohë për të cilën
ajo fliste pa droje. "Mbaj mend, thoshte ajo, kur isha në shkollë të mesme
nuk kisha një fustan të ri për çdo rast të veçantë. Vajzat më sillnin në
vëmendje faktin, jo gjithmonë me shumë delikatesë. Djemtë, megjithatë, nuk u
mërzitën kurrë me këtë temë. Ata ishin miqtë e mi, jo për shkak të madhësisë së
garderobës sime, por sepse më pëlqenin."
“Unë
jam egoiste, e padurueshëm dhe pak e pasigurt. Unë bëj gabime, jam shpesh
jashtë kontrollit dhe në momente të vështira për t'u trajtuar. Por nëse nuk
mund të më përballosh në situatën time më të keqe, atëherë sigurisht që nuk më
meriton në gjendjen time më të mirë” thoshte Marilyn Monroe.
“Papërsosmëria
është bukuri, çmenduria është gjeniale dhe është më mirë të jesh absolutisht
qesharak sesa absolutisht i mërzitshëm”, ironizonte ajo.
Edhe
pse ishte dhe mbeti një yll, ajo dinte edhe të goxonte duke përkufizuar se:
“Nëse do të kisha respektuar të gjitha rregullat, nuk do të kisha arritur askund.”
“Unë
jam e mirë, por jo një engjëll. Unë bëj mëkate, por nuk jam djalli. Unë jam
thjesht një vajzë e vogël në një botë të madhe, duke u përpjekur të gjej dikë
që ta dojë”, këtu kemi të bëjmë me rrëfim me zemër në dorë.
“Suksesi
bën që shumë njerëz të të urrejnë. Uroj që të mos ishte kështu. Do të ishte e
mrekullueshme të shijonit suksesin pa parë zili në sytë e atyre që ju
rrethojnë”... por kjo nuk ka gjasë të ndodhë.
“Mendoj
se seksualiteti është tërheqës vetëm kur është i natyrshëm dhe spontan”, kështu
mendonte Marilyn Monroe, një nga gratë më seksi të kohës
Edhe
unë kam ndjenja. Unë jam ende njeri. Gjithçka që dua është të më duan, për
veten dhe për talentin tim.
Duke
folur hapur dhe bukur për gruan dhe bukurinë, shansin që ajo të ndihet seksi
dhe e vlerësuar, ajo ishte e prerë: “Një nga gjërat më të mira që më ka ndodhur
është se jam grua. Kështu duhet të ndihen të gjitha femrat.”
Nuk
e di kush i shpiku takat e larta, por të gjitha femrat i detyrohen shumë.
Natyrisht
se në jetën e saj të stuhishme, Marilyn Monroe, kishte edhe momente reflektimi
pas ulje-ngjitjeve. Kësisoj ai mësohet të jetë shprehur: “Po mundohem të gjej
veten. Ndonjëherë kjo nuk është edhe aq e lehtë.”
“Një
grua e di me intuitë ose instinkt se çfarë është më e mira për veten e saj.”
Duke
folur për atë çfarë ajo ishte dhe si ne e njohim atë, theksonte: “E dija që i
përkisja publikut dhe botës, jo sepse isha e talentuar apo edhe e bukur, por
sepse nuk i përkisja kurrë asgjëje e askujt tjetër.”
Megjithatë,
“Hollivudi është një vend ku ata do t'ju paguajnë një mijë dollarë për një
puthje dhe pesëdhjetë cent për shpirtin tuaj,”, e trisht por e vërtetë.
“Një
aktore nuk është një makinë, por ata të trajtojnë si një makinë, një makinë
parash”... të mbetet ta pranosh nëse nuk je e përgatitur t’i japësh fund
ëndrrave tua, të përfundosh në një gjendje që më shumë se të trishton dhe bën
të vuash, të akuzon si fajtore.
Kjo
është bota ku jetoi dhe kur jetoi, Marilyn Monroe..., por që mbeti e tillë edhe
sot.